***
Kur të vdes, nuk do them: isha.
S’do kërkoj mëshirë, as emra fajtorësh,
Ka në botë gjëra më të rëndësishme:
Hove të zjarrta, trimëri dashnorësh.
Ti – me flatër që më re në gjoks,
Ti fajtor i hajthëm frymëzim –
Unë ty të urdhëroj – rrofsh!
Dhe s’do dilja tëndit robërim.
30 qershor 1918
***
Netët pa të dashurin – dhe netët
Me të padashurin, dhe yjet e mëdhenj
Mbi kokën rebele, dhe duart
E shtrira drejt Atij
Që kaherë mungon – e s’do të jetë…
Që nuk mund të jetë – e duhet të jetë…
Dhe lotët e djalthit për heroin,
Dhe lotët e heroit për djalthin,
Dhe malet e lartë shkëmborë
Mbi gjoksin e atij që duhet të jetë poshtë…
Di gjithë ç’ka qenë, gjithë ç’do të jetë,
Di të fshehtën shurdhmemece të tërën,
Që në gjuhën e errët e të ngurosur
Prej njeriut quhet – Jeta.
Midis 30 qershorit dhe 6 korrikut 1918
S.E.
Mbi pllakën aspide i shkrova unë
Dhe mbi gjethet e verdha shkruar i kam
Dhe mbi rërën e detit dhe të lumit,
Me patina mbi akull, me gishta mbi xham.
Dhe në trungje i gdhënda inicialet e tua…
Dhe, më në fund – i hodha në eter! –
Që bota ta dinte se të dua! Të dua! –
E hodha firmën – qiellit me ylber.
Sa desha, ai shkrim kurrë të mos vdesë,
Të lulëzonte me mua! Nën gishtat e mi!
Dhe pastaj unë, ballërënë mbi tryezë
Ta shuaja atë emër me një kryq të zi.
Por, në dorën e shkruesit – shitës me naze,
Ti strukesh! Ti që më je aq i shtrenjtë!
I mbetur te unë! Brenda unaze!
Ti ruhesh në pllakat me shkrim të shenjtë.
18 maj 1920
***
S’dua nder, as dashuri. Boll.
– Të dehesh. – S’do të thotë të lakmosh!
S’dua madje as një kokërr mollë
– Nga tezga – ashtu kur të josh…
Diç zvarritet pas meje me zinxhirë,
Pas pak me buçimë do të buçasë.
– Ç’kam një dëshirë,
Ç’kam një dëshirë –
Vdekja butësisht t’më godasë!
Korrik 1920
***
E di, do vdes në të përflakur! Në muzg a agim.
Tok me njerin nga të dy. – Dhe s’ke si të
zgjedhësh!
Ah, të mund të fikej dot dy herë pishtari im
Me të përflakurën e muzgut e të agimit
njëherësh!
Mbi dhé me hap valltareje eca! – Bijë e qiellit!
Me futën plot trëndafila! – Pa thyer një filiz!
E di, do vdes në të përflakur! – Po natën
e Skifterit
Nëpër shpirtin tim prej mjellme Zoti
s’do ma nisë!…
Me dorën e brishtë do ta shtyj kryqin e paputhur
Në qiellin bujar do hidhem pas të fundit
përshëndetje.
Përmes përflakjes – e me fjalën e
buzëqeshjes këputur…
– Dhe në lemzën e agonisë do të mbetem poete!
Dhjetor 1920
***
Njatjeta! S’jam shtizë, as gur:
Unë – ndër gratë një grua:
Jeta. E tëra e futur
Në gjumin tënd të shqetësuar.
Eja (Në gjuhën me dy kuptime:
Ja! – nepërkë me dy kokë!)
Kapmë në harenë time
Të shkujdesur, këmbekokë!
Me mua! – Krejt ditën sot në strunë
– Me mua! – në ski! – Me mua – me mua!
Për ty gëzof të ri vesha unë:
Të shtatin, të praruar!
– Imi! – dhe me çfarë çmimi
Parajsa – kur në duar, në gojë –
Jeta: krahëhapur gëzimi,
Të përshëndesë kur të agojë!
25 qershor 1922
***
Oh, ti kërpudhëza ime, rrathje e bardhë!
Po vajton fushës një Rus – mendtë vërdallë.
Ndihmë, ndihmë – nuk rri dot më këmbë!
Dhe m’i mjegulloi sytë gjak i rëndë!
Dhe majtas dhe djathtas
Fyte të përgjakur,
Dhe çdo plagë e rënë:
– Nënë!
Këtë zë dhe e shurdhër
Pa ndier s’e kisha lënë.
Nga mitra – dhe në mitër:
– Nënë!
Të shtrirë kaq pranë,
Të kapur për fyti.
Shikon: ushtarë.
Ku i huaji, ku yti?
I bardhë qe – i kuq u bë:
E skuqi gjaku.
I kuq qe – i bardhë u bë:
Vdekja e zbardhi.
– Kush je? – i bardhë? – S’të kuptoj!
Çohu pak.
Mos të kuqtë e humbën? – Rja-azanin.
Dhe djathtas dhe majtas,
Nën diell e nën hënë
Dhe i kuqi dhe i bardhi:
– Nënë!
Pa urdhër, pa inat –
I ngritur – zëgjëmë –
Gjer në qiell lart:
– Nënë!