Epoka e dyshimit
Përkthyesi: Luan Canaj
Kritikët, më kot, parapëlqejnë, si pedagogë babaxhanë, të bëjnë gjasme nuk pikasin kurrgjë, ndërsa, në të kundërt, nuk lënë t’u shpëtojë asnjë rast për të shpallur, me tonin më të përkorë ndaj të vërtetave parësore, se romani, me sa di unë është dhe do të mbetet gjithmonë, para së gjithash, “një rrëfenjë ku sheh të veprojnë e jetojnë personazhe”, se një romancier është i denjë për këtë emër, vetëm po qe se ndihet i aft “t’u besojë” personazheve të tij, çka i lejon t’i bëjë “të gjallë” dhe t’u japë një “shkrirje romaneske”. Më kot, kanë hapërdarë, pa “përfillur” lavdet atyre që ende dinë, si Balzac-u, a Flaubert-i, “të skicojnë” një hero romani dhe t’i shtojnë një figurë të paharrueshme morisë së “figurave të pashlyeshme me të cilat kanë stërpikur gjithësinë tonë aq e aq mjeshtra të shquar. Ata, më kot, rreken t’u prishin mendjen shkrimtarëve në bisk me vegimin e shpërblimeve të majme, të cilat presin, siç thuhet, ata që e kanë besimin më të përndezur: ky çast shumë i njohur i disa “romancierëve të njimendët” ku personazhi, meqë vetëbesimi dhe interesi i autorit ndaj tij janë aq të shumta, nis befas, porsi tryezat rrotulluese, i gjallëruar sakaq edhe nga një tis fsheharak, të vihet vetvetiu në lëvizje dhe ta tërheqë pas vetes mbrujtësin e tij të ngazëllyer, të cilit, nga ana e vet, s’i mbetet veçse t’i jepet krijesës së tij udhërrëfyese. Së fundi, kritikët, më kot, u bashkangjitin premtimeve kërcënimet dhe i paralajmërojnë romancierët që, po nuk bënë kujdes, kinemaja, rivali i tyre më i mirëarmatosur, do të vijë e t’u rrëmbejë skeptrin nga duart e padenja. Pa dobi. As qortimet, as zemërdhëniet, nuk mund t’ia dalin mbanë për të rigjallëruar një besim në lëngim.
Sipas çdo gjase, jo vetëm autori nuk beson më fare te personazhet e tij, por edhe lexuesi, nga ana e vet, zor se mund t’u besojë dot më. Po kështu, personazhi i romanit, shfaqet pa këtë mbështetje të dyfishtë, besimin e romancierit dhe të lexuesit tek ai, besim që e mbante më këmbë, qëndrueshmërisht në baraspeshë, duke mbajtur mbi shpatullat e tij të gjëra gjithë peshën e historisë, të kalamendet e të zhbëhet.
Qysh nga kohët lumturore të “Eugenie Grandet”-së, kur, behur nga kreshtat sipërane të fuqishmërisë, ai mbretëronte mes lexuesit dhe romancierit mbartës i përgjërimit të tyre të përbashkët, porsi shenjtorët e tablove parake mes morisë së dhuruesve, personazhi nuk ka reshtur së humburi dora-dorës të gjitha cilësitë dhe privilegjet e veta.
Ai ishte pajisur me aq shumë farfuri, mbrujtur me pasuri të llojllojshme, qarkuar me përkujdesi nga më imtësoret. Kurrgjë nuk i mungonte, që nga thekët e praruar të mbathjeve gjer te lentja me rremba në majë të hundër. Ca nga ca humbi gjithçka; stërgjyshërit, shtëpinë e ndërtuar me aq merak, mbushur dingas që nga bodrumi gjer në papafingo me sende gjithfarë soji, madje edhe xhingla – mingla tejet vocërrake, pronat dhe çertifikatat e të ardhurave, veshjet, trupin, fytyrën, por, sidomos, atë pasuri aq të çmuar ndër të tjera, karakterin vetjak që i përkiste vetëm atij, por shpeshherë gjer dhe vetëm emrin e vet.
Sot, po na përmbyt një valë veprash letrare gjithmonë e më në rritje, që mëtojnë ende se janë romane dhe ku një qenie pa ravijëzime, e papërkufizueshme, e pakapshme dhe e padallueshme, një “unë” anonim që është gjithçka, pa qenë kurrgjë e që shpesh është vetëm një pasqyrim i vet autorit, ka mësymur rolin e heroit parësor dhe zë vendin e nderit. Personazhet që e qarkojnë, pa gjallmim vetjak, janë vetëm vegime, ëndrra, makthe, iluzione, pasqyrime, trajtësime a varësira të këtij “un”-i të gjithëfuqishëm.
Ne mund të siguroheshim duke përfytyruar që kjo mënyrë veprimi është efekt i një egocentrizmi të vetë adoleshencës, i një droje e papërvoje fillestari, po qe se kjo sëmundje rioshe nuk do të kishte prekur pikërisht veprat më të rëndësishme të kohës sonë (që nga “Në kërkim të kohës së humbur” dhe “Moçalishtat” gjer te “Mrekullia e Trëndafilit”, pa lënë në harresë “Fletorkat e Malte Laurids Brigge”, “Udhëtim në skaj të natës” dhe “Neveria”), vepra ku shkrimtarët përkatës kanë shpërfaqur përnjëherësh aq shumë mjeshtëri dhe një fuqishmëri tejet të madhe mësymëse. Ajo çka shpalon, në fakt, ky përparim i sotëm i personazhit romanor, është krejt i ndryshëm nga një prapsje në stadin foshnjarak.
Ky përparim dëshmon, njëherësh, si tek autori dhe te lexuesi, për një mendësi veçanërisht të sofistikuar. Ata, jo vetëm që nuk i zënë besë personazhit romanor, por, përmes tij nuk i esojnë as shoshoqit. Ai përbënte visin e marrëveshjes, bazën e fuqishme nga ku me një përpjekje të përbashkët, ata mund të hidheshin në kërkime dhe zbulesa të reja. Personazhi është shndërruar në qerthullin e mosbesimit të tyre reciprok, në truallin shkretan ku ata përleshen me njëri – tjetrin. Kur kqyrim situatën e tij të sotme, na i ka ënda t’i pohojmë vetes se në të hasim një përmbushje mrekullore të fjalës së Stendhal-it: “sapo lindi shpirti i dyshimit”. Kemi hyrë, pra, në epokën e dyshimit.
Pikësëpari, lexuesi, sot, nuk para i zë besë asaj çka i dhuron përfytyrimi i autorit. “Kurrkush nuk merr më guximin të pohojë që po shpik, qahet Z.Jacques Tournier. Vetëm dokumenti përfillet, i saktë, i datuar, i vërtetuar, i mirëfilltë. Vepra përfytyrore është zbuar, si e sajuar… (Publiku) ka nevojë t’i besojë asaj çka i rrëfehet, të jetë i sigurt që nuk “po ia punojnë” …Kurrgjë nuk ka më tepër rëndësi përveç faktit të vërtetë vocërrak”…
Mirëpo Z.Tournier nuk duhej të tregohej kaq hidhnak. Ky përgjërim për “faktin e vërtetë vocërrak”, që ndjen thellë në zemër sekush prej nesh, nuk është tregues i një mendësie frikashe a bajate, gjithmonë e gatshme për të shtypur nën peshën e “realiteteve të fuqishme” çdo përçapje të guximshme, çdo orvatje të vobektë arratisjeje. Përkundrazi, i duhet kthyer lexuesit kjo drejtësi, që atij të mos i shkulet gjatë veshi për t’u shkuar pas autorëve, nëpër shtegtime të reja. Ai nuk i ka thartuar kurrë turinjtë përpara çdo përçapjeje. Kur ai pranonte të kqyrte me vëmendje tejet të mprehur e imtësore çdo detaj të kostumit të xha Grandet-së, si dhe çdo send të shtëpisë së tij, për të vlerësuar plepat e dynymet me vreshta dhe për të mbikqyrur hesapet e fitimeve, këgë gjë nuk e bënte aspak nga ëndja për realitetet e fuqishme, as nga nevoja për t’u struktur ngrohtë e butë në gjirin e një universi të njohur me konture qetësuese. Ai e dinte mirë se ku donin ta çonin. Por, jo kah thjeshtësia…
Diçka e pazakonshme, e dhunshme, fshihej pas anës së njohur pamore. Të gjitha veprimet e personazhit theksonin ndonjë aspekt. Pikërisht, kjo gjë duhej nxjerrë në pah, duhej shkërfitur gjer në caqet më skajmore, të gërmohej gjer në shojzat e mbrame: lëndë dendësore, krejt e re, që i bënte ballë dhe përndizte pasionin e hulumtimit. Vetëdija e kësaj përpjekjeje dhe e vlefshmërisë së këtij kërkimi përligjte sqimën e tepruar me të cilën autori, pa patur frikë se mos lodhte durimin e lexuesit, e detyronte të hynte në aq tëhollime… Kjo vëmendje përligjte urtinë e lexuesit. Ata e dinin tashmë se, pikërisht, atje strukej ajo çka u interesonte më së shumti. Atje dhe askund gjetiu: po aq e pandashme nga sendi se ç’qe, në një tablo të Chardin-it ngjyra e verdhë, nga limoni ose, në një telajo të Véronèse-es, kaltëria, nga qielli. Ashtu siç ngjyra e verdhë “ishte” limoni dhe ngjyra e kaltër qielli, aq sa nuk mund të përfytyroheshin njëri pa tjetrin, kopracëria “ishte” vetë xha Grandet-ja, meqenëse përbënte thelbin, duke e depërtuar gjer në asht, për të marrë prej tij, nga ana e saj, kurajën dhe fuqishmërinë.
Sa më qëndrueshmërisht të qe mbrujtur, sa më mirë të qe ndërtuar, a sa më hijshëm të qe stolisur objekti, aq më e pasur dhe e nuancuar ishte vetë lënda…
Së fundi, Z.Tournier ka të drejtë: ai dyshon për gjithçka. Ngaqë, qysh prej disa kohësh, ai ka mësuar të njohë mjaftë gjëra, por edhe ngaqë nuk arrin ta harrojë plotësisht atë që ka nxënë. Se çfarë ka mësuar ai, sekush e di bukur fort, aq sa nuk është e udhës të këmbëngulësh më tej. Ai ka njohur Joyce-in, Proust-in dhe Freud-in. Çuçurimën e monologut të brendshëm, të cilën asgjë e jashtme nuk e zbulon, brufullinë e paskaj të jetës psikologjike, si dhe veset e pamata të sapoçelura të pavetëdijes. Ai ka parë thërrmimin e ndarjeve të padepërtueshme që veçonin personazhet nga njëri-tjetri, si dhe heroin e romanit të shndërrohet në një kufizim arbitrar, një shkëputje klasike të ushtruar mbi thurimën e përbashkët që, secili e mbart të gjithën dhe që kap e mban në syrsat e saj të panumërta gjithë universin.
Porsi kirurgu që e ngulit vështrimin e vet në një vend të caktuar ku duhet të përqëndrohet dhe përpjekja, duke e veçuar nga trupi i vënë në gjumë, atij i është dashur ta përmbledhë gjithë vëmendjen dhe kureshtinë e vet në ndonjë gjendje të re psikologjike, duke e lënë në harresë personazhin e palëvizshëm që i shërben si mbështetës rastësor. Ai ka parë kohën tek resht së qenuri ajo shtjellë e rrëmbyer që e shtynte përpara intrigën për ta shndërruar në ujë dremitës, në fund të të cilit kryhen shpërbërje të ngadalta e imtësore. Ai ka vënë re veprimet tona tek bjerrin gjallërinë e zhdërvjellësitë e njohura dhe shprehitë e pranuara, tek buisin befas ndjesi të panjohura, ndërsa ndjenjat e mirënjohura ndërrojnë aspekt dhe emërtim.
Ai e ka mësuar aq mirë e aq shumë, sa ka zënë të dyshojë se objekti i sajuar që romancierët i ofrojnë, nuk mund të ngërthejë pasuritë e objektit real… Pikërisht, pra, për arsye tepër të shenjta, lexuesi parapëlqen sot dokumentin e jetuar (a së paku atë që duket në pamje të parë i këtillë) në vend të romanit. Përvoja më e rishtë e romanit amerikan nuk e përgënjeshtron këtë parapëlqim, ashtu siç mund të hamendësohet. Përkundrazi, ajo e tumirë këtë gjë. Kjo letërsi – që lexuesi i kultivuar amerikan e ka përçmuar, pikërisht për arsyet që sapo përmendëm – duke e përçuar lexuesin francez në një univers të huaj, me të cilin nuk kishte asnjë kontakt, ia përgjumte mosbesimin, nxiste tek ai atë kureshti të padjallëzuar që zgjojnë rrëfime e shtegtimesh dhe i falnin ndjesinë mrekullore të arratisë në një botë të panjohur. Tani që i ka honepsur pak a shumë këto shujta ekzotike – të cilat janë shpërfaqur ashtu siç janë, megjithë pasurinë dhe ndryshmëritë pamore, shumë më pak ngazëllonjëse nga ç’pandehej – edhe lexuesi frëng, nga ana e vet, u kthen shpinën.
Të gjitha këto ndjenja të lexuesit karshi romanit, afërmendsh që autori i njeh për bukuri, aq më tepër kur duke qenë lexues, madje shpesh, mjaftë i thekur, ai nis e i përjeton edhe vetë…
Ja përse sot, personazhi është hije e vetvetes. Me shumë pendesë, romancieri i vesh atij gjithçka që mund ta bëjë lehtësisht të pikasshëm: pamje fizike, gjeste, veprime, ndjesi, ndjenja të përditshme, të studjuara dhe të njohura qyshkur, të cilat ndihmojnë për t’i dhënë me plot vend pamjen e jetës, si dhe një kontaktim më të lehtë me lexuesin. Edhe emri që i lypset, medoemos, për ta pispillosur, përbën shqetësim të posaçëm për romancierin. Gide-i, i shmang personazhet e veta nga emra patronimikë (mbiemërorë), të cilët rrezikojnë t’i mbërthejnë përnjëherësh fuqishëm në një univers tepër të ngjashëm me mjedisin e lexuesit, ndaj parapëlqen emra pak të përdorshëm. Heroi i Kafka-s, bie fjala, ka si emër vetëm një inicial, shkronjën e parë të vetë Kafka-s. Joyce-i emërton me H.C.E., iniciale me interpretime të shumëfishta, heroin shumëtrajtësh të “Finnegans Wake”.
Po kështu, rrekja e guximshme dhe e vlefshme e Faullkner-it, aq shprehëse për preokupimet e romancierëve të sotshëm, të cilët, me patëdrejtë, i veshin ndonjë nevoje të mbrapshtë e fëminore për të sofistikuar lexuesin, mënyrën e përdorur prej tij në “The Sound and the Fury”, ku synon t’u japë të njëjtin emër dy personazheve të ndryshëm. Ky emër që ai e shëtit nga anjë personazh në tjetrin në sytë e acaruara të lexuesit, e shtyn këtë të fundit të qëndrojë vazhdimisht në beft…
Ashtu si piktori modern – dhe mund të thuhet pa drojë se të gjitha tablotë, qysh prej impresionizmit, janë pikturuar në vetë të parë – që ia zhvat objektin universit të spektatorit dhe e shpërfytyron për të nxjerrë prej andej elementin pikturor, edhe romani, me një lëvizje analoge me atë të pikturës, ndjek me mjete vetëm të tijat një udhë ku nuk çapitet dot tjetërkush. Ai ua lë arteve të tjera-dhe pikërisht kinemasë-gjithësia nuk i përket atij vetë. Ashtu siç fotografia rrok dhe shfrytëzon, troje që lë mënjanë piktura, edhe kinemaja qëmton e përsos atë çka i lë romani…
Mirëpo, me ç’duket, edhe kinemasë po i kanoset rreziku. “Dyshimi”, nga i cili po lëngon romani, duket se po moleps edhe atë. Nëmos, si ta shpjegosh atë shqetësim që përjetojnë, krahas romancierëve, disa regjizorë, të cilët shtrëngohen të prodhojnë filma në vetë të parë, duke ndërkallur në ta syrin e një dëshmitari a zërin e një rrëfimtari?
…Dyshimi, që po e shkatërron personazhin dhe gjithë aparatin e vjetëruar që mbrunte fuqinë e tij, është një nga ata reaksione, me anën e të cilëve organizmi mbrohet dhe gjen një drejtpeshim të ri. Dyshimi, thotë Philip Toynbee-i duke përmendur Flaubert-in, e shtrëngon romancierin të kryej më së miri atë që quhet “detyrimi i tij më i thellë: të zbulojë të renë”, si dhe e pengon të kryej “krimin më të rëndë: të përsëritë zbulimet e paraardhësve të vet”.