Diell në mesnatë
Fragment
Nuk ia kisha treguar asnjëherë Pablos në mënyrë të plotë historinë e martesës dhe të ndarjes sime. Kishte folur ai më shumë për jetën e tij, lidhjet me evangjelistët, me idetë komuniste, me Çe Guevarën, marrëdhëniet me gratë, divorcin me Esterin… Më ishte krijuar bindja se ai i rikthehej së brendshmi mundësisë për t’u bashkuar me gruan dhe me vajzën, ndonëse mundohej të ma fshihte, madje t’ia fshihte edhe vetes. Unë flisja shkurt dhe me mundim, sepse jeta ime nuk i ngjante aspak asaj së tijës, entuziaste, aventureske herë pas here dhe, me gjithë pjesëmarrjen e tij në situata të vështira e të rrezikshme si në Bolivi, Bosnjë apo Somali, situata në të cilat rrallëherë hidheshin të tjerët, vizioni i përgjithshëm i jetës së tij, për mendimin tim ishte një vizion dhe një kuptim i ëmbëltuar, zbavitës dhe thellësisht i kushtëzuar nga “të vështruarit në mënyrë pozitive”. Kjo mënyrë ndërtimtare dhe e pakthyeshme kurrë mbrapsht, më kishte magjepsur qysh në fillim kur e njoha për herë të parë dhe kur dëgjoja gojëhapur historitë dhe pikëpamjet e tij. Shpesh kam menduar se në vitet e errëta që pasuan ikjen dhe ardhjen e tij në Shqipëri, mua më mbajti gjallë kurajoja dhe shpresa se një ditë do të dilja prej gropës ku kisha rënë, se do të shihja dritën, e cila formëzohej në tiparet e fytyrës së tij.
Mbrëmjen e dytë në Tiranë, tek po ktheheshim nga një takim me regjisorët shqiptarë, Pabloja ndaloi te një kabinë telefonike. Dua të flas me Esterin, më tha. E ndiej se duhet t’i telefonoj. Unë heshta. Më tepër se heshtja nuk mundesha të reagoja. E prita në makinë dhe me bisht të syrit ndiqja lëvizjet e tij brenda në kabinë. M’u duke se fshiu ballin nga një djersë e lehtë. Pastaj për diçka foli gjatë dhe tundi njërën dorë lart e poshtë. Duket se i tregonte asaj për çka kishte ndodhur. Domethënë kishte nevojë t’i tregonte asaj ato që mendonte apo përjetonte.
Befas m’u duk i largët dhe i panjohur si askurrë. Ai burrë që ishte aty në kabinë, që fliste me gruan e tij spanjolle, me të cilën kishte një jetë tjetër, jetën e tij të vërtetë spanjolle, nuk kishte të bënte me mua, me jetën dhe botën time të vështirë dhe të ndërlikuar shqiptare.
Mbaroi telefonatën, u fut në makinë dhe ndezi një cigare. Vazhdoja të mbaja heshtjen time, ndonëse zieja përbrenda si vullkan.
-Marta ishte me temperaturë, – tha, sikur ta kisha unë fajin.
-Ashtu? – u mundova të dukesha sa më dashamirëse.
-Po… Ndoshta duhet të nisem… Ajo ka nevojë edhe për babanë, jo vetëm për nënën.
-Sigurisht… Vemi hamë darkë dhe ndërkohë mund të vendosësh çfarë është më mirë të bësh.
Ndeza makinën dhe përshkova rrugët e boshatisura të Tiranës, me bare dhe restorante të paktë mbetur hapur. Banoja në një apartament në Rrugën e Elbasanit, që e pata blerë para një viti. Ndërtesa ishte pranë Radiotelevizionit, zonë e gjelbëruar e Tiranës, që Pabloja e pëlqente shumë. Jetoja vetëm në dy dhoma, ndërsa prindërit e mi banonin me vëllanë. Pabloja nuk kishte dashur të rrinte aty gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Unë gjithashtu ndjehesha më e lirë. Jam një grua e pavarur dhe e lirë, i thosha vetes, sa herë ndahesha para Hotel Tirana International ku ai kishte zënë dhomën.
Tani unë e ndalova makinën pa e pyetur para një restoranti të vogël, në një rrugë paralele me shtëpinë time. Ishte pothuajse bosh.
-Më gjykon si njeri të paqëndrueshëm, – më tha, pasi mbaruam së ngrëni dhe po pinim verë në heshtje.
-Jo, – iu përgjigja. – Është krejt e natyrshme dëshira jote për të qëndruar pranë vajzës. Ndoshta dhe për të rishikuar marrëdhëniet me ish-gruan tënde.
Më vështroi gjatë, pa folur.
-Mundet… Këto kohë e kam menduar më shpesh. Midis nesh duhet të ketë patur një ndjenjë të fortë, sepse me gjithë ndarjet e kontradiktat, jemi ribashkuar vazhdimisht… Ai fliste si me vete, duke vërtitur gotën nëpër gishta. Me Esterin më lidh fëmijëria, rinia dhe lufta kundër diktaturës së Frankos. Çdo njeri mbetet në shpirt pak fëmijë, apo jo? Esteri është pjesë e atij shpirti të gëzuar, të dëlirë që na priste pa menduar në aventura të rrezikshme.
-Ku e ke njohur për herë të parë? – pyeta unë, e angazhuar e gjitha në një përpjekje jo të lehtë për t’u dukur sa më mirëkuptuese, sa më e gjerë dhe sa më e lirë.
-Në teatër, – tha ai. – Ishte aktorja kryesore në komeditë dhe dramat që shkruaja dhe vija në skenë.
-Kuptoj, – thashë.
Isha tepër larg jetës së tij. Tepër larg lidhjeve të thella, të forta, të futura si rrënjë në tokën ku kishte lindur.
-Të vjen keq, – e pyeta, – që je ndarë me të?
Ai u mendua një çast.
-Përsa i përket atij filli të fortë me Spanjën, me atë jetë dhe ato ide që të thashë, po. Më mungon, E kërkoj zërin dhe buzëqeshjen e saj të hershme që më bënte të harroja çdo mërzi dhe çdo shqetësim. Nga ana tjetër më duket sikur nuk kthehem dot mbrapsht, sikur do të kufizohem dhe do të ngushtohem brenda mureve të një shtëpie dhe, ndonëse ajo shtëpi më thërret e unë dua me mall të shkoj aty, kam frikë se pas ca kohe do të përpëlitem në etjen për t’u larguar, për t’u hedhur në botën e madhe, për të kapërcyer detin dhe për të të gjetur ty. Ti je ajo pjesë tjetër e shpirtit që ka lidhje me pjekurinë, me gruan, të plotë, mikeshë dhe të dashur; me ty ndiej plotërinë fizike dhe shpirtërore si me asnjë tjetër dhe nuk e di, Kristina, nuk e di… jam si i ndarë më dysh, më tresh, i tërhequr nga këto fije të fuqishme… Por, boll folëm për mua… Ti asnjëherë nuk më ke treguar jetën tënde dhe ndarjen me tët shoq… asnjëherë…
Dhe historia ime, ajo që i tregova Pablos dhe që më ka ndodhur vërtet, është kjo që po rrëfej këtu më poshtë:
Dikush pëshpëriti në vesh të Sigurimit të Shtetit ose edhe raportoi me shkrim, se unë e zgjasja muhabetin me të huajt që shoqëroja; se gjeja rastin e flisja dhe veçmas me ta… Në informacionin e dërguar, të cilin s’e pashë kurrë dhe as e verifikova dot kurrë, përmendej si shembull afërsia e madhe që kishte kapërcyer kufijtë e marrëdhënies zyrtare me spanjollin Pablo Garcia, i ardhur në Shqipëri me një grup marksistësh, por, sipas të gjitha gjasave, mund të ishin edhe pseudomarksistë. Për rrezikun që më kanosej, pra që sigurimi po merrej me mua, më njofti një shok i imi i cili punonte në ato zyra dhe që e kishte parë me sytë e tij informacionin. Nuk dija si të mbrohesha, veç të shpresoja në fatin i cili mund të neglizhonte çështjen. Prindërve nuk iu thashë asgjë për të mos i shqetësuar, ndërsa shoku im më linte takime në kafe Flora e cila atëherë ishte kafeneja e parapëlqyer e rinisë tiranase dhe më mbante në dijenit ë asaj që po përgatitej. Nëse shpëtova me një transferim nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në një shkollë të rrethit të Krujës si mësuese e anglishtes, kjo ishte në saje të këtij mikut tim, i cili arriti dhe e klasifikoi rastin si “papjekuri e moshës, naivitet, mungesë vigjilence, mospërgatitje e duhur”. Nuk u thirra, nuk u denoncova, nuk u dënova, por u mënjanova përfundimisht nga kontaktet me të huajt. Nuk isha më element i përshtatshëm për një punë të tillë, ku kërkoheshin njerëz të pandikueshëm nga magjepsja gënjeshtare e botës perëndimore.
Në fshatin ku më transferuan dhe që qe një orë e gjysmë larg nga tirana, ku unë shkoja tani vetëm të dielave, m’u duk sikur m’u përmbys bota. M’u duk se rashë në një humbëtirë pa “dje” dhe pa “nesër”, vetëm me një “sot” të hirtë ku isha e detyruar të lëvizja, të haja, të merrja frymë dhe të flisja. Kaloi një kohë tejet e gjatë derisa arrita të mësohesha me dhomën ku flija, me ujin e ftohtë, me ngricën në dimër, të shquaja fytyrat e fshatarëve dhe të ndieja dashamirësinë e tyre, të njihja mësuesit e tjerë të shkollës dhe të notoja mes miqësisë, armiqësive, intrigave, mbështetjes apo rivaliteteve të tyre. Aty njoha dhe Arbenin, mësuesin e letërsisë, që më vonë u bë burri im. Arbeni ishte flokëazai, por me lëkurë të bardhë dhe sy të menduar. Ata sy i ndieja pas shpine ngado që shkoja; sa herë hyja në shkollë shihja të lëvizte perdja e xhamit të klasës së tij dhe pas saj profilin e tij të zbehtë, me sy të lëvizshëm, të zinj. Sa herë dilja shëtitje, kur erdhi pranvera, në kodrinat e bleruara dhe të mbushura me pemë frutore, ku mund të bisedoja gjatë dhe shtruar me fshatarët, do të më dilte patjetër përpara dhe do të më përshëndeste me një përkulje elegante të kokës. Erdhi një çast dhe e kërkova ndjekjen e tij të heshtur. Ai e kuptoi dhe m’u qep edhe më shumë.
Çdo muaj dhe çdo vit që kalonte fshinte nga kujtesa ime nga një tipar tjetër të Pablos. Nata, kur mbetesha vetëm me mendimet e mia, shndërrohej në një shesh beteje, ku qelizat e kujtesës luftonin me ato të harrimit dhe çdo mëngjes unë shihja territoret e përgjakura me qeliza kujtesash të vrara. Derisa erdhi një ditë dhe ai mbeti një kujtim, një simbol i ëndrrës nga e cila nuk hiqja dorë. Arbenit, tek bridhnim të dy nëpër shtigje dhe pllaja të mrekullueshme, ia tregova një ditë atë që më kishte ndodhur. Nuk do të mundem kurrë të të dua ashtu siç më do ti, i thashë, e bindur për dashurinë e tij përvëluese dhe të papërmbajtur. S’ka gjë, tha ai, duke më marrë fytyrën në pëllëmbët e tij të ngrohta. Le ta provojmë, si thua? Ti je gjëja më e bukur që jeta më solli si dhuratë dhe unë dua të të mbaj në duar si thesar të rrallë. Bashkë mund ta përballojmë gjithë këtë mbytje e trishtim. Kushedi, ndonjë ditë mund të kthehemi në tiranë e atje do të bëjmë një jetë më të mirë.
I binte bukur kitarës dhe këndonte. Atë natë, që ishte dhe ditëlindja ime, ai organizoi një mbrëmje në palestrën e shkollës ku këndoi e i ra kitarës pa mbarim, ku të gjithë kërcyen, kënduan e u zbavitën aq shumë, sa unë për herë të parë pas aq shumë kohëve, qava nga lumturia. U përqafuam fort më pas nën hënën që përmbyste në dritë barin e vesuar, pemët e lulëzuara dhe ne të dy që na shkëlqenin sytë nga përndritja e saj. P, i thashë, e dehur nga muzika, era e luleve, e barit, e ajrit vetë, nga dashuria që flladitej në atë ajër të magjepsur nga bukuria. Po, martohemi kur të duash.
Dasmën e bëmë në Tiranë, me njerëzit e mi dhe me njerëzit e tij; për muaj mjalti shkuam në një nga hotelet e plazhit të Durrësit dhe pas atij muaji u kthyem në fshat. Nuk e shqisja dot nga mendja kaltërsinë e detit, hapësirat e mëdha të rërave të bardha, erën e pishave të Golemit, dritat e Durrësit që përmbytej i gjithi natën, i pasqyruar mbi det. Dashuria e Arbenit ishte gjithnjë e zjarrtë, përveç një hijeje në sytë e errët, që ia errësonte edhe më shumë.
Nuk po lindja fëmijë dhe, kur mbeta shtatzënë, ai u shndërrua përsëri në burrin e dashur. Por, në atë fshat të humbur nga i cili nuk mund të largohesha kurrë me dëshirën, aftësinë dhe zotësinë time, siç ishte e pamundur për këdo, Arbeni qe e vetmja pikë referimi e sigurt. thosha me vete se ai do të ishte një bashkëshort dhe një baba i mirë dhe kjo nuk ishte pak. Me kohë do ta njihnim dhe do ta kuptonim më mirë njëri-tjetrin, mendoja. Një fëmijë do t’ju afrojë dhe do t’ju shuajë keqkuptimet, më thoshte nëna. Dhe vështrova brenda vetes: ti je tepër kryeneçe, tepër e lirë. Burrat kanë frikë nga një grua e tillë.
Fëmija im lindi i vdekur dhe pas një muaji nisën grindjet e para. Nuk pate kujdes gjatë barrës, thoshte ai. Nuk rrije në shtëpi, dilje. Nuk i pije të gjitha ilaçet. shkoje në tiranë çdo javë, në vend që të mos lëvizje… Asnjë mjek nuk e kuptoi shkakun. Arbeni merrej gjithnjë e më shumë me punët e shkollës. Muajt që pasuan ngjarjen e trishtuar, ai u pranua edhe në Partinë e Punës dhe, pas tre vjetësh që kishte qenë në provë e në vëzhgim, sipas rregullave të asaj kohe, kjo i dha kënaqësi të madhe. E shihja vetëm në mbrëmje, aq i aktivizuar qe me partinë. U hapën fjalë se do ta emëronin drejtor të shkollës dhe këto fjalë dolën të vërteta. Atëherë nisi të mbahej me të madh dhe unë kërkoja më kot shikimin e tij të dikurshëm, të atyre syve të zinj dhe të thellë që spikasnin në lëkurën e zbehtë të fytyrës. Flokët tani i ndante me vizë dhe i lëmonte anash, nuk dilte kurrë pa xhaketë e pa kravatë edhe në vapën më të madhe. Një ditë më tha se nuk shkonte që të ishim të dy në të njëjtën shkollë, i dëmtonte pozitën. Prandaj më kishte rregulluar një punë si drejtuese artistike në shtëpinë e kulturës së fshatit. Kisha mbaruar për anglisht dhe në Institut kisha punuar si përkthyese meqë dija disa gjuha. Në shkollën e fshatit u mësoja fëmijëve letërsi dhe anglisht, tani duhet të mësoja të rinjtë e fshatit si të këndonin e të kërcenin apo të luanin teatër. U mërzita pa masë, por nuk kundërshtova, se e dija që ai kishte të drejtë. Në shkollë kishin filluar të më shikonin shtrembër, meqë isha gruaja e drejtorit. Megjithatë kurrë nuk mund ta merrja me mend se sa dhe si do të ndryshonte jeta ime prej asaj shtëpisë së vogël dhe të thjeshtë të kulturës. Aty, me ato pak vegla e pak libra dhe me një fond fare modest shtetëror, unë arrita të ngrija më këmbë grupe të mrekullueshëm “artistësh”. Nuk e kisha përfytyruar se fshatarët do të kishin kaq etje për shfaqje, për pjesëmarrje në grupe dhe për të konkurruar me fshatrat e tjerë. Ne zumë vendin e tretë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, me grupin e këngëve popullore dhe morëm çmim inkurajues për pjesën teatrale në konkursin teatror të zonës. Pjesën e shkrova vetë, gjë që ma nxitën vajzat dhe gratë që më vinin rrotull dhe, me të qeshur e si lodër, në fund unë zbulova një talent timin.
Rolin kryesor e interpretonte Lulja, një nuse e re e sapomartuar së cilës ende puna e rëndë në kooperativë nuk ia kishte përzhitur fytyrën ku i ndrisnin si shpuzë e gjithë gëzim dy sy të mëdhenj jeshilë. Shfaqja ishte gati, ne do të konkurronim të premten në qytetin e Lezhës, ku zhvillohej dhe veprimtaria, kur më troket në derë të vatrës së kulturës sekretari i partisë i fshatit. Me të kisha njohje sipërfaqësore, prandaj e kuptova që do të kishte ardhur për ndonjë “çështje me rëndësi”.
-Shoqja Kristina, – hyri ai drejt e në temë, – na ka dalë një problem me atë shfaqjen e teatrit.
Unë mendova me të shpejtë: pjesa ime u duket e dobët, jo shumë komuniste, është një komedi për të qeshur dhe jo një dramë serioze mbi realitetin socialist, nuk kemi autobus, na kanë hequr nga lista si fshat i vogël që jemi…
-Duhet ta heqësh nga roli atë kryesoren, Lulen, – tha ai.
Unë hapa sytë.
-Lulen?! Pse? Është më e mira!
-Sepse partia të thotë ta heqësh!
-Ah…! Ka… ndonjë arsye?
-Po… I ati është përjashtuar nga partia kur ka qenë specialist për bujqësinë në Komitetin Ekzekutiv në Krujë. Prandaj i kanë sjellë këtu, për dënim.
-Nuk e dija, – thashë e menduar dhe një komb i fortë ‘mu mblodh në grykë. Lulja, me ata sy të lumtur dhe me atë zë të jashtëzakonshëm kur shqiptonte frazat e komedisë! Lules duhet t’i thosha se ajo nuk ishte e denjë politikisht për të luajtur rol në një komedi fshati.
-Nuk mundem, shoku sekretar, – i thashë duke e parë në sy. – Është tepër vonë për ta zëvendësuar. Sot është e mërkurë, për një ditë asnjeri nuk mund ta mësojë rolin.
-Nuk ke dublante?
-Jo.
Kisha një dublante, por e gënjeva sekretarin, se nuk doja kurrsesi të lëndoja Lulen.
-do ta heqësh Lulen, – tha ai. – Nuk mundet që fshati ynë të dalë në rol kryesor me një armike të partisë!
-Nuk e heq dot, – ngula këmbë unë, – është tepër vonë.
Dhe nuk e hoqa. Dhe fituam. Dhe Lulja ishte gruaja më e gëzuar në botë atë mbrëmje kur salla e duartrokiti pa pushim, kur i dhanë buqetën me lule, kur një regjisor nga Tirana i mori adresën dhe i tha se ajo ishte talent i vërtetë dhe se ai do ta kërkonte për një provë, në një film që donte të realizonte. Të gjithë ishin të lumtur, edhe Arbeni, përveç meje që ndieja erën e stuhisë të më frynte mbi kokë.
Ajo shpërtheu të nesërmen në darkë. Kishim një ballkon të vogël në shtëpinë tonë dhe unë po kundroja me ëndje perëndimin e diellit që po zbriste përtej, ngadalë mes kodrave të valëzuara. Doja ta shijoja me gjithë fuqitë atë perëndim, sikur të ishte i fundit… Dhe vërtet, për vite me radhë pas asaj mbrëmjeje, qeshë e pazonja të dalloja qaartë bukurinë nga shëmtia, ditën nga nata dhe orët nga njëra-tjetra.
Arbeni u kthye nga mbledhja e organizatës së partisë natën vonë. E ndieja se “diçkaja” tani kishte ndodhur dhe vështroja akrepat e orës, si ai i dënuari çastin kur do ta marrin. Kravatën e kishte liruar në grykë, flokët i qenë shpupurisur, ndërsa fytyra i ishte skuqur, si të kishte pirë. M’u afrua, më kapi për mjekre dhe më shtyu me forcë kokën lart.
-Pse nuk pranove ta hiqje Lulen nga roli?
-Arben! Ti ke pirë!
-Po, kam pirë. Më kritikuan në mbledhje të partisë për shkakun tënd. Nuk dija çfarë shpjegimi të jepja! A mund të ma japësh ti këtë shpjegim?
-Arben… Nuk ka asnjë shpjegim të veçantë. Më vinte keq ta hiqja Lulen nga roli në çastin e fundit. Ajo ishte aq e lumtur…
-Kuptoj! Nuk doje t’i prishje lumturinë Lules, por shkatërrove tonën…
-Çfarë të thanë në mbledhje?
-Nuk ka rëndësi. Ti e di mirë çfarë thuhet në kësi rastesh. Ai ma lëshoi mjekrën, ktheu krahët dhe vështroi nga dritarja. Rrezikohem të më heqin si drejtor… Nuk ma thanë hapur, por e lanë të kuptohet…
Zëri i tij papritur ishte shndërruar në një zë të panjohur, të egër. Më trembte ky burrë i huaj që qëndronte më këmbë në dhomën time dhe fliste me këtë zë të ftohtë, kërcënues.
-do ta përballojmë edhe këtë, Arben, – thashë në përpjekje të fundit për të rigjetur mbeturina të njeriut që kisha dashuruar dikur…
Ai u kthye dhe më vështroi. Ishte përfundimisht një njeri i panjohur.
-Nuk e kam ditur kurrë deri në fund cila je ti. Nuk të kam kuptuar asnjëherë, për fat të keq…
M’u afrua dhe duhma e pijes m’u përplas në fytyrë.
-Ku ta di unë kush je ti, – përsëriti. – Ku ta di ç’lidhje ke patur me atë spiunin e huaj që mund të mos ketë qenë as i pari dashnor për ty. Çfarë misioni mun të kesh patur… Më ke mashtruar dhe unë rashë në kurthin tënd. Ti mund të jeshë një armike e fshehur e klasës, e socializmit dhe u martove me mua për t’u komufluar sa më mirë… Shokët e kanë nuhatur këtë, por s’kanë patur prova, prandaj të sollën këtu…
Unë u tkurra që duart e tij të mos më preknin dhe pa u përgjigjur shkova në dhomën tjetër, u mbështolla me batanije dhe ndenja ulur mbi shtrat, ashtu, gjithë natën.
Më vonë mora vesh se ai, në mbledhje të partisë, pra përpara se të vinte në shtëpi, kishte deklaruar se nuk do të jetonte më me mua. Gruaja ime ka kryer një veprim që bie ndesh me parimet tona ideologjike, kishte thënë. Ka zbehur luftën e klasave. Ajo nuk mund të jertë bashkëluftëtarja ime, në përpjekjet tona për ndërtimin e socializmit. Nesër në mëngjes do të kërkoj divorcin.
E dëgjova që u shtri në shtrat dhe pas pesë minutash nisi të gërhinte. Kishte marrë vendim të ndahej me mua dhe e zinte gjumi sa vinte kokën në jastëk.
Divorci u krye shpejt e shpejt. Ne nuk kishim fëmijë, as pasuri për të ndarë. Në shtëpizën shtetërore ku banonim dhe ku kishim dy dhoma e një kuzhinë, më lanë njërën dhomë mua në përdorim, tjetrën Arbenit, ndërsa kuzhinën mund ta përdornim bashkarisht. Nga puna në vatrën e kulturës më hoqën si element të padenjë për drejtim dhe më emëruan pastruese në kopshtin e fëmijëve. Më dridhej i gjithë trupi kur shkova në mëngjes në vatër për t’i bërë dorëzimet përgjegjëses së re – gruas së sekretarit të partisë së fshatit dhe për të marrë sendet e mia. Ia lashë dosjen e punës asaj gruaje që kishte kryer një shkollë të mesme për zooteknikë, tërhoqa derën pas vetes dhe dola në korridor. Vështrova dhomat dhe sallat ku kishim bërë provat e teatrit, të korit, të valleve popullore, bibliotekën, pikturat e fshatarëve amatorë, varur në mure… Po më merrnin një nga pjesët më të bukura të jetës sime. Po ma shkulnin si me dorë nga zemra. Nuk e dija se e kisha dashur aq shumë atë shtëpizë, atë jetën që kisha bërë aty, qershinë e lulëzuar që i hidhte degët mbi dritaren e zyrës sime të vogël dhe një pjesë të malit të kaltër qqë dukej nga dritarja me kanate të drunjta.
-Shoqja Kristina.
-Kristina…
Ngrita sytë dhe dridhja e trupit më ndali. Zemra më gufoi, lëmshi në grykë u shkreh dhe ia plasa të qarit. Ishin të gjithë aty, kishin lënë punën në arë, në brigadat ku punonin dhe kishin ardhur të më përshëndesnin. Berti kitaristi, Goni drejtuesi i korit, Zenepja koreografja e valleve, gjithë aktorët e komedisë, lexuesit e përditshëm të librave dhe poetët e poeteshat e reja që bënin prova me vjersha… Kishte ardhur dhe Lulja… Qanin të gjithë bashkë. U përqafuam pa pushim dhe më përcollën deri në të dalë të rrugës, atje ku unë duhet të kthehesha dhe të paraqitesha në punën e re, ku duhet të laja dyshemetë e kopshtit, enët dhe çarçafët e krevatëve të fëmijëve, me sa duket deisa të ngrysja jetën time.
Atë pasdite qëndrova gjatë në fushë, ulur nën një rrap të vjetër për të menduar më në qetësi për gjithë ç’kishte ngjarë. Gjithçka ishte rrokullisur me shpejtësi dhe nuk kisha patur kohë të gjykoja në mënyrë normale për kuptimin e vërtetë të këtij zinxhiri ndodhish. Dhe atë pasdite, në atë vetmi e atë heshtje të asaj rrëze mali, ndjeva gjithë egërsinë e lakuriqtë të jetës sonë të kushtëzuar dhe fatit të drejtuar nga të tjerët, as nga perënditë dhe as nga vetja.
Atëherë më duket se m’u formua një herë e përgjithmonë bindja se ferri ekziston në jetën e gjallë dhe jo pas vdekjes dhe se vetëm njeriu e bën të pafuqishëm njeriun tjetër për të vepruar. L’enfer s’est les autres. Gjykova të drejtë formulimin natyrë njerëzore dhe jo fat njerëzor, nocione këto që më kishin lodhur pa masë kur studioja në Universitet. Nuk kishte univers tjetër përveç universit njerëzor ku unë duhet të dija sesi të endesha për të mos u gremisur në humnera. Natyra ime besimplotë dhe e papërgatitur për jetën më kishte shtënë në krahët e Arbenit, duke përcaktuar kështu fatin tim – pra ky fat ishte pasojë dhe jo parathënie. Arbeni vetë nuk ishte aspak një prodhim rrethanash, siç mund të mendoja në mënyrë të pastër marksiste, por shprehje e natyrës së tij, zgjedhjeve që ai kishte vendosur të bëjë në këtë jetë. Duke devijuar nga të menduarit marksist unë gjithnjë e më tepër përqafoja teorinë e rrethanave: presioni i tyre në raste të caktuara, siç ishte rasti i sistemit tonë, është i tillë saqë njeriu nuk mund të qëndrojë dot pa bërë zgjedhjen e tij. Unë isha, unë ekzistoja, por nuk isha e lirë. Qenia ime kufizohej prej rrethanave dhe unë u rezistoja atyre duke kërkuar lirinë në veprimin tim për mbajtjen e Lules në rolin e saj. Më kujtohet se u ngrita më këmbë dhe eca një copë herë përmbi atë pllajë me barë të lartë, derisa arrita në buzë të saj. Poshtë meje shquheshin shtëpitë e vogla me çati të kuqe dhe të rrethuara me pemë të fshatrave. Mbaj mend se mora frymë thellë dhe u betova me vete se një ditë do të dilja nga ferri ku më kishin hedhur. Kur dhe si, nuk e dija, por që kjo do të ishte një gjendje e përkohshme, e dija.
Tek zbrisja për në shtëpi, dëgjova zhurmën e një zetori që më ndali në krah. Goni, zetoristi, një djalë flokëverdhë e sykaltër, ishte burri i Lules.
-Hip, shoqja Kristina, të të shpie në fshat, – tha. Më zgjati dorën dhe unë u ula pranë tij në zetor.
-Dita e fundit e punës kjo, shoqja Kristina.
E vështrova me frikë.
-Të marrin zetorin?
Ai pohoi me kokë.
-Më emërojnë bari të staneve. Më kanë gjetur dhe shtëpi në majë të malit. Lulja duhet të vijë me mua, bareshë, si me biografi të keqe që është. Më hodhën fjalën, më dërguan njeri mbrëmë të më thoshte se, si komunist, po të ndahesha me Lulen, nuk do të më hiqnin nga puna dhe se partia do të më jepte dorën.
-Sigurisht, burrin tim nuk e hoqën nga drejtor, kur më ndau mua.
Goni mbajti timonin me një dorë dhe me tjetrën më ra dashamirësisht në sup.
-Çdo e keqe s’vjen vetëm për keq, shoqja Kristina. Me këtë rast partia të shpëtoi nga një burrë që s’e vlente.
Më buzëqeshi, unë e vështrova dhe pastaj ia plasëm gazit të dy. Arritëm në fshat, ashtu duke qeshur dhe shtrënguam duart të gëzuar, sikur të kishim zbuluar diçka të jashtëzakonshme.
-Do të vij në stan kur të lindë Lulja, – thashë, ngaqë kisha marrë vesh se ajo ishte shtatzënë. – Me një djalë, – urova.
-Unë e Lulja do ta dëshironim vajzë, – tha Goni, – që t’i vinim emrin tënd, Kristina. Dhe iku duke zhurmuar nëpër fshat me zetor…
Pas një viti Arbeni u rimartua me një mësuese nga Lezha të cilën e solli në dhomën ku banonte vetë, domethënë nën një çati me mua. Deri në martesën e tij e shihja pak, sepse i shmangesha shtëpisë sa më shumë dhe shkoja sa për të fjetur duke u mbyllur me dry nga brenda. Ai kishte provuar disa herë netëve kur vinte i pirë të më hynte në dhomë, por pas kërcënimit tim se do ta denoncoja me letra anonime në Sigurimin e Shtetit dhe në Parti për marrëdhënie intime me armiken e klasës, hoqi dorë. nisi pastaj të më përgjonte, më vinte njerëz të më ndiqnin nga shkoja, me kë flisja, çfarë flisja, për të mbledhur akuza që do të vërtetonin pikëpamjet e mia antiparti dhe antimarksiste. Kështu mund të më internonin ose të më hidhnin në një fshat më të humbur dhe ai do të përfitonte gjithë shtëpinë. Fshatarët nuk e ndihmonin në përpjekjet e tij. Në heshtje ata më mbronin mua dhe e pengonin atë. Unë i bëra disa herë lutje me shkrim komitetit të partisë për të shkëmbyer dhomën me të ardhur të tjerë nga të cilët fshati kishte plot, të emëruar si mjekë, agronomë, mësues prej Tiranës, Shkodrës dhe Krujës, por kurrë nuk m’u kthye ndonjë përgjigje. Bëra lutje edhe për transferimin, kërkova të më punësonin në zona më të thella dhe më të vështira, ku, për ta bërë sa më bindëse dhe sa më të pranueshme lutjen time shkrova se do të shkrija të gjitha forcat dhe energjitë e mia për ndërtimin e socializmit. Lutja u harrua në ndonjë sirtar zyrash apo u gris e u hodh në kosh letrash. Kërkova takim me kryetarin, me sekretarin, me zëvendësat e tyre, me drejtorë drejtorish; të gjithë më pritën, mbajtën shënim fjalët e mia, më thanë se do ta shohim çështjen tënde dhe përsëri asnjë përgjigje, asnjë zgjidhje.
Arbeni mblidhte shokë në shtëpi dhe pinin deri vonë. Pastaj këndonin dhe më shanin me fjalë të ndyra. Një natë nuk durova dot, mora pallton dhe vendosa të shkoja të flija tek një familje fqinje e cila sillej gjithmonë mirë me mua dhe do të më pranonte patjetër. Disa herë ata më kishin ofruar strehën e tyre. Ktheva çelësin me kujdes në bravë, mbajta këpucët në dorë dhe në majë të gishtave dola në korridor. Tek hapja derën e jashtme ata më ndien. Ha, dëgjova zërin e Arbenit, po ikën, bushtra! Nuk na duron dot neve! U shfaq në korridor e u sul për të më zënë derën. Ndërkohë unë arrita të vrapoja jashtë duke ngrënë disa shishe vere bosh kokës e kurrizit. Fqinjët që dëgjuan zhurmën nxituan të më tërhiqnin brenda shtëpisë së tyre, ku më qetësuan me fjalë të dashura, më vunë kompresa të ftohta në fytyrë e në trup. Skena të tilla po përsëriteshin përherë e më tepër, derisa ai u martua me Lezen nga Lezha. Lezja ishte trupmadhe, flokëzezë, kaçurrele, me buzët e trasha të lyera rëndë me të kuq. Ditën që erdhi në shtëpi qëlloi që unë po dilja nga dhoma për të shkuar në punë. Arbeni, me valixhet e saj në dorë, i tha: Kjo është ajo, Leze. Lezja ngadalësoi këmbët, vuri duart në mes dhe më vështroi nga koka te këmbët. Unë mora nga dera, por ajo më preu rrugën me trupin e saj të stërmadh.
-Dëgjo ti, – më tha, duke më ngulur gishtin tregues në gjoks. – Ky këtu është burrim. Po bëre dredha, ta këpus kokën si të zogut unë!
-Ta kam falur, – i thashë. – E gëzofsh! – dhe ika.
Por të jetoje me Lezen nën një çati ishte edhe më e vështirë sesa vetëm me Arbenin. Kur lante rroba, Lezja mbyllej në banjë dhe nuk dilte prej andej me orë të tëra. Në kuzhinë, të cilën e kisha patur pothuajse timen, sepse Arbeni hante jashtë, tani nuk shkelja dot më. Aty ishte mbretëria e Lezes. Po të guxoja ndonjëherë të gatuaja dhe ajo më kapte, pa folur e hiqte tenxheren time nga furnela, e përplaste përtokë dhe vinte të sajën. Pastaj, me duar në mes, gati për boks, më ngulte sytë: Hape gojën, po ta mbajti! Nisa të kem uri, sepse rroga ime qe shumë e vogël për të blerë ushqime gjysmë të gatshme e të haja pa gatuar, dhe, në të vetmin klub-restorant të fshatit hynin vetëm burra. Lezes i vinin pambarimisht kushërinj nga Lezha dhe nga fshatrat. Ca flinin me ta në dhomë, ndonjëri shtrihej në kuzhinë, ndonjë edhe në korridor. Arbeni nuk shfrynte, nuk zemërohej. Ata e thërrisnin vazhdimisht “shoku drejtor”, i sillnin pula, fasule, djathë e peshk dhe ai ndihej mjaft mirë kur ecte përmes fshatit dhe tufa e njerëzve që kishin nevojë për të i vinte nga mbrapa. Sepse Arbeni ia kishte bërë puçin sekretarit të partisë dhe i kishte zënë vendin. Ai tani ishte i plotfuqishëm dhe jeta e shumë njerëzve varej në duart e tij. E dija se qëllimin përfundimtar kishte dëbimin tim nga fshati që të më merrte dhomën, por këtu duhej aprovimi i komitetit të partisë së rrethit të Krujës dhe ata nuk dihej pse po ia zgjasnin. Ndërkohë Lezja po i pushtonte vetë hapësirat, pa pritur vendimet. Një natë i erdhën dy kushërinj më tepër dhe ajo trokiti në derën time.
-Ik e fli ndokund, – më tha, – se kam njerëz e do t’i vë të flenë aty.
-Jo, – i thashë, – kjo është dhoma ime dhe s’kam asnjë punë me ty.
-Zhduku prej dhome, po të them, – ulëriti, – se po të ngordh në vend!
-Zhduku ti, – i thashë dhe i mbylla derën në fytyrë. Po Lezja nuk dorëzohej.
-Spiune e mutit! – thirri. – Kurvë e borgjezëve dhe e imperialistëve! Ta tregoj unë ty! Pas një çasti e hodhi derën në tokë me shkelma, më kapi për flokësh, më tërhoqi zvarrë dhe më flaku me forcë në oborr, ku më fluturoi mbi kokë këpucët, xhaketën dhe një batanije.
-Qelbanike! – dëgjova zërin tim, veten tim të ulërinte me fjalë të ndyra gjithashtu. – Idiote! Kafshë!
-Ashtu!?
Trupi i Lezes, fytyra e Lezes, sytë e çakërritur të Lezes u sulën drejt meje. Aty u përleshëm, mbi baltë; unë qëlloja me shkelma dhe i shkulja flokët e dendur e të ashpër si drizë, ajo më gjuante me grushte në fytyrë dhe në bark, derisa ata fqinjët e mirë e fshatarë të tjerë si dhe kushërinjtë – vizitorë erdhën e na ndanë. Nga turpi, nga dhimbjet, nga grushtet, mua më ra të fikët dhe u gdhiva në mëngjes në spitalin e Krujës ku më kishin shpënë me urgjencë fshatarët, të trembur ngaqë villja gjak. Kokën, krahët, një këmbë, i kisha të lidhur me fasho. Rrotullova sytë dhe ata më ngecën te një fytyrë e panjohur gruaje rreth të dyzetave.
-Mirëdita, Kristina, – tha ajo. – Unë jam Katerina Broja.
Katerina Broja… Ah, truri im i ngadalësuar në veprime, arriti të vinte lidhje. Me sa dija ajo ishte Kryetare e Këshillit të Rrethit. Babai im, i lajmëruar nga fqinjët, qe gdhendur në zyrën e saj në shtatë të mëngjesit, ku qe ankuar dhe ku kishte kërcënuar se për këtë keqtrajtim e persekutim pa asnjë shkak, ai do t’i shkruante të madhit fare. Kishte thënë se ai, komunisti i ’43-shit dhe veteran i Luftës antifashiste Nacionalçlirimtare, deri më sot nuk pat hapur gojë për mënyrën sesi ishin sjellë më vajzën e tij, meqë partia i dinte vetë punët dhe ai kishte besim të patundur tek ajo, por tani, si komunist, donte të dinte arsyet, motivet e një qëndrimi të tillë ndaj së bijës dhe nëse këto arsye dhe këto motive nuk kishin bazë të mjaftueshme për qëndrimin në fjalë, ai do t’i shkonte deri në fund çështjes. Ai, shoqja Katerina duhet ta dinte, kishte mjaft miq në Komitetin Qendror dhe lart në parti…
Shoqja Katerina e kishte ndërprerë. Nuk ka nevojë shoku Koço për sqarime të tilla. Unë jam shumë e tronditur për sa i ka ndodhur vajzës suaj. Madje as nuk e dija se e kishin hequr nga vatra e kulturës dhe nga mësuesia. Jam emëruar para dy muajsh në këtë rreth dhe nuk i njoh njerëzit dhe ngjarjet.
Nuk e di nëse Katerina Broja u ndikua nga fjalët e tim eti apo u trondit vërtet meqë qe dhe grua; sidoqoftë ajo më shpëtoi. Firmosi transferimin tim nga fshati dhe ndërhyri që unë të emërohesha përgjegjëse në bibliotekën e një lagjeje në Tiranë. Kam përshtypjen sot e kësaj dite, se ajo më ndihmoi ngaqë ishte thjesht një grua e mirë dhe posti që kishte nuk ndikonte në përmirësimin apo përkeqësimin e ndjenjave të saj humane, siç ndodh në shumicën e zakonshme të njerëzve.
-Bëni ç’të doni me mua, – i thashë pas fashove dhe pas lotëve atë mëngjes. – Më çoni të ushqej pulat, të ruaj lopët, më rrihni me grusht e Lezes, po nuk e ndërroni dot mendjen dhe shpirtin tim.
-Mos fol, – tha ajo pa e humbur qetësinë, – mos lëviz se je sëmurë. Dhe më preku ballin me ca gishtërinj të butë. Unë u zbraza përnjëherësh nga zemërimi që më vlonte përbrenda dhe e vështrova me vëmendje. Kishte sy të kafenjtë që më shikonin butësisht.
-Shoqja Katerina… – belbëzova – …unë… unë…
Dhe plasa në vaj…