Para murit të heshtjes
Përkthyesja: Remzije Ajeti
Vogëlusheve, grave, burrave, Bosnjës, të dhunuarve 1992-1995
Janë më shumë se sa që është e gatshme bota të besojë. Dhjetra mijëra gra të dhunuara është një nga pasojat më të tmerrshme të agresionit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë që zgjati tri vjet e gjysmë. Me identitet të shkatërruar, të poshtëruara dhe të çnderuara, ato nuk janë vetëm realitet i vrazhdë i atdheut të vet. Viktimat e dhunimit janë edhe metaforë e tij. Agresioni kundër Bosnjës dhe Hercegovinës është paramenduar dhe është ekzekutuar si dhunim i viktimës së pandihmë. Është shkatërruar identiteti i saj, është rrënuar dhe djegur e kaluara e saj, është shkatërruar e sotmja, janë këputur ose kanë plasur lidhjet shekullore midis popujve dhe njerëzve të saj. Është në pikëpyetje edhe ardhmëria e Bosnjës ashtu siç është në pikëpyetje edhe ardhmëria e boshnjakeve të dhunuara.
Më shumë se tri vjet botën e tmerruan krimet serbe në Bosnjë, kurse liderët botërorë u përgjigjeshin atyre me një gjakftohtësi të llahtarshme dhe cinizëm. Duke mos qenë të përgatitur të përgjigjen në mënyrë adekuate ndaj agresionit dhe krimeve, një kohë shumë të gjatë i fshehën nga opinioni raportet lidhur me masakrat, llogoret, dhunimet, varrezat masive. Askush nuk është kompromituar aq shumë lidhur me këtë, sa politikanët evro-perëndimorë. Mirëpo, edhe administrata e Amerikës e dozonte përdorimin e informatave të tilla në pajtim me nevojat dhe interesat e veta.
Më shumë se tri vjet në Këshillin e Sigurimit u shkruan rezoluta të reja. Të mëparshmet harroheshin. Të gjitha, përveç njërës, me të cilën viktimës i mohohej e drejta që të mbrohet. Duke e mbajtur Bosnjën nën embargon ushtarake, të miratuar më 1991 për ish-Jugosllavinë, Këshilli i Sigurimit e injoroi vendimin për njohjen ndërkombëtare të shtetësisë së saj dhe pranimin në Kombet e Bashkuara. Me këtë Bosnjës iu shqiptua dënimi me vdekje. Agresori as që mund të priste shërbim më të madh. Duke iu falënderuar embargos i qe garantuar superioriteti i tij ushtarak. Me teknikë ushtarake gjigante të ish-APJ ballë për ballë boshnjakëve plotësisht të paarmatosur dhe ballë për ballë një armatimi të lehtë të kroatëve, formacionet ushtarake serbe vetëm për gjashtë muaj arritën të pushtojnë 70% të territoreve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe dy milion njerëz i detyruan për egzod.
Lidhur me këtë fakt shtetet udhëheqëse të bashkësisë botërore silleshin thuajse Serbët nuk janë përgjegjës për luftën dhe thuajse Bosnjën e goditën një varg katastrofash natyrore, që nuk kishin kurrfarë lidhjesh me Serbinë dhe qëllimet e saj strategjike. Ishte kjo dëshmi që këto shtete insistojnë në standardet e të drejtës ndërkombëtare vetëm, nëse kjo ka të bëjë me interesat e tyre, d.mth. parimet nuk vlejnë për të gjithë njësoj. Ato lejuan të shkatërrohet shteti, i cili ishte shembull unikat i multikulturës dhe tolerancës ndërnacionale.
I merrnin për të vërteta thashethënat dhe gënjeshtrat rreth Bosnjës si një shtet “hibrid” duke ua ngritur moralin atyre që e shkatërronin dhe e coptonin. Kur para opinionit të vet duhej të arsyetonin mospërgatitjen personale që ta adresojnë agresorin dhe të ndërmarrin masa efikase, shtetet e mëdha botërore me influencë gjetën strehim në tezat për luftën qytetare, duke ringjallur mitin për nevojat ataviste të popujve të këtij vendi që të vriten ndërmjet veti. Nëse tashmë e injoruan deri në atë masë historinë, është për t’u habitur që për ta nuk kishte kurrfarë rëndësie fakti i pranueshëm se në atë “ambient të urrejtjes etnike qindvjeçare” ishin bërë së paku një e treta e martesave të përziera nacionale.
Një politikë e tillë “u kurorëzua” me paqen e Dayton-it, për të cilën edhe vetë arkitektët e saj pohojnë se nuk është dokument i përsosur, por njëkohësisht e dinë se është i padrejtë. Me marrëveshjen e paqes nuk është zhdukur fitili, me anën e të cilit fare lehtë mund të ndizet konflikti i ri. Modeli, sipas të cilit është prerë në Dayton mostra e kushtetutës për Bosnjën dhe Hercegovinën, ende nuk pati sukses askund në botë, as të fillojë të funksionojë dhe është shumë vështirë të besohet se kjo do të arrihet në rastin e Bosnjës. Formalisht Bosnja mbeti e pandarë, kurse në fakt ajo u nda. Zgjidhja kushtetuese unikate është pasojë logjike e politikës trivjeçare “paqësore” ndaj Bosnjës.
Që nga përpjekja e parë “paqësore”, planit të Cyrus Vance-ut dhe lordit David Oëen për kantonizimin etnik, përmes 49%-it të famshëm të territoreve, të cilat Grupi i Kontaktit ia ofroi me zemërgjerësi Karaxhiqit, deri te marrëveshja e Dayton-it, ndërmjetësuesit e paqes në mënyrë të vazhdueshme kanë kalkuluar me ndarjen etnike të Bosnjës.1Që nga Gjeneva deri te Daytoni “poltika e tyre reale” me vetëdije e injoroi faktin që çfardo ndarjeje e bazuar në parimet etnike të një popullate të pandashme dhe të përzier në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk është e mundur pa ndryshime të mëdha demografike.2 Millosheviqi dhe Karaxhiqi e kuptuan këtë dhe e zbatuan me gjakderdhje, para syve të gjithë botës. Me qëllim që të krijojnë territor të pastër etnik dhe në ardhmëri ta lidhin me Serbinë, ekstradimi me dhunë i Boshnjakëve dhe Kroatëve u ekzekutua përmes metodave më brutale: me anë të bombardimeve, vrasjeve masive, deportimeve masive nëpër llogore, dhunimeve. Bota këtë e quajti “pastrim etnik” thuajse eufemizmi mund ta largojë kundërmimin e gjenocidit.
Duke e lejuar agresorin t’i mbajë territoret e pushtuara me dhunë dhe etnikisht “të pastruara”, Marrëveshja e Daytonit në mënyrë eksplicite e ratifikoi procesin gjenocid të krijimit të Serbisë së madhe. Një klauzulë e Marrëveshjes, me anën e të cilës të ndjekurve u jepet e drejta, pa garancion, për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, këtë fakt nuk mund ta sjellë në pyetje.
Pas Daytonit të gjitha pikëpamjet u drejtuan në drejtim të Hagës dhe Gjyqit Ndërkombëtar për krime lufte. Është pikëpyetje e madhe a do të mund të jetë në gjendje Gjyqi të shpëtojë kredibilitetin e luhatur të bashkësisë ndërkombëtare. Që nga fillimi ndodhet nën presionet e vazhdueshme politike, finansiare dhe kadrovike. Është shumë vështirë të kryejë punën e filluar në një situatë të tillë.
Tërë bota pret përgjigje. Por ajo nuk varet vetëm nga gjyqtarët. Misionin e tyre fare lehtë mund ta ndalojnë interesat politike. Nuk do të jetë befasi e madhe, nëse drejtësia dorëzohet para hipokrizisë dhe nëse viktimave u merret e drejta për satisfaksion moral.
Vendosmëria e gjyqtarëve e zgjon shpresën. Magjithatë, veprimet e Këshillit të Sigurimit në periudhën prej tri vitesh e gjysmë të luftës brutale nuk garantojnë që Kombet e Bashkuara do të qëndrojnë dinjitoze në respektimin e parimeve, në bazën e të cilave është themeluar organizata. Erozioni moral i ka përfshirë edhe themelet e OKB. Kjo është e mundur të dokumentohet me një varg shembujsh, e njëri ndër shembujt më drastik është qëndrimi ndaj krimeve të bëra në Bosnjë dhe Hercegovinë. Dhunimet masive në këtë kaptinë zënë një vend të posaçëm.
Në asnjë shembull nuk pasqyrohet aq qartë hipokrizia e politikës së lartë botërore, siç pasqyrohet në rastin e dhunës masive ndaj grave të Bosnjës. Bllokada shumëmuajshe e të vërtetës për këto krime, të cilën më në fund e thyen mediat e pavarura, u ishte imponuar edhe organizatave të atilla siç është Komesariati i Lartë për Refugjatë i KB. Kjo organizatë në dhjetor të vitit 1992 përshkroi dhunën masive seksuale të formacioneve ushtarake serbe si raste të izoluara, të kryera “në të gjitha anët”, me qëllim që pas dy javësh funksionarja e lartë Sylvana Foa nën presionin e mediave pranoi se UNHCR-i që nga fillimi në mënyrë të vazhdueshme pranon raporte për dhunimet masive të boshnjakeve.3
Kur nuk qe më e mundur të pengohet dalja e të vërtetës në sipërfaqe u përpoqën t’ia “përshtatin” nevojave të politikanëve. Me pretekst të interesit të përhapjes së paqes, është vendosur dhe gjatë është mbajtur ekuilibri midis “palëve në konflikt”. Përkundër fakteve, të cilat i prezentonin hulumtuesit e OKB dhe Bashkësisë Evropiane të gjitha “parties” (palët) janë barazuar dhe janë akuzuar për dhunime.
Tundimit të ekuidistancës nuk mundën t’i bëjnë ballë madje as disa feministe. Nën maskën e mburojës të kundërthënieve doktrinore lidhur me natyrën dhe funksionin e dhunimit, provoi të imponohet një grup për kah numri i vogël, por mjaft i zëshëm. Duke pohuar se “rasti boshnjak” i dhunimeve po politizohet dhe po futet në kontekst të gabuar, ky grup u përpoq të bindë opinionin, se si në çdo luftë, edhe në Bosnjë bëhet fjalë vetëm për vërshimin masiv të urrejtjes gjenerike të meshkujve ndaj femrave. Shikuar nga kjo pikëpamje dhuna masive e formacioneve ushtarake serbe do të mund të përshkruhej vetëm si “luftë gjinish” përkatësisht dhunë e të gjithë meshkujve kundër të gjitha femrave.
E vërteta për dhunimet masive e sistematike dhe për keqtrajtimin seksual në Bosnjë dhe Hercegovinë, megjithatë arriti të dalë në opinion. Rol jashtëzakonisht të madh për këtë patën gazetat publike, sidomos mediat e fuqishme elektronike dhe gazetat amerikane më me influencë. Është i pamatshëm kontributi i shumë feministeve, posaçërisht atyre amerikane, të cilat nuk lejuan të pengohen nga arsyet kolegiale, kur në krim arritën të njohin rastin pa precedent në historinë e gjatë të dhunimeve të luftës. Catherine Mackinnon e quajti gjenocid postmodern. Duke analizuar në revistën Ms. dhunën masive seksuale të formacioneve ushtarake serbe shkroi se “bota akoma nuk e përjetoi faktin që seksi të keqtrajtohet në mënyrë aq të përpunuar dhe të hapur, në mënyrë aq sistematike dhe në një shkallë të tillë të soficizmit teknik dhe psikik, si mjet për shkatërrimin e një populli të tërë. Me këtë luftë pornografia paraqitet si mjet i gjenocidit”4.
Pas shumë hezitimeve bota më në fund e definoi krimin. Dhunimet masive u kualifikuan si mjet luftarak kundër civilëve boshnjakë, kryesisht boshnjakeve. Formacionet ushtarake serbe u identifikuan si kryes të një delikti të bërë në mënyrë masive dhe sistematike. Hulumtuesit, të cilët ia dërgonin raportet e veta Gjyqit Ndërkombëtar në Hagë, nuk dyshonin që dhuna seksuale ishte pjesë e strategjisë ushtarake serbe dhe ishte realizuar në praktikë sipas një plani dhe në mënyrë sistematike në kampanjën e “pastrimit etnik”.
Gjyqit iu dorëzuan dhe dëshmitë që i akuzojnë edhe formacionet ushtarake dhe pjesëtarët e Këshillit Kroat të mbrojtjes për dhunime. Edhe burimet tjera neutrale theksojnë përgjegjësinë e KKM (HVO), duke theksuar që në një moment, gjatë konfliktit me ushtrinë e Bosnjës dhe Hercegovinës dhuna seksuale ndaj boshnjakeve mori disa tipare të “shembullit”, të cilin e praktikoi tërë kohën pala serbe.
Asnjë ekip hulumtues, asnjë burim neutral nuk e identifikoi Ushtrinë e Bosnjës dhe Hercegovinës si kryes masiv të këtyre krimeve. Dhunimet, për të cilat ngarkohen individët, pjesëtarët e ushtrisë ose civilët, pra boshnjakët, janë kualifikuar si “raste individuale dhe incidente të rralla”. Natyrisht, fajtorët për këtë nuk do të duhej të prisnin lehtësim moral, as përkatësia e tyre në anën, e cila mbrohet nuk e zvogëlon përgjegjësinë për krime.
* * *
Të gjithë ata që i hulumtuan dhunimet e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë theksojnë se heshtja e viktmave ishte për ta pengesa më e madhe, shpeshherë e pakapërcyeshme. Edhe përvoja ime e pohon këtë. Edhe gjatë hulumtimit tim heshtja qe kundërshtari im më i madh. Shpesh herë e ndieja veten si të isha para një muri, kurse para meje qëndronin qeniet njerëzore, fatkeqe, të turpëruara, të poshtëruara, të humbura. Shumë prej viktimave i kanë humbur fëmijët, burrat, prindërit. Shumicës prapa u kanë mbetur vatrat e djegura dhe të rrënuara. E kuptoja heshtjen e tyre .
Kundërshtari im i dytë dhe mjaft i madh qenë emocionet. E vlerësova keq veten duke menduar se nuk do të më lëkundë vuajtja e pamasë, paaftësia dhe humbja e shpresës së viktimave. Takimet më të vështira për mua qenë takimet me fëmijët e dhunuar. Disa as që e dinë si quhet “ajo” që u ka ndodhur, por flokët e thinjura të vogëlushes tetë vjeçare, ose belbëzimet e paraqitura papritmas të tjetrës, moshatares së saj, janë dëshmi të qarta të traumës, e cila ua shkatërroi fëmijërinë. Pas muajve të shumtë të dëgjimit të historive tronditëse, të cilat u ngulitën thellë në vetëdijen time, u gjenda para thyerjes shpirtërore. M’u nevojit një kohë e gjatë pas kësaj që të shërohem dhe të filloj të shkruaj.
Disa njerëz që më njohin mirë i befasoi kthesa ime profesionale nga gazetaria politike drejt një teme, e cila më herët kurrë nuk më interesoi. Ndoshta kjo edhe nuk do të ndodhte, sikur refugjati i parë, të cilin e takova kah fundi i prillit të vitit 1992, të mos qe një grua e dhunuar nga Bijelina. Kur e kuptova që përvoja e saj nuk qe as e rastësishme, as e vetmuar, nuk munda të kthehem prapa. Dymbëdhjetë rrëfimet që janë prezentuar në libër me intervenimet e mia të vogla dhe të domosdoshme (shkurtime), pastaj edhe përafërsisht njëqind deklarata të personave të dhunuar dhe disa qindra deklarata të dëshmitarëve, të cilët shërbejnë për analiza të “rasteve”, janë rezultat i hulumtimit dhjetë muajsh nëpër kolonitë e refugjatëve, nëpër stacionet dhe nëpër të gjitha vendet e mundshme, nëpër të cilat u shkapërderdh egzodi boshnjak. Pa ndihmën e të tjerëve nuk do të kisha sukses.
Dy grave u kam borxh falënderim të pakufishëm. Njëra prej tyre është veprimtarja e Kryqit të Kuq të Kroacisë. Në libër do ta përmend si zonjën V. Nuk më lejoi ta zbuloj identitetin e saj, duke thënë se kjo në punën e saj nuk është diçka e zakonshme. Më ndihmonte që të vë kontakt me shumicën e viktimave të dhunimit, më lajmëronte për ardhjen e grupeve të reja të refugjatëve, ish të burgosurve në llogoret dhe burgjet serbe dhe në mënyra të ndryshme e lehtësoi hulumtimin tim.
Nada, një mikeshë imja nga ditët studentore, psikologe me përvojë njëzetvjeçare në qendrën për kujdesin social, ma mësoi alfabetin e fenomenit të dhunimit. Arsyeja pse Nadën, serben do ta përmend me pseudonim janë prindërit e saj. Në kohën e hulumtimit tim ata qenë në Krajinë. Që nga prilli i vitit 1995 jetojnë në Vojvodinë.
Me ndihmën e Diana Conklin-it, Amerikanes, juristes dhe këshilltares në Zyrën e shërbimit vullnetar të Kombeve të Bashkuara në Zhenevë, librin për dhunimet gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë e shkrova edhe në gjuhën angleze. Diana “broken English”-ten time e përsosi deri në nivelin e gjuhës standarde amerikan.
Falënderimin ia kam borxh edhe prof. Dr. Muradif Kulenoviq-it, i cili “rastin boshnjak” e analizoi nga aspekti psikiatrik, si dhe profesor Ivan Shiberit, për analizën kompetente socio-psikologjike që ia bëri problemit.
U falënderohem edhe të tjerëve, që ndihmuan punën time, posaçërisht Komisionit Shtetëror të Bosnjë dhe Hercegovinës për verifikimin e fakteve për krimet e luftës, i cili më la në disponim pesë deklarata të viktimave të dhunimit nga dokumentacioni i vet.
Gjatë tërë kohës mbështetja ime më e sigurt qe familja ime, posaçërisht bashkëshorti im, pa përkrahjen dhe dashurinë e të cilit nuk do të isha në gjendje t’i tejkaloja dëshpërimet, të cilat e përcollën punën time në këtë libër.
VIKTIMAT FLASIN
Gratë duhet të jenë posaçërisht të mbrojtura nga çfarëdo sulmi mbi nderin e tyre, në mënyrë të veçantë nga dhunimi, prostitucioni i dhunshëm dhe çfarëdo sulmi tjetër i padenjë.
Konventa e Katërt e Gjenevës, neni 27.
ENISA
Edhe pse e kishte kthyer shpinën, pak e kërrusur drejt vitrinës së librarisë “Mlladost” (Rinia), erdha në përfundim se do të mund të ishte ajo, Enisa. E thinjur, flokët gati të bardhë e të gjata deri te jaka e setrës ngjyrë gështenjë, nje setër të papërshtatshme për muajin korrik, veshur me një fund ngjyrë hiri, një çantë të zezë femrash në një dorë dhe “Slobodna Dalmacija” (“Dalmacia e lirë”) në dorën tjetër, i përgjigjeshin përshkrimit, të cilin ma dha një ditë më herët në bisedën telefonike.
Më vonë, derisa në kafenenë “Dubrovniku” po e prisnin kafenë, e vështroja më me kujdesë. Nuk qe e shëmtuar, siç m’u duk në Shesh. Pa “parezën”(paralizën), e cila në mënyrë vrazhdë ia deformonte pjesën e majtë të poshtme të fytyrës, do të dukej tërheqëse për moshën e saj. Ndoshta në rini, madje ka qenë e bukur, konkludova e sigurt se para meje është një person që ka mbi pesëdhjetë vjet. Natyrisht, nuk munda ta fsheh befasinë time, kur më tregoi se në muajin gusht do t’i mbushë njëzet e tetë vjet.
Enisa e injoroi hutueshmërinë time. E mbajti shikimin vetëm disa minuta në mua thuajse po e vlerësonte faktin se a jam unë personi, të cilit duhet t’ia rrëfejë ngjarjen e vet dhe pastaj propozoi ta kyq kasetofonin. Fliste ngadalë dhe me monotoni duke mos shprehur emocione. E tradhëtonin vetëm shuplakat e shtrënguara dhe të shtangura. Duke dëgjuar rrëfimin e saj disa herë mendova se i janë skalitur në shuplaka vrragët e thonjëve, të cilët në çdo moment do të mund të shpërthenin në gjak.
* * *
Më burgosën me datën 30 prill në mbrëmje. Atë ditë, herët në mëngjes, e morën burrin tim. Nuk i di emrat e atyre njerëzve. Dy prej tyre kishin veshur uniforma të policëve, i treti qe civil. Nuk jam e sigurt a janë vendas, nga Prijedori. Gjatë periudhës prej disa muajsh që nga shpërngulja jonë nga Banja Lluka, kam njohur shumë pak Prijedoras. Ishim qift i ri bashkëshortor dhe nuk u lodhëm shumë për të kërkuar shoqëri.
Kishim miqësi me një qift bashkëshortor pak më të vjetër, të cilët burri im i njihte që nga fëmijëria. Ata edhe i ndihmuan të punësohet në Prijedor dhe për atë shkak u shpërngulëm atje. Shpresoja se edhe unë do të punësohem atje lehtë, si mësuese, në ndonjë shkollë në periferi, ose në ndonjë shkollë fshati. Miqtë tanë e braktisën Prijedorin dy muaj para se të na burgosin ne. Papritmas vendosën të ndërmarrin një hap të tillë duke na këshilluar edhe ne që të veprojmë ashtu. Fatkeqësisht, nuk i dëgjuam.
Mendonim se nuk do të ketë luftë. Mendonim se zhurmaxhitë serbë do të qetësohen. Askush nuk i rrezikonte as në Bosnjë, as në Prijedor. Gjithmonë dhe për çdo gjë serbët e kishin fjalën kryesore.
Kur erdhën ta marrin burrin tim, thanë se bëhet fjalë vetëm për një bisedë rutinore dhe nga policia do ta dërgojnë drejt në vendin e punës. Në atë moment ne nuk e dinim se pikërisht në natën që sapo kishim lënë pas, disa orë më herët, policia ushtarake speciale serbe e kishte ndërruar qeverinë, qeverinë legale në Prijedor dhe nuk e dinim se kishin filluar burgosjet. Burri im nuk bëri rezistencë. Qetë u nis me ta. Në punë nuk ishte paraqitur dhe nuk e kam parë kurrë më.
Po ai civil dhe njëri nga policët erdhën të më marrin mua. Më thanë se vetëm duhet ta vërtetoj deklaratën e tim shoq se nuk kishte vepruar në SDA (Partia e Akcionit Demokratik) dhe për një ose dy orë do të kënaqem në përqafimin e ngrohtë të burrit tim.
Ma ndjeu zemra se do të më ndodhë diçka e keqe, vetëm kur në veturën, e cila nuk kishte shenja të policisë, m’i lidhën sytë me diçka.
Pas një gjysmë ose një orë vozitjeje më nxorrën nga automobili dhe më futën në njëfarë lokali. E di se nuk ishte në kate, pasi nuk u ngjitëm shkallëve. Dikush më shtyri në dysheme. Ishte nga betoni. Kur u përplas dera i zgjidha sytë. Ishte errësirë e plotë. Ndjeva frymëmarrjen e dikujt dhe njëfarë pëshpëritjeje nëpër dhëmbë, prandaj konkludova se nuk jam vetëm në dhomë. As që arrita ta kuptoj për kë bëhet fjalë, sepse së shpejti u hap dera duke lëshuar brenda pak dritë nga korridori. E vërejta një person me uniformë ushtarake dhe vetëm, kur më bërtiti me sa zë që kishte, pse i kisha zgjidhur sytë, e kuptova se ishte grua. E përplasi derën me fuqi ashtu që unë nuk arrita ta shfrytëzoj atë pikëz drite dhe të shoh edhe kush tjetër gjendej në atë dhomë.
Pas disa çastesh u kthye përsëri me një mjet lidhjeje. Ishte ajo, në realitet, një çorapë burrash, të cilën ma vuri mbi sy dhe e lidhi me një spango. Nga kundërmimi për pak nuk volla. Menjëherë pas kësaj më dërgoi në një kthinë tjetër dhe më urdhëroi t’i zhvesh rrobat dhe t’i zbath këpucët. Ajo ma hoqi nga dora orën, bylyzykun dhe unazën e martesës. Vathët m’i këputi me forcë nga veshët. Mbeta me sy të lidhur. Nuk pata guxim t’i zgjidh as kur për një kohë të shkurtër mbeta vetëm.
Rojtarja u kthye shpejt edhe me një person. E dëgjova kur i tha atij personit tjetër: “Ja, ku e ke, bëj me qelbaniken çkado që të bjen ndër mend.” Personi tjetër ishte mashkull. E kuptova këtë, posa më kapi për krahu dhe më shtyri drejt njëfarë shtrati. “Vërtet, po qelbesh, zoti të vraftë”, më bërtiti tek veshi, derisa me duar m’i shtypte gjinjtë. Nuk e kuptoj si e mora guximin të them se nuk po qelbem unë, por çorapa. Me sa duket kjo më doli spontanisht. As që isha mjaft e vetëdijshme se çfarë thashë, sepse qeshë aq e frikësuar si asnjëherë tjetër në jetën time.
“Ahhaaa, do të dëshiroje t’i zgjidh sytë, apo jo mësuese? Do të dëshiroje të më shihje. E po mirë, shikoje Novicën tënd, por mbaje në mend se çorapet serbe nuk kundërmojnë. Duhet ta kesh për nder që serbi dëshiron të të qijë… A të kujtohet Novica nga klasa e katërt A “- pyeti duke ma larguar çorapen nga sytë.
Disa çaste nuk munda të shoh asgjë edhe pse drita ishte e ndezur. Vetëm pasi sytë m’u mësuan me dritën ia pashë fytyrën. Ishte e panjohur. Akoma nuk mund të besoj që ai që më dhunoi kishte qenë nxënësi im, ish nxënësi im. Sipas moshës, ndoshta edhe do të mund të ishte nga gjenerata e parë në praktikën time si mësuese. Ishte më i ri se njëzet vjet, që do të thotë, atëherë, kur unë fillova të punoj si mësuese, do të mund të kishte qenë në klasën e katërt të shkollës fillore. Por, fytyra e tij për mua ishte e panjohur, nuk më kujtohet asnjë nxënës me emër të tillë.
Atë natë, pra natën e parë të burgosjes sime, më dhunuan edhe shtatë veta, por asnjërit prej tyre nuk ua pashë fytyrat, sepse Novica, nëse vërtet ai është emri i tij, pastaj përsëri m’i lidhi sytë. Para se të shkonte më lidhi për shtrati. E lidhur, me këmbë të hapura dhe duar të hapura mbi kokë, shërbeva për kënaqësinë e shtatë “Jugoviqëve”. Kështu i përkëdhelte ajo gruaja, rojtarja. Kohë pas kohësh hynte në dhomë të verifikonte se a duhej të më lante. Më vonë e kuptova se “larje” do të thoshte të lagte me ujë të ftohtë në rast se i burgosuri alivanoset.
Të nesërmen me kamion më bartën në një vend tjetër, së bashku me një grup të burgosurash, të cilat njësoj si unë i kishin sytë e lidhur dhe duart e lidhura pas shpine. Pas një vozitjeje të gjatë na vendosën në një farë barake pa dritare, në të cilën depërtonte drita vetëm atëherë, kur hapej dera. Nuk di ku ishte ai vend. Ndoshta afër Bosanska Gradishkës, sepse njëherë e dëgjova njërin nga rojtarët, kur i tha rojtarit tjetër se i duhet të shkojë deri te gomisti në Gradishkë.
Nuk di të them saktë se sa kam qëndruar aty, sepse në terr njeriu e humb orientimin në kohë. Kam përshtypjen që në atë barakë të errët e kam kaluar një jetë të tërë. Derisa qeshë e mbyllur aty rojtarët më rrahën disa herë. Në këtë mënyrë disa prej tyre e vrisnin monotoninë, meqë para se ta rrahnin të burgosurën ata së pari e dhunonin.
Një rojtar (e quanin Kostur, edhe pse ishte bukur i majmë) me kondakun e pushkës ma lëndoi nofullën e majtë dhe m’i theu të gjithë dhëmbët në anë e majtë. Këtë në fytyrë e kam “kujtim” nga Kosturi. Nga ai tmerroheshim më së shumti, sepse ishte sadist i vërtetë. Grave ua fuste shishen e birrës në … dhe e detyronte secilën t’ia “thithte”. Mua provoi të ma fuste tytën e revoles … Instiktivisht u prapsa dhe e godita me këmbën, të cilën ai duke qenë i sigurt se nuk do të kisha guximin as nuk do të mund ta kundërshtoja, e kishte lidhur lehtë për shtrati. I befasuar dhe i tërbuar ma ktheu goditjen me kondak. Vetë goditja nuk më kujtohet. Gjëja e fundit që më kujtohet është lëvizja nga karrigia, kur e kapi pushkën. Mendoj se një kohë shumë të gjatë kam qenë e alivanosur.
Kur erdha në vete, akoma ndodhesha në të njëjtën dhomë, në të cilën na dhunonin rojtarët. Ata atë e quanin “argëtim”. Nofullën e kisha të lidhur me njëfarë lecke, kurse në gojë e kisha shijen e gjakut. Tërë koka më dhimbte. Në atë moment gjëja e parë që më ra ndërmend ishte fakti që sytë nuk i kisha të lidhur. Kosturi ishte i vetmi që secilës prej nesh ia zgjidhte sytë duke u lavdëruar se ai nuk i frikësohet askujt. Natyrisht, secilës para kthimit në barakë, përsëri ia lidhte sytë.
Meqë isha vetëm në dhomë kisha mundësinë ta shikoj me vëmendje. Ishte bukur e vogël, nja pesëmbëdhjetë metra katrorë e ndoshta edhe më pak. Muret ishin jashtëzakonisht të ndyra, me shumë njolla të gjakut. Disa njolla ishin fare të errëta, por kishte edhe njolla të njoma, të kuqe. Përveç shtratit dhe dy karrige, në dhomë nuk kishte gjëra tjera. Në dritare nuk kishte kurrfarë perdeje, prandaj dikush kishte ngjitur në xham gazeta të vjetra, vende-vende tashmë të grisura.
Ajo dritare e vogël më tërhoqi, por nuk kisha fuqi të ngritem nga shtrati dhe së paku për një kohë të shkurtër të hedh një sy jashtë. Duke ndenjur shtrirë gjëja e vetme që mund ta bëja ishte t’i përgjoja tingujt. I mbylla sytë, sepse kisha përshtypjen se atëherë dhimbjet në kokë më zvogëloheshin. Kohë pas kohe deri te unë depërtonin zërat e rojtarëve.
Në një moment dikush hyri në dhomë. Shtiresha se jam e alivanosur dhe në momentin, kur mendova se nuk po më shkon për dore, dëgjova kur personi qe hyri ne dhome po i thërriste dikujt t’i thoshte Kostës se akoma është e alivanosur. Zëri tjetër ia ktheu: “Pse po interesohet Kosta aq shumë për atë turkeshë? Vallë, mos është dashuruar në të?” Përsëri u dëgjua zëri i atij në dhomë, duke ia hedhur fjalën atij tjetrit në korridor se Kosta ma kishte njohur burrin, sepse së bashku e kishin kryer shkollën teknike në Banja Llukë. Shtoi gjithashtu se: “Kosta kishte menduar të ëmbëlsohet i pari, por ai i vogli ia hodhi”.
Atëherë i thirri atij tjetrit të sjellë ujë që të më kthejë “kotarin e thive”. Nuk kishte më kuptim të shtiresha. I hapa sytë me qëllim që t’i shmangesha “larjes”, por kjo nuk i pengoi të derdhin tërë kusinë mbi mua. Si duket prituan ta kthenin prapa kusinë plot me ujë. Duke më tërhequr zvarrë nëpër tokë, më kthyen në barakë. Natyrisht, nuk harruan të m’i mbylin sytë.
Përsëri u gjenda në errësirën pa ajër të mjaftueshëm me dhimbje të padurueshme në kokë dhe me shtrëngime në lukth, të cilat zgjatën me ditë të tëra, sepse as racionet e rralla dhe të varfëra të qullit të misrit, të cilat na i jepnin për të na mbajtur në jetë, nuk mund t’i haja. Megjithatë, më e rëndë se dhimbjet dhe uria, më e rëndë se poshtërimi, i cili ta mbytë çdo dëshirë për jetë, për mua qe të kuptuarit se nuk do ta shoh më burrin tim. Edhe pse kohë pas kohe ngushëllohesha me faktin se nuk do të thotë që është i vdekur, nëse Kosta e ka “njohur”, një zë i brendshëm më thoshte se nuk është gjallë. Atëherë vendosa të ndërmarr diçka: ose të nxirrem nga ai ferr, ose të vdes. E dija se po të mos kem sukses, do të më vrasin. Nuk i frikësohesha vdekjes.
Meqë rojtarët më kursyen nga seancat e tyre sadiste kisha kohë të mendoja dhe të vështroja pak rreth e rrotull, thënë më mirë ta prek rrethinën, sepse në atë errësirë duart na i zëvendësonin sytë. E dija se asnjëra nga të burgosurat, të cilat ashtu si unë qenë në gjendje të mjerë, të rrahura, të rraskapitura dhe të torturuara, nuk qe në gjendje fizikisht të qëndronte shumë gjatë me ato egërsira. Megjithatë, më e rëndë se kjo te ato qe humbja e shpresës. Thjesht u lëshuam në duart e fatit. Shumë prej tyre i dëgjoja se si në qetësi i luteshin Zotit që t’i merrte.
Duke i dëgjuar mendova se do të çmendem. Nuk di çka më shtyri të mendoj se kjo edhe nuk do të ishte gjë e keqe. Atëherë vendosa: do të çmendem, do ta aktroj të çmendurën. Nuk e dija si dhe nuk kam ndonjë talent për aktrim. Të kënduarit u imponua si e vetmja mënyrë. Papritmas më ra ndër mend ajo ide.
Posa fillova ta ndiej veten më mirë dhe mund ta lëvizja gojën provova të këndoj me zë të ulët, kurse gruaja e cila rrinte ulur afër meje dhe të cilës nuk arrita kurrë t’ia shoh qartë fytyrën, Hatixhe J., kërceu me rrëmbim duke u larguar nga unë dhe bërtit: Kjo luajti nga mendja, u çmend.
E ndjeva se edhe të burgosurat tjera u mblodhën rreth meje. Ma preknin fytyrën, m’i preknin duart, më bënin pyetje të ndryshme. Nihada, më e reja midis nesh, katërmbëdhjetë vjeçare, shpërtheu në vaj, por unë s’kisha kthim prapa. Vazhdova të këndoj këngët, të cilat i këndoja me fëmijët në shkollë. Gratë rreth meje filluan ta komentojnë me zë se unë u çmenda nga goditja e Kosturit në kokë. Njëra prej tyre, nuk di cila, tha se kjo ndodhi ndoshta për shkak të burrit, se me siguri e kam kuptuar se serbët e kanë masakruar. Në vend që të klith, vazhdova të këndoj me zë edhe më të lartë.
A mund ta merrni me mend cila këngë m’u kujtua? Çfarë kënge se? Një këngë serbe! Fillova ta këndoj këngën “Moj Millane, jabuko sa grane” (Or Milani im, mollë nga dega). Kurrë nuk më ka pëlqyer ajo këngë dhe as që e kam kënduar ndonjëherë, edhe pse nëpër ahengje këndoja edhe këngë të tyre. Baras me sevdalinkat, këngët boshnjake të dashurisë.
Një rojtar vrapoi në barakë si i krisur, e pas tij edhe tjetri. Më nxorën jashtë. Me siguri qenë të shokuar me këngën time, meqë harruan të m’i lidhin sytë. Më bërtisnin që të pushoj së kënduari, kurse unë e verbuar nga dielli i kapsallitja sytë dhe këndoja me tërë zërin që kisha. Kisha një ndjenjë se ndodhesha në mjegull, por së shpejti fillova ta dalloj ambientin rreth e rrotull. Baraka nga jashtë dukej si një hallë e montuar. Ajo mund të ishte ndonjë depo ose uzinë, punëtori. Në dritare qenë mbërthyer dërrasat. Pak më larg ishte një shtëpi e vogël, shtëpi përdhese dhe një traktor me rimorkio para saj. Konkludova se në atë shtëpi gjendet ajo dhoma, në të cilën na dhunonin.
Rojtarët, ende të hutuar, më tërhoqën deri te shtëpia dhe më mbështetën për muri. Më i riu e drejtoi pushkën drejt meje, por unë vazhdova të këndoj. Atëherë ai më i vjetri e nxori nga çizmja një thikë dhe ma vuri nën fyt. Ai ishte Kosturi. Atë, natyrisht tashmë e pata parë. U shtanga dhe për një çast heshta. Në realitet, nuk e dëgjoja zërin tim edhe pse përpiqesha ta hap gojën.
Mendova se nuk do të mund të qëndroj. Nuk frikësohesha nga pushka, por gati më zuri paniku nga mendimi se Kosturi do të mund të më masakronte. Ai ishte në gjendje ta bënte atë. As sot nuk e kam të qartë si e mblodha fuqinë dhe vazhdova të këndoj. Nuk më kujtohet cilën këngë e këndova. Di vetëm se çirresha me sa fuqi kisha dhe nofulla më dhimbte jashtëzakonisht shumë. Po e marr me mend se kjo i tërhoqi të tjerët të dalin nga shtëpia. Njëri prej tyre, i vetmi i qethur si duhet dhe i hekurosur pyeti se ç’po ndodh dhe pse nuk i kam sytë e lidhur. Kosturi iu përgjigj.
– “Si duket, Kosta simpatisë sate nuk do të duhet më t’ia lidhim sytë. U çmend!”.
Unë, natyrisht, vazhdova të këndoj, prandaj Kosta, ai që e ka “njohur” burrin tim, urdhëroi të më “lajnë”. Më “lanë” disa herë, më goditnin me shuplaka, ma vënin thikën në fyt dhe më në fund hoqën dorë. E inkurajuar, fillova të kërcej, gjoja se po vallëzoj. Madje, në një moment desha t’i afrohem Kostës të vallëzoj me të. Kostës, i cili ndoshta ma ka masakruar burrin. E di se kjo Juve ju tingëllon e pabesueshme, por unë vërtet desha ta bëj këtë që t’i bind se jam e çmendur. Kosta ma preu hovin dhe urdhëroi të më kthejnë në barakë.
Që nga ajo ditë, me ditë të tëra më testuan. Më dërgonin në atë shtëpizën dhe më rrahnin, më lagnin me ujë, por nuk më dhunonin. Në fillim kur më nxirrnin nga baraka m’i lidhnin sytë, por më vonë pushuan ta bëjnë këtë. Natyrisht, grave të tjera nuk ua zbulova kurrë se çmenduria ime është e rrejshme. Edhe sot më bren ndërgjegja që me britmat e mia i luaja mendsh. Frikësohesha se ndonjëra prej tyre do të më tradhtonte me qëllim që të shpëtonte, ose së paku t’i zbutte torturat.
Të gjithë besuan në çmendurinë time, por edhe vetë kohë pas kohe nuk qeshë e sigurtë a jam akoma njeri normal. Nuk këndoja vetëm, derisa isha e zgjuar, ëndërrat e mia qenë “të thurura me këngë”. Kjo më shpëtoi nga ferri. Mbijetova.
Zagreb, 16 korrik 1992
* * *
Enisa, mësuese, e lindur në Banja Llukë, para burgosjes e vendosur në Prijedor, e kurorëzuar në tetor të vitit 1991, Boshnjake, është njëra ndër të rrallat, nëse jo personi i vetëm që arriti të dalë nga llogori, para se të depërtonte në botë e vërteta për llogoret serbe të përqëndrimit. Një pasdite rojtarët e hodhën “si thes” në rimorkion e traktorit plot papate dhe pas vozitjes dyorëshe e lanë në një xhade fshati. E merrte me mend se nuk e kishin mbytur vetëm pse, ndoshta, besonin se vrasja e të çmendurit sjell fatkeqësi.
Duke iu shmangur vendeve të banuara, me ditë të tëra brodhi nëpër pyje dhe u ushqye me frute ende të papjekura. Pas dhjetë ditësh e gjetën disa të rinjë të armatosur, të cilët u prezentuan si “patriotë boshnjak”. Prej emrave të tyre konkludoi se janë boshnjakë. Ma pranoi se për herë të parë në jetën e saj, nacionaliteti i atyre të rinjëve qe për te garancion i sigurisë, edhe pse rrobat e tyre të vjetëruara, pushkët e vjetëruara si dhe fshati gjysmë i rrënuar dhe gati fare i shkretuar, nuk i jepnin aspak besim.
Qëndroi me ta derisa nuk e gjetën një njeri, i cili me barkë e dërgoi matanë Savës në Kroaci. Me siguri, shoferi, të cilin pas bredhjes shumë orëshe dhe të pasuksesshme provoi ta ndalte në xhade, e lajmëroi patrullën e policisë, e cila pak më vonë e gjeti. Pas kësaj nuk pat më pasiguri.
Në Zagreb arriti më 21 qershor dhe menjëherë pasi u vendos te disa miq të babait të saj, ra në kontakt me motrën e saj në Kanadë, ku kishte ndër mend të nisej menjëherë, pasi t’i rregullonte disa formalitete të nevojshme.
Shpresonte se në Kanadë, larg nga lufta do të “niste një faqe të re”. Ishte e bindur se mjekët e atjeshëm do të arrijnë t’ia shërojnë deformimin e fytyrës. Të tjerat, tha, do t’i rregullonte vetë. Sapo po bëhej gati t’i ngjyroste flokët e thinjura përnjëherë “kujtimin” nga robëria, për të cilat u vetëdijësua vetëm pasi arriti në fshatin gjysmë të rrënuar në Savë: “Djelmoshat, si ju zonjë, menduan se unë jam plakë. Duke bërë shaka më quanin “kallukanxhë”.
Nisveta
Posa hyra në peronin e parë të stacionit kryesor hekurudhor të Zagrebit, mendova se megjithatë lejova të më mashtronte televizioni. Pamja të cilën po e shihja, në realitet ishte ndryshe. Në vend të tollovisë së papërshkrueshme dhe boshqeve të stërngarkuara, në vend të zhurmës, në të cilën përzihen zërat e të rriturve me vajin e fëmijëve, më priti një heshtje. Peroni i parë ishte i shkretë, madje në mënyrë të pazakonshme edhe për një gjendje as luftë, as paqe, kur udhëtohet vetëm në raste të domosdoshme dhe në drejtimet, të cilat nuk i ka prerë okupimi serb. Paralajmërimi për nisjen e trenit që ma pengoi pamjen dhe ku nuk vërejta udhëtarë, qe shenjë që stacioni kryesor hekurudhor, megjithatë nuk është plotësisht i shuar.
Një çast pas kësaj nga treni, i cili duke rrëshqitur po e lëshonte peronin e parë, kërceu një nëpunës hekurudhe dhe u nis drejt ndërtesës së stacionit hekurudhor. U nisa ta takoj duke dëshiruar ta pyes për refugjatët boshnjakë, të cilët Zyrja për refugjatë dhe të përndjekur, duke mos pasur ku t’i vendoste i mbajti në stacionin kryesor të hekurudhës. Kur iu afrova vetëm disa hapa, rrugën ma prenë një burrë dhe një grua, të cilët zbritnin me shpejtësi shkallëve në nënkorridorin që i lidh peronat. Shenja e Kryqit të Kuq në mëngën e shkurtër dhe të kaltër të gruas, për mua qe udhërrëfyese.
U drejtova pas tyre duke u habitur me veten, se si nuk më ra ndër mend menjëherë që refugjatët duhet kërkuar në ndonjërin prej peronëve sekondar në vend të peronit të parë të rezervuar për udhëtarët, të cilët dinë në ç’drejtim udhëtojnë dhe pse. Pamjen që e pashë me daljen e sërishme në dritën e ditës më qe e njohur, “kopja” e asaj që pashë në lajmet e TV-it. Shikimin ma tërhoqën së pari kokat e vogla të fëmijëve, përplot, nëpër dritaret e hapura të trenit të zgjatur mu si gjarpër. Në peron mbretëronte një gjallëri: shumë kurreshtarë dhe akoma më shumë refugjatë, kryesisht gra në lëvizje. Disa bartnin shishe me ujë, disa lëngje të paketuara. Vërejta se shumica prej tyre, duke u ngutur, nuk shikonin para vetes por anash, thuajse fytyrat e fëmijëve nëpër dritare po u shërbenin si orientim.
Vendosa së pari të shëtisë përgjatë trenit, të inçizoj gjendjen e pastaj, po të jetë e mundur të futem brenda. Përafërsisht te mesi i trenit qëndronte një grup më i madh. Aty ishte një “stendë” me lëngje, para të cilës ishin radhitur refugjatët, duke pritur në heshtje rendin e vet. Para vagonit të ardhshëm një ekip televiziv nga Gjermania ose Austria po bënte intervistë me dy gra. Pak më tutje, takova edhe një ekip televiziv të huaj, i cili tashmë e kishte kryer detyrën e vet.
Kur desha të kthehem pas tyre dhe të provoj të marr ndonjë informacion, më ndaloi, të them më mirë më shtangu në vend një zë i fortë , melankolik i një burri. “Sa e gjatë është qarshija në Prijedor” (“Kolika je u Prijedoru çarshija), filloi të jehojë kënga nga një vagon. Nuk mund ta merrja me mend se dikujt po i këndohej në një situatë të tillë dhe nëpër atë vapë të tmerrshme. Natyrisht, vendosa ta shoh atë çudi dhe meqë në afërsi nuk qe ndonjë person zyrtar, i cili do të mund ta pengonte qëllimin tim, u futa në vagonin, për të cilin supozoja se është i Këngëtarit.
Hyra nga ana e gabuar dhe u detyrova ta kaloj tërë korridorin e ngushtë, në të cilin vapa ishte e padurueshme. Shumica e kupeve ishin përplot. Askush nuk ma vuri veshin. Vetëm para kupesë së fundit, kur sipas forcës së zërit konkludova se nga Këngëtari më ndan vetëm ndonjë metër, gati u përplasa me një grua, të cilës së pari ia dëgjova zërin. “Hesht, plassh, o Zot”, bërtiti, por kur më vërejti e uli zërin dhe filloi të arsyetohet: “Tërë ditën po çirret kështu. Edhe po të ishte Safet Isoviqi, nuk do të mund ta dëgjoja më”. U tërhoq në kupe që të ma lëshonte rrugën, por në të njëjtin moment filloi të ecte me mua, gati duke ma prekur shpinën.
Këngëtarit së pari ia pashë atletet, por kur hyra në korridorin e vagonit përballë, e pashë të tërin. Rrinte ulur mbi valixhen e mbështetur në derën e WC-së. Flokët e drejtë dhe ngjyrë të hapët, fytyra e zgjatur dhe e dobët e tregonin nja njëzetvjeçar. Sytë i shkëlqenin si të ishin nga qelqi. Fanela me ngjyrë të gjelbërt të çelur dhe pantollonat ngjyrë hiri meritonin të laheshin. Atletet qenë të pastra. Të reja.
Nuk reagoi menjëherë në prezencën time. Vazhdoi të këndonte duke e përcjellë këngën me lëvizje të gishtërinjëve, duke imituar atë që luan në fizarmonikë. “Ai nuk është në vete”, ma tërhoqi vërejtjen me zë të qetë zëri pas shpine. “Ka luajtur mendsh. Tani do të kërkojë cigare, por nuk pi duhan”. Menjëherë në atë çast, edhe pse nuk pat mundësi ta dëgjonte, këngëtari e ndërpreu këngën dhe duke mos më shikuar e këkoi një cigare. Kur ia ofrova Benstonin, më tha të pres derisa ta përfundonte këngën dhe e filloi prej fillimit të njëjtën këngë. Duke kënduar refrenin e fundit e mblodhi dhe e largoi fizarmonikën me kujdes, sikur të mbante në dorë një foshnje të posalindur. Madje, ma tërhoqi vërejtjen që të kem kujdes që rastësisht të mos e gërrith, sepse nuk ka më fizarmonikë me tastiera të tilla, siç është kjo. Vetëm atëherë u kthye kah cigaret. E mori tërë pakon.
“Nga jeni”, – pyeta, më tepër për shkak se qeshë e hutuar me tërë atë që pashë, se sa që prita nga ai përgjigje. “Nga të nevojitet të jem?”… Pyetjen time të ardhshme e injoroi dhe me një lëvizje të shpejtë përsëri e mori fizarmonikën.
“Mos, shpirt i tezes, mos këndo më” – ndërhyri gruaja, e cila u fut pas shpinës sime. “Më mirë luaj në fizarmonikë, ti luan shkëlqyeshëm” – vazhdoi ajo duke ia ledhatuar flokët. “Por, së pari ktheja zonjës cigaret”. E dëgjoi dhe para se të fillonte të bënte muzikë ma ktheu Benstonin. “I kërkova për vëllaun tim, por ai nuk pi më duhan, i bën keq” – më tha duke mos më shikuar…
Dëshirova të ikë nga ai vend, por meqë dera e vagonit në atë anë ishte e mbyllur u detyrova të kaloj edhe njëherë nëpër korridorin e ngushtë dhe të kaloj përbri “tezes”. Më ndaloi duke më pyetur a kam “ilaq kundër kokëdhimbjes”. Derisa po kërkoja në çantën time një aspirin të Bayerit, ajo u interesua të marrë vesh se a jam nga Kryqi i Kuq, apo nga Merhameti. U praps, kur thashë se jam gazetare. “Të falemnderit, nuk duhet. Nuk dua. Do të kërkoj nga infermieri.” …”Ç’bëni ju këtu? A keni dikë të afërm këtu?” – më pyeti duke e penguar qëllimin tim që të largohem.
“Erdha të shoh ç’po ndodh këtu. Televizioni lajmëroi se këtu ndodhen refugjatët dhe nuk keni leje për vazhdimin e udhëtimit”…
Më ndërpreu në mënyrë bukur të vrazhdë. “Erdhe të na shohësh, të shohësh në çka po përngjajnë. Ja, tani na pe!”
“Po shkruaj për krimet e serbëve dhe dëshirova të dëgjoj nga refugjatët se ç’po ndodh në Bosnjë. Edhe unë jam boshnjake, muslimane” – i thashë duke shpresuar se origjina ime do të jetë legjitimacion më i bindshëm se profesioni im.
Në të njëjtin moment buzëqeshi: “Megjithatë unë do ta merrja atë pluhurin kundër kokëdhembjes, nëse nuk ju duhet juve, vërtet kam dhimbje – më tha me një zë paqësor.
Por, akoma nuk më besoi. “Vërtet je gazetare?… Në Zagreb?… Muslimane?”. E pohova me kokë, kurse ajo kishte pyetjen e re “A je martuar”? Përsëri pohova me kokë dhe duke mos pritur pyetjen e ardhshme, i përmenda bijat e mia. Natyrisht, e dija edhe pyetjen e saj të ardhshme . Pas një pushimi të shkurtër më pyeti për “njeriun” *
“Është kroat” – iu përgjigja duke e ditur se asaj nuk i intereson profesioni i bashkëshortit tim. M’i nguli sytë për disa çaste e pastaj buzëqeshi. “Nëse është njeri, nuk është me rëndësi çka është”.
“Unë jam Nisveta. Jam nga Kozarci. Eja ulu pak me ne. Këto janë bijat e motrës sime Bedria dhe Sania, kurse kjo është kunata e tyre Razia”, m’i prezentoi dy vajza në kupe dhe një grua të re ulur përballë tyre, nga fytyra e të cilës shkëlqente një mirësi mu siç shkëlqen nga figura Zojës së Bekuar. Motrat as që më shikuan. Rrinin ulur si të ishin të shtangura. Kunata e tyre më bëri me kokë pa folur dhe menjëherë e mbështeti fytyrën në duar.
Për dallim nga Nisveta tri gratë e reja nuk kishin veshur dimi. Kjo mund të ishte shenjë e emancipimit, por edhe domosdoshmëri e shkaktuar prej refugjatllëkut. Shamitë e lidhura në kokë gjatë asaj vape mund të kishin vetëm një domethënie: mbajtje zi për ndonjë të afërt.
Nisveta e ndërpreu heshtjen duke më shpjeguar se Këngëtari është djali i motrës së saj. “E ke parë! Ishte djalë i mrekullueshëm. Edhe i mirë, edhe i mençur, edhe i bukur si vajzë. Kush e di, a do të mund t’i ndihmojë ndonjëherë ndonjë mjek. U çmend, i mjeri”.
“Çfar i ndodhi vëllait tuaj”,- provova t’i nxit vajzat të marrin pjesë në bisedë. Nuk reaguan, prandaj përsëri e mori fjalën Nisveta: “I ka parë të gjitha. E ka parë nga shkolla, kur ia kanë masakruar vëllain e tij më të madh. E ka dëgjuar edhe britmën e tyre nga shtëpia, kur serbët ua morën fytyrën. I kanë dhunuar, Zoti i dënoftë… Hajde, pse jeni shtangur, pse nuk po përgjigjeni, kur po ju pyesin! Zonja është e jona! Edhe kjo është nga Bosnja”.
E ndjeva veten keq, por jo për shkak të asaj që e tha. Tashmë qeshë mësuar me dramat e refugjatëve. Ndihesha keq për shkak të atyre tri grave të reja, të cilat pa fjalë na injoronin edhe mua, edhe Nisvetën, atë si ndonjë denoncuese. Për disa çaste u hamenda, para se të merrja guximin dhe ta pyesja Nisvetën, kur ndodhën ato ngjarje. M’u duk se ajo pyetje është më së paku provokuese. Për çdo rast, kisha ndër mend të tërhiqem, në rast se cilado prej tyre kundërshton kurreshtjen time.
“Kah fundi i majit, kur serbët e sulmuan Kozarcin”- u përgjigj Nisveta.”E rrethuan nga të gjitha anët dhe gati dy ditë të plota e granatuan pa ndërprerë. Kur hynë në fshat vranë dhe dhunuan të gjitha gratë që i zunë. Pastaj e dogjën fshatin. Populli ikte në të gjitha anët. Shumë burra i dërguan në minierë. Tani atje është llogori. Kjo është Omarska. Atje dërguan edhe bukur shumë vajza. Flitet se edhe ato i kanë mbyllur në llogor, në Trnopolje. Thonë, se atje ka shumë gra… Burri im është në minierë, dua të them, në Omarskë. Edhe babai i tyre është atje. Nëse janë ende atje. Kushedi a janë gjallë, apo jo… Flitet se radioja e huaj ka lajmëruar, se llogoret do të mbyllen dhe se të internuarit do të lirohen. Nuk besoj, deri sa të mos e shoh burrin tim. Serbëve nuk mund t’u besosh. Aq shumë popull kanë vrarë, plaçkitur, djegur. I kanë dhunuar madje edhe vogëlushet, kurse pohojnë se janë të rrezikuar ata. Të çmendesh, kur e dëgjon këtë. Ata, gjoja se, të rrezikuarit i kanë veshur uniformat, janë armatosur deri në dhëmb dhe na sulmojnë ne. Unë mendoj se nga Prijedori deri në Sanski Most nuk ekziston më asnjë musliman.”
“A e bënin këtë serbët vendas apo të ardhur ?- e ndërpreva monologun e Nisvetës duke mos pasur guxim të shikoj drejt motrave dhe kunatës së tyre.
“Thonë, se ka pasur edhe asi rezervistë të mallkuar nga Serbia. Kishte edhe asi nga Kroacia, serbë nga ajo “krajina” e tyre. Në shtëpinë e këtyre erdhën serbë vendas, më shumë se dhjetë. Nuk e dimë kush ua ka masakruar vëllain më të madh. Ai (Këngëtari, shënim i autorit) i ka parë nga shtalla, por marrashi i Zotit nuk di të tregojë. Njëqind herë e kemi pyetur, kur i kthjellet pak mendja. Së pari hesht, e pastaj fillon të bërtas “zjarri”, “zjarri”… Serbët ia dogjën shtëpinë dhe shtallën, kur u nisën. Mezi i shpëtoi zjarrit. Këto i dhunuan serbët vendas, i dinë emrat… Hajde, tregoni, nuk duhet unë t’i them të gjitha…”
“Tregoni lirisht” – e përsëriti edhe një herë. Pse jeni mbyllur në vetvete, hidheni atë helm nga vetja. Do të çmendeni kështu. Ju nuk jeni fajtore për këtë, siç nuk jeni fajtore për vërshimin. Të godet, kurse ti nuk mund të bësh asgjë. Nuk ke nga t’ia mbajsh.”
“E pse ti nuk po tregon çfarë të kanë bërë ty” – e mori fjalën papritmas njëra nga motrat. “Di të flasësh çka i kanë bërë secilit, di kë e kanë dhunuar, kë e kanë masakruar, kë e kanë detyruar të shkojë në minierë. I tërë treni të është rrëfyer. E di turpin e secilit, kurse tëndin e fsheh. Po të mund ta fshihje do ta fshihje se burri yt është në llogor. E di çfarë e ka gjetur secilin, vetëm nuk di të tregosh çfarë të kanë bërë ty. Si ndodhi ajo që ti u ike, kurse shumë më të reja se ti i zunë dhe i dhunuan.
Vajza përnjëherë heshti. E vërejta që kunata e saj ia kapi dorën duke ia mbajtur me dorë disa çaste.
Nisveta e ndjeu veten keq. Nga faqet e zbehta të mbuluara përgjysmë me shami filluan t’i duken të skuqurat e faqeve. Iu deshën disa çaste që të përmblidhte veten. “Unë asgjë nuk fsheh, as që do ta fshihja nga ju të triat po të ma nxinin fytyrën. Nuk do të kisha zemër ta fsheh nga ju e në të njëjtin moment t’ju marr nëpër gojë. Por, ju nuk jeni të huaja për mua. Ju jeni ashti im, unë jam për ju si nënë. Por, s’kam çka të tregoj. Unë ika nuk prita të vijnë serbët. Sikur të më kishte dëgjuar burri nuk do të shpërngulej në Omarskë. Nuk do ta bënte këtë as babai i juaj. Edhe atij qysh në muajin prill i thashë se po bëhej gati një masakër. Kurse ai: “ata janë miqtë e mi, ata nuk do të më sulmojnë mua.” Ja, miqtë e tij, le të miqësohet tani. O Zot, ç’po flas unë, e ata ndoshta as nuk janë të gjallë”.
Duke i vërejtur lotët në sytë e Nisvetës u ngrita në këmbë. Duke e kuptuar qëllimin tim më kapi për dore “Ju lutem” përsëri mu drejtua me “ju”, “mos shkoni si t’ju kishte përzënë dikush nga ky vend. Vashat janë të arta. Edhe nusja është e mrekullueshme, e mirë si loçkë. Nuk e kanë lehtë. E kanë humbur vëllain, kurse Roza burrin. Për babain e tyre nuk dinë asgjë dhe përveç kësaj me “fytyrë të nxirë” duhet të sillen nëpër botë”.
“Kam ndejtur gjatë. Më duhet të shkoj”- thashë dhe u dëshirova fat. Nisveta u nis me mua duke mos thënë asgjë për Këngëtarin, i cili u lajmërua përsëri me këngën e tij. Ishte në panik, kur më ndali në daljen nga vagoni, por për një moment nuk mund të fliste. Me qëllim që t’ia lehtësoj, e pyeta a mund të bëj diçka për to. “Mos i dëmtoni” – tha. – Nëse emrat e tyre dalin në gazetë” kjo do të jetë për to si një dhunim i dytë.”
Natyrisht, i premtova se nuk do t’i lëndoj të afërmet e saj, as që e dëshiroj këtë. Madje edhe buzëqeshi, kur ia përkujtova se nuk e kemi shënuar rrëfimin e saj. Natyrisht, nuk i tregova, se kasetofoni i fshehur në çantën time tërë kohën ishte i kyqur dhe ishta shënuar çdo fjalë e saj.
Pastaj e kuptova se kasetofoni më kishte tradhtuar. Më tepër se një e treta e inçizimit nuk ishte shfrytëzuar. Më së shumti më erdhi keq që “pauza” kishte gëlltitur pjesën e shiritit, në të cilën kanë qenë dashur të jenë “regjistruar” emrat e kriminelëve.
RRËFIMI I EMIRIT
Nuk e braktisa menjëherë stacionoi hekurudhor, edhe pse, e shqetësuar nga lutja dëshpëruese e Nisvetës, vendosa të ikë sa më larg nga refugjatët dhe rrëfimet e tyre. Fati e deshi të veproj në mënyrë krejt të kundërt. Tashmë pak iu afrova për disa metra shkallëve, nëpër të cilat do të zbritja në flladin e nënkorridorit, kur dikush papritmas më kapi, për dore. U shtanga duke parë një fëmijë, një çun bjondin. Në një çast m’u duk si vogëlushe. Vetëm kur ia dëgjova zërin, e kuptova që flokët e rritura deri mbi supe, fshehnin një vogëlush.
Fliste i tëri në panik dhe fjala e vetme që mund ta kuptoja ishte fjala “hekur”. “Ngadalë, çfarë po të duhet”- provova ta qetësoj. Përsëri shqiptoi një mori fjalësh, prej të cilave arrita të kuptoj vetëm se “motrës i nevojitet hekuri”. Natyrisht, asgjë nuk kuptova, prandaj duke e kapur për krahu, i thashë të ma sqarojë ngadalë çfarë dëshiron. Filloi të tërhiqet. Kur mendova, se do të detyrohem ta lëshoj, u qetësua pak dhe më pyeti a kam çelës të shtëpisë? Pohova dhe me një habi, me të parën i nxorra nga çanta çelësat e banesës sime që t’ia tregoj. I çliruar nga shtrëngimi im m’i mori çelësat nga dora dhe në të njëjtin moment u zhduk në tollovi.
Pas një ngurrimi të shkurtër u nisa pas tij, duke e parë se si po ngjitet në një vagon dhe po humb në të. Nëpër dritare së shpejti i vërejta flokët e tij, derisa po depërtonte nëpër tollovi. Duke e përcjellë nuk arrita më tutje se te kupeja e dytë. Një burrë i gjatë dhe i fuqishëm, i cili ma zuri kalimin, nuk reagoi, kur e pyeta ç’po ndodhte e as që tregoi dëshirë të ma lëshojë rrugën. Nuk pata rrugëdalje tjetër pos të ulem në kupenë e parë të zbrazët dhe të pres, derisa të shpërndahen njerëzit që ishin grumbulluar. Mendoja për çelësat e mi, të cilët me aq mendjelehtësi ia dhashë vogëlushit. Nuk më la përshtypjen e një hajni të vogël, por më bëri të habitem që i grabiti si të kishin një vlerë jashtëzakonisht të madhe.
Zhurmën, nga e cila nuk mund të kuptoja arsyen që i shtyri ata njerëz të shtyhen në atë korridor të ngushtë treni, në një moment e mposhti një zë energjik femre: “Shpërndahuni, o njerëz, fëmijës po i zihet fryma. Shpejt, shpejt, i duhet ajër i pastër.
Urdhëri pati efekt. Së shpejti i vërejta “udhëtarët” se si njëri pas tjetrit kalojnë pranë kupesë “sime”, në të cilin hynë dy gra më të vjetra. Nuk u befasuan aspak që po më shihnin aty. Vetëm pasi zunë vend pranë dritares, kurse unë në ndërkohë u ngrita në këmbë, njëra prej tyre më pyeti ç’po bëj aty. As nuk arrita t’i përgjigjem, sepse në derën e kupesë u paraqit një plak, aq i kërrusur, thuajse përnjëherë i fitoi dhimbjet në lukth. Më pyeti, a mos ia kam dhënë unë ndoshta vogëlushit çelësat.
Pohova, kurse ai më propozoi të pres edhe disa çaste, derisa të gjithë të shpërndahen. E pyeta pse iu nevojitën vogëlushit çelësat e mi. Më habiti me përgjigjen e tij. “Nuk kishin kurrfarë sendi të hekurt, vogëlushes, mbesës sime, iu keqësua gjendja”. Duke e parë habinë time, shtoi se kjo “ndihmon” te “epilepsia”. I thashë se do të duhej të thirret mjeku, kurse plaku vetëm bëri një herë me dorë dhe duke nguruar, shtoi me zë të ulët “ky është sulmi i tretë sot për të mjerën. Në prill i patë 12 vjet…” Fjalët e tij të fundit nuk i dëgjova, po nuk pata dëshirë të pyes. Dola, duke e vërejtur plakun se si po provonte t‘i fshehte lotët me dorë. Në korridor e dëgjova kur më tha që Emiri, nipi i tij është në kupenë e tretë nga kupeja e tij.
Vogëlushi nuk qe në kupe. Në një karrige rrinte e shtrirë vogëlushja. Pranë saj, e kërrusur, qëndronte një grua dhe me një faculetë ia fshinte fytyrën vogelushes. Përballë rrinte një grua tjetër me një fëmijë në krah. Asaj i thashe se erdha qe t’i marr çelësat, duke mos dëshiruar ta pengoj gruan që merrej me vogëlushen. Kjo, megjithatë, shpejt u kthye kah unë dhe kur më pa, për një moment në fytyrën e saj të brengosur u lajmërua buzëqeshja. “Ju faleminderit për çelësa. Emiri do të vijë tani, ai është duke ju kërkuar jashtë, në peron. Uluni, ju lutem, priteni. Ajo tani është më mirë”- më tha duke ma treguar vogëlushen, fytyra e së cilës, e bardhë si muri, dëshmonte një gjendje të kundërt.
Emiri u kthye pas disa minutash, i djersitur dhe i skuqur në fytyrë. “Ti me siguri mendove se unë do ta plaçkis shtëpinë.”- më tha duke m’i zgjatur çelësat. Të kërkova nëpër stacioni. Unë ende do të kërkoja jashte, po të mos më tregonte gjyshi se po më pret. Jam etur duke vrapuar nëpër peron.
“Do të të pëlqente te haje një akullore tani”- i thashë derisa po i futja çelësat në çantë. E shikoi në heshtje nënën e pastaj mua. “Nëse të lejon nëna, mund të shkojmë së bashku të blejmë akullore. Nuk është larg”. Shtova duke parë se si i buzëqeshi fytyra.
Kur dolëm nga treni Emiri vendosi të blejë coca-colë. Pastaj më sqaroi arsyen. Një kohë shumë të gjatë askush nuk e dërgoi në “kafene” prandaj dëshiroi të hiqet si “mendjemadh”. Tipike për moshën e tij tetëvjeçare, më pyeti për kë “anoj”. E gënjeva se favori im është “Sarajeva”, duke dëshiruar t’ia bëj qejfin Boshnjakut të vogël. E vlerësova gabimisht. Zgjedhja e tij qe “Zvezda” e Beogradit, por u përmirësua duke parë habinë time.
“Do të më duhet ta zgjedh një ekip tonin, boshnjak. Nuk mund të anoj më për “Zvezdën”. Nuk do të anonte më për të as babai, edhe pse lojtarët nuk kanë faj për asgjë. Gjyshin e kam pyetur, por as ai, sigurisht nuk anon më për “Zvezdën”. Nuk anon më për askë”.
E pyeta për babain. E piu një gllënkë coca-colë para se të përgjigjet. “Nuk është më. E kanë vrarë serbët, çetnikët. Ne i quajmë çetnikë. Gjyshi thotë se prejnë masakrojnë si çetnikë”. Nuk pata guxim të pyes më nga frika se mos po shpërthen në vaj. Heshtëm të dytë disa momente, kurse Emiri papritmas e ndërpreu qetësinë: “Të gjitha i kam parë. Mund të të rrëfej. Ende nuk i kam treguar askujt. Vazhdimisht po e shoh në ëndërr atë ngjarje. Po e dëgjoj Benon se si ulëron, kur e goditi ai ushtari me pushkë”
“Kush është Beno?”
“Beno? Qeni im. Ma falën kur i pat katër ditë. Unë e kam ushqyer. Ishte i mençur. E vranë, posa hynë në derë të oborrit. Unë e pashë nga shtëpiza e tij. Nuk desha të rri në shtëpi. Më me dëshirë do të qëndroja në shtëpizën e Benos, por ai më iku nga duart e mia, posa i nuhati ushtarët. Filloi të lehte në ta dhe njëri prej tyre menjëherë e goditi, kurse unë mbeta gjallë, vetëm për shkak se u fsheha në shtëpizën e tij.
E pashë, kur e nxorrën jashtë babain dhe kur ai mjekrroshi, çetniku e goditi me armë. Nuk e kam parë, kur ia kanë bërë “atë” nënës dhe motrës vetëm i dëgjoja klithmat nga shtëpia. Mendoja se po i rrahin. Kur i nxorën lakuriq jashtë nga shtëpia e dita se ua kanë bërë “atë”. Këmbët e motrës ishin të përgjakura”.
“Ndoshta nëna jote do të hidhërohet me ty, sikur të kuptojë, se po më tregon të gjitha këto – i thashë duke ndier turp para fëmijës, të cilët mu si rrebesh rridhnin fjalët. Vërejtja ime nuk e hutoi. “Nëna nuk do të hidhërohej. Kur e pyeta ajo m’i shpjegoi të gjitha. Thotë se “ajo” quhet “dhunim” dhe se ai është mëkat njësoj, siç është mëkat të vritet Beno. Thotë se ashtu nuk bëjnë burri dhe gruaja kur duhen. Ata e bëjnë ndryshe dhe atëherë lindin fëmijët, sepse ata duhen. Atë dhe nënën i “dhunuan”.
Vetëm gjyshi do të hidhërohej, po të kuptonte se po t’i tregoj këto. Ai ma ka ndaluar t’i tregoj ndonjë njeriu madje edhe një fjalë të vetme. Premtoi se ai do të tregojë, atje “ku duhet”, por me siguri nuk nuk do ta bëjë këtë. Ai askujt asgjë nuk i thotë asgjë vetëm qan. Më vjen keq shumë për gjyshin. Atë e kanë rrahur. Nga shtëpia e nxorrën vetëm në brekë, e pastaj ia zhveshën edhe ato, kur e detyruan ta “dhunojë” motrën time. Mbi tryezë nën kumbull, ku gjyshi herët e pinte kafenë. Katër veta ia kapën këmbët dhe duart, kurse dy të tjerë e shtynin gjyshin mbi motrën. Ai kundërshtonte dhe bërtiste, kurse ata, çetnikët, qeshnin.
Pastaj si dënim pse nuk deshi të “dhunonte” ia futën gjyshit hurin, atë me të cilin ngritet vigu, kur thahen rrobat. E di, më vjen turp të them… prapa. Nga prapa ia futnin. Pastaj një çetnik e “dhunoi” nënën time mbi shtëpizën e Benos. E ndrydhi mbi kulmin e shtëpizës, kurse unë brenda. Mendova se shtëpiza do të shembet mbi mua. U pshurra nga frika… Nuk e “dhunuan” të gjithë ushtarët. Disa prej tyre i nxirrnin mobilet nga shtëpia dhe i ngarkonin në kamion.
Në shtëpi e gjetën revolen e gjyshit nga lufta. Atë revolen, e di që bëhen për të filmat. Njëri ia futi atë revole gjyshit në gojë. Unë nuk u frikësova se do ta vriste, sepse e dija që ajo revole është “shkatërraqe” dhe nuk mund të kërciste. Përpara babai bënte shaka duke thënë se gjyshi kishte qenë partizan i dobët, kur e solli nga lufta atë “shkatërraqe”.
Edhe shtëpinë na e dogjën. Ishte si e re. E riparuan, kur u nisa unë në shkollë. Nuk e dogjën vetëm tonën. Edhe shtëpitë tjera rreth Kozarcit janë djegur. Serbët hynë në fshat nga të dy anët. Prandaj shumë pak njerëz ikën. Për këto gjyshi dhe një njeri treguan. Edhe ai njeri është këtu në tren. Thotë se të gjitha fshatrat rreth Kozarcit serbët i dogjën. Ne i pamë disa, kur shkuan te familja e nënës. Ata na dhanë rroba për t’i veshur. Na dhanë edhe ushqim. Edhe ata u nisën me ne. U frikësuan se mos po vijnë serbët dhe mos po i “dhunojnë” vajzat e tezes. I ka katër.
Më së vështiri po më vjen për babain dhe motrën. Atë pas “dhunimit” e kapi epilepsia. Nëna thotë se kjo do të shërohet dhe ajo përsëri do të shkojë në shkollë, atje ku do të jemi. Unë frikësohem a do ta pranojnë të tillë në shkollë. Nëna thotë se nuk duhet të frikësohem, sepse ajo do të bëjë çdo gjë që ne të kryejmë shkollën. Unë do të dëshiroja, kur të rritem, të bëhem njeri që e vozit raketën, pra le të më zënë çetnikët, nëse munden”.
* * *
Duke u kthyer i blemë motrës së Emirit akullore. Vogëlushi ia dërgoi duke vrapuar që të mos shkrihet. Unë u detyrova të hyj edhe një herë në tren. Desha t’i tregoj nënës së Emirit çfarë më rrëfeu biri i saj. Më habiti reagimi i saj : “Nuk ka mund më ta mbajë në vete.” Ia pranova që jam gazetare. Nuk tha asgjë. Vetëm e përqafoi Emirin si të donte ta mbronte.
Zagreb, fundi i korrikut 1992
* * *
Në verë të vitit 1992, katër muaj pas fillimit të agresionit të ushtrisë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, bota e lirë ishte shokuar nga përmasat e agresionit serb. Pamjet e kampeve të përqendrimit, inçizimet e fshatrave të djegura dhe qyteteve të rrënuara boshnjake, fotografitë e kolonave të të ikurve nga vdekja dhe dhuninmi, hynë në miliona shtëpi anekënd rruzullit tokësor. E llahtarisur nga krimet e papara, bota e shteteve demokratike kërkoi një reagim urgjent efikas.
Bashkësia Ndërkombëtare paralajmëroi masa energjike, por i zhgënjeu pyetjet. Në “pastrimin etnik” me të cilin në mënyrë eufemistike e mbuloi përmbajtjen e tmerrshme të gjenocidit ndaj boshnjakëve, Këshilli i Sigurimit përgjigjej me rezoluta anemike, të cilat harroheshin, posa votoheshin.
Anëtarët e Bashkësisë Evropiane, posaçërisht ata më me influencë – Britania e Madhe dhe Franca, më shumë mendonin si ti kthenin prapa me qindra mijëra refugjatë boshnjakë nga kufijtë e tyre se sa si të ndalnin krimet. Në një situatë posaçërisht delikate në luftë u gjend Kroacia e rraskapitur, mbi të cilën ra tërë barra e problemit të refugjatëve, i cili në korrik të vitit 1992 e arriti kulminacionin. Kampet e refugjatëve nuk mund të pranonin më refugjatë të tjerë, prandaj për vendosje të përkohshme shërbenin vagonet në Stacionet hekurudhore në Varazhdin, Novi Marof, Zapeshiç… Zagreb.
Në ato ditë vape të verës së vitit 1992 edhe Zagrebi u shndërrua në një stacion të madh refugjatësh dhe për herë të parë, që nga fillimi i luftës më 1991, filloi t’i zhduket fasada e një metropole të madhe. Madje edhe qendra më e ngushtë e qytetit i ngjante një qendre refugjatësh, kurse Stacioni kryesor hekurudhor u bë strehim i domosdoshëm për mijëra refugjatë, për të cilët qeveria e Sllovenisë i mbylli kufijtë. Nëpër trena pa lokomotiva dhe pa pikëarritje ata njerëz me ditë të tëra prisnin që Evropa të gjejë ndonjë zgjidhje.
FARUKU
“Do t’jua rrëfej të gjitha, nëse doni ta “çkyqni”, nëse nuk më inçizoni. Do të ma njohin zërin dhe kah do t’ia mbaj atëherë. Si do të përzihem me njerëz, kundërshtoi ai duke e vërejtur kasetofonin. “Mos e kyçni! Nuk lejoj të më inçizoni”, – përsëriti me këmbëngulje edhe më të madhe burri, duke u tundur me shqetësim. Në karrigen përballë meje, në separenë e restoranit “Alkar”.
Faruku, njëzet e shtatë vjeçari nga Oborci, komuna Donji Vakufi, viktimë e dhunimit nuk u paraqit si rast i “lehtë”, siç shpresova, duke e ditur se pas thirjes së tij telefonike dhe ofertës së tij të ngatërruar: “Zonjë, unë jam rast për ju!”, qëndronte Nada. Edhe pse e kundërshtoi se kartelën e refugjatit ia kushtëzoi me bisedën tonë, nuk mund të lirohesha nga përshtypja që megjithatë këtu është fjala për “një lidhje tregtie”. Përkundër kësaj, nuk mund të hiqja dorë nga biseda. E dija që Faruku duhet të jetë rast “i veçantë”. Ai vërtet qe i tillë dhe jo vetëm për arsye se ishte mashkull i parë, të cilin e takova deri atëherë midis viktimave të dhunës seksuale, por edhe për shkak të pamjes së vet. Asgjë në të nuk aludonte në viktimën, madje as në refugjatin.
Bjondin i qethur si duhet, me një trup sportisti, i veshur me një uniformë sportistësh ngjyrë të kaltër dhe ngjyrë hiri, një lloj uniforme me të cilat ishin përplot viktimat e dyqaneve sportive në Zagreb, me atlete të reja, mund të ishte sportist, student i vonuar ose thjesht mashkull i punësuar, i cili në qetësinë e separeut të “Alkar-it” e kalon një pasdite të nxehtë verore. Për nga pamja e jashtme nuk dallohej aspak nga cilido i ri zagrebas i moshës së tij. E tradhëtonte vetëm të folurit e tij që nuk do të mund të inkuadrohej në zhargonin zagrebas.
“Do të shkruaj”- i thashë duke u pajtuar me të dhe duke iu kthyer çantës, në të cilën e kisha bllokun e shënimeve: “Jo, nuk do të shkruani. Mos shkruani” kundërshtoi edhe një herë. “Dëgjoni, do t’ju rrëfej si ndodhi. Nuk kam çka të zbukuroj, por nuk do të …, kushedi kujt do të mund t’i binte në dorë ajo”.
“Nuk do të bjerë në duart e askujt, as që do ta shpall emrin tuaj. Vetëm dëshiroj të dëgjoj çfarë ju ndodhi. Nuk mund të mbaj në mend çdo fjalë. Më duhet ose të inçizoj, ose të shkruaj. Rrëfimi duhet të jetë i rrëfyer me fjalët tuaja, duhet të jetë real, autentik” – provova ta zbus kokëfertësinë e tij.
“Cili rrëfim” – pyeti thuajse paraprakisht nuk ia sqarova qëllimet e mia.” Rrëfimi juaj”- u përgjigja, “ajo që do të më rrëfeni. Përvoja juaj. Ajo duhet të jetë e vërtetë. Unë nuk guxoj asgjë as të shtoj, as të imagjinoj”.
“Të imagjinoni? Mos u ofendoni, zonjë, por edhe po t’i kishit pesë fakultete, ju nuk do të mund ta imagjinoni atë. Asnjë grua nuk mund të marrë me mend çfarë mund të bëjë mashkulli. Gratë mund të jenë të liga, por as më të ligës nuk mund t’i bjerë ndër mend çfarë mund t’i bjerë mashkullit. Por, bona, mashkulli mund të jetë kafshë më e keqe se vetë kafsha, bishë më e keqe se vetë bisha”.
“Çfarë propozimi, pra”- e pyeta duke e larguar kasetofonin nga tavolina. “Betohuni në fëmijë se atë që do inçizoni as nuk do t’ia jepni dikujt, as nuk do t’ia shitni “, – tha pas një heshtjeje të shkurtër duke më shikuar me një shikim depërtues. “A e dini se shiriti mund të fshihet” – e pyeta. Pohoi me kokë dhe shtoi: “Mund edhe “të kopjohet” në duplikat, dhe çfarë dobie, kemi nëse e fshijnë. Edhe në duplikat mund të ruhet zëri, mendoj zëri im. Edhe meshkujt edhe femrat do të më shmangeshin. Betohuni në fëmijë që …”
E ndërpreva: “Pse keni ardhur, nëse nuk më besoni. Nuk ju thirra unë juve. Nëse dyshoni në qëllimet e mia, mbajeni rrëfimin tuaj për vete dhe kur të shkoni ta kërkoni kartelën thuani zonjës… të mos më dërgojë më të tillë”.
Reagoi në mënyrë paqësore :”Nëse është e domosdoshme, kyqeni kasetofonin. Do t’jua tregoj të gjitha. E di se nuk do të më dëmtonit. Zonja ju çmon dhe nuk do të më dërgonte te ju po të mos ju besonte. Është e mirë, shpirt njeriu. Të tillat nuk të dëmtojnë, nëse nuk mund të të ndihmojnë “
U turpërova për shkak të ndryshimit të tij të përnjëhershëm, duke e ditur se nuk e tronditi ofendimi im i rrejshëm. Ai po mendonte vetëm në kartelën e tij. Në një moment dëshirova të heq dorë. Nuk hoqa dorë. E kyça kasetofonin dhe Faruku e filloi rrëfimin e vet. Fliste me shqetësim, në mënyrë të coptuar, duke ndezur cigaret njërën pas tjetrës.
* * *
Kjo më ndodhi në shtëpinë e vjetër, sipër fshatit, sipër Oborcit. Kur babai dhe nëna ime me vogëlushen (kam një bijë tri vjeçare) shkuan në Bugojnë, unë e dërgova thesarin në bjeshkë, në shtallën e vjetër. Në fshat flitej se serbët do të mund të sulmonin dhe duhet bërë rezistencë kundër tyre. Çfarë rezistence, mezi i kishin dhjetë pushkë gjuetie, kurse ata kishin ushtrinë, topat dhe tanket?! Unë nuk jam qyqar, por çfarë mund të bësh kundër artilerisë?!
E binda babain të marrë nënën dhe vogëlushen që së paku ata të jenë të sigurtë. Mendova të qëndroj në shtëpinë e vjetër deri sa të kalojë ajo furtunë. Shpresoja se serbët do të mbushen mend. Disa djem të rinj mbetën në fshat, por mjaft popullsi, më së shumti personat në moshë dhe gratë u nisën në drejtim të Travnikut dhe Bugojnës. Në Donji Vakuf nuk mund të shkohej, sepse serbët e patën pushtuar. Edhe në drejtim të Travnikut ishte rrezik. Në Kamarë ishin vendosur topat e serbëve. Deri në Bugojnë mund të shkohej pak më sigurt, tërthorazi, nëpër pyll. Andej u nisën edhe të mitë, kurse unë me lopët u nisa në majë të Obarcit.
Nga shtëpia jonë e vjetër shihet xhadeja e Oborcit, por edhe Donji Vakufi shihet si në shuplakë të dorës. Shihet edhe sharrishtja, një punishte e sharrës. Atje kam punuar si punëtor fizik. Në atë punishte serbët e bënë llogorin. Jo shumë moti takova në Poreç, një boshnjak nga Vakufi, i cili më tregoi se serbët e kishin mbyllur dhe mbajtur në atë llogor. Më vonë e kishin “këmbyer” për disa bugojas, serbë. Tha se ia kishin dëmtuar veshkët dhe më falni në shprehje e kishin detyruar të pijë urinën.
Disa ditë qe qetë, mrekulli e Zotit. Unë e dua shkuarjen në shtëpinë e vjetër. Aty kam lindur, po edhe më tërheq natyra. Edhe gruaja ime vinte atje me dëshirë, por mbeta pa të. Vdiq gjatë lindjes. Ajo as që ka guxuar të lindë fëmijë për shkak të defektit në veshkë. Për zotin, nuk e kam nxitur unë të lindë. Ajo insistoi, por edhe të mitë e nxitnin.
Ju, me siguri, mendoni se e kam gjetur menjëherë tjetrën. Për allahun, jo. Një kohë të gjatë jo. Vjeshtën e kaluar e pata një të dashur në Vakuf. Një e ve me fëmijë. Edhe ajo punoi në punishten e sharrës. Nuk qe ndonjë lidhje e sinqertë as nga ana ime, as nga ana e saj. Nganjëherë shiheshim. Qe besa, serbe është. Është e shkurorëzuar dhe ka fëmijë. Nuk është person i keq. Kushedi çfarë mendon për serbët. Më parë nuk i pëlqente ai serbizmi i tyre. Ajo është fëmijë i një partizani dhe fliste vazhdimisht se ata zhurmaxhi janë çetnikë.
Unë vetëm po ju flas rreth e rrotull. Po ndihem pak si keq. Në dreq të mallkuar pak. Më vjen turp të flas para një gruaje çfarë më kanë bërë. Si mund t’i dëgjoni ju ato gjëra? Nuk po jua lakmoj punën. Vërtet është neveritshëm të jesh gazetar. Ngopesh duke dëgjuar dhe duke parë gjithçka.
Çetnikët erdhën një pasdite. Pikërisht atëherë po kthehesha nga delet. Që nga mëngjesi qeshë në çobanin. Qeshë pak i shqetësuar. Më kaploi njëfarë pikëllimi, apo nuk di çfarë dhe u nisa tek ai. Ai është një plak. Tërë jetën e tij i ka ruajtur delet. Edhe tonat i ka ruajtur. Ia dërgova pak bukë taze. Vetë e poqa.
Sapo u ktheva dhe pikërisht po mendoja ta riparoj derën e oborrit, kur i pashë, po vinin tre. Vetëm kur u afruan fare, i pashë se janë ata, serbët. Kishin veshur uniformat APJ, por pa yje. Nuk dukeshin si çetnikë, po mendoj, me mjekrra e kokarda. Së pari të të them të drejtën, më shumë më ngjanë në dezertorë. Në dreq të mallkuar, ishin serbë nga Koriçani. Atë e kuptova më vonë nga bisedat e tyre.
Nuk u frikësova. Më dukeshin si njerëz normalë, përveç që kishin uniforma dhe pushkë. Njëri prej tyre, ai më i vjetri, më pyeti a kam diçka për të ngrënë. U thashë se kam djathë. Atëherë ai më pyeti ku i kam delet. I thashë se janë larg me bariun, atje pas pyllit, një orë larg.
Hynë në oborr pa më pyetur. Njëri e hoqi pushkën nga krahu po e mbante në dorë pa e drejtuar në mua. Kërkonin diçka nëpër shtëpi, rrotullonin ato pak gjëra që ishin aty. Ndieja njëfar mundi për shkak të asaj, por akoma nuk mendoja se do të më vrasin. Llogaritja se po të donin do të më kishin vrarë menjëherë.
Atëherë ai më i vjetri, kishte përafërsisht dyzet vjet, më tha t’i tregoj ku është kullosa, sepse do të dëshirnin ta shijonin një qengj. U thashë se unë mund të shkoja t’ua sjell një qengj, kurse ai në mënyrë të prerë më tha se unë vetëm duhet të sqaroj ku është dhe se djemt, ata dy të tjerët do të shkojnë ta sjellin qengjin.
Posa shkuan ata, më pyeti a jam i shëndoshë. I thashë se jam. Pastaj më pyeti a i kam dhëmbët artificial. I thashë se janë të mitë. Përsëri më pyeti për shëndetin, prandaj i thashë se nuk mbaj në mend, kur kam qenë i sëmurë. Tha se i duhet një i tillë. Derisa më merrte në pyetje, vështronte me kujdes nëpër shtëpi. Pastaj më pyeti çka ka në shtallë. I thashë se janë katër lopë. Urdhëroi të nisemi për në shtallë. E hoqi pushkën dhe e drejtoi kah unë. Në shtallë më urdhëroi që t’i zhvesh pantollonat…dhe…brekët. Thashë se nuk dua duke menduar se do të hidhen mbi të, sepse nuk dukej të jetë më i fuqishëm se unë. Por, ai e bëri gati pushkën dhe ma drejtoi në xhoks.
Sapo e hapa gojën t’i them se më me dëshirë do të vritem se sa ta dëgjoj, kur ai me tërë forcën më goditi me këmbë …”poshtë”, e dini tashmë ku. Nga dhimbja e madhe u bëra dyfish si gremçë, kurse ai më goditi në shpinë, me siguri me kondak. E mbaj mend edhe goditjen tjetër. Ndoshta ka pasur shumë, e ndoshta jo. Më vonë shpina më dhimbte, thuajse më ka goditur me orë të tëra.
Kur erdha në vete, isha i bërë dyfish si qilim mbi vigun, për të cilin dikur i lidhnim viçat. Të dy duart i kisha të lidhura për këmbësh. Isha gjysmë i zhveshur, më falni, vetëm me këmishë. Mendova se ka shkuar dhe i ka marrë me vete edhe lopët. Shtalla qe e zbrazët. Vetëm pas disa çastesh vërejta tymin sipër meje. Vinte nga prapa. Në realitet, në atë pozitë, i mbledhur dhe më kokën midis këmbëve, unë konkludova që tymi po vinte nga prapa. Në realitet jo. Po të kisha qëndruar në këmbë do ta shihja para vetes dy apo dy metra e gjysmë më tutje, ku rrinte ulur në një tenxhere dhe pinte duhan.
Vetëm pasi e ngrita pak kokën, i zura me shikim çizmet e tij dhe atë tenxhere të kthyer prapsht, në të cilën rrinte ulur. E pashë edhe kur e hodhi në dhe cigaren dhe çizmen se si po e shkelte cigaren. Më tutje nuk mund të shikoja, sepse ngritja e kokës, në të vërtetë kthimi i kokës prapa, më shkaktonte dhimbje të madhe në qafë.
Pastaj i dëgjova hapat e tij, pastaj zërin e tij. “Tani, jaran, ti do të “thithësh” pak tha dhe mu afrua. Gjunjtë e tij ishin në lartësinë e syve të mi. E pashë mirë, kur i zhveshi dhe i lëshoi poshtë pantollonat e tij. Pastaj u gjunjëzua dhe provoi të ma fuste … në gojë. Nuk mund të flas për këtë, më vjen të vjell…
Pas kësaj u ngrit dhe filloi të më dhunojë. E dini, nga pas ma fuste. Më vinte neveri. Volla, më falni. Kur pa se po vjell, me gju më goditi në hundë, ku filloi të më rrjedhë gjak. Ai atëherë tha: “Ç’ndodhi, Turk, të pëlciti himeni?”
Pastaj më zgjidhi dhe më urdhëroi të vishem për tre minuta. Mezi u vesha. Më merreshin mendët dhe më dhimbte çdo centimetër i trupit. Atëherë më detyroi të ngutem thuajse po ngutet për në tren. Nuk e kuptova menjëherë pse po i ngutet aq shumë. Vetëm më vonë, kur dëgjova se ata dy të tjerët u kthyen, mu bë e qartë se nuk deshi ta kuptonin ata dy të tjerët çfarë më kishte bërë.
Vetëm pasi mezi u vesha, më urdhëroi të ulem në tokë dhe t’i vendos duart prapa shpinës. I lidhi e pastaj m’i lidhi edhe këmbët me të njëjtin litar. Pikërisht, kur e kreu këtë, u kthyen ata dy të tjerët. Njëri bërtiti: “Markan, o Markan”. Kështu e kuptova se ai kriminel quhet Markan, ose Marko.
Pas një kohe ai hyri në shtallë bashkë me një tjetër, të cilin e pashë për herë të parë. Më nxorrën jashtë në oborr. Rreth zjarrit ishin edhe nja dhjetë të tjerë. Po e vendosnin hellin për qengj. “mirë ia paske rregulluar samarin turkut”, tha njëri i cili m’u afrua dhe filloi të më shikonte. Më urdhëroi të këndoj këngën çetnike “Nga Topola deri në Mal të Zi( Të Rrafshët, vërejtje e autorit). I thashë se nuk e di atë këngë. Më pështyu dhe më tha që deri në mbrëmje duhet të filloj të këndoj, përndryshe do të sillem në hell.
Një kohë më lanë të qetë. Qëndroja i shtrirë shtatë-tetë metra tutje zjarrit, i kthyer me shpinë kah çetnikët. Mendoj se pinin, sepse i dëgjoja duke folur: “Ngrehe më fort, Savo” dhe “të mirë e ke këtë raki të prerë”. I dëgjova edhe duke qeshur. Në një moment mendova se po më përgatitin diçka. U qetësuan pak. E merrja me mend se ndoshta e kanë pjekur qengjin, edhe tani do të më venë në hell siç premtoi ai.
U mblodhën rreth meje, kurse njeri më zgjidhi. Mendova: mori fund, tani do të më venë në hell, e pastaj me bisht të syrit pashë se pranë zjarrit kishin mbetur edhe dy veta. E rrotullonin qengjin, dy qengja. Konkludova se më kanë përgatitur diçka tjetër, por nuk mund të imagjinoja çka u ra ndërmend. Kur e pashë se njëri po e tërheq delen, unë, i marri, mendova se do të kërkojnë nga unë ta therr. Llogarita se për të gjithë ata janë pak dy qengja.
Kurrë nuk do t’ju shkonte ndërmend, Zonjë, çfarë kërkuan nga unë. Atë punë mendja e shëndoshë nuk mund ta imagjinojë. Të detyrojnë insanin (njeriun) “t’i hypë” hajvanit, mundet vetëm krimineli i llojit më të keq. Nuk besoj se ndonjëherë në ndonjë vend, në ndonjë luftë në këtë dynja, i kanë poshtëruar ashtu njerëzit. Mua menduan të më poshtërojnë ashtu.
Më zhveshën me dhunë, e pastaj më urdhëruan që vetvetes…, që ta frk…, që të jem i nxitur për seks. Është e neveritshme, nuk mundem, vërtet, Zonjë, nuk mund të flas. Ata kërkonin nga unë ta bëj me delen atë punën që mashkulli i shëndoshë e bën me gruan, që të jem dash. As nuk munda, as nuk desha. Thashë me vete: me mendje të shëndoshë nuk do ta bëj atë punë edhe me kusht që të më pjekin si ata qengja. Më shtynin, bënin cirkus me mua, kurse ai që më kishte dhunuar në shtallë, tha se ai do të ma çonte. Çetnikët, kur e dëgjuan u shkulën së qeshuri.
Si dënim që nuk “ia bëra atë punë” deles më goditën me qizme. “Jepi fund orgazmit me turkun” – tha njëri, i cili i ftoi që ta largojnë qengjin nga helli. Nuk më kujtohet a e ndërprenë menjëherë goditjen, sepse, si duket, përsëri u alivanosa. Nuk e di sa kohë kam qenë i pavetëdijshëm, por sigurisht nuk kam qenë pak kohë. Ishte gati mbrëmje, kur erdha në vete.
Ndoshta as atëherë nuk do të vija në vete, po të mos më kishte zgjuar një dhimbje e madhe nga pas. Mendova se përsëri po më dhunon ai, por tani dhimbja ishte shumë më e madhe. Sytë deshën të më “dalin”. Të më falni, ma futnin njëfarë huri, nga prapa. Nuk e di a ishte ai huri, nga i cili e hoqën qengjin. Unë qëndroja i shtrirë për toke, i kthyer në anën e djathtë të trupit. Njëri m’i mbështolli këmbët kah barku dhe i shtrëngonte me gjunjët e tij. Tjetri ma ndrydhte me gjunjë anën e majtë të brinjëve, kurse me dorë ma shtypte kokën. Edhe po të kisha fuqi, po të mos më kishin rrahur aq shumë, nuk do të mund të lëvizja. Aq shumë më patën ngjeshur për toke.
Për një kohë të gjatë nuk qeshë në vete, edhe pse sekondat më dukeshin vite. Si duket nga dhimbja tepër e madhe përsëri e humba vetëdijen. Mirëpo, gjatë atyre sekondave apo minutave kam qenë plotësisht i kthjelltë në kokë. E lusja Allahun Xheleshanehu të ma marrë shpirtin. Gjëja e fundit që më kujtohet janë disa pika shiu nëpër trup. Mendova se po më stërpikin me ujë që të mos alivanosem përsëri, derisa ata ma futnin hurin. Vetëm atëherë m’u kujtua, se bariu më tregoi që atë ditë do të bjerë shi. Unë bëra shaka me të se do të mund të parashikonte motin në televizion. Unë nuk prisja shi, sepse zbardhi ditë e kthjelltë pa asnjë re. Nuk e di si e diti ai se mu atë ditë do të bjerë shi…
Shtrëngata më zgjoi nga alivanosja. Më duket se kurrë nuk kam përjetuar shi të tillë. Ndoshta për shkak se isha gjysmë lakuriq, vetëm me këmishë. Isha vetëm. Në oborr nuk ishte askush, por dëgjoja zëra nga shtëpia. Kur e ktheva kokën në anën tjetër, pashë edhe dritën në shtëpi. E kishin ndezur llambën. Në shtëpinë e vjetër nuk kemi pasur rrymë elektrike. Çetnikët ishin strehuar në shtëpi dhe e kishin lënë punën përgjysmë.
Provova të lëviz, mirëpo për shkak të hurit ndjeva dhimbje të padurueshme. Disa çaste qëndrova i qetë, pastaj provova ta nxjerr hurin. Nuk më shkonte për dore, edhe pse nuk qeshë i lidhur. Nuk mund ta kapja me dorë hurin. Nuk mund të merrni me mend çfarë djall situate është ajo: as nuk mund të ngritesh në këmbë edhe po të kesh fuqi, as nuk mund të ulesh. Pengon huri.
Përsëri qëndrova palëvizur disa çaste. Dhimbjet akoma më kryqëzonin. Atëherë u përpoqa t’i mbledh këmbët, si bretkocë dhe me anë të shputës së këmbës të kap hurin dhe të përpiqem ta nxjerr. Vetëm pas përpjekjes së katërt ia arrita ta nxjerr veten pak. Kjo më lodhi dhe më rraskapiti aq shumë, sa që m’u nevojit shumë kohë të mbledh forcë përsëri. Edhe dy herë arrita ta lëkund dhe pastaj në përpjekjen e tretë, ndjeva një curril të nxehtë thuajse, më falni në shprehje, pata një jashtëqitje, të cilën s’mund ta kontrolloja. Mendoj se ai ishte curril gjaku.
Meqë, isha i rraskapitur dhe nuk mund të ngritesha në këmbë, u zvarrita deri te kapixhiku. Duke u zvarritur i preka pantollonat. I mora dhe vazhdova të zvarritem sa më shpejt që munda. Për fat të mirë atë pasdite nuk arrita ta riparoj kapixhikun, prandaj pa problem u zvarrita nën avli. Nuk u nisa drejt pyllit, drejt deleve edhe ky ishte mendimi im i parë. Çetnikëve atë pasdite ua tregova atë rrugë. Zvarritesha në rrugën e hapët. Nuk pushova asnjë minutë, sepse më duhej të largohem sa më parë nga çetnikët. Për gjurmët në tokë nuk frikësohesha. E dija se shiu do t’i lante të gjitha. Kur u largova mjaft, mezi i vesha pantollonat dhe pushova pak, duke u shtrirë në bark. Provova të ulem, por dhimbja më preu. Vazhdova të zvarritem më tutje. Nuk e kisha problem të gjendem në errësirë, sepse e njoh çdo gurë të anës sonë. E vetmja gjë që më brengoste ishte se si do të kaloj xhaden, kur të lëshohem nga kodra. Frikësohesha mos po has në çetnikët, ose mos po has ndonjë veturë në mua, në xhade.
Kur nuk munda të zvarritem më nga lodhja, u rrokullisa. Përfundova në një shkozë. Atëherë, tashmë shiu ishte ndalur, qëndrova i shrirë disa çaste e pastaj e dëgjova një krismë. Vinte nga larg. Këta me siguri janë çetnikët “e mi”, që e kanë zbuluar se jam zhdukur – thashë me vete.
Kjo më detyroi të vazhdoj më tutje. Ende qe terr, kur zvarrë e kalova xhaden, mirëpo posa u ngjita disa qindra metra në pyll, zbardhi dita. Deri sa nuk zbardhi mirë dita dhe u bë më ngrohtë u tërhoqa zvarrë. Pastaj kërkova një strehim që të pushoj pak.
Në djall, pak, fjeta si i vdekur dhe u zgjova vetëm kur ishte bërë pasdite. E dija këtë sipas diellit. Edhe pse akoma kisha dhimbje, megjithatë ndihesha më mirë. Eca zvarrë deri në mbrëmje dhe pastaj përsëri gjeta strehim që ta kaloj natën. Atë pjesë e njoh pak, prandaj dhe nuk pata guxim të nisem në drejtim të Bugojnës. Edhe natën e dytë e kalova në pyll, në një, në një shelgjishte.
Në Bugojnë arrita pasdite më 23 maj. Një i ri, të cilin e takova të parin, nja dy kilometra para Bugojnës, më ndihmoi. Ai më solli me veturë deri te shtëpia e miqve të babait tim. Me siguri kam pasur pamjen e njeriut te vdekur, pasi gjashtë ditë nuk e lejuan bijën time të më shihte.
As babait, as nënës sime nuk i tregova çfarë më kishte ndodhur. U thashë se çetnikët më kishin rrahur për vdekje, kurse lidhur me dhunimin dhe të tjerat nuk u thashë asnjë fjalë. Mjekun nuk munda ta mashtroj. U detyrua, të më falni në shprehje, të më qepte. Ai më pyeti çfarë më kishin “futur” ashtu, kurse unë i thashë se nuk më kanë futur asgjë por jam rrëzuar keq. Mirëpo, ku mund ta mashtrosh mjekun? Ai nuk më besoi, mirëpo nuk këmbënguli që t’ia tregoj të vërtetën.
Kah fundi i qershorit e braktisëm Bugojnën. Serbët e bombardonin vazhdimisht. Kaluam në Kroaci. Prindërit e mi bashkë me bijën time u vendosën në Istër, kurse unë para një muaji erdha këtu në Zagreb. Këtu mund të fitohet ndonjë para. Tri herë në ditë shkarkoj thëngjill. Nuk do të guxoja të bart asgjë të rëndë, mirëpo po detyrohëm. Të shtuneve dhe të dielave ndihmoj në treg, këtu përballë. Të gjitha këto janë “në të zezë”, por më duhet të gjindem disi. Më duhet të kujdesem për fëmijën e duhet të mendoj edhe për prindërit. Nuk kanë ku të kthehen. Dëgjova që në Oborc serbët e bënë një therrtore dhe therrën çdo njeri që zunë atje.
Nuk po e fsheh, jam duke mbledhur para dhe një njeri do të na ndihojë që të kalojmë kufirin. Qëllimi im i vetëm është që të kujdesem për të mitë. Unë nuk jam me rëndësi. As nuk shpresoj për ndonjë gjë, as që pres nga jeta ndonjë të mirë. Unë, Zonjë, më as që jam njeriu i dikurshëm. Thuajse në mua, nën lëkurën time është futur ndonjë person tjetër, të cilin nuk e njoh, nuk e dua dhe nuk e respektoj.
Zagreb, më 16 gusht 1992
Përktheu: Remzie Ajeti
——————————————————————————————————————————————
1. Pas Konferencës për ish-Jugosllavinë, të mbajtur në gusht të vitit 1992 në Londër, me të cilën u pranua tërësia e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në mënyrë implicite Serbia u emërua si agresor nga ana e bashkëkryesuesve të rinj (në vend të Lordit Carington) Owen-it dhe Vance-ut, të ciltë si qendër të vet e zgjodhën Gjenevën, u prit implementimi i parimeve të Londrës. Në vend të kësaj, Owen-i dhe Vance-u luftën në Bosnjë e shpallën si luftë qytetare me tri “palë në konflikt” dhe e imponuan parimin e ndarjes etnike duke propozuar planin e ndarjes së Bosnjës dhe Hercegovinës në nëntë kantone ( tre plus tre plus tre) dhe duke lënë Sarajevën si një zonë të posaçme. Meqë serbët e refuzuan atë plan, Grupi i Kontaktit, i cili e trashëgoi Konferencën e pasuksesshme të Gjenevës, në prill të vitit 1994 doli me planin e ri, sipas të cilit serbëve u takonin 49% të territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës, përkatësisht shumica e atyre territoreve, të cilat paraprakisht i kishin pushtuar me anë të agresionit fashist.
2. Analiza demografike e përbërjes etnike të njëqind njësive elektorale të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilën e bënë Stjepko Golubiq, Susan Campbell dhe Thomas Golubiq dëshmon se çdo propozim i ndarjes së Bosnjës dhe Hercegovinës duhet të llogarisë në 22% deri 42% pjesëtarë të minoriteteve, përkatësisht të grupeve nacionale në secilin regjion, në të cilin një popull e përbën shumicën dhe mund të konsiderohet dominant. Me atë rast çdo regjion përfshin vetëm një pjesë të etnitetit të vet nacional duke lënë jashtë territorit të vet prej 35% deri në 68% të pjesëtarëve të atij grupi nacional (“How not to Divide the Indivisible”, Why Bosnia, Rabia Ali & Lawrence Lifschultz, The Pamphleteer’s Press. INC, Stony Creek, Connecticut 1993.)
3. A. Stiglmayer, Mass Rape: The War against women in Bosnia-Herzegovina, University of Nebraska Press, Linkoln and London 1994, str. 26
4. Catherine MacKinnon: “Turning rape into Pornography: Postmpdern Genocid”, Ms., korrik-gusht 1993.
“Njeriun” – d.m.th. burrin, bashkëshortin (shënim i përkthyesit)