Koncepti i lirisë në krijimtarinë letrare të femrës

Autori: Osman Gashi

Çështje konceptuale

Tema e shtruar për diskutim koncepti i lirisë, si e këtillë mund të merret si një pikënisje, si një relevancë që shtron ide, probleme, imazhe, në radhë të parë konceptuale e paradigmatike. Ajo prek në mënyrë të natyrshme në çështje të veçanta fundamentale madje të sferës së filozofisë, të psikologjisë, sociologjisë, estetikës etj. Megjithatë do të mund të veçonim së paku dy primesa themelore apo shenja dalluese që do të ndihmonin në zbërthimin e nyjave kryesore të saj:
Koncepti i lirisë në krijimtarinë letrare të femrës, dmth. një interpretim e analizë letrare e temës së lirisë në veprat e ndryshme të shkrimtarëve femra. Kështu, problemi do të mund të fokusohej brenda disiplinës së tematologjisë;
Koncepti i lirisë krijuese, i lirisë së përcaktimit individual të krijuesit, domethënë çështja ngadalë rrëshqet nga sfera e letërsisë e merr forma të tjera të veçanta. Studiuesi në këtë mënyrë do të duhej të merrej me vetë autorët dhe t’i vinte ata në raport me veprat e tyre letrare dhe me botën që i rrethon.
Çështjet që u përmendën më sipër, në tezën e dytë, do të mund të për-mblidheshin në një varg pyetjesh e konstatimesh referenciale, përgjigjjet e të cilave do të mund t’i kërkonim në veprën e njohur të sociologut gjerman Erich Fromm “Ikje nga liria”.
“Ç’ është liria si përjetim njerëzor? A thua dëshira për liri i përket vetë natyrës së njeriut?
Liria, është qëllim i dëshiruar apo kërcënim?
Mos ndoshta ekziston, përveç dëshirës së lindur për liri edhe një dëshirë instiktive për nënshtrim?
A thua njeriu gjithmonë i nënshtrohet autoritetit publik apo u nënshtrohet edhe autoriteteve të internalizuara siç janë detyra dhe ndërgjegjja?
Gjithsesi këto mendime të Fromm-it nuk i referohen ekskluzivisht vetëm botës femërore, ndonëse shumë gjëra do t’ishin të përshtatshme për këtë aspekt. Për shembull ta marrim vetëm të ashtuquajturën “dëshirë instiktive për nën-shtrim”, e cila do të mund të merrte konotacione e përmasa të pallogaritshme vlerësimi në letërsinë dhe përgjithësisht krijimtarinë artistike të femrave.
Do të parapëlqeja, megjithatë të nisemi nga faktet letrare e estetike. Në qoftë se dëshirojmë ta marrim si pikënisje historinë e letërsisë botërore do të na imponohej pa dyshim ndalja tek letërsia dhe mitologjia e lashtë greke dhe si gjedhe do të mund të merrnim një sërë personazhesh të epeve e të tragjedive greke: fillimisht Penelopën, gruan e Odiseut, personifikimin e besnikërisë; Ifigje-ninë, të bijën e Agamemnonit, e cila lirinë e saj bashkë me jetën e flijoi për lirinë e vendit të saj; Antigonën e Sofokliut – simbolin e gruas humaniste dhe të pastër shpirtërisht gjer në skajshmëri; antipodin e saj Medean – gruan më të tmerrshme dhe më travestite që ka njohur histo-ria e letërsisë; pastaj Helenën – bukuria e së cilës ndezi vende e popuj; gruan hakmarrëse, Klitemnestrën, Fedrën e shumë të tjera.
Një qëndrim i veçantë i ndërtuar nga grekët e lashtë për gratë dëshmohet edhe me faktin se ekzistonin edhe një varg femrash – perëndesha në Panteonin e perëndive të Olimpit. Përveç Afroditës, Herës, Artemidës duhet përmendur këtu në radhë të parë Pandorën, gruan që shpërndau nëpër botë të gjitha të këqijat që i trashëgoi njerëzimi deri në ditët e sotme.
Të gjithë këta personazhe të letërsisë apo të mitologjisë përmbajnë në esencën e tyre raporte, bashkëlidhje apo ndërvarësi pikërisht me konceptin e lirisë, jo si një abuzim të tij, por si një qasje të natyrshme.
Nuk mund ta kapërcejmë letërsinë e lashtë greke pa përmendur këtu gjeninë e saj, poeteshën Safo, një simbol të lirisë së kërkuar – të gjakuar – dhe të pushtuar. E konsiderojnë poeteshën më të madhe të të gjitha kohërave, ndonëse gjatë Mesjetës, madje që në kohën e lindjes së Krishterimit poezia e saj u përndoq në mënyrë të tmerrshme dhe librat e saj u dogjën. Gjerësia emocionale, sensibiliteti i lirë femëror, temat plot jetë edhe sot madje janë mahnitëse e në shumë aspekte të paarritshme.
Shekujt e mëvonshëm prodhuan koncepte, vetëdije e qasje të ndryshme ndaj krijimtarisë letrare të femrës, mirëpo vetëm nga periudha e Romantizmit të shekullit XIX mund të flasim për një krijimtari të vetëdijshme e me pamje të qartë të botës e të jetës nga këndvështrimi specifik femëror.

Letërsia femërore tek ne

Sërish jemi të detyruar t’u kthehemi çështjeve kruciale të fillimit: Ç’do të thotë nocioni letërsi e femrës dhe pandani i saj logjik letërsi e meshkujve?
Po ashtu tema do të mund të shtrohej edhe ndryshe, si një zbërthim ele-mentesh të veçanta, që dalin nga një përcaktim i tillë hulumtimi:
Liria si temë letrare në krijimtarinë e femrave;
Liria e krijimtarisë;
Liria si raport gjinish;
Koncepti i lirisë politike, i lirisë personale;
Liria shpirtërore;
Një numërim i tillë sintagmash e konceptesh do të mund të shkonte deri në pafundësi.
Sipas gjithë asaj që u tha deri më tash, a është i qëndrueshëm apo jo koncepti letërsi femërore ? Është thënë gjithnjë se letërsia nuk njeh kufij vendesh apo gjuhësh, si është e mundur atëherë, që të njohë kufij gjinish?
Gjithnjë në bazë të këtij distinksioni, çfarë sistemi aksiologjik do të duhej të përdorim kur e studiojmë letërsinë e femrave, ndryshe nga makrosistemi i përgjithshëm teoriko – letrar e estetik.
Mirëpo do t’ishte vërtet joproduktive po të humbnim kohë në një ta quajmë “lojë dominoje” të këtillë dhe mund të pohojmë pa hezitim se tema “Koncepti i lirisë në krijimtarinë letrare të femrës” përmban shumë elemente që ofrojnë lëndë studimi, në radhë të parë në qoftë se e bëjmë objekt hulumtimi e interpretimi letërsinë shqiptare dhe fenomenet specifike që i ofron pashmang-shëm ky milie.
Liria është e drejtë elementare e qenies njerëzore. Kjo s’është vetëm paru-llë politike. Gruaja shqiptare, e vetëdijshme për faktin se jo gjithnjë i është pra-nuar si e plotë një gjë e tillë edhe botën e saj letrare, konceptet estetike i ka lidhur të shumtën e herave me problemin e emancipimit dhe të ndërgjegjësimit të saj, të vënies në pah të rolit të saj vendimtar në familje e në shoqëri. Për krijuesen letrare shqiptare, andaj, dalja në skenën shoqërore, kulturore e letrare do të thoshte një sfidë e guxim i veçantë. Ajo këtë e kupton përgjithësisht si një pushtim të lirisë e jo si ofrim lëmoshe nga gjinia tjetër. Përmbajtjet e veprave letrare të krijueseve shqiptare gjithsesi e shquajnë këtë emblemë dalluese.
Është sinjifikativ një dallim, mbase jo vetëm botëkuptimesh e konceptesh midis krijueseve që shkruajnë në Shqipëri dhe atyre që krijojnë në Kosovë. Në Shqipëri, do të mund të thoshim se ka mjaft prozatore – tregimtare e romansiere, veprat e të cilave hyjnë në vlerat e çmueshme të letërsisë shqiptare si Elena Kadare, Natasha Lako, Diana Çuli, Eglantina Mandia, ndërsa në Kosovë do të mund të numëronim në gishtërinj femrat që shkruajnë prozë apo drama. Ku janë arsyet?
Kujtoj se është e vërtetë e thjeshtë se kjo lidhet esencialisht me shkallën e zhvillimit të gjithëmbarshëm të formave letrare tek ne, por edhe me sensibilitetin shpirtëror e krijues të femrës, me botën e saj emocionale, me mënyrën e botëvë-shtrimit dhe të botëpërjetimit të saj. Dhe këtë sensibilitet nuk kanë ngurruar ta transponojnë në vargje, metafora e simbole disa poete tona të shkëlqyeshme si Edi Shukriu, Flora Brovina, Miradije Ramiqi, Qibrije Demiri, Lindita Aliu, Fakete Rexha, Xheraldina Buçinca – Vula, Naime Beqiraj etj. Do të mund të përmendnim qindra strofa e vargje autorësh të shumtë nga ku do të vërenim qartë këtë ndjeshmëri specifike femërore psh.

Më kurse nga ngjyra e zezë
Nga fjalët që s’thuhen
Jam shpirt shumë i butë

Më kurse nga erërat
Nga pluhuri që çojnë hamshorët
Jam shpirt shumë i butë.
(Qibrije Demiri)

Hyra në veten time kërkova qelizat
Të më kallen të më mbajnë
Dashuria si vetëvrasje të më rrethojë
Ti fikem gjinisë në hije …
… Hyra në veten time dhe të dal s’më bëhet.
(Xh. Vula)

Më në fund do të mund të thoshim se ekzistojnë tashmë shenja të qarta dalluese të krijimtarisë letrare të femrave, të asaj që quhet letërsi femërore tek ne. Vala e rrëmbyeshme e orientimeve të shumta në botë që do të mund të përmblidheshin në të ashtuquajturin feminizëm nuk ka lënë pa prekur as botën shpirtërore e krijuese të femrave shqiptare. Ato sot i njohin konceptet dhe përgjithësisht krijimtarinë letrare të grave të famshme në botën e letrave si Natali Sarrot, Virxhinia Vulf me botën e saj plot shkundullima, Simon de Buvoar, Margeritë Jursenar, Amrita Pritam, Nadin Gordimer pastaj Sylvia Plath, që në përpjekje për të ikur nga “robëria gjenetike femërore” e përqafoi vdekjen e dhunshme e tj.
Mirëpo krijueseve tona letrare sikur do t’u shkonte më shumë për shtati një thënie nga vepra që e përmendëm në fillim “Ikje nga liria” të Erich Frommit:
“Nëse s’jam për veten, kush do të jetë për mua?
Nëse jam vetëm për veten, ç’jam unë
Nëse jo tash, kur?
Ky manifestim i vazhdueshëm i aftësisë, i vetëdijes dhe i botëkuptimeve të qarta të femrës në Kosovë për pozitën e saj, i një kreativiteti e ndjeshmërie lucide, ky gjakim i përhershëm i lirisë, jo i një lirie abstrakte, por të dukshme, tokësore dhe jo në dëm por në dobi të të gjithëve është dëshmi kuptimplote dhe përgjigjje konkrete e pyetjeve të shtruara.