Kardigan
Fragment
Ina nuk u nis për Paris dhe Ledia Dibra nga ana tjetër e telefonit e pyeti ç’i kishte ndodhur që ishte kaq fjalamane, nuk e kishte dëgjuar kurrë të fliste aq shumë, në dhjetë minuta telefonate kishte shqiptuar më shumë fjalë se në gjithë ato vite që e njihte. Oh, asgjë e veçantë, por ndryshova planet dhe ja që… Nejse, nuk kam ç’të të them më shumë se ato që të thashë, kur të të telefonoj radhën tjetër ndoshta do të të sqaroj më mirë. Ina ishte hedhur degë më degë pa shpjeguar thelbin dhe tjetra e pa të udhës t’i uronte fat të mbarë, po të kishte nevojë për të e dinte ku ta gjente. Patjetër, patjetër, të më ndjesh, por ja që… Kështu pra, mirupafshim, të uroj gjithë të mirat, unë sidoqoftë këtu sikur u mësova dhe se si më duket të nis nga e para në Francë. ndoshta ishte një vendim tepër i nxituar. Oh nuk është nevoja të justifikohesh, ti i di vetë punët e tua.
Arkitekti kishte rënë në dashur me një nga…, nga ishte? Shqiptare, je në vete? E pamundur. Në mos gabohem janë komunistë, jo ishin, tani kanë ndryshuar, të kujtohen ata që dyndën Italinë me anije, pamjet prej apokalipsi me njerëzit si milingona që hidheshin në det, në Itali? Dhe Françesko ka vendosur të lidhet me një prej tyre, ka ardhur me anije edhe ajo? Kushedi si ka ardhur, poverina, thonë që është e bukur. Vërtet? Vërtet. Megjithatë me siguri e ka futur në thes, Françesko ka pataur shumë vajza të bukura, kushedi ç’fshihet poshtë kësaj marrëdhënieje, jam e bindur, nuk u hap fjala vitin e kaluar se ai ka një problem serioz impotence? Oh jo, këtë jo, vë dorën në jarr, e njoh fare mirë nga ajo anë, (e qeshur e hidhur nënkuptuese), që luan diçka këtu, luan po. Kur ishte me mua nuk donte të dëgjonte për një lidhje serioze dhe tani pa pritur flet për martesë?
Françesko nguli këmbë që të largoheshin për një javë dhe ajo pranoi me kënaqësi. Në Gjenevë, tha Ina, shkojmë në Gjenevë e Lozanë, do më pëlqente shumë t’i shihja. Kur të kthehemi, pse të mos banojmë te unë, në vend që të rrish vetëm në atë vrimë miu? E hodhi fjalën ai si rastësisht. Ajo e vështroi me panik. Jo, as që bëhet fjalë, tha prerë. Dhe ai nga frika se mos ndërronte mendje nuk e zgjati më, madje nuk shtoi as flasim përsëri për këtë, nuk donte ta humbiste, kurrsesi, ankthi i humbjes e shoqëronte që nga mbrëmja e shiut.
Dolën nëpër Gjenevë, ai e çoi në një restorant tipik jashtë qytetit dhe ajo për herë të parë shijoi fondue-në. E mirë, shumë e shijshme, nga ne nuk ka kaq shumë tipe djathrash, Shqipëria nuk e ka të zhvilluar kulturën e djathit, dhe mua nuk më ka pëlqyer në mënyrë të veçantë, ajo qeshte. Lëshonte një gugurimë të hareshme me shkak e pa shkak, ngjitëse, dhe ai qeshte pas saj. Sytë e Inës ndizeshin për gjënë më të vogël, qeshnin përsëri, ai e vështronte si i përpirë, çfarë jete kishte bërë më parë, kush ishte, ku e kishte fshehur velin e trishtimit që e mbulonte mbrëmjen kur e njohu, në festën e Mirelës?
Gjatë gjithë javës ai iu kthye propozimit për të jetuar bashkë, donte t’ua paraqiste prindërve. Nuk kemi pse të nxitohemi, ërmë kohë, i lutej ajo, përse gjithë ky nxitim? Mos ma merr frymën kështu.
-Jam i lumtur me ty, – ai e shtrëngonte me ëmbëlsi, – kurrë nuk jam ndjerë kaq mirë në jetën time. se nuk do ta besosh këtë? Ajo e besonte, natyrisht që po, s’kish asnjë arsye pse të mos i besonte, por ishte gjithçka kaq e nxitur.
Françeskon e kish kapur një ethe që nuk arrinte të kontrollonte. E mjaft edhe ti, i tha Alex, mos u bëj i paduruar, lëri ca kohë, në ka nevojë për kohë. Aty është, ku do ikë?
Por nuk ishte ashtu. Ajo grua ishte e rrëshqitshme, ai nuk dinte si ta shpjegonte pasigurinë që e kishte mbërthyer, ajo ishte sikur ta kishe pranë e larg njëkohësisht.
Françesko e çoi në gjithë miqtë e të njohurit, Ina u ndje si e vënë në një ekspozitë ku të gjithë vinin pas xhamit dhe e admironin, urime, përgëzime, është shumë e bukur e fejuara jote, ku e gjete? Të gjitha shqiptaret kaq të bukura janë?
Ai fluturonte nga lumturia, Ina u përpoq t’i fliste disa herë rreth kësaj ekzposite të hapur e pa orare mbas qelqit të së cilës ndihej keq. Por vinte mbrëmja, ai fillonte ta mbushte me përkujdesje, hapnin një shishe verë ai e pyeste rreth Shqipërisë, ajo tregonte copa vitesh e ngjarjesh. Ai shpesh tundte kokën me mosbesim e trullosje. Është e vërtetë, rreth Shqipërisë ishim të gjithë injorantë. Atje nuk mund të hyje në asnjë mënyrë. Më kujtohet, njëherë erdhëm deri në Maqedoni me një grup miqsh, po bënim një shëtitje nëpër Jugosllavi dhe thamë pse jo?, provojmë të hyjmë në Shqipëri, por ishte e pamundur. Na bëri aq përshtypje, ushtarët me automatikë, baraka e kufirit, atë ditë ishim dhe gjysmë të pirë, në drekë na kishin shërbyer shlivovicë që na kish rënë në kokë.
Unë nuk kam shumë për të treguar, thosh Françesko kur ajo ndalonte së rrëfyeri. Kishte studjuar në Gjenevë e Firence, kishte bërë edhe një specializim në Shtetet e Bashkuara, Nju Jork e San Francisko, kishte vizituar Spanjën gjerë e gjatë, Amerikën Latine, kishte pasion të veçantë për Afrikën e Jugut, kishte vizituar pjesën më të madhe të saj.
-Ja kjo është e gjitha, në jetën time prej borgjezi nuk ka ndodhur asgjë dramatike, asgjë që të më ketë bërë të vuaj në mënyrë të veçantë.
-Megjithatë në tregimet e tua ka diçka që të ka lënduar, kjo është e qaartë. – I tha Ina një natë, kishte pirë pak, por vera i ra në kokë sepse darkën mezi e kishte prekur.
-Pse, – ai e vështroi i alarmuar, – çfarë të bën të mendosh kështu?
-Mënyra si tregon, ndalesh gjithmonë një hap përpara, shkon deri në pikën ku në jetën tënde prej borgjezi me fat nuk ka ndodhur asgjë që të të bënte të vuaje dhe aty tak, ndalesh.
Ajo kishte ngritur flokët në majë të kokës me një karficë të madhe.
-Kupton? Nuk mund të mos e vë re një gjë të tillë. Ti ndalesh aty si përpara një shkalle të pjerrët, të tatëpjetë, apo gabohem?
Kishte pirë dhe ai, nata ishte euforike dhe mburojat i ranë pa zhurmë. I tregoi disa histori brirësh, trekëndshash midis tij, të dashurës së shokut të ngushtë e shokut të ngushtë, marrëdhënie që kishin zgjatur gjithmonë jo më shumë se katër muaj, shumë-shumë gjashtë muaj. Vetëm një herë kishte patur një marrëdhënie që kish zgjatur diçka më shumë. Pastaj edhe këtë të fundit e kishte braktisur nëpërmjet telefonit. Si nëpërmjet telefonit? Ina dëgjonte gjysmë e përgjumur. Ai qeshi. Asokohe isha në Zyrih, njoha një vajzë nga Lucerna, ishte e këdshme dhe aq e pafajshme sa… atëhere i telefonova kësaj tjetrës dhe i thashë se nuk mund të vazhdonte midis nesh, kisha dikë tjetër. Dhe? dhe dikush tjetër më bëri ta paguaj burracakërinë ndaj Kaludias duke u tallur me mua për muaj të tërë. Në ç’mënyrë? Gjithë ai çorap sentimental aq larg prej vijës së drejtë të jetës së saj e bëri Inën t’i dilte gjumi.
Historia e gjatë, pas luçernezes njoha Marlenën e cila jetonte nga e hëna deri të enjten me mua, dhe nga e premtja deri të dielën në darkë me një tjetër, duke më thënë se ato tri ditë shkonte tek e ëma që kishte nevojë për ndihmë pasi ishte e sëmurë.
Vazhduam kështu rreth pesë muaj, nuk kisha vënë re asgjë. Isha tepër i zënë me punë dhe ajo sillej aq ëmbël… Një mbrëmje e pashë të përqafuar me të dashurin tjetër, paralelin, për të cilin nuk kisha dijeni, përqafoheshin në një bar, ku hyra rastësisht për të blerë cigare, dhe kur e pyeta ç’po ndodhte, thua se erdhi fundi i botës, filloi të më shante e të ulërinte se isha xheloz e histerik, posesiv e maskilist.
Po ti? Pyeti Ina. Asgjë, mblodhi supet Françesko, u ndjeva në faj, si kisha mundur të dyshoja ashtu? Marlena kishte të drejtë. Në fund të fundit kur dy njerëz vendosin të rrinë bashkë secili ka një të shkuar që dashur pa dashur ndërhyn edhe në të tashmen. Natyrisht, natyrisht tha ajo, varet në ç’mënyrë. Çfarë donte të thoshte me këtë? Hiç, asgjë të qartë, fola ashtu kot, sa për të thënë diçka.
Një mbrëmje, vazhdoi Françesko, tek hapnin secili postën e vet, Marlena ishte ngërdheshur në një buzëqeshje të thartuar duke hapur një letër në adresë të saj dhe pastaj e kishte futur në çantë pa e lexuar ende, kupton?, sa hap e mbyll sytë duke bërë kinse ishte e qetë. Më dogji, më erdhi në mend përqafimi. Mbas darke Marlena kërkoi të bënte dashuri dhe u soll në mënyrë veçanërisht e zjarrtë – gjë që ndodhte rrallë, tepër rrallë në katër muajt e fundit – dhe kur e zuri gjumi, të pambuluar, dallova shenjë dhëmbësh në ijet që nuk ishte e imja, qartësisht nuk ishte imja, kupton? Françesko ndërkohë ishte ngritur në këmbë, tregonte i ndezur e i hidhëruar, gjatësia e shtatit theksohej edhe më nga këmisha e lënë jashtë pantallonave dhe nga flokët e ngritur përpjetë në një krehje të re të ditëve të fundit. Atëherë bëra një gjest aspak të hijshëm por që rezultoi i dobishëm: lexova letrën që kishte në çantë dhe aty dilte qartë gjithçka. Ai tjetri ankohej se Marlena i kish premtuar se do më braktiste dhe nuk e kishte bërë ende. Prit, ai picërroi sytë për të kujtuar, si më quante? “Nuk e ke lënë ende idiotin me kravatë?” Pikërisht kështu, sapo kishte brë seks me mua dhe një ditë më parë ishte tallur mbas kurrizit tim me tjetrin. Pra unë isha idioti me kravatë, kurse ai ishte i përqafuari i barit. Puh ç’teatër, qeshi ai e vazhdoi t’i tregonte hollësitë e grindjes së ndarjes dhe Ina se si u ndje. Marlena ishte një nga putanat më të mëdha që kam njohur. Françesko s’kish ndër mend të mbaronte. Mjaft, nuk dua të di hollësitë, i tha Ina, kursemë kalvarin e dhimbjes së brirëve. Epo, u fye ai, ti deshe të dije dhe unë po të tregoja. Jo, nuk ishin kuptuar, ajo nuk ishte aspak kureshtare të dinte hollësitë e marrëdhënieve me femrat e tjera. Sa më pak të dinte aq më mirë ishte, nuk ishte çështje logjike, por ndjesie, sesi ndihej nga gjithë ai çorap, një lloj frike… Biseda lindi vetëm nga përshtypja e saj se ai linte gjithmonë mënjanë një pjesë që i dhimbte, domethënë nga mënyra se si vinte theksin në bisedë kjo gjë dilte qartë, dhe aq. Vetëm aq. Si të duash, tha Françesko e bëri ta përqafonte. Ina e shtyu lehtë. Kur ishte ndarë prej të dashurës së fundit para se të njiheshin bashkë, pyeti ajo e turbulluar, si quhej? Letizia, nuk kishte qenë e fundit, jo, por sidoqoftë e lashë tri javë para se të të njihja ty dhe që atëhere nuk e kam parë më. Ah, bëri Ina duke vënë kafenë në zjarr. Nëse nuk kishte qenë e fundit, kush ishte e fundit fare? Por kjo ishte pyetje që e mbajti përbrenda.
Sidoqoftë, ehe pse jeta e tij sentimentale kish qenë kaq e komplikuar, kjo nuk justifikonte deri në fund atë lloj paqetësie apo trishtimi që ajo kapte në sytë e tij. Një lloj vuajtje që ngjitej nga thellësi më të mëdha se disa punë brirësh të rëndomtë.
Lëkura e nxehtë e Françeskos e mbështolli nga mbas në një përqafim aludues. Përfunduan në shtrat gjysmë të lehtësuar e gjysmë të përgjumur, në një kapërthim të gjatë e pa zhurmë.
-Po unë nuk të njoh, i dashur. – I tha Ina të nesërmen në mëngjes, me të hapur sytë. Ai e vështroi përhumbur.
-Çfarë thua? Nuk kuptoj.
-Thashë që ne të dy nuk njihemi aspak.
-Inë. Ç’mendime të kalojnë nëpër kokë që menatë? – Ai u struk pranë saj dhe ajo nuhati lëkurën e supit të tij. O perëndi, bëj që të jem e lumtur, iu lut Ina tavanit, nuk kam më forca.
Ajo nxori xhupin nga dollapi me gjithë varësen. E mbajti një çast në dorën e djathtë e me të majtën kroi ballin. Cila ishte dritarja më e përshtatshme për ta ajrosur? Jashtë dukej sikur do binte dëborë. Më mirë, mendoi ajo, sikur t’i binin ca flokë bore përsipër nuk do i bënin dëm, kish kohë që nuk e çonte në pastërti. Dritarja e sallonit. Ajo anë ishte e mbrojtur nga era, pra nuk rrezikonte që xhupi t’i binte në tokë. Ashtu bëri. Vari xhupin në goxhdën jashtë parvazit e i hodhi edhe një sy lagjes së përgjumur. Sikur të pastronte dollapin? S’do ishte keq. U shtriq si për t’i dhënë vetes vrull dhe u nis drejt dollapit që kish mbetur i hapur. Filloi të nxirrte xhaketat e fundet e varur. Dora dorës që i hidhte mbi shtrat shqyrtonte shkallën e ndotjes: cilat mund të laheshin në lavatriçe e cilat duheshin çuar në pastrim kimik. Kur i zuri syri kardiganin ishte krejt e përpirë nga ethja pastërore. Ky, tha me zë. Un ndal. Ky nuk shkon asgjëkund. Ky rri në dollap. Gryka e boshatisur e këtij të fundit e vështronte me një kureshtje të vakët. Aty do rrinte ai i poshtër kardigan, dhe pikë. Madje kot fare që po bënte këtë punë. Një herë tjetër. Mori përsëri rrobat që dergjeshin mbi shtrat dhe i rreshtoi përsëri me rregull. Kardigani u zhduk në skajin e djathtë të garderobës. Ina u ndje e lehtësuar.
Muajt e parë të dashurisë midis Françeskos e Inës ishin gjithë bulëza të hareshme lumturie. Ai u tha prindërve se kish vendosur të martohej, nuk pranonte asnjë koment, asnjë kundërshtim e asnjë shtrembërim buzësh. E shoqja nuk ishte rritur në Bregun e Artë në Zyrih, nuk kishte llogari të majme në bankë dhe atij as që i shkonte në mend të lidhte martesë me ndonjë nga kandidatet për të cilat vdiste nga dëshira mamaja Rey. Në rregull? Mos ishte përzier me ndonjë domenikane, braziliane apo tailandeze nga ato që mbushnin klubet e natës? E pyeti nëpër dhëmbë arkitekti Rey senior. Jo, u përgjigj Françesko pa e çarë kokën shumë për tonin përçmues të të atit, është nga lindja, dhe nuk e kam gjetur në ndonjë klub nate. Ruse? Jo, shqiptare. Oh, Zyrihu është plot me të tillë, trafikantë droge, tha e dëshpëruar nga telefoni në dhomë të gjumit, nga po përgjonte telefonatën, mamaja Rey. Ah, ciao mamma, nuk e dija se po bënim konferencë treshe telefonike. Po, ke të drejtë, është shqiptare, trafikante droge.
E kush e çante kokën? Tha ai kur mbylli telefonin, do mësoheshin, s’kishin rrugë tjetër. Ajo ishte e bukur, e ëmbël e sensuale. E trishtuar po, kjo ishte e vërtetë, por do t’i kalonte. Nuk kish si të mos ishte kështu. Donte ta bënte të lumtur atë grua, le të ishte misioni i tij në jetë.
Kur hynin në restorant meshkujt kthenin kokën dhe ai krenohej me një ndjenjë adoleshenti që ajo e konsideronte të çuditshme. Por askush tjetër nuk i kishte dhuruar ditë kaq marramendëse dhe Ina nuk kishte dëshirë të mendonte.
Është e përsosur, mama, me Françeskon është çdo gjë e përsosur. Lëshoi veten Ina në telefon, linja vinte tepër e ngatërruar. Nuk ka gjëra të përsosura moj bijë, po e rëndësishme është që të jesh ti e kënaqur. Kujdes të sillesh mirë. Falemnderit mama, ti po që di të thuash fjalën e duhur në çastin e duhur, Ina e mbylli bisedën shpejt. Françesko ishte aty ngjitur, luante me flokët e saj, ç’ke kështu? I puthi majën e veshit të zbuluar, janë mirë të tutë? Janë mirë, po, të përshëndesin.
Do shkojmë në Zyrih, Inë, s’ke nga shpëton, duhet t’i takojmë të mitë, në mos një herë, një tjetër…
Rey i moshuar i kushtoi shumë vëmendje të përzemërt gjatë gjithë fundjavës që kaluan në shtëpinë luksoze të Zyrihut, kurse e ëma e vëzhgonte me sy të pamëshirshëm. Për mamanë mund të jesh e bukur sa të duash, inteligjente sa të duash, elegante sa të duash, e kishte paralajmëruar Françesko, por po nuk bëre pjesë në një nga familjet zvicerane, mundësisht nga Zyrihu prej dhjetë brezash, nuk vlen një grosh, unë të kam paralajmëruar, ëh, nuk është faji im për nënën që më ka rënë në pjesë. Asaj iu duk vetja e fortë nga ëmbëlsia e deklaruar e të dashurit përpara prindërve të tij. Shyqyr zotit që nuk banojmë pranë, i tha Ina vetes. Françesko e bënte të ndihej grua, e fortë dhe e bukur. Të tjerat do rregulloheshin. Ai më do dhe më respekton, vazhdonte të përsëriste ajo me vete. Kështu është.
I fejuari këmbëngulte për martesën të cilën e kishte mbiquajtur “çështja e dorëlypjes”.
-Mirë, – i tha një ditë krejt papritur Ina tek hanin drekë, – nuk duhet të lypësh më.
-Po tallesh.
-Jo.
-Betohu.
-Stërbetohem.
-Thuaj vdektë armiku më i tërbuar.
-Plastë fare.
-Kur fare?
-Ku e di unë? Ta mendojmë.
-Muajin që vjen, lërmë kohë vetëm për përgatitjet e domosdoshme.
-Ç’na nxiton të vrapojmë kështu?
-Asgjë, por dua të martohemi.
-Françesko, unë të thashë që po, por kjo nuk do të thotë që sa hap e mbyll sytë…
Ai mori vrull dhe filloi të merrej me të gjitha gjërat njëherësh, përgatitja e darkës, lista e të fituarve, gjetja e apartamentit ku do banonin, një më të madh natyrisht, poltronat duheshin ndërruar, duheshinzgjedhur ngjyra të buta e të harmonishme, do të kërkonte ndihmën e Paolës, ajo ishte arkitekte interieresh, kishte përvojë të veçantë. Kush ihte Paola? Një nga mikeshat më të mira që mund të bëhej mbi dhe, njihemi prej dymbëdhjetë vjetësh. Do ta njohësh këtë të shtunë në darkë, na ka ftuar, s’më kishte folur kurrë për të, ah ashtu? Ndoshta ishte Ina që nuk mbante mend, po ç’rëndësi ka? Ashtu është, s’kishte aspak rëndësi. Në mbrëmje po visheshin të dilnin dhe ajo mori të parat pantallona që i zuri dora. Jo, vish kompletin që blemë para dy javësh, grinë e çelët, ndërkohë ra telefoni dhe ajo mbeti në ajër me pyetjen përse? Por ai u ul në poltronën ngjyrë tulle dhe fytyra i rrezëlleu me një ah, Magda, ku dreqin ke humbur, u bënë shekuj që s’të shoh, si? Unë, po ah ashtu, zëri u ul, Ina zgjati veshët, po po të kanë thënë të vërtetën është shqiptare, carina si, molto. Ina mbeti nëj copë herë në pritje, por ai nuk e vështroi dhe ajo shkoi në dhomë për t’u veshur.
Ishte Magda, e dashur, një ish e fejuar për pak kohë. Kur kështu, në epokën para apo pas Marlenë? Pas, domethënë pak javë para se të të njihja ty. Pra mbas Letizias vinte kjo… Sa kohë para se të njiheshim u ndave prej saj?
Uhhmm, më duket se, nja katër ditë më duket… Ina, më dëgjon? Ehë. Histori trijavore, asnjë ditë më shumë. Lëre ç’e pyet, mendoi ajo, gallatë fare.
-Ndonjë ditë do vijnë për vizitë.
-Kush? – Inës i mbeti krehëri në dorë.
-Magda me të shoqin.
-Nuk të kuptoj, – tha Ina dhe u kthye nga Françesko, që ndërkohë po i vinte mbas kurrizit, – është martuar ndërkohë?
-Ka vite që është e martuar.
-Pra kur kishit marrëdhënien bashkë, ajo…
-Ç’do të thuash me këtë?
-I shoqi e di që ju të dy keni patur të bëni?
-Jo, me sa di unë jo.
-Po atëherë si do vinë këtu për vizitë?
-Po, – ai i nxeh dhe ngriti zërin, – do vinë këtu dhe aq, unë e Magda u bënë kohë që s’shihemi dhe ajo më tha se ndonjë mbasdarke do shihemi.
-Ti po tallesh, – i tha Ina duke ia ngulur sytë si e damllosur, – thuaj që po tallesh.
-Aspak.
-Po më thua që unë dhe burri i saj duhet të marrim pjesë si hunj gardhi në takimin tuaj, sepse ju keni kohë që s’jeni takuar, kështu? Biles më mirë, unë e ai dalim të bëjmë një shëtitje kështu ju mund të çmalleni më mirë? Ty të ka luajtur mendja. – Asaj i dridheshinduart dhe u ul në karrigen e korridorit. Ai e vështroi i tërbuar, Ina mbajti vështrimin ngulur në të tijin.
-Pse ç’të keqe ka në këtë mes? – U hakërrua Françesko.
-Nuk jam aspak dakord, kjo është e keqja. Mirë të paktën që mua më the të vërtetën, po i shoqi i saj do vijë këtu sikur ti të ishte një mik e vetëm aq, apo jo?
-Magda s’ka ndërmend t’i thotë se… kjo është punë e tyre.
-Pra ai do vijë këtu si tarallak dhe…? Jo, nuk jam dakord. I bukur takim.
-Por kjo është shtëpia ime dhe mund të ftoj kë të dua. Nuk do t’u mbyll dyert njerëzve sepse mentaliteti yt është aq provincial sa të mos i kuptojë gjërat.
-Përsërite edhe një herë! – Ina u ngrit në këmbë, ishte e tërbuar tashmë dhe nuk kishte aspak dëshirë të përmbante zërin.
-E dëgjove mirë, kjo është shtëpia ime.
Gruaja u shfry, sikur gjithë tullumbacin e inatit ta kishte shpuar një gozhdë gjigande.
-Ke të drejtë, – tha me zë të ulët, – kjo është shtëpia jote, por unë kam dinjitetin tim dhe nuk kam aspak dëshirë të bëj të zonjën e shtëpisë për ish dashnoren tënde. Prite kur të duash e sa herë të duash, unë s’pranoj të marr pjesë në idiotësira të tilla.
Ajo doli duke mbyllur derën ngadalë, sikur zhurma t’i shkaktonte dhimbje koke. U end nëpër rrugë deri sa këmbët i dhembën nga lodhja. Ku je Blertë? Më ka marrë malli të shkëmbej dy fjalë. Por shoqja ishte në Shtetet e Bashkuara, bënte refugjaten si ajo.
Françesko i kërkoi të falur, dhe Ina nuk pati aspak dëshirë të ulej në tryezë e të sqaronte atë grindje. Pranoi ndjesën e tij e aq. Ishte tepër e lodhur për diskutime të gjata.
Zgjodhën restorantin, të ftuarit dhe menynë. Sikur ta shtyjmë për në vjeshtë? Pranvera kishte hyrë me kohë, Françesko ishte në ethe për apartamentin që nuk po e gjente ashtu si duhej. Pse mërzitesh, i tha ajo, jemi mirë edhe në këtë apartament, merre me qetësi… Në asnjë mënyrë, dua të jetë gjtihçka e përkryer, darka, muaji i mjaltit, shtëpia. Këtë fundjave dua të flas me prindërit e tu në telefon, nuk shkon kështu vetëm me letra e kartolina, dua t’i ftoj për ceremoninë e martesës; ajo nuk u përgjigj duke shpresuar që ai të harronte.
Françesko u largua për udhëtime pune nëpër Evropë dhe Ina, për një arsye që nuk dinte t’ia shpjegonte vetes, filloi të kërkonte si në ethe një vend pune. Me paratë që kish grumbulluar mezi i dilte të paguante qeranë e apartamentit të vogël tani që ishe pa punë, por të hollat po i mbaroheshin dhe ajo nuk kishte aspak dëshirë t’i kërkonte ndihmë Françeskos.
Atij nuk i udhëtohej më pa Inën, ditët i dukeshin të zbrazëta e tepër të gjata. Kjo ishte një arsye më shumë për t’u martuar. Ajo do kishte më në fund pasaportën zvicerane dhe ishte e lirë të dilte jashtë kufijve. Nuk është kështu, e dashur? Mund të më shoqërosh. Deri sa të mos kishte punë po, me gjithë qejf, por ajo po kërkonte, kushedi gjente ndonjë gjë, çfarëdo qoftë.
Përse? E pyeti disi i fyer Françesko. Ajo u mundua t’i jepte një shpjegim bindës, donte të qëndronte mbi këmbët e saj, nuk do pranonte të bënte shtëpijaken. Të kuptoj, këmbënguli ai, megjithatë më duket krejt pa vend të kërkosh punë pikërisht tani, nuk ke ende dokumentat në rregull, kush do të të pranonte në këto kushte, me copën e kartës së refugjatit. Mbas muajit të mjaltit, sapo të kesh pasaportën zvicerane çdo gjë do jetë më e lehtë, mund të të ndihmoj edhe unë. Qejfi do ma kishte të rregullohesha para martesës, me forcat e mia, çdo lloj pune të ishte, mjaftonte që…
Fustanin për ditën e dasmës, tha Françesko tek çbënte valixhen, sot është e enjte, sikur të shkojmë në Zyrih tek të mitë nesër në mbrëmje, dhe të shtunën kemi gjithë ditën në dispozicion për të hedhur një sy nëpër dyqane, si thua? Madje po marr mamanë në telefon, ajo është kliente e rregullt në disa boutique shumë elegante, mund të na ndihmojë. Prit, tha Ina e zënë ngushtë, oh e di, ia preu ai, mos thuaj asgjë, tani të njoh mirë për të ditur ku do dalësh: paratë apo jo? Mundësitë financiare, xhepi nuk ta lejon të lesh në boutique, i rashë në të? Po, tha ajo edhe më në siklet, nuk dua të hyj në dyqane të shtrenjta. Po unë pse jam? E dashur… Françesko e përqafoi butë dhe i hoqi flokë nga sytë. Dreqi ta hajë, mendoi ajo, por ishte e kotë t’i shpjegonte atij sa e lëndonte ajo situatë. Ai do t’ia priste edhe një herë shkurt se e dinte, e kish të qartë që s’ishte aspak e këndshme, por ajo ishte drita e syve të tij. Ç’rëndësi kish të kujt ishin paratë, nuk ishin tani një familje? Kish rëndësi që ç’ke me të, ai nuk e njihte shijen e atij lloj poshtërimi edhe pse elegant, nuk dinte si ndihej një jo i kamur para dhuratës së këtij të fundit, çasti i mallkuar kur duhej të thoshte “falemnderit” ishte tepër i sikletshëm. Ajo nuk vinte në dyshim dëshirën e tij për t’i vënë në dispozicion gjithçka, por ajo se si ndihej, s’ish mësuar të varej nga të tjerët. Pse, tha ai i lënduar, unë jam “të tjerët” për ty?
Në vend të Zyrihut shkuan në Gjenevë. Ina zgjodhi një fund të zi të ngushtë, të gjatë, me një të çarë gjer në kofshën e majtë si edhe një xhaketë mëndafshi ngjyrë krem të çelët.
Flemë këtu sonte, ç’na përzë, nesër është e diel. Ina ishte dakord. Ai e priti të bënte dush në banjën e mermertë të hotelit, e ndërsa Ina vishej Françesko i tha se ajo ishte gjëja më e bukur që i kishte qëlluar në jetë, tani që e kish gjetur nuk do ta linte kurrën e kurrës të largohej, nuk do donte ta humbiste për asnjë arsye në botë.
E kush po ikën? Tha ajo mbasi bënë dashuri. Jashtë ishte errur. Veturat, cifla jete të rrufeshme, arratiseshin nëpër mbrëmje me panikun fatal të atij që e di se në fund të errësirës e pret shkëmbi mbas të cilit do thërmohet. Jam këtu e nuk kam aspak ndërmend të largohem. Ajo i puthi sytë, prej flokëve të tij pika të vakëta uji binin mbi supin e saj të zbuluar. Përse më vijnë gjithmonë mendime të trishtuara e nuk arrij t’i largoh edhe tani që ndihem e lumtur si kurrë ndonjëherë?
-Ballkaniteti ynë, më shumë se një karakteristikë është një sëmundje.
I kish thënë dikur Klea Borova në një nga korridoret e fakultetit të filologjisë.
-Kupton? Është një ethe, diçka që mbartim brenda vetes në mënyrë jo vetëm të pashlyeshme, por gati-gati të pakontrollueshme, morboze. Shih për shembull pasthirrmat tona të ekzagjeruara edhe përpara ngjarjes më të rëndomtë. Kur flasim duket sikur grindemi. Çdo fakt apo ndodhi nga më banalet e ngjyrosim menjëherë me një ton patetik ekstrem, pa nuanca relativiteti në mes.
Klea asokohe po punonte një temë rreth gjestualitetit dhe hiperbolës në bisedën shqiptare.
-Natyrisht, në shtjellimin e një teze të tillë nuk mund të lë jashtë vëmendjes shtratin e madh të Ballkanit. Ne jemi vetëm një përrua i tij, pjesë e së gjithës, gjymtyrë besnike e ballkanitetit, nuk di në shprehem qartë?
Ina kish pohuar heshturazi duke i admiruar vrullin dhe bindjen entuziaste. Asokohe Klea Borovën e kish hasur shpesh në fakultet, ndonëse njohja e tyre nuk ishte kthyer në miqësi. Kishin patur të përbashkët teatrin, në gjimnaz kishin marrë pjesë në të njëjtin grup diletant, tek-tuk shkëmbenin ndonjë libër, ndonjë bisedë fluturake dhe aq. Megjithëse hovi i pashterrshëm i Borovës ishte krejt i ndryshëm nga sjellja e matur, aristokratike gati snob e Inës, me siguri do ta kishin thelluar miqësinë, sikur midis tyre të mos ishte futur në një mënyrë apo tjetrën Arben Malaga. Ina kishte dëgjuar se Klea Borova para dy vjetësh kish patur marrëdhënie me aktorin, dhe Klea kishte dëgjuar diçka rreth një historie të dhimbshme të Ina Mersinit me Arben Malagën. Asnjëra nuk e dinte me saktësi të vërtetën, por prania e tij, qoftë edhe e tërthortë, kishte penguar në njëfarë kuptimi miqësinë e tyre. Sikur sedcila, me të lënë një pjesë të vetvetes te Malaga, nuk mund ta rifitonte atë pjesë për ta hedhur në një miqësi të re. Ç’i ishte kujtuar Klea Borova tani?
-Vishemi për të ngrënë darkë, e dashur?
-Ehë.
-Ku e ke mendjen?
-Çfarë më pyete?
-E sheh? E di unë, kur të zmadhohet vështrimi kështu, kushedi ku të fluturon mendja.
-M’u kujtua një e njohur e vjetër e shkollës.
-Si quhet?
-Klea Borova.
-E çfarë të bëri ta sillje në mend?
-Një bisedë e dikurshme rreth ballkanitetit.
Ai e vështroi tek vishej me lëvizje të sakta e të rregullta, flokët e gjatë i ngatërroheshin me rrobat kur fuste krahun në bluzë apo bluzën në rrethin e fundit. Por profili ishte i përhumbur, ai e ndjente, edhe se nuk ia shihte sytë në errësirën e dhomës së ndriçuar vetëm nga neonët e rrugës. Misteri i asaj gruaje ishte ndoshta pushteti më i plotë që ai kishte pranuar ndonjëherë. Ajo jetonte pa zhurmë, por me një pasion kokëfortë, deri në fanatizëm.
Françesko ndjeu nevojën t’ia merrte një pjesë të vetkontrollit e buzëqeshjes, t’ia shpërbënte e të shihte si ishin nga brenda, për të kuptuar diçka më shumë rreth saj. Megjithëse tundimi për ta njohur më thellë ishte po aq i fuqishëm sa dëshira për të mos e njohur. Druhej se zbulimi më i plotë i brendësisë së gruas met ë cilin dëshironte të jetonte do ta trondiste. Ndaj, duke u menduar seriozisht, preferonte më mirë të mjaftohej me sipërfaqen e butë nostalgjike, pasi kështu ruante iluzionin se kishte të bënte me një qenie sensuale e të komandueshme. Rey e njihte aq mirë veten sa të dinte se e vetmja gjë pa të cilën nuk mund të jetonte ishte pushteti mbi gruan që i rrinte në krah. Dhe Ina duhej të ishte kështu: një femër sensuale e inteligjente, por deri në atë masë sa të mos lëkundte ekuilibrin e pushtetit të tij.
Ai ndjeu praninë e Inës pas shpine. Shatërvani i Gjenevës hidhte stërkalat përpjetë me një këmbëngulje inatçore, sikur sëbashku me to të donte të avullonte në vakësirën e mbrëmjes edhe gjendjen e vet prej skllavi të kapriços njerëzore.
Vështruan teposhtë në heshtje, zënë për dore, ajo ishte gati, atij i mungonte vetëm kravata.
-Ç’po mendon Inë?
Ajo nuk u përgjigj. Sikur të kishte me vete lapsat e kartonet do kishte skicuar liqenin duke u përpjekur të mbërthente në letër dhe zhurmën e trafikut me agresivitetin e rregullt, tipik zviceran. Ai i vështroi profilin.
-Tregomë diçka rreth Shqipërisë, Inë.
Ajo e puthi në mjekër dhe i kaloi duart në flokë, por pa e vështruar në sy. Një pikë loti i shkëlqeu rrufeshëm në bebëzën e majtë, u kthye përsëri rrëmbyeshëm me fytyrë nga liqeni. Ai ndoqi kristalin e dridhshëm që binte mbi jakën e bluzës së saj, nga lëvizja e beftë e Inës në përpjekjen për ta fshehur prej tij. Ajo kaloi gishtat poshtë syrit, mbi mollëzën e lartë.
-Duhet një penë që ta përshkruajë Shqipërinë. Fjalët e mia janë aq të pafuqishme.
-Është kaq e vështirë?
-Kaq e vështirë është… Për mua.
-Të dua.
-Të dua edhe unë, shumë.
-Cosa vuol dire shumë?
-Tanto.
-Dua vetëm të rri pranë teje, – tha ai për të njëmijtën herë, – jepmë mundësinë të të rri në krah, dhe do jem njeri i lumtur.
Françesko nguli këmbë që të ftonin prindërit e Inës për ceremoninë e martesës, që e caktuan për në fund të qershorit. Ajo i tha copë se prindërit nuk mund të paguanin biletat e avionit, kështu që s’bëhej gjë.
Dhe këtë e quante problem? I paguante ai, nuk kishte asnjë të keqe, prandaj e kishte shmangur këtë bisedë deri më sot, për shkak të çmimit të biletave? Jo, ia preu ajo, jo për shkak të biletave, por për shkak të sedrës së tyre, prindërit nuk do vinin kurrë në dasmën e vajzës së vetme me bileta të paguara nga dikush tjetër, qoftë ky edhe dhëndri, ndaj të cilit do ndiheshin borxhlinj edhe më përpara se t’i shtrëngonin dorën. I njihte mirë, ishte punë që s’bëhej. Kjo më duket çështje sedre të tepruar, tha ai, kushtet e tyre janë ato që janë hë për hë, pse e bëni kaq tragjike dhe vini krenarinë para çdo gjëje tjetër? Nuk po bënin asgjë tragjike, ç’hynte tragjikja këtu? As prindërit e as ajo nuk ishin ankuar për një gjë të tillë, thjesht e dinte se po t’ua bënte këtë propozim do lëndoheshin shumë. Dhe për hir të sedrës parapëlqenin më mirë të mos shihnin vajzën të martohej? Ky ishte kulmi. Ajo u kthye me rrëmbim drejt tij.
-Është hera e parë dhe e fundit që ti merr guximin të gjykosh njerëz që nuk i ke parë kurrë. E vetmja herë, qartë?
-Më fal, – tha ai e bëri t’i përkëdhelte flokët, ajo u largua para se ai ta prekte, – nuk desha në asnjë mënyrë të aludoja diçka negative apo…
Ina veshi sandalet, lidhi flokët bisht kali e u drejtua nga dera e jashtme.
-Po dal të marr pak ajër.
Françesko mbeti në prag e asaj i dogji ajo grindje e pakuptimtë. fundja, qëllimi i tij ishte vetëm i mirë, pse kishte marrë zjarr ashtu? U end një copë herë nëpër lagje, e turbulluar. Donte të kthehej tek ai e t’i thoshte se në kishte gjë që urrente, ishin pikërisht grindjet, nuk dinte si t’i përballonte, ishte grindëse shumë e keqe dhe e pazonja, edhe pse e dinte se ishin njerëezore dhe të pashmangshme. Ajo hutohej e përpëlitej aq shumë gjatë grindjeve sa e humbiste pusullën, e kapte një panik i patreguar. Ndonëse e dinte se grindjet ishin të natyrshme, të pashmangshme. Madje e panatyrshme do të ishte e kundërta, mungesa e tyre, vakumi që shtrihej midis ty personave të cilët me kalimin e kohës bëheshin aq të huaj për njëri-tjetrin, sa nuk arrinin më as të grindeshin. Por po t’ia rrëfente këto mendime Françeskos, uhej të shpjegonte edhe shumë gjëra të tjera, të varrosura me tërbim në palët më të thella të vetmisë. Dhe ajo nuk ishte ende gati të zbulonte atë pjesë të vetes të cilën ishte munduar ta sundonte me kujdes gjatë viteve.
Kur u kthye në shtëpi ai e priti me puthje të ëmbla.
-Meqë nuk e quan me vend të ftojmë prindërit e tu, atëhere të propozoj që dëshmitarja jote në ceremoninë e martesës të jetë Paola. – I tha më vonë pas darke.
-Pse pikërisht Paola?
-Ma ka kërkuar prej vitesh. Meqë jemi miq shekullorë më ka kërkuar që nëse një ditë martohem, ajo të jetë dëshmitarja e nuses, kështu në mënyrë simbolike ajo bëhet pjesëtare e familjes.
Inës do t’i kish pëlqyer të kishte në krah Mirelën, ndër gjithë njohjet që kishte bërë gjatë atij viti që ishte në Tiçino, Mirela ishte ajo që e kishte ndihmuar e i kishte qëndruar më pranë, e kishte strehuar në shtëpi të saj për tre muaj, kishte qenë shkaku i njohjes së tyre… Ornela, shoqja e Tiranës që e kishte ndihmuar në Romë, tani ishte në australi e nuk kish para të vinte deri aty vetëm për dasmën, Blerta ishte në Amerikë dhe mund të merrte pjesë vetëm me një kartolinë. Nuk tha jo, ndonëse Paola nuk i kishte pëlqyer që në fillim. I ftonte shpesh për dreka e darka, dhe të gjitha herët Ina kishte përshtypjen se e treta në atë mes ishte ajo vetë e jo Paola. Por nuk deshi ta zgjaste e të prishte atmosferën, për atë ditë një keqkuptim mjaftonte.
-Nëse ty të bëhet qejfi për një gjë të tillë, pse jo?
-Në rregull, po i telefonoj t’i them që je dakord.
Ç’ishte nevoja, bëri të thoshte Ina, mund t’ia thoshte edhe nesër, s’ishte urgjente. Por e la të telefononte e shkoi të nxirrte teshat nga lavatriçja.
-U gëzua tej mase, na fton të shkojmë e të pijmë diçka tek ajo. – I tha ai kur u kthye nga qilari.
-Po nuk kishim vendosur të mos dilnim sonte?
-Nuk desha t’ia prishja. I biem shkurt, nuk rrimë shumë, mirë?
Paola e Françesko folën për njerëz e ngjarje prej të cilave ajo ishte e përjashtuar. Biseda u bë e pambarimtë dhe ajo nuk hapi gojë për një kohë të gjatë. U acarua, mund të gjenin tema bisede në të cilat mund të merrte pjesë edhe ajo, por u mundua ta mbante veten, ndoshta edhe ajo do bënte të njëjtën gjë po të ishte me miqtë e saj, do fliste për gjëra që u përkisnin vetëm atyre e Françesko do të qe pezmatuar po aq. Jo, ta marrë dreqi, i tha vetes edhe më e acaruar, ishte e sigurt se nuk do vepronte ashtu, nuk do ta linte tjetrin si hu gardhi, fundja nuk ishte e vështirë të flitej për gjëra që mund t’u interesonin të treve, ajo nuk vinte nga xhungla. Shfletoi pa vëmendje disa volume arkitekture të Paolës, dhe drejtoi mendimet në terrene të njohura. Ata ishin të huaj, qeshi me vete dikur, kishin zakonet dhe çuditë e tyre, le të bënin si të donin… Nga fundi i vizitës i zuri veshi emrin Marlenë dhe përqendroi vëmendjen.
-Falemnderit, po as më ngroh e as më ftoh. – U gërdhesh Françesko, Paola vështroi Inën, e cila vështroi të fejuarin. – Nuk më interesojnë të falat e saj. Nuk dua të di në është gjallë apo vdekur. – Theksoi ai.
-Përse është fjala? – Ndërhyri Ina.
-Takova rastësisht Marlenën dhe ajo më dha të fala për Françeskon. – Sqaroi Paola.
-Ah, – tha Ina me zë – Stronza, shtoi me vete edhe pse nuk e pati të qartë pse mendoi ashtu. Gjatë kthimit Françesko mërmëriti diçka rreth faktit që e kuptonte bezdinë e saj ngaqë Paola kishte folur rreth Marlenës në prani të saj, nuk kishte qenë aspak me takt nga ana e Paolës. As që dua t’ia dëgjoj emrin e le pastaj të shkëmbej të fala e më the të thashë. Ju femrat i përdorni shpesh këto keqdashje të pafajshme, apo jo? Unë nuk kam përdorur kurrë armë të tilla, u përgjigj Ina, por në thelb ke të drejtë, është sjellje tipike femërore. Sidoqoftë për një gjë nuk kam dyshim, Paola nuk ndjen simpati për mua. E ke gabim, ti i pëlqen shumë, ma ka thënë disa herë një gjë të tillë, madje është afeksionuar pas teje, të betohem. Kujdes se do të të rritet hunda e do të të dalë jashtë veturës, u mundua ta kthente në shaka Ina.
Kur mbërritën në shtëpi ajo ra në shtrat si e vdekur. Një gjel këndoi larg dhe fill pas tij u dëgjua piskama e sirenës së trenit, e mprehtë e grindavece.
Ti po martohesh? Po martohesh? Kulmi, nuk do ta kisha besuar kurrë po të ma kishte thënë dikush tjetër e jo ti vetë. Si quhet i lumturi? Françesko. Ai ishte pak hapa larg Inës, qeshte duke bërë me sy kush është. Ina mbante dorën në të tijën dhe receptorin me mjekër, ishte gjysmë e zhveshur, po përgatiteshin për të shkuar në kinema, ishin vonë.
-Borë, tani më duhet të iki, mos ma merr për keq, mund të më telefonosh një herë tjetër.
-Sa e poshtër, u bënë dy vjet që s’dëgjohemi e tani do të ma mbyllësh kështu.
-Ika u bëra vonë, ah, numrin tënd. – Bora ia dha.
-Të fala ambasadorit polak, – tha Ina dhe qeshi me të madhe.
Kush ishte? Bora Malaj, një shoqe shkolle, tani punonte në ambasadën polake në Tiranë, është gjysmë e çmendur, më simpatikja dhe optimistja nga gjithë shoqet e dikurshme. Françesko i mbylli prapa zinxhirin e fustanit. Ajo zgjati dorën nga krehëri. T’i mbaj të lidhura apo të lëshuara? Të lëshuara, të shkojnë shumë me fustanin. Jua kam zili të qeshurat, tha ai. Ajo qeshi. Ehë, tha ashtu kot. Kur do të shkojmë bashkë në Shqipëri? Kur të duash, ajo u drejtua nga banja.
-Nganjëherë më duket se nuk të njoh, – i bërtiti ai nga mbrapa. – Ina u ndal në prag të derës.
-Ti nuk më tregon shumë rreth vetes. – Ajo vazhdonte të qeshte.
-Ti pyet dhe unë të tregoj.
-Për shembull?
-Atë e di ti, çfarë të intereson të dish, jam gati të të përgjigjem.
-Përgatitu, se nuk do të jetë aq e lehtë. – Ai po lidhte kravatën. – Jam i tmerrshëm kur filloj nga pyetjet.
Telefoni ra kur Ina po dilte nga banja duke kërkuar me sy ku kishte lënë këpucët, e merr ti?
Lëre të bjerë, tha ai, jemi vonë, kam vënë sekretarinë. Ina veshi këpucët dhe mori përsëri krehërin, pasqyra e madhe e korridorit i tregoi një siluetë të hollë e më të gjatë se ç’ishte në të vërtetë. Ai fustan i pëlqente, ishte shumë i thjeshtë, i ngushtë me grykë rrumbullake. Sekretaria lëshoi sinjalin mbas ftesës së Françeskos për të folur: “Ej Rey, ciao, jam Marlena, ku dreqin je? Ime motër më tha se ke kaluar disa herë nga bari i saj, m’i ka dhënë të falat. Kur do shihemi? Kalo këtej, të pres. Më gjen zakonisht në mbrëmje. Të përqafoj e të puth, Marlena, ciao ciao. Së shpejti”.
Ina mbeti si hu. Ai kaloi dorën në flokët duke i shpupurisur, bëri të thoshte diçka pa e parë në sy, pastaj u largua drejt kuzhinës dhe ajo e priti pa lëvizur. Ai veç ngatërroi në sirtarët, u kthye.
-Dëgjo. – Tha agresiv.
-…
-Dëgjo.
-Po dëgjoj.
-Nuk është ashtu si mendon ti.
-Përdor një frazë tjetër, të lutem. – Ajo u ul në poltronën që kishte aty pranë.
-Ç’do të thuash me këtë?
-Që jam alergjike ndaj kësaj shprehjeje.
-Dreqi e mori! – Ai ulëriti dhe rrëmbeu një gazetë që e përplasi pak më tutje. – Shkova në barin e motrës së saj vetëm për të blerë cigare, kjo është e gjitha. Nuk ka asgjë për të fshehur këtu.
-Me gjithë baret që ka Lugano ke shkuar deri në Bellinzona për të blerë cigare? Bëmë një nder të lutem, – Ina nuk arriti ta kontrollonte zërin, – mos më trego më pallavra të tilla. Bëma këtë të mirë, apo të kërkoj tepër?
-Dëgjo, dreqi ta hajë. – Françesko u afrua dhe e kapi nga krahët. – Dëgjo. – ai e shkundi me forcë sikur të ishte një degë peme e tharë.
-Hiqi duart. – I tha ajo me zë krejt të ulët. – Hiqmi duart dhe fol me qetësi.
-Çfarë kujton se bëj, lojë të dyfishtë? Shkova vetëm të blej cigare e të pi një kafe, çfarë të keqe ka këtu?
-Asgjë të keqe, sikur të ma kishe thënë normalisht, pa bërë gjithë teatrin që bëre me Paolën kur të dha të falas e saj. Gjithë ajo ngritje supesh mospërfillëse, “as që dua të di në është gjallë apo vdekur e jo më të shkëmbej të fala e më the të thashë”. Përse me teatro, këtë nuk e kuptoj.
-Nuk desha të mendoje keq, ndaj nuk ta thashë.
-Pse, ka ndonjë gjë për t’u menduar mirë në këtë mes?
-Mos bëj lojëra fjalësh, dëgjon?
Ina u ngrit dhe filloi të vishte pardesynë me rrëmbim. Ai e ndoqi nga mbrapa.
-Ku shkon?
-Të blej një paketë cigaresh në Bellinzonë, meqë bareve këtu rrotull u ka rënë flama.
-Nuk të lë të dalësh.
-Se mos të kërkova leje.
Françesko e rrëmbeu për krahu dhe e shtyu drejt murit. Ina u përpoq të shkëputej nga ngërthimi dhe ai e shtyu përsëri me egërsi. Asaj iu përplas koka mbas pasqyrës së korridorit, që u rrëkëllye teposhtë me kërkëllimë të shurdhët, dhe copat e qelqit e mbuluan një çast më parë se ajo të kishte vënë duart si mburojë mbi flokë:
-Oh, më fal, nuk desha kurrsesi. Më fal, e dashur, më ndje, më fal. Ç’bëra kështu!
Ajo shkundi nga vetja coprat e pasqyrës që i kërcitën nën këmbë, i rridhte gjak nga kurrizi i dorës së djathtë, u mënjanua prej tij.
-Lërmë, më lër të shkoj.
Mori vetëm çantën nga varësja e rrobave, hyri në banjë, mori një tufë garzash dhe doli duke mbyllur derën pa zhurmë.
Fjeti te Mirela, në dhomën e miqve. Vish këto, i tha ajo duke i zgjatur një palë tuta shtëpie. Kur të kthehem do bisedojmë, tani për tani qetësohu. Nuk dua të bisedojmë Mirelë, kam ardhur vetëm për sonte, ndodhi gjithçka papritur dhe nuk kisha ku të shkoja. S’kishte përse të justifikohej, ajo kishte vend sa të donte, mund të rrinte deri sa ta shihte të arsyeshme. Le që, me aq sa e njihte ajo, Françesko do vinte ta kërkonte që atë mbrëmje, po çfarë kishte ndodhur kaq tragjike sa të kishte dorën të gërvishtur në atë mënyrë? Nejse, nuk ishte puna e saj, tani i duhej të largohej patjetër, kishte një darkë të rëndësishme pune. Ndoshta po ia dilte mbanë të hapte galerinë e arteve, por do t’i tregonte në të kthyer, ika tani, mos u mërzit dhe mos mendo shumë. Nesër do të jesh më e qetë dhe gjërat do vihen në vijë, patjetër që kështu do ndodhte, ajo e njihte mirë Reyn, kurrë nuk ishte dashuruar herë të tjera si këtë radhë.
U largua duke përplasur takat deri në të hyrë të ashensorit. Ina i vuri veshin motorit të veturës që largohej me entusiazmin moskokëçarës tipik të asaj që e ngiste, pastaj u ul si e humbur në divan.
Telefoni ra disa herë dhe ajo me vështirësi e mbajti veten nga të shkulurit e prizës. Mirela u kthye në mesnatë, makijazhi i syve i ishte përhapur poshtë qerpikëve, me siguri kish fërkuar sytë, dhe hija e çrregullt poshtë tyre ishte kthyer në njollë të pahijshme. Ke ngrënë besoj? Nuk kishte ngrënë, kishte marrë vetëm një hapje qetësuese, kishte dëgjuar muzikë dhe tani ndihej më mirë. Je e sigurt? Mirela hodhi rrobat në të katër anët e sallonit dhe veshi një robdëshambër me lule bardhezi. Mund të flasim tani? Jo, nuk kishte dëshirë, pastaj çfarë t’i tregonte, ishte një budallallëk, një gjë qesharake. Madje jo, nuk ishte qesharake, ishte absurde, një grindje që mund ta kishin shmangur lehtë. Kurse kishte ndodhur aq shpejt e gjitha, dhe me përmasa aq të pakontrollueshme. Por për çfarë djallin u grindët aq sa të largoheshe nga shtëpia me duart gjithë gjak? Mund të më thuash të paktën këtë?
Ina i tregoi me pak fjalë ç’kishte ndodhur, donëse nuk kishte dëshirë të fliste, por nuk donte ta fyente, Mirela fyhej aq lehtë. Kjo e fundit dëgjoi duke mbushur gotat me Bowmore dhe tundte kokën.
-Kjo është e gjitha. Ec e mos qesh tani.
-Nuk më duket se është për të qeshur.
-Ndërsa mua më vjen për të qeshur e për të qarë. Po martohem me dikë që nuk e njoh ende, që më tregon gënjeshtra për gjëra aq të vogla e qesharake.
-Ngatërresat e keqkuptimet janë karakteristikë e Françeskos. – Ajo i zgjati gotën e uiskit dhe iu ul përballë. – Nuk është hera e parë që ngatërron gjëra krejt të thjeshta.
-Shpjegohu më mirë. – Ina piu një gllënjkë të madhe.
-Po si të ta them. Le që nuk është e drejtë.
-Tani fillove të flasësh, çoje deri në fund.
-Jo, jo, – tha përsëri Mirela e zënë ngushtë, – nuk dua të bëj dëme, fol më mirë me Françeskon. Ç’hyj unë në këtë mes?
-Natën e mirë, atëhere. – Ina piu deri në fund gotën me uiski dhe lotët i rodhën faqeve. U ngrit, shkoi deri në bibliotekën me dru arre, vuri kasetat në sirtarin përkatës.
-Prit, rri edhe pak, u bënë kohë që nuk bisedojmë, pse fyhesh?
-Jam vetëm e turbullur dhe e frikësuar. – U kthye nga shoqja që ishte ende e ulur dhe dukej akoma më imcake se zakonisht.
-Kam frikë, ja ç’është. Ty të lejohet të bësh gabime dhe të nxjerrësh mësime nga gabimet e tua, sepse ke qetësinë e të jetuarit në tokën tënde, madje jo vetëm aq. Ke edhe më shumë. Ti bën pjesë në atë fetë të vogël të njerëzimit që është e privilegjuar, nuk të mungon asgjë. Të pëlqen kjo punë?, punon këtu, do të ndërrosh?, shkon diku tjetër, ku të duash. Shkon katran një marrëdhënie me dikë?, në djall, gjendet një tjetër boyfriend, pa asnjë problem. Ti ke sigurinë tënde, që të tjerët e kanë ngritur për ty. Ka njerëz të cilët ia lejojnë vetes të gabojnë, sepse gabimet e tyre janë të riparueshme. Ka të tjerë të cilëve një luks i tillë nuk u lejoheet kurrsesi. Çdo gabim për ta është fatal. Dhe unë bëj pjesë në grupin e dytë Mirelë. Kam bërë tepër gabime deri më sot për të vazhduar eksperimentet. Dhe nuk kam askend të më mbajë, kur më rrëshket këmba.
Shkoi drejt derës së gjerë të ballkonit dhe vështroi jashtë lumin e veturave dhe majën e driçuar të San Salvatores.
-Ndoshta jam më e shqetësuar se duhet, do të thuash ti?
-Jo, ndoshta i zmadhon gjërat në kah negativ. Nuk është e vërtetë që pozita jote është kaq e brishtë.
-Ashtu? Do ta ndërroja me kënaqësi veten me ty për pak kohë, eja në vendin tim dhe të shohim si do ndihesh.
-Për një grindje të vetme dhe shkon deri në një ekstrem të tillë? Nuk të duket vërtet se…?
-Nuk mundem të gaboj më. – Theksoi përsëri, zëri ishte i zvargur e i përlotur. – Gjithë thesin me gabime që mund të bëja, tashmë e kam mbaruar. Dhe kam frikë se jam duke bërë një tjetër, të mallkuar, të urryer gabim.
Tjetra heshti pa qenë në gjendje as të lëvizte këmbën e mpirë nën tjetrën.
-Ti je shumë e dashuruar me të, Inë? – Pyeti Mirela kur heshtja midis tyre po kullonte djersë.
-Po. – Tha ajo.
Ranë për të fjetur kur kishin çuar pothuajse në gjysmë shishen e uiskit që shihte tavanin me grykën të hapur si në një klithmë të shurdhët.
Mbas dy ditësh, kur Ina e Françesko u takuan, në një restorant të vogël e intim në Komano, ai e kish fytyrën të rënduar nga pagjumësia dhe asaj iu duk aq absurde të ishin grindur në një mënyrë të tillë fëmijërore. Nga ana tjetër, tek vështronte fytyrën e hijshme dhe duart e tij të gjata e elegante i shkoi në mend se njohja e tyre ishte aq e sipërfaqshme. Njeriun që kishte përballë dhe me të cilin kishte dëshirë të kalonte jetën nuk e njihte aspak. Fakti që e kishte gënjyer për diçka aq të vogël dhe të pakuptimtë ia dëshmonte edhe më shumë një gjë të tillë.
Po tani si ta ndreq, i tha vetes Françesko Rey. Kish dy net pa gjumë, në studio nuk kish arritur as të hapte projektet, për fat dy kolegët nuk ishin aty që ta bombardonin me pyetje. E kish ndjerë se e pat qelbur me Inën, por kish qenë gjithçka e rastësishme, ai nuk u jepte peshë disa hollësirave mbas të cilave gratë përgjithësisht kapeshin aq me ngulm. E kish përgatitur veten që të mbante gjakftohtësi, ndryshe grindja mund të thellohej, dhe ai ishte aq dembel për të zgjidhur ngatërresa të tilla.
Nuk dinte nga të fillonte. Pse nuk shkruante dikush një manual “Si të zgjidhësh grindjet”?
Ina vështronte menynë me sy të përhumbur. Nuk dua në asnjë mënyrë të keqkuptohem, tha ai më në fund duke u zgjatur përpara. Kishte krijuar një situatë të pakëndshme për të dy. Nuk kishte aspak ndërmend të… Jo, e ndërpreu ajo, nuk kish vepruar pa dashur, por krejt në të kundërtën, kishte vendosur të ruante një lloj marrëdhënie miqësie me Marlenën dhe për të bërë një gjë të tillë kishte zgjedhur motrën e saj. Përse nuk e besonte? Si ishte e mundur të mos e esonte? Kishte qenë në Bellinzona për punë dhe gjatë pauzës kishte hyrë ta përshëndeste dhe të merrte cigaret, vetëm aq. Kishte shkuar disa herë, saktësoi Ina, të paktën kështu tha Marlena në mesazh, i kishte dërguar përshëndetjet disa herë. Përse po këmbëngul me këtë ton të hidhur, pyeti veten duke mos ia ndarë fytyrës së lënduar të Françeskos. Përse kapesh pas detajesh të kota, pse ke dëshirë ta zgjatësh ende këtë grindje? Po ai, përse pandehte se marrëdhëniet mund t’i mbante në këmbë nëpërmjet gënjeshtrash të panevojshme?
Kamerieri erdhi, porositën biftek me perime të gatuara në avull, ujë mineral për Inën, verë për Françeskon.
-Pse, ku ishte, në hetuesi? – Ai u hakërrye me të njëjtin ton të dy ditëve më parë. Kishte shkuar të takonte një të njohur të vjetër, i kishte dhënë të falat për ish të dashurën dhe aq. Në fund të fundit ai kishte patur një jetë para se të njihte atë, nuk mund të fshinte çdo gjë kështu, sikur të ishte pluhur.
Ajo e vështroi gjatë. Diçka i thoshte të ngrihej e të ikte pa e zgjatur, i dukej aq e kotë e gjithë kjo.
-Dëgjomë vetëm një minutë, e pastaj e mbyllim, se u lodha, – iu lut Ina.
Ai rrokullisi gjysmë gote verë, kamerieri që u shërberu pak më parë po i vështronte me kureshtje të hapur. Lokali ishte pothuajse i zbrazët, radioja jepte lajmet e orës 13,30.
-Askush nuk të ka ndaluar të takosh kë të duash e kur të duash. Askush nuk ka futur hundër në jetën tënde të mëparshme. Nuk kam bërë asnjë lloj censure, nuk është kjo që më intereson. Por nuk jam dakord që kur Paola të jep të falat e njërës prej këtyre të dashurave, ti shpik akrobacira të kota vetëm e vetëm që unë të mos marr vesh të vërtetën.
Si s’e kuptonte që e fryente kështu? Ishte loja prej fëmije që nuk i pëlqente, nuk donte që ai të bënte gjëra mbas krahëve të saj. Sidomos kur për gruan në fjalë ai vetë i kishte folur si mos më keq. Nuk ishte “putana më e madhe” që kish njohur ndonjëherë? Ajo nuk bëhej xhandar, por ama nuk donte që marrëdhënia e tyre të kridhej në mashtrime. Kërkonte koherencë, kjo ishte e gjitha.
Biftekët ishin ftohur duke marrë marrë një pamje ogurzezë. Lajmet përfunduan me parashikimin e kohës, folësi i radios e fliste italishten me r-në grykore tipike të atij që për gjuhë nëne ka frëngjishten. Ajo i mori dorën dhe e vuri në faqen e saj.
-Të kërkoj ndjesë Inë. E di që ishte aq e shëmtuar. Nuk di si u zhvillua aq shpejt dhe unë…, e lëmë me kaq, të lutem.
-Në rregull. Po tani? Mishi është kthyer në tullë.
-Shkojmë të hamë diku tjetër.
Ina u shkroi prindërve duke i njoftuar për martesën e afërme, u tha se ishte e lumtur, shumë e lumtur. Me prindërit e Françeskos nuk kishte kushedi çfarë marrëdhëniesh, sidomos me të ëmën, por ndoshta me kalimin e kohës gjërat do përmirësoheshin. Ata nuk duhej të merakoseshin, tani mund të ishin të qetë. Më në fund jeta po merrte kthesën e duhur.
Ndoshta, mendoi. e postoi letrën. Qëndroi humbshëm para kutisë së postës, përfytyroi duart e rrudhura të Lilianës tek hapte zarfin me një frymë. E kish marrë malli për shtëpinë.
Mund ta përdor kompjuterin tënd? Pyeti Ina të dashurin kur u ulën në një bar Mövenpick, për të ngrënë akullore, karriget jashtë në trotuarin e gjerë ishin të thurura me një material plastik të kuq. Përse i duhej kompjuteri? Do filloj të shkruaj një film me metrazh të gjatë, u bënë muaj që bluaj temën në kokë. Dikur kam shjkruar dy të tillë, por nuk pata mundësi t’i realizoj. Histori e gjatë. Kam një shok regjisor në tiranë, kam rënë dakord me të ta shkruaj skenarin dhe t’ia dërgoj. Ajo qeshte dhe lëpinte mustaqet prej çokollate. Kam plane të mëdha. Unë shkruaj filmin, mikut tim regjisor i pëlqen, ti e prodhon – paratë nuk të mungojnë – bëhemi të famshëm dhe themelojmë një shoqëri prodhimesh kinematografike shqiptaro-zvicerane që do prodhojë filma edhe nga vende të tjera europiane. Po të duash të punosh për mua të angazhoj si sekretar e skenograf, natyrisht në fillim do të kesh rrogë të vogël. Ina vazhdonte të qeshte me të madhe. Pastaj qëlloj në shenjë: unë shkruaj një film që korr sukses të hatashëm, bombë e vërtetë që fiton Luanin e Artë në Venecia, jo, më mirë akoma, fiton Festivalin e Berlinit. Shoqëria europiane e shpërndarjes së filmit ia shet një homologes së saj amerikane dhe atje ka sukses të madh kritike dhe publiku. E vënë në listë për Oscar si filmi më i mirë i huaj. Më angazhojnë në Hollywood si skenariste me një tarifë fillestare preeej… gjysmë milion dollarë si fillim. Do pranoja edhe për dyqind mijë dollarë, pastaj shohim e bëjmë. Nuk më duket ide e keqe, je dakord? Ajo vazhdoi të qeshë një copë herë dhe ai ia mbajti avazin me kënaqësi.
Më vonë Françesko do hidhej një vrap në zyrë, e kishte bërë baltë fare, ia kishte varur punës si mos më keq, projektet e prisnin ë shpërndarë rrëmujshëm dhe kolegët e shihnin sikur të kishin të bënin me një të luajtur mendsh. Çfarë do të bësh sot mbasdite, e dashur? Ishte e enjte, të premten pas një jave martoheshin. Kam takim me Mirelën, sot është e lirë, takohemi në orën katër. Mirë tha ai duke e puthur, ke nevojë të të çoj me makinë? Jo, ik se u bëre vonë, Ina e puthi gjatë dhe i ngatërroi flokët me dorën e lirë ndonëse ai bezdisej gjithnjë. Po bëj një shëtitje, me gjithë këtë diell është mëkat të mos e shfrytëzoj. Shihemi në shtëpi rreth orës shtatë. Rreth orës shtatë. Bëhu vajzë e mirë, tha ai tek largohej. Bëhu ti i mirë, unë jam gjithmonë e mirë.
Dëgjo, tha Mirela tek bridhnin nëpër dyqane, – po binte një muzg i kuq me disa hije cikla resh të largëta që po mblidheshin në skajin perëndimor të qiellit – unë kam menduar që në vend t’ju dhuroj enë shtëpie e më the e të thashë, me të cilat shtëpia e Françeskos është plot, më mirë zgjedhim një fustan për ty, dhe bëja surprizë kur të shkoni për muajin e mjaltit. Si thua? Mos kundërshto si gjithmonë, do më mbetej hatri, hë pra? Mirë, tha Ina, u ndje ngushtë por nuk e bëri veten, falemnderit për të gjitha, nuk di si të ta shpërblej. Oh, lëri këto, kur të kem nevojë unë, jam e sigurt që ti do bësh të njëjtën gjë. O burra, në sulm, në kërkim të fustanit. Zgjodhën një të kuq të puthitur mbas trupit me shpinën krejt jashtë dhe dy rripa të hollë në supet. Fantastik, klithi Mirela. Të rri për mrekulli. Mbeti një copë herë para pasqyrës. Si thua? Mirela mbështetej nga njëra këmbë në tjetrën. Flokët e shkurtër ngritur në majë të kokës me një fjongo të verdhë kanarinë dhe syzet e mëdha të diellit me skeletin ngjyrë roze i jepnin një pamje prej çupërline që ka veshur fshehtas plaçkat e mamasë. Ç’më sheh si mumje, dyqanet mbyllin pas një çerek ore, vendos, nuk është i vetmi fustan që do blesh në jetën tënde. Nuk të duket i ekzagjeruar? Pse? Ku e di unë, nuk jam mësuar të vesh gjëra pa sytjen. Ou edhe ti, të rri shumë mirë, ta kisha unë gjoksin tënd në vend të dy topave të pingpongut që më kanë rënë në pjesë… merre dhe as mos u bëj pishman. Mirela pagoi dhe kërkoi që ta paketonin. Ina e falenderoi përsëri, përfytyroi reagimin e Françeskos kur ta vishte dhe skicoi pa dashje një buzëqeshje. Mos më qesh kështu si mi i dehur, Mirela e rrëmbeupërkrahu, e di e di ç’po mendon, Françeskos do t’i pëlqejë tmerrësisht – Mirelës fjala tmerrësisht i pëlqente shumë – tmeeerrrrsisht, e njoh mirë dhelprën, gjoksin e ka pikë të dobët. Kështu është e dashur, s’ke ç’i bën, mblidhe mendjen. Ku e dinte ajo? Ina e hetoi hareshëm me sy, të lutem mos më thuaj që edhe ti ke patur… Jo, të betohem, nuk kemi shkuar kurrë në shtrat bashkë, edhe se mua dikur do të ma kishte patur qejfi, e kam fjalën për dhjetë vjet të shkuar, ishim në vitin e fundit të liceut asokohe. Por ai nuk ma vari që nuk ma vari, dhe bëri mirë. Dua të them, edhe mua më kaloi shpejt dehja. Ishte aq fodull sa bëhej i padurueshëm, i vinte rrotull treçereku i vajzave të Luganos, të ngrinte nervat. Qeshën të dyja. Pastaj filloi historia me Paolën dhe unë u bëra konfidentja e tyre numër një. Atë verë ishte moda e maturantëve me gra shumë më të mëdha se ata,dhe ai njohu Paolën kur u regjistrua në degën e arkitekturës, le që me siguri ta ka treguar.
-Për cilën Paolë e ke fjalën?
-Për Paola Forlanin, kë tjetër?
-E pamundur, thuaj që është e pamundur.
-Bëra ndonjë gafë të pandreqshme? – Mirela u pre. Ina vështroi liqenin, një grup mjelmash po dilnin nga uji dhe një tufë djemsh me patina me rrota po u hidhnin bukë.
-Jo, – u përpoq t’i jepte zërit një ton sa më të shkujdesur që mundi. – Kanë patur marrëdhënie të gjatë?
-Domethënë ti nuk dije gjë dhe unë si idiote bëra dërrdërrin e zakonshëm.
-Jo. – Kaluan djemtë dhe tufën e mjelmave, u ndalën te semaforët. Një motor me cilindratë të madhe kaloi me turfullimë kur semafori ishte tashmë i kuq.
-Meqë e nise, çoje deri në fund, – iu lut Mirelës kur kaluan në trotuarin tjetër, – dua të di të vërtetën.
-Oh dhe ti, – Mirela s’e donte veten, – lëre kureshtjen e tepruar, të bën vetëm të vuash. Unë pandeha se e dije, ta them sinqerisht, meqë ju shiheni shpesh me Paolën mendova se Françesko do ta kishte quajtur të udhës të të vinte në dijeni.
-Pra ka qenë histori e rëndësishme.
-Për Paolën po. Ajo ishte njëzet e nëntë vjeçe, kishin dhjetë vjet diferencë. Françesko ishte bukurosh, i ri, dhe… ja kjo është e gjitha, që më rëntë flama në gjuhë.
-Për sa kohë kanë qenë bashkë?
-… Rreth një vit, ndoshta edhe më pak, nuk e di… Inë, të më falësh, unë nuk desha…
Ajo nuk u përgjigj.
-Përse je kaq e tronditur? Nuk besoj të jesh xheloze deri në këtë pikë, ëh?
Ina qeshi dhe u kthye me trup nga Mirela. Lëshoi qesen e madhe me fustanin midis sandaleve.
-Xheloze? Aspak. Jam aq e lumtur sa më s’bëhet. Burri im i ardhshëm më më ka kërkuar me këmbëngulje që të pranoj për dëshmitare në martesë pikërisht Paolën. Ajo ia ka kërkuar këtë nder prej kohësh dhe ai e quan të arsyeshme ta bëjë pjesëtare të familjes, në mënyrë simbolike.
Mirela mbeti gojënhapur pa qenë në gjendje të nxirrte qoftë dhe një tingull të vetëm.
Atë mbrëmje ai erdhi nga puna me një tufë lulesh në duar. Ina nuk dijti si ta mbulonte zemërimin për ata trëndafilë dhe improvizoi një teshtimë për të ulur kokën. Oh e dashur, tha Françesko duke i sjellë një gotë ujë dhe duke i rënë lehtë në shpatulla, ç’të gjeti kështu? Ai i ndau lulet në tri vazo të ndryshme në sallon e korridor. Eja të dalim më mirë, propozoi kur ajo u ndje më mirë, hamë jashtë, si thua? Ina fitoi kohë në banjë, stomaku i rrihte me tërbim, mblodhi flokët topuz, lau dhëmbët e vuri pak të kuq në buzët e zbehta. ai e priste pas derës. Si je? Ndihesh më mirë? Ina doli nga abanja dhe e përqafoi lehtë e shpejtë. Kam përgatitur darkën, pastaj all’arancia, për ëmbëlsirë kam blerë sorbetto al limone. Në tavolinë kishte vënë mbulesën që i pati dhuruar Ornela kur kishte qenë në Romë, e kuqe me një tantellë të imët në të njëjtën ngjyrë. Është e shijshme, tha Rey pa provuar ende mrië makaronat. Hëngrën shtruar e pa shkëmbyer shumë fjalë, i kishin ngarkuar një punë me rëndësi në Madrid, jo vetëm atij natyrisht, me dy kolegët e studios, mbas muajit të mjaltit do t’i duhej të përvishte mëngët ditë e natë. Ah, bëri ajo. Ndezi një cigare. Mbushi mushkëritë. Ai qeshi. Nuk je pirëse e bukur cigareje.
-Përse? – Ajo i buzëqeshi ftohtë. – Si është duhanxhesha e bukur?
-E mban cigaren me shkujdesje dhe elegancë, jo me ngathtësi si ti. Si ia çove mbasdite me Mirelën? – Ai mori një për vete dhe tek e ndizte i ranë flokët mbi sy.
-Siç e pi cigaren Paola, për shembull?
-Ç’hyn Paola në këtë mes? Përse je kaq nervoze? Të ka ndodhur gjë?
-Ajo është e rafinuar, elegante, e denjë për t’u respektuar, apo jo?
-Përse kërkon të grindesh, Inë? – Zëri i Françeskos doli i hakërruar, ai e vuri re dhe u acarua edhe më.
-Po ti, pse kërkon të më trajtosh si palaço cirku?
-Përse nuk i bije shkurt ku do të dalësh?
-Pse nuk ma thua ti ku do të dalësh, Rey?
-Për çfarë e ke fjalën, dreqi e mori!
-Ule zërin, dëgjoj fare mrië, nuk është nevoja të hakërrehesh.
-Atëhere zbrazu para se të bëhet mesnatë, e kotë që i bije rrotull sa për të më ngritur nervat.
-Epo mirë. – Ajo u ngrit, për të fituar kohë, mori një qiri nga sirtari ku Françesko i mbante zakonisht, e vuri në qirimbajtëse, e ndezi dhe e vuri mbi tryezë.
-Pra Paola Forlani të cilën ma ke propozuar për njeriun e besuar, për dëshmitaren time në ceremoninë e martesës, ka qenë e dashura jote dhe jo thjesht një mike e mirë, kështu?
-Kush të tha…? …Ah, punë të bukur paska bërë Mirela.
-Pra është kështu. Është e vërtetë.
Porca puttana, mallkoi ai, po tani? E çë pastaj, u mundua t’i jepte force vetes, ç’i duhej asaj fundja se ç’kish ndodhur midis tij dhe Paolës? Ja ku po ngatërrohej prapë gjithçka, edhe ajo dreq Mirelë, s’i rrinte goja rehat. Megjithatë, mori frymë thellë në një përpjekje të kotë t’i jepte fjalëve një ton ë s’pranonte kundërshtime.
-Ka ndodhur dhjet vjet më parë. – Ai u ngrit dhe filloi të lëvizte rrotull tavolinës. Mos u acaro, i tha Ina vetes, në fakt ndihej e ftohtë në mënyrë të urryer. – Mos duhet të të bëj një listë me emra e të dhënat e gjithë grave që kam patur deri më sot?
-Kot e ke që përpiqesh të shtrembërosh gjërat. – Gjestet e rrëmbyera të tij merrnin me vete flakën e qiririt. – Këtë pikë më duket se e ezauruam para dy javësh. Kurrsesi nuk do përsëritja të njëjtën bisedë.
-Atëherë? – Ai bërtiti.
-Dëgjo këtu, Françesko. – U ngrit dhe i shkoi përpara hundës dhe i shkoqi fjalët sa pati fuqi.
-Më kërkove që të kisha në krah një të panjohur në ditën më të rëndësishme për ne të dy, duke më garantuar se ishte një shoqe e vjetër, me të cilën të lidhte një miqësi e çmuar. Më këtë të ashtuquajtur shoqe ke bashkëjetuar për një vit tërë. Pastaj e ke lënë për dikë tjetër, kushedi, ndonjë Paolë tjetër a Magdë a… Një ditë lidhesh me mua, më premton se midis nesh do ketë respekt përveç dashurisë. Ma paraqet këtë shoqe të vyer dhe nuk merr as mendimin të më tregosh të vërtetën. Nuk kam të drejtë të vendos në e pranoj apo jo si dëshmitare në martesë, pasi jeni ju që vendosni dhe unë bëj idioten në këtë mes. Unë nuk mund të gjej askënd më të besuar se ish dashnorja jote, sepse jam pa njeri këtu. Apo sepse askush nuk ka vlerën e saj? Kush ju duket vetja, që të bëni e të çbëni çdo gjë, sikur unë të isha kukull lecke? Nuk të shkoi në mend që ndoshta një ditë, mbas martesës, do ta merrja vesh dhe që do fyhesha për vdekje nga një pacipëri e tillë? Më e rëndësishme se gjithçka tjetër ishte dëshira e Paolës, madje jo, pretendimi arrogant i saj, që të merrte pjesë në këtë ceremoni jo si e ftuar e thjeshtë, por si dëshmitare? Çfarë doja dhe mendoja unë, nuk paskej pikë vlerë? Si është e mundur të më trajtosh kështu? Ti nuk e ke idenë çdo të thotë korrektesë e respekt, ti…
Ina qau në heshtje, duke gëlltitur lotët me tërbim.
-Nuk është për mungesë respekti. – Ajo ngriti krahun si për t’i thënë të ndalonte. – Nuk e pata menduar aq gjatë, – vazhdoi ai. – Paola ma kishte kërkuar disa herë një gjë të tillë…
-Pse, çfarë je ti, fëmijë, që të të japin urdhër dhe ti ta zbatosh?
-Nuk u mendova gjatë.
-Doemos.
-Më ndje.
-Sa herë të thuash një gënjeshtër do vish të më thuash, ah e dashur, më ndje, nuk e pata menduar?
-Tani po e tepron.
-Natyrisht, – tha ajo, – po e teproj. Si mund të guxoj të të fyej?
-Sa për kureshtje, – e pyeti pas një gjysmë ore duke hapur derën e studios ku ai ishte arratisur mbas furtunës. – Çfarë jam unë për ty? Një farë mbyllëse vrimash? Një alternativë për marrëdhënieet e tjera? Idiotja e shkretë e ardhur nga Lindja, një lloj kukulle ekspozite pa mendime, pa krenari, së cilës po i bën favorin e madh ta marrësh për grua duke i dhuruar pasaportën zvicerane?
-Si mund të të shkojë në mens një gjë e tillë?
-Po ti, si mund të më trajtosh kështu?
Françesko u ngrit dhe u përpoq mëkot t’i merrte dorën, ajo u tërhoq mbrapsht.
-Më fal. – tha ai hutueshëm. – Zgjidh Mirelën po të duash, apo kë ta shohësh të arsyeshme, dhe e mbyllim këtë budallallëk timin. Më fal. – Ajo e vështroi, ai dukej thellësisht i vrarë. Asaj i erdhi keq për një çast të vetëm. Buzëqeshi hidhur dhe lot të tjerë i ranë mbi bluzë.
-Të më falësh ti, por kështu nuk martohem, sikur të jetë bukë e djathtë, sikur të jetë martesa e një tjetre e jo imja. Nuk luaj me një gjë të tillë. Jo, nuk kam aspak ndërmend të martohem. Jo tani. Jo kështu. Kam nevojë të mendohem.
Françesko bëri një gjest të frikësuar drejt saj dhe Inës i erdhi një dëshirë absurde, tradhtare, e poshtër t’i hidhte duart në qafë dhe të ulërinte e strukur në krahët e tij. Por zgjati dorën për ta ndaluar.
-Mos m’u afro. Lërmë kohë të mendohem. Mos u afro.
-Unë të dua, – i tha ai.
-Po pra.
Më vjen keq për dhimbjen që të shkaktoj rregullisht. Më vjen keq që edhe këtë herë mendjelehtësia ime bëri gjithë këtë hata midis nesh, dhe sidomos më vjen keq që nuk arrij të gjej një modus vivendi më të mirë me gratë. Siç thotë rëndom Alex, në një fushë beteje mbushur me kufoma grash, shumica janë viktimat e mia, dhe për këtë meritoj një medalje.
Sikur të kisha guximin e duhur, të të shpjeegoja diçka nga jeta ime, disa gjëra që nuk kam arritur t’ia them me zë të lartë as vetes. E di që ti ke kaluar edhe më zi. Ngjarjet që mbart brenda vetes, ajo pjesë Shqipërie që të ndjek si fantazmë, është e tillë sa ankimet e arsyet e mia duken lodra kalamajsh. E keqja nuk është e fortë vetëm kur është e pikturuar me ngjyra ekstreme. Dhimbja nuk është vetëm e bardhë dhe e zezë. Një zot e di sa torturuese është loja e hollë, e padukshme e nuancave të lehta, atyre që duhet një lente zmadhuese për t’i parë. Dhe si i bëhet hallit kur edhe vetë unë për kohë të tëra jam fshehur pas vetes? Se është kështu, unë i jam fshehur vetes. Sikur ti të më rrish pranë e unë të kisha mundësi të hidhja tej petkun që më mbulon…
Duket kaq patetike e gjithë kjo: psikanalizë e dorës së fundit, jusfifikim i lehtësisë time. Unë jam perëndimor, më the ti para disa javësh. Perëndimor.
Ne “peëndimorët” sipas teje nuk kemi të drejtë të qajmë, sa e ashpër je në gjykim, e dashura ime, ne perëndimorët nuk kemi të drejtë të gabojmë.
U martuan. Ina mbeti pezull me penën në dorë përpara të fituarve e nëpunësit të Bashkësisë që po i martonte, pastaj firmosi, duke i vënë veshin fëshfërimës së penës mbi letër. Françeskos i dhëmbi luhatja e saj. Falemnderit, deshi t’i thoshte më vonë në vesh, ti nuk mund të kesh frikë, unë të dua si nuk kam dashur kurrë ndonjëherë. Të jam mirënjohës për firmën, e kundërta do më kish vrarë për vdekje. Por natyrisht që nuk i tha asgjë nga këto. Ajo e kish vështruar gjatë. Gjatë darkës, kur fotografi u tha të afroheshin për një fotografi në një cep intim të restorantit, Ina deshi t’i thoshte “të lutem Françesko, nuk kam forcë për…” Por në vend të kësaj, dëgjoi veten të pyeste të shoqin “Ti më do vërtet, je i sigurt për këtë?” Françeskos i ishin mbushur sytë me lot.
Në muajt e mëvonshëm Ina iu kthye shumë herë fotografive të martesës. Françesko kish qenë i mrekullueshëm me kostumin prej linoje gri të çelët, lulet që mbushnin restorantin, miqtë e saj ardhur nga Roma, të zhurmshëm si gjithmonë.
Për muajin e mjaltit shkuan në Barcelonë, Madrid, Salamankë, Leon, u ngjitën sipër në Galici e më vonë vizituan Andaluzinë.
Një darkë, tek pinin cigaren, në heshtjen sensuale mbas marrëdhënies që ende pasqyrohej në shtrojat e kapërthyera, Françesko pyeti Inën në ishte e lumtur.
-Çfarë the?
-Të pyeta në je e lumtur.
-Po ti? – Iu përgjigj ajo.