Arka e nuses – kjo botë më vete
Përmbajtja e shkurtër: Arka e nuses shqiptare , më shumë se ç’është farë malli me vlerë materiale , është Projeksion Entropik i shpirtësisë së subjektit posedues . Si materialitet , ajo është dëshmi e përmasave të vrazhda jetësore , ndërsa si simbolikë psikologjike (edhe etno ) ajo merr vlerën e perfomativitetit të shenjës simbolike të Intimes , në suazat e mundshme të pranisë së një intimiteti të nuses shqiptare ( qoftë kjo edhe një intimë spekulative e vetëkënaqjes ) .
Arka dhe logjika e Etnosit
Ky shkrim është një eseistikë që niset ngta e veçanta dhe do kuptuar si i tillë. .
Arkat , të quajtura bukur shpesh edhe “ kuti “ , si prerje, si thyerje e si përbërje , që domethënë si arkitektonikë , nuk përbëjnë kushedi se cfarë objekti atraktiv dhe , me sa kuptohet , historikisht ato e kanë përfituar më shumë funksionin e “ utile “ – s se sa të “ dulce “ – s , si objekte mobiluese që kanë qenë . Këtë e konfirmon vetë ndërtimi i saj në formën e kutisë , hapësira brenda së cilës shfrytëzohej për ruajtjen e gjësendeve të nevojshme e me vlerë , që prej pajës e rrobave personale e deri te stolitë , por edhe të gjësendeve jopersonale që u përkasin të tjerëve , familjarëve e të dashurve si dhe të kuptimeve abstrakte të cilat mund të lidhen sociopsikologjikisht me botën e kësaj arke . Mirëpo intenca e punimit të arkës si objekt utilitar , nuk i përjashton kategoritë shpirtërore dhe metafizike të subjektit posedues aposterioiri .
Si të tilla , arkat duhet të jenë shumë të vjetra për nga funksioni i pranisë së tyre si mobilim I dhomës nusërore , e në raste të caktuara edhe i dhomave tjera . Fakti pse ato janë ende prani e gjallë e një ambienti shqiptar , sado që në përmasa shumë të rrudhura , dëshmon anomalinë e dy statuteve : një , të statusit kulturor , ekonomik e urban shqiptar , dhe dy , të statusit të parealizuar në paramasë të dukshme të gruas shqiptare , në ditët e sotme .
Arka është vetëm një ndër ato elemente me rëndësi të një lloji të veçantë që e përbëjnë jetën shqiptare me shekuj (sado që arka nuk është ekzkluzivitet shqiptar ) dhe përmes venerimit të konstruksionit dhe embrionit funksional tonit funksional të së cilës mund të hyhet në njërin pol të Logjistikës së Etnosit shqiptar , që kahmot e drejt të sotmes .
Kuptimi i formave
Edhe format e arkave, historikisht janë zhvilluar si paramasa utilitare, duke nënkuptuar kështu madhësinë e arkës në raport me sasinë e mallërave që do të futeshin brenda saj. Formati i arkave është ai i kutive klasike, dhe përjashton stilizmat arkitektuale të ndërtimit. Stilizmat e tilla do të duhej të nënkuptonin një treg më të shtrenjtë, çfarë s’mund të kishte në ambientet e një zhvillimi të ngadalshëm dhe pa kushedi çfarë kërkesash estetike. Pra, format praktike të arkave u zhvilluan si diktat i funksioneve pragmatike të jetës. Një emërues i përbashkët i përmasave formale të këtyre arkave, për nga lartësia, gjerësia e gjatësia, ishte përafërsisht ky: 42x44x96(cm) (fig.1). Ndryshime nga këto përmasa mund të hasen por ato nuk janë të mëdha. Kjo shpjegohet edhe me prodhimin a punimin e tyre sipas logjikës serike, nga ana e zdrukthtarëve.
Megjithatë edhe brenda një territori të ngushtë gjeografik shqiptar, mund të dallohern disa lloj arkash, që kanë ndonjë tipar të veçantë formal të konstruksionit. Pa pretenduar që të merren përgjithësisht me përmasat e arkës, të them shkarazi se në një qytet kosovar më ra të dëgjoj për këto lloj arkash:
Pantoshe
Të ndërmjeme
Venedikase dhe
Batalle (të thjeshta?!).
Dallimi themelor mes këtyre formave të arkave konsiston në të dhënën se dy format e para janë më klasike, ndërsa këto dy të fundit më të sofistikuara; ta zëmë, kapakët e arkave batalle janë gjysmë harkorë, me çka thehet vija gjeometrike e katrorit, përkatësishtr kutisë paraleopipede.
Të shumtën e herave, në anën e jashtme të arkave, janë bërë stilizime motivesh të ndryshme, me ngjyra. Aty – këtu mund të hasen edhe elemente miniaturale të gdhendjeve me dorë mbi sipërfaqe të arkës. Motivet e punuara mbi sipërfaqet e arkave janë kryesisht floreale me ndonjë kombinim zoomorf e iskër motivi gjeometrik.
Përgtjithësisht, kuptimi i formave të arkave sygjeron ekzistimin e kanonizimeve të caktuara kulturore e sociale të cilat, pos tjerash paraqesin interes edhe për vrojtime nga thjerrëza e antropologjisë kulturore.
Brendia
Brendia e arkës shëmbëllen me një mozaik të vogël apo një kaleidoskopi ngjyrash e materialesh. Siç thamë më lartë, aty gjenden, prej pajës e deri te stolitë (unaza, lira, vathë), për të cilat ekziston një e ndarë e veçantë e quajtur “peshtah” (ku mund të lihej edhe ndonjë kozmetikë eventuale, ujë kolonje etj.). Aty është futur mjeshtëria e artizanateve; e qëndismave, avlëmendit. Do me thënë, në arkë banon edhe arti i dorës së gruas shqiptare më shumë se çdokund tjetër. Arti i Dorës së hollë, përmes së cilës shpërfaqet hollësia e ndjenjave, përjetimeve e kujdeseve.
E shohim arkën e zonjës Qamile Dibra (në Gjakovë), (fig.2). Ajo arkë e mbuluar (siç mbulohen zakonisht) me një mbulojë më qëndisma për anash, dukej si njëlloj sarkofagu që ruan brenda mumjen e balsamuar. Dhe vërtet, kur nxirren ato që janë brenda, të punuara qysh në kohën e Zogut nga duart e Qamiles, duken aq të ruajtura e shkëlqyese mu sikur t’u ishte hedhur një pluhur balsami. Ka aty: këmishat e qëndisura me fije ari, shamija xhepi, fanella, punime të ndryshme avlëmendi, marhama, çevre, kostume, mintane; madje në të ndarën e peshtahut ( fig.3 ), ndodhen ende, që atëherë, ca imtësira kozmetike ( të ardhura në atë botë nga Italia ) dhe ndonjë nga fotografitë e zonjës e cila na lë të kuptojmë se dikur, para disa dekadash, kur ajo kishte ardhur nuse, ishte dashur edhe një arkë tjetër po si kjo, që t’i zinte tërë prodhimet e duarve të saj. Dhe, hetohet që, zonja i ruan jo pa një çikë xhelozi tërë ato qe lidhen me arkën e saj, që do të thotë – me kohëne saj. Njeriu kishte përshtypjen sikur as bijat e mbesat e saj nuk e kishin të njohur detajisht, deri atë ditë, tërë atë thesar të saj. Kjo lë të zhvillohet hipotezën se në arkë është ruajtur gjithmonë edhe një lloj fshehtësie, ose më mirë të thuhet, një frymë e një misteri. Në rastet e humbjeve të hershme të më të dashurve; burrave, fëmijeve etj., në arke janë ruajtur gjëra nga të tyret, madje janë paluar në fund të arkës, për të mos u çikur shpesh me dorë dhe për ta kultivuar kështu mitin e të shënjtave. Para arkave, kanë rrjedhur lotë gëzimi, por kanë rrjedhur po aq, në mos edhe më shumë, lotë dhembje e pikëllimi të pamasë.
Zakonisht, të drejtën e hapjes së arkës, të mbyllur shpesh me dry, e ka gëzuar si rezervim të veçantë vetëm pronarja e saj ( nusja, gruaja ). Ky ligj i posaçëm është ajo që arkën e bën veçanti, par exellence, për jetën e nusës dhë gruas shqiptare. Apo është e rastësishme që zonja Qamile në kapakun e arkës së vet kishte shkruar datën e martesës si dhe emrat e datat e lindjeve të fëmijëve ( shih fig.3 ), madje me laps “bojali“ ,siç thotë ajo, për të mos u fshirë. Prej këtu edhe iluzioni se datat e lidhjes me më të dashurit, nuk janë të sigurta nëpër zyrat e vendit dhe nëpër librat e të kurorëzuarve e të lindurve, sa në kapak të arkës. Ndërsa ndonjëra ka shkruar kështu data gëzimesh e lindjesh, ndonjë tjetër bëhet që ka shkruar data tronditjesh, kobesh e sëmundjesh.
Arka, Misteri
Arkën, në shumë rrethe, ia blenin nusës prindërit, si pjesë të pajës të cilën ajo do ta çonte te burri, po në rrethe tjera atë e blente familja e burrit. Si do që të jetë, pavarësisht se nga ç‘anë do të vinte, ajo do të bëhej e dashur gjithsesi për nusen. Edhe kur ajo me padëshirë shkonte te burri, duke mos e njohur atë, edhe kur ajo kishte një lloj informacioni a lidhje me vendin ku shkonte nuse dhe me personin për të cilin martohej. Domethënë, arka ishte: ose ngazëllim, ose ngushëllim, duke e qarë një shami a një fotografi fshehurazi të tjerëve dhe duke e paluar e mbyllur në dry. Po ka edhe raste, kur arka ka shërbyer edhe si një lloj altari para të cilit nusja apo gruaja e ka qarë zbrazëtinë e jetës, sepse vetëm ai objekt ka ruajtur atë dozë intimiteti para të cilit ke mundur të qahesh.
Konteksti historik dhe sociokultoror shqiptar e ka rrudhur qenësinë dhe pasurinë e jetës në përmasa të dukshme, por në mënyrë fare të veçantë e ka reduktuar kompleksitetin e jetës së gruas. Kështu, reduktimi i përmasave të komunikimit e të njohjes, i mënyrës së të jetuarit dhe të menduarit, u ka dhënë shumë objekteve vlerë simbolike të ikonës, duke i shëndruar ato në elemente të një entropie simbolike, te cilat vetëm mund të shërbejnë sa për shenja orientuese kah gjurmimi i Logosit të kontekstit dhe psikologjisë që i prodhon dhe i konservon ato. Hulumtimi i Arkës, është pra gjurmim pas Logosit dhe Misterit të femërorësisë shqiptare, sikur që më pastaj bëhet pjesë e Logosit më të gjërë. Arka, në çaste të caktuara, e ka nënkuptuar në vete një lloj Sezami të vogël, që ka ruajtur enigma dhe ka ofruar begati. Sikur që ndonjëherë ajo ka qenë një varr ku është ruajtur Shkretëtira e shpirtit së nuses, së cilës jeta i ka qenë koprrace.
Kur pyeta një plakë se mos kishte mbajtur në arkë ndonjëherë gjëra të fshehta, ajo me një arrogancë e cinizëm të dukshëm m’u kthye: “E çka kam pasë me fshehë unë, bre djalë?”. Pa dashur, ajo po e zbulonte fatalitetin e moshës së saj të re dhe të simotrave të saj. Po e zbulonte atë lloj zbrazëtie që lind nga raportet e kufizuara njerëzore. Po e zbulonte tragjikën e përkufizimit të gruas shqiptare sipas kanunit të maleve ku ajo figuronte si subjekt plleshmërie dhe rrogëtarimi, pa “privilegjën”: “me mendue “ dhe “me dashtë”, sipas vetjes së saj.
S’do mend që, Arka e Nuses (Gruas) shqiptare është një godinë muzeale ( aty – këtu jo muzeale ) ku janë paluar çaste pune, ndjenjash, mendimesh e përjashtimesh nga më të ndryshmet. Aty janë bërë një: mjerimi i shkretëtirës materiale dhe i pavullnetit e ligjeve të egra jetësore dhe pasuria e shpirtërave të brishtë që bëjnë çmos për të ngadhnjyer mbi gjithë këtë. Dëshmi e kësaj dëshire për ngadhnjim, janë edhe ftonjtë e herëpashershëme të cilët vehen në arkë nga ndonjë nuse me veshje subtile ndjenjash, për t’i dhënë kështu arkës dhe gjërave që janë brenda saj aromën e vet të këndshme, përmes së cilës do t’i ipej një trohë kuptim edhe shkretëtirës që do të banonte aty, pavarësisht pse ftonjtë kanë edhe funksione tjera simbolike.
Si e tillë, arka ruan një monumentalitet shpirtëror përpara të cilit s’ke se si të mos kesh respekt dhe kureshtje.