EDITORIAL – nr. 4

Autorja: Sazana Çapriqi

Ta fshehim dhunën!!!

Nuk ka dhunë shtëpiake në familjen kosovare!!! .
mundoheshin me çdo kusht t’i mbushnin mendjen auditorit disa ekspertë kosovarë të ftuar që të referojnë për dhunën në familjen kosovare në një tryezë organizuar në Prishtinë. Secilit që guxon të pohojë të kundërtën ata i kërkonin shifra e fakte. Por këto ose mungojnë ose janë të pakta dhe ata e dinë shumë mirë këtë. Mirëpo, mungesa e statistikave të tilla nuk i jep askuj të drejtën e mohimit të një plage kaq të rëndë të shoqërisë.
Dhuna shtëpiake nuk është zbulim ekskluziv i shqiptarëve. Dhunë të tillë ka gjithkun nëpër botë. Dallimi është megjithatë i madh se ne arrijmë ta fshehim derisa të tjerët e luftojnë publikisht atë. Faktorët që e nxisin dhe situatat që e favorizojnë janë nga më të ndryshmet, sikurse edhe struktura intelektuale, arsimore, etnike, fetare etj. e njerëzve që ushtrojnë dhunë ndaj anëtarëve të tjerë të familjes. Janë këto elementet që merren në konsiderim gjatë analizave e hulumtimeve që bëhen në botë me qëllim të parandalimit, pengimit apo të sanimit të pasojave të një dhune të tillë, e jo me qëllim të aryetimit të saj.
Dhuna shtëpiake është një temë shumë e dhimbshme për t’u diskutuar, prandaj s’ka njeri në botë që të mund të krenohet me shkallën e përhapjes së saj në vendin e vet. Askush nuk dëshiron t’i nxjerrë në shesh të palarat, por pasojat e heshtjes dhe arsyetimit të dhunës janë edhe më të dhimbshme edhe më tragjike. Prandaj sot në botë bëhen hulumtime, publikohen statistika e përpilohen ligje me qëllim të parandalimit të saj.
Te ne bëhet thirrje që për hir të së mirës së përgjithshme mos të merremi me “vogëlsira”, duhet sakrifikuar e mira individuale për hir të asaj kolektive sepse familja shqiptare, përkatësisht kosovare i ka specifikat e veta, si vlera që kurrsesi nuk duhet ndryshuar. Duhet ruajtur tradita. Pra sakrifikimi i të drejtës individuale në të mirë të asaj kolektive nuk është dhunë. Thënja e tillë është pjesërisht e saktë sepse një sakrifikim i tillë mbase nuk është dhunë nëse bëhet me vullnetin e lirë të individit por në rast se individit i imponohet doemos një zgjedhje e tillë përmes formash të ndryshme të presionit e dhunës ajo s’ka se si të quhet ndryshe pos dhunë shtëpiake.
Statistikat se sa është e shprehur tek ne një dhunë e tillë mungojnë. E megjithatë për fat të keq as ne nuk ndryshojmë, në këtë pikëpamje, nga të gjithë popujt e tjerë të botës. Dhunë shtëpiake ka e do të ketë sa kohë që heshtet për të. Pikërisht këtu duhet të kemi shumë kujdes sepse heshtja e dhunës pra heshtja e krimit na bën pjesmarrës në krim.
E, cila pra është ajo traditë që predikon krimin? Cila është ajo traditë që duhet ruajtur me çdo kusht edhe atëherë kur ajo të zë frymën me dhunë? Dhe në fund fare. A është më e drejtë t’u bëhet apel viktimave që të durojnë dhunën për hir të një interesi të madh kombëtar (ç’dobi mund t’i sjellë kombit dhuna !!!) apo dhunuesve që të ndalin pakëz veten?