Beteja e Santiagos

Autorja: Luljeta Krasniqi

(Plaku dhe deti)

Ideja që njeriu di, do dhe mundet të ngadhnjejë mbi jetën, duke e shikuar atë si një luftë të pashpallur por të fuqishme të botës njerëzore, është në plan të parë gjatë tërë rrjedhës së gjykimeve të tij. Një qëllim apo një cak drejt të cilit duhet të luftohet deri në vdekje, Hemingueji e shënon qartë e dukshëm përmes një figure të thjeshtë, një peshku të madh të cilin ëndërron ta zërë plaku Santiago. Mënyra e thjeshtëzimit të idesë kaq të madhe me një figurë të rëndomtë e të thjeshtë veçse e bën më të plotë kuptimin dhe e favorizon fuqinë e shprehjes së mendimit. “Peshku im i madh duhet të jetë diku”1, thotë Santiago derisa është vënë në kërkim të tij. Dhe megjithse ai përgjatë këtij rrugëtimi mediton për shumëçka por edhe flet me zë të lartë me veten e tij, ai është i vetëdijshëm për qëllimin e tij të famshëm dhe këtë e shpreh edhe drejtëpërdrejt “Tani është koha të mendoj vetëm për një gjë“1, për të vazhduar më tutje me plotësimin e idesë së vetë autorit duke e konkretizuar atë me një mendim mjaft të thellë “Për ç’gjë kam lindur në këtë botë. Këtu pranë, midis këtyre tunave ndoshta, vërtitet peshku i madh”2. Pra, këto fjali të shkëputura nga vepra japin imazhin kuptimplotë të detyrës që urtësia ia kishte dhënë vetes. Megjithë ndjenjën e pasigurisë kjo ide është mjaft e fuqishme dhe shtrohet në një rrjedhë të logjikshme.
Por, pika më kulminante në këtë roman e shoqëruar me shumë elemente që dëshmojnë për një talent dhe një pjekuri artistike është padyshim ndeshja e plakut me peshkun e madh, respektivisht ndeshja e njeriut me qëllimin e tij të jetës. I dyshimtë për faktin se peshku i madh ka rënë në grepin e tij, urtësia e pret këtë fitore me një notë jo edhe shumë optimiste, gjë të cilën e shpreh në mendimin e tij “që nëqoftëse thua ndonjë gjë të mirë, kjo gjë mund të mos ndodh fare”3 dhe çka tregon se megjithë stoicitetin e tij përballë luftës me jetën plaku Santiago nuk ngurron ta shpreh rezervën dhe frikën e tij përballë asaj me të cilën ishte konfrontuar një jetë të tërë.
Njeriu nganjëherë as vetë nuk di ti shpjegojë disa fenomene jetësore që e preokupojnë dhe kjo e sjell atë në dilema të mëdha. Këtë dukuri Hemingueji e vë në shprehje shumë herë nëpër momente të ndryshme gjatë veprave të tij, por e konkretizon dhe e lartëson si ide pikërisht në ndeshjen e plakut Santiago me peshkun e madh. Fakti që kalojnë orë të tëra pas rënies së peshkut në grep dhe ai nuk ka mundësi ta shohë akoma tregon më së miri këtë dukuri paksa të çuditshme. Dhe pason këtu si gjithnjë vlerësimi Heminguejit “kisha qejf ta shikoja vetëm një herë, vetëm ta di me kë kam të bëj”4, që njëherit është edhe synimi i çdo krijese njerëzore. Gjithmonë ekziston një enigmë kur kemi të bëjmë me këtë çështje. Njeriu me botën e tij komplekse shpesh nuk i ka të qarta disa fenomene e dukuri që e shoqërojnë atë në procesin e asaj që quhet jetë. Dhe pikërisht kjo dëshirë e shprehur nga plaku dhe ky padurim për të identifikuar diçka të rëndësishme por mjaft të ndërlikuar është edhe synimi i çdo krijese njerëzore . Përpara një kurreshtjeje të tillë dhe në ndeshje me të Hemingueji shprehet me një optimizëm më të theksuar se në shumë raste të tjera. Megjithë faktin se plaku ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që e prisnin ai do të theksojë “unë nuk kam se ç’ti bëj atij por dhe ai s’ka se ç’të më bëjë mua”5 . Pra, këtu vihet re entuziazmi i autorit për të ngadhnjyer në këtë betejë të madhe. Edhe pse nota realiste është e barabartë me optimizmin kjo nuk e zbeh aspak qëllimin e shprehur përmes kësaj fjalie. Plaku nuk e idealizon qëllimin e tij, as nuk premton sukses të garantuar, ai vetëm e vë në pozitë të barabartë forcën e jashtëzakonshme me të cilën ndeshet me fuqinë modeste mbrojtëse.
Në një betejë të madhe çfarë është kjo e plakut me peshkun e madh lindin shumë dilema para lexuesit në përgjithësi e studiuesit në veçanti. Një moshë e shtyer do të kurorëzojë ëndrrën e tij të vjetër dhe do të përjetojë çastin e pritur gjatë. Kjo është një arsye që na shtyen të mendojmë më gjatë. Pikërisht në këto momenta plot dramacitet plaku e ndien mungesën e djalit dhe shumë herë e shohim ta përsërisë “sikur ta kisha djalin me vete”6. Arsyeja pse ai pikërisht tani dëshiron ta ketë djalin pranë i jep një freski qëllimit të shprehur figurativisht, pra rinia del si jë nuancë jo e rastësishme këtu.
Kjo episodë e rëndësishme që paraqitet përmes ndeshjes gjeniale, të drejtpërdrejtë njeri-jetë zbërthen një problematikë të madhe të jetës në përgjithësi. Jeta nuk do të ketë kuptim nëse nuk ka ndonjë qëllim të caktuar drejt të cilit duhet luftuar e sakrifikuar shumë. Këtij qëllimi shumëkush arrin t’i afrohet ca e shumë të tjerë ngelin vetëm me ëndrrat e thurura gjatë për të. Por edhe ajo katagori që arrinë t’i afrohet këtij qëllimi (e përfaqësuar këtu me plakun Santiago), duhet ta ketë parasysh se mu tani ka filluar betejën e madhe respektivisht luftën e vërtetë në kuptimin figurativ të fjalës (betejë të cilën e përfaqëson ndeshja e plakut me peshkun e madh).
Shtrohet pyetja si do të veprojë njeriu si qenie paksa e luhatshme para një beteje të tillë?
Kjo nuk duhet vlerësuar përmes rastesh individuale, por duhet nxjerrë arsyet duke zbërthyer karakterin e njeriut si krijesë njerëzore, si qenie shumë komplekse.
Para një dileme të tillë Hemingueji shprehet me një optimizëm pak më të theksuar sepse qysh në fillim të kësaj ndeshjeje ai do t’i drejtohet peshkut me këto fjalë: “Peshk, unë nuk ndahem nga ty gjersa jam gjallë”7, gjë që tregon një gatishmëri dhe një guxim para një situate jo të lehtë çfarë është kjo para të cilës gjendet ai.
Dy paralelet që tëhiqen njëkohësisht në roman, lëvizja e anijes bashkë me plakun përmbi det në njërën anë dhe lëvizja e peshkut që njëherit e tërheqë anijen nga thellësia e detit në anën tjetër bëjnë një paralelizëm mes moralit njerëzor dhe fuqisë së fatit që e udhëheqë atë drejt një qëllimi në jetë.
Grepi që peshku kishte gëlltitur si dhe litari mjaft i gjatë ishin një lidhje direkte e këtyre dy pikave ekstreme dhe të ndieshme që synonin realizimin e një ideali të lartë dhe disi të paarritshëm. Pikërisht përmes kësaj lidhjeje dy kundërshtarët i shkaktonin plagë të mëdha njëri tjetrit dhe në këtë mënyrë ndeshja e tyre sa vinte e bëhej më e ashpër.
Plaku gjatë tërë jetës e edhe në momentet kritike çfarë ishin këto për të cilat flitet tani, kishte një vetëdije të lartë dhe një vështrim real për pozitën në të cilën gjendej, thënë më qartë kjo aludon në një përsosmëri të njeriut si krijesë, gjë që me kohë do të zbehet duke e përballur atë me shumë disfata të ndryshme para të cilave ai do ta dëshmojë qëndrueshmërinë por edhe labilitetin e tij.
I vetëdijshëm plaku pohon se “ai është një peshk i madh”8, por në anën tjetër vlerëson se edhe “unë duhet ta bind se jam i fortë”9. Ky prononcim i tij aq sa mund të quhet optimizëm po aq mund të vlerësohet si rezultat i një përvoje të gjatë jetësore natyrisht përplot sprova e sakrifica. Mund të vlerësohet edhe si një guxim para një sprove kulminante çfarë është ajo që përfshinë në veti një jetë të tërë me gjithë kompleksitetin e saj. Shpeshëherë ai mundohet ta arsyetojë guximin e tij duke e shprehur atë si një detyrë që ia ka shtruar vetes dhe këtë e shpreh edhe në formë të drejtpërdrejtë në meditimet e tij interesante “por unë do t’i tregoj çfarë është i zoti të bëjë njeriu dhe çfarë mund të durojë”10.
Njeriu i cili i është afruar deri diku qëllimit kryesor të jetës së tij mund të dehet me këtë sukses e të meditoj me idealizëm për aq kohë deri sa ta pranojë faktin që këtij qëllimi të tij mund t’i kanosen rreziqe të mëdha. Dhe, posa të vetëdijësohet për këtë, gjë që është e pashmangshme në çdo përpjekje të tillë, ai do të përshkohet nga një ndjenjë frike e mos besimi që patjetër do të shënohet me nota pesimizmi. Këtë problem Hemingueji e ilustron me një moment mjaft të ndieshëm. Derisa plaku po meditonte e herë herë po imagjinonte dialogje të ndryshme me peshkun e famshëm që i kishte sjellë fati i pritur kaq gjatë, përnjëherë e ndien veten të rrezikuar dhe e kaplon një frikë e madhe se si do t’u përballonte këtyre rreziqeve. Para një situate të tillë të palakmueshme zbehen pothuaj tërë ëndrrat e thurura të plakut për fitoren e tij të madhe . “Në më dalçin peshkaqenët përpara, zoti na mëshiroftë, mua dhe peshkun bashkë”11, thotë plaku pa e pranuar dorëzimin. Peshkaqenët na dalin si figura e tretë kryesore e idesë së përgjithshme, duke e përkufizuar përmes një trinomi si ky në vijim: njeriu – qëllimi (apo caku i tij në jetë) – rreziqet (apo forcat që i kundërvihen atij për ta penguar realizimin e këtij qëllimi ).
Përmes këtij trinomi në roman mund të tërhiqet një zingjir mjaft i plotë i idesë së përgjithshme të realizuar në mënyrë mjaft interesante. Pra, deri më tani u pa vetëm rruga se si njeriu arrinë ti afrohet apo e realizon qëllimin e tij çfarë doqoftë ai, me fjalë të tjera ngadhnjenë në luftë me problemet e jetës.
Sa do t’u përballojë ai rreziqeve që do t’i kanosen pikërisht në pozitë të tillë kur ai ndien ndjenjën e fituesit ?
Kjo pyetje do ti ekzagjerojë dilemat e shumta që shtron Hemingueji në roman qysh nga fillimi.
A do të mbetet stoik dhe a do të ketë moralin e lartë siç e pati gjer në këto momente ?
Në dilemat e mëdha që shtron plaku kësaj radhe me veten e tij zbërthehet në njëfarë mënyre përgjigjja e kësaj pyetje mjaft të koklavitur. Ai fillon të luhatet ca derisa peshku vazhdon t’a kërcënojë nga poshtë me rrotullimet e tij që plakut i sjellin mjaft komplikime. Por, durimi dhe qëndrushmëria e tij ia dalin të ngadhnjejnë mbi luhatjet e herëpasherëshme të tij. Çështja e njejtë që neve na intereson, është njëherit edhe preokupimi i vet plakut Santiago. “S’do kem fuqi po të vazhdojë dhe ca”12 pyet ai veten në një nga momentet kritike dhe kjo pyetje mjaft interesante krijon njëherit një paralelizëm në mes lexuesit apo studiuesit dhe subjektit në roman. Kjo është dëshmi e pjekurisë së lartë artistike të autorit që arrinë t’i thyej kufijtë e rëndomtë krijues-vepër-lexues dhe anasjelltas. Dilemës së shtruar më lartë autori i jep një përgjigje optimiste apo më mirë të themi shpresëdhënëse. “Jo do të kesh. Ti ke fuqi për tërë jetën”13 do t’i përgjigjet plaku zërit të tij të brendshëm që vie nga thellësia e shpirtit të tij. Këtyre lëkundjeve shpirtërore si edhe shumë lajthimeve tjera për të cilat plaku fillon të dyshojë thjesht në mendjen e tij, do t’u japë fund akti final kulminant i ndeshjes së tij me peshkun. Pas shumë përpjekjesh të mundimshme, ai arrinë ta qëllojë me fushnjëzë idealin e tij të kahmotshëm. Dhe mënyra si e përshkruan ai fundin e jetës së peshkut, respektivisht fillimin e një jete të re të tij është shumë interesante. “Atëherë peshku u gjallërua, megjithëse kishte vdekjen brënda dhe u ngrit lart mbi ujë, duke treguar gjithë gjatësinë dhe gjerësinë dhe gjithë forcën dhe bukurinë e tij”14.
Këtu gjendemi para një udhëkryqi ideshë, disfata e peshkut që aludon në fitoren e njeriut mbi qëllimin e tij, në njërën anë dhe fitorja e plakut që aludon kësaj radhe në një vazhdimësi të një lufte të mëtutjeshme.
Peshku që pikërisht tani thekson forcën dhe bukurinë e tij, gjendet tani në duart e plakut dhe sa do të jetë ai në gjendje ta mbrojë atë do të varet nga aftësitë dhe mundësitë e tij. Edhe pse paralele njëra me tjetrën vija e frikës dhe e optimizmit e kalojnë nganjëherë për disa shkallë njëra tjetrën. Këtë e dëshmon vetëdija e plotë e plakut që tani ndodhej para një pozite mjaft të vështirë dhe kishte të drejtë për t’u frikësuar.
Deri më tani Hemingueji e kishte kursyer atë nga dyshime të tilla, por tani situata vjen e bëhet më dramatike. I vetëdijshëm për këtë plaku Santiago do të “duhet tani të punojë si skllav”15 dhe thënë më shtruar, plakun e ndajnë vetëm disa momente nga ajo që do t’a thyej e do ta zhgënjejë deri në pakufi. Të gjitha përpjekjet e tij të deritanishme vijnë e shtrohen në një pikë të vetme që i sintetizon njëherit përpjekjet e njeriut si qenie komplekse.
Kjo pikë njëherit është kulmi më i lartë i relievit të madh heminguejan. Këtu do të gjendemi para mijëra pyetjesh, mijëra përgjigjesh, mijëra dilemash por është e pamundur të jepet një vlerësim që e shpreh në mënyrë të plotë problematikën që në të vërtetë shtron Hemingueji.
Deri më tani plaku kishte shpenzuar gati një shekull për këtë ditë të madhe dhe tani që e realizoi idealin e tij do të duhen vetëm disa çaste për t’ia shkatërruar atë ideal. Ky fenomen të shtyen të mendosh më gjatë për atë që lidhet me fatin njerëzor apo me fuqitë e mëdha që e diktojnë këtë fat.
Dallimi në mes të kohës së gjatë të pritjes për t’ia arritur një qëllimi dhe kohës së duhur për t’a rrënuar këtë qëllim sjell deri te dyshimet shumë të mëdha që rrallëkush diti t’i shtrojë ashtu sikurse Hemingueji.
Shikuar me syrin real ky është një fakt mjaft fatal që në personalitetet e dobëta do të krijonte probleme psikike, por shembull konkret të qëndrueshmërisë kësaj radhe kemi figurën e madhe të plakut Santiago. Mënyra si jetoi ai dhe si u përballoi stuhive të jetës përveç që shpreh dukuri komplekse të qenies njerëzore, është edhe një model i personalitetit stoik, por edhe tragjik edhe optimist njëkohësisht, ndërsa pesimizmi është notë latente që kërkon analizë më të thellë.
Njëra prej episodeve më të bukura në roman është lufta e plakut me peshkaqenët. Në këtë ndeshje plaku hyn me shumë pak shpresë se do të ngadhnjejë dhe arsyeja e tij është e madhe. I vetëm, në moshë të shtyer, i rraskapitur siç ishte ai ishte mjaft vështirë të luftonte me atë që ai e quante “peshkaqen që nuk ka frikë nga asgjë dhe që bënë atë që do”16. Derisa pak çaste para se t’i kanosej rreziku “plaku nuk i hiqte sytë nga peshku që të sigurohej se nuk qe në ëndërr”17 tani kur gjendet para një situate të tillë vërtetë dramatike ai mendon se “do të ishte mirë që kjo të qe ëndërr”18.
Këto mendime antagoniste nuk do të na befasonin aspak sikur t’i shihnim tek ndonjë moshë e re p.sh. tek Manolini, por duke pasur parasysh moshën e plakut që me plotë të drejtë e quajmë urtësi, kjo është një dilemë që do analizë të veçantë. Shih sa e thellë është ideja e përgjithshme e Heminguejit, një jetë të tërë e vë në sprovë me disa çaste të vetme. Njeriu nuk qenka kullë e pamposhtur e as qenie stabile që formohet nga koha për të mos u thyer lehtë. Ai me kompleksitetin e tij do t’a dëshmojë labilitetin po edhe qëndrueshmërinë e tij përpara sprovave jetësore në çfarëdo moshe e çfarëdo rrethanash.
Se ai është njëkohësisht i dështuar dhe optimist Hemingueji arriti ta dëshmojë këtë dukuri që rrallëherë mund ta besosh e lëre më ta hasësh diku. Do ta ilustrojmë këtë më së miri përmes një krahasimi që Hemingueji e bënë jo për të parën herë në krijimtarinë e tij, por kësaj radhe në mënyrë të pjekur artistike:
“E kisha punën kaq mirë, sa që s’mund të vazhdonte kështu, sepse e mira nuk vazhdon gjatë”19, thotë plaku për të vazhduar shkallën e dytë të dramacitetit:
“Njeriun mund ta asgjësosh por jo ta mposhtësh”20 gjë që na jep xixat e një optimizmi dhe vjen e bëhet më e fuqishme te shkalla e tretë:
“Mos u mendo plak. Lundro në drejtim që ke marrë dhe përballo të keqen kur të vijë”21, që njëherit është edhe mendim i lidhur drejtëpërdrejtë me idenë kryesore të roamanit, qëndrueshmërinë e njeriut përballë sprovave të rënda jetësore.
Ky krahasim i fuqishëm artikulon në vete momente dramatike që në botën shpirtërore të njeriut shumë herë janë edhe të papapranueshme. Shumë krijesa njerëzore nuk janë në gjendje t’u përmabahen këtyre parimeve heminguejane, prandaj edhe problematika komplekse që përmban në vete kjo vepër shpeshherë ngelet për shumëkë një enigmë e pazgjedhur.
Në tragjedinë e fatit njerëzor këtë rast plakut Santiago do të ngadhnjejë ideja e Heminguejit i cili në disa pika i mbetet borxh plakut për disa komplikime që ia rëndon atij mbi supe, p.sh. plaku megjithë përvojën e gjatë jetësore dhe megjithë eksperiencën e vullnetin e tij për peshkim, në një moment të caktuar gjatë ndeshjes së tij me peshaqenët ai e paraqet si të papërgatitur mirë për këtë ndeshje. Atij i mungojnë shumë gjëra dhe këto vërejtje i vijnë nga vetë zëri i Heminguejit drejtëpërdrejtë.
Monologu i dialogizuar të cilin e hasim në roman shumë shpesh e shton bukurinë artistike dhe jep momente dramatike më tepër se kudo tjetër. Pothuajse tërë kohën plaku bashkëbisedon me dikë, qoftë me peshkun apo edhe veten e tij, por kjo vjen e bëhet më e fuqishme te ndeshja me peshkaqenët ku për një çast është e vështirë të përcaktohet se zëri i kujt është më i theksuar i plakut, i unit të tij apo i vetë Heminguejit.
Mënyra se si i drejtohet plaku peshkut pak para fundit të tij është mjaft prekëse, duke e parë trupin e tij të gjymtuar e të sakatuar ai ndien keqardhje të madhe për të dhe fillon ta vërshojë me arsyetime që shprehin një shfajësim të tij para asaj që nuk ishte në gjendje t’i dalë zot.
Pse vallë plaku ndien brerje të ndërgjegjjes në këtë rast?
Ky është njëri nga çelësat e shumtë të zbërthimit të enigmës jetësore. Njeriu sa është i gatshëm ta zotërojë një ideal jetësor nëse arrinë ta ketë në duart e tij, ky është kuptimi logjik i pyetjes së parashtruar.
Njeriu mund të jetë i gatshëm ta arrijë dhe ta mbrojë çdo ideal të tij nëse ka vullnetin e mirë dhe vetëdijen e shëndoshë, por para vështirësive e rreziqeve që i shtron Hemingueji përmes peshkaqenëve, pëgjigjja mbetet disi e cunguar.
Plaku Santiago megjithë ndjenjën e keqardhjes përdorë shpresën dhe dozën e vogël të optimizmit për të arsyetuar dështimet e tij që njëherit s’ishin vetëm të tij. “Do të luftoj gjersa të vdes”22 i premton ai trupit të gjymtuar të peshkut.
Elementi i vdekjes na paraqitet në kontinuitetin e fatalizmit si element pesimist, si një notë fatale e cila nuk ishte ende e shprehur në dozë të madhe. Për një moment plaku e ndien veten si të vdekur dhe kjo në mënyrë indirekte sjell atmosferën e zymtë , të shpresës së thyer dhe një pajtim jo të drejtëpërdrejtë me disfatën e plotë
Pra, fundi është fatal, nga peshku i madh ngel vetëm skeleti i tij dhe plaku disfatën e pësuar e ndien si një plagë të rëndë dhe e pranon para djalit respektivisht moshës së re: “ata më mposhtën, Manolin”23 tha me gjysmë zëri Santiago. Në këtë përfundim kaq tragjik është zëri i rinisë që ngrihet për ta zbutur fatalitetin e plakut dhe për të sjell freskinë optimiste në roman. Manolini i përgjigjet plakut me një përgjigje mjaft interesante “ai nuk të mposhti dot. Peshku nuk të mposhti”24 me këtë vlerësim djali e kthen veprimin në gjendjen e mëhershme, respektivisht para ndeshjes me peshkaqenët. Këto kthesa nga shkalla e fundit në të mesmen etj. Hemingueji i fut për të krijuar efekte artistike si dhe për ta zbutur tensionin dramatik.

_________________________________________________
1 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq.21
1 Po aty, fq. 25
2 Po aty, fq.25
3 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq. 27
4 Po aty, fq. 29
5 Po aty, fq. 30
6 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq.33
7 Po aty.
8 E.Hemingueji, Plaku dhe deti , Rilindja Prishtinë, fq.40
9 Po aty
10 Po aty, fq. 42
11 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq. 44
12 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq. 59
13 Po aty.
14 Po aty, fq. 61
15 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq. 61
16 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq. 65
17 Po aty, fq. 64
18 Po aty.
19 Po aty , fq.67
20 Po aty.
21 Po aty.
22 E.Hemingueji, Plaku dhe deti, Rilindja Prishtinë 1983, fq. 75
23 Po aty, fq. 80
24 Po aty