EDITORIAL – Nr. 5

Autorja: Sazana Çapriqi

TRAJNIM PËR LARJEN E ENËVE!

Kur kërkesa e përfaqësimit të grave në parlament në kuoutën prej 30% doli për herë të parë në opinion, reagimet ishin nga më të ndryshmet. Kjo gjë u fol e u përfol gjerë e gjatë, sipas zakonit, por më në fund u pa se ishte punë e kryer dhe se nuk kish kthim prapa kështu që, partive tona poli- tike nuk u mbet tjetër por u detyruan ta pranonin si punë të kryer. Pas kësaj
filloi gara mes tyre kush e kush do të mblidhte më shumë gra në radhët e veta. Rezultati për habinë e shumë skeptikëve doli pozitiv, u gjetën aq gra sa jo vetëm që u plotësua kuota por edhe tepruan. Një nismë që kish filluar me aq skepsë po përfundonte me suk- ses të plotë; në Kosovë u formua parlamenti që do të jetë më i emancipuari në Evropë. Një gjë e tillë do t’i gëzonte shumë ndërkombëtarët në njërën anë, sepse ia kishin arritur qëllimit dhe do ta shënonin këtë në CV-të e tyre si një nga të arriturat më të çmuara të karrierës, e këtë, patjetër që do ta përdorin në të ardhmen si kartë për vende të tjera të krizave të tilla. U gëzuan edhe partitë, kanë mundësi që të dëshmojnë para botës se janë parti moderne dhe se nuk kanë paragjykime në baza gjinore. Nga ana e tyre u gëzuan edhe vetë gratë sepse arritën me një lehtësi të padurueshme, atë që simotrat e tyre, madje edhe nëpër vende me demokraci shumë të zhvilluar mund vetëm ta ëndërrojnë.
Kjo është vetëm ajo që shihet. Por ajo që vërtetë ka ndodhur është një gjë që ky vend e kish provuar në një formë tjëtër prej ’45 e këndej. Asokohe ndodhi një emancipim i për- shpejtuar, marramendës. Me dekret u bënë, shkrimtaret, artistet, politikanet, diplomatet, deputetet, anëtaret e komitetit, drejtoreshat etj. Dorën në zemër, ndonjë rezultat edhe mund të ketë dalë prej gjithë kësaj. Por ç’mund të ndodhë me dekretin e fundit? Athua është ky një emancipim i vërtetë dhe gruaja shqiptare a do të duhej të jetë e kënaqur më këtë? Unë them që jo. Kjo u pa me 100 ditët e bllokadës së famshme të Parlamentit të parë të Kosovës. Nuk u dëgjua asnjë zë gruaje, pra tjetërfare, nga ç’janë ata që insistojnë që të bllokohet puna. Edhe foli ndonjëra, por jo si grua. E 30% u rezervohet si gra përndryshe aut. Asnjë zë gruaje në mesin e burrave që janë ngatërruar aq keq e s’mund ta bëjnë asnjë hap para. Kjo dëshmon se angazhimi i këtyre grave nuk është gjë tjetër veç mbështetje e atyre burrave që nuk lëshojnë pe për asnjë çmim dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë kompromis. E thonin se gratë, pikërisht gratë me atë numër grandioz pjesëmarrjeje do të ndikojnë në fisnikërimin e humanizimin e politikës.
Çka do të mund të themi pas kësaj legjislature, sa e ka ndryshuar vetëdijen patriarkale
të Kosovës dekreti për pjesmarrjen e obligueshme prej 30% të grave në parlament. Kam frikë se kjo gjë nuk do të mund të ndryshojë shumë gjendjen aktuale në planin e barazisë gjinore. Kjo vetëm se do të krijojë një pasqyrë joreale.
Atmosferën e kësaj pasqyre të rrejshmë e ndihmojnë edhe shumë organizma ndërkombëtarë dhe duar të zgjatura nëpër OJQ të individëvë që janë stolisur me shkathtës- inë e manipulimit me idenë e barazisë së gruas. Ata tashmë do ta kenë të gatshme for- mulën: shihni në çfarë situate i kanë katandisur gratë e Kosovës, burrat , e s’i lënë as të hapin gojën në Parlament. Jepni para për një projekt të ri trajnimi.
Tashmë nuk është fshehtësi se më së lehti mund të gjenden grante për të bërë trajnime grashë madje edhe sikur të jetë fjala për t’i mësuar gratë se si t’i lajnë enët! Trajnime, trajnime!!!