Te teatri, një dite të ftohtë.

Autorja: Nerimane Kamberi

I kishte propozuar dy ditë më parë që ta shoqëronte në një organizatë, ku donte të kërkonte punë. “Do ta ndiej veten më të sigurt me ty. Eshte hera e parë që po paraqitem në një vend të tillë” i kishte thënë në telefon.
E lanë takimin te kiosku ku e blente çdo mëngjes gazetën ditore. Si zakonisht, ajo u vonua pak. Ishte veshur bukur. Thjesht, por bukur. Flokët i kishte prerë pak, tash i kishte të shkurtra. I kishte ngjyrosur. I rrinin mirë. U përshëndetën dhe ecën kah qendra e qytetit.
Qielli ishte i kaltër dhe dielli mundohej të tregonte tërë fuqinë dhe shkëlqimin e tij. Por, bënte ftohtë. I shtrëngonin palltot rreth vetes, që të mos hynte era e ftohtë deri në pullover e përmes puloverit deri në lëkurë. Ishte fillimi i vjeshtës, por temperatura kishte zbritur gati në zero, thuajse ishte mesi i janarit. Vazhdonin rrugën duke i shkëmbyer gëzimet dhe brengat e këtyre ditëve, përditshmërinë, asgjë të jashtëzakonshme apo interesante.
Qyteti festonte. Së paku ashtu e kishin ndjenjën. Njërëzit kishin dalë të gjithë në rrugë, i madh e i vogël. Disa shkonin kah qendra, të tjerë kthenin te Universiteti, disa kah tregu. Gjë e çuditshme: bëntë shumë ftohtë dhe rrugët ishin plot kalimtarë. Gjallëri, ndoshta, jo edhe aq e rastësishme. Katër ditë kishte qenë festë, një festë shtetërore që kalonte gati e pavërejtur, pa muzikë shesheve dhe tregjeve, pa llampa dhe zbukurime të tjera. Përkundrazi atëherë i kishte rënë qytetit një heshtje sikur t’i kishte rënë ndonjë murtajë apo sëmundje tjetër. Dyqanet e kishin vënë drynin te dera. Ta merrte mendja se pasi i kishin mbyllur ato, pronarët e kishin përpirë çelësin, përgjithmonë të mbeteshin të mbyllur, asgjë të mos lëviz më.
Te zyrja kryen punë shumë shpejt. Vetëm ajo e mbushi një formular në gjuhë të huaj dhe e dorëzoi te një vajzë e gjatë, zeshkane, e cila i premtoi se shumë shpejt do ta thërrasin. Dolën, pa e ditur se a do ta thërrasin për t’i thënë se është pranuar dhe se duhet të fillojë menjëherë punën, apo e thërrasin për t’i thënë jo, se nuk kishte patent shoferi, apo se shumë pak e zotëronte kompjutorin, apo… Megjithatë e ndjeu vetën mirë. E kishte kryer një punë të madhe, që i kishte mbetur qe sa kohë në plan pa u realizuar.
Duke biseduar, kishin marrë rrugën në drejtim të kundërt nga lagja ku jetonin në apartamente. Ecnin kah teatri. “Po më duket se asnjëra nuk ka dëshirë të kthehet drejt në shtëpi. Vërtet ka shumë kohë që nuk jemi parë. Ti i kishe fëmijët të sëmurë, unë isha e zënë me përgatitjen e atij libri të matematikës. A do të hyjmë diku për ta pirë nga një kafe?

Me gjithë qejf por…

Kjo ditë është e mirë. Posaçërisht për dy shoqe që s’janë parë moti . Të shkojnë në atë lokalin atje, afër teatrit. Më vjen keq që është kaq ftohtë, do të uleshim edhe një terasë.”

“Më binde. “
Hynë në lokal. Disa koka u kthyen për t’i shikuar ato, më shumë si shprehi sesa si kureshtje. Në këtë lokal gjithmonë rronte diskrecioni dhe heshtja. Edhe kësaj here ashtu ishte. Vetëm muzika u dëgjohej, një muzikë që ato e kishin dëgjuar shumë në vitet e para të studimeve. Por, ajo, në vitin e tretë ishte martuar dhe i kishte braktisur amfiteatrot dhe bibliotekën e fakultetit. Kishin mbetur shoqe të mira.
“Është hera e parë që po vij këtu. Po më pëlqen atmosfera. Dhe ky dekor prej druri më sjell një ngrohtësi…
Ashtu? Më vjen mirë. Unë shpesh vij këtu. Herën e fundit, hiç më larg se parmbrëmë, kur dolëm nga teatri, erdhëm për ta pirë një gotë verë të kuqe të vluar. Nuk di pse, por pata të ftohtë gjatë shfaqjes.
Kisha dëgjuar për këtë lokal dhe e kisha parë. Megjithatë…”
Dhe për herë të parë, unë që e njihja këtë grua tash e 10 vjet, e pashë duke u skuqur. Ktheva kokën kah dera, për të parë mos hyri dikush që e vuri në atë gjendje hutimi. Por jo, askush nuk kishte hyrë. E ktheva kokën kah ajo. I mbante sytë teposhtë. Faqet i kishte akoma të skuqura, edhe më shumë së para një minute. I thashë diçka, një fjalë të shkurtër, nuk më kujtohet se cilën. E di vetëm se ajo nuk më dëgjoi, nuk m’u përgjigj. Ishte humbur në mendime. Më dukej se kishte harruar se ku ishte, se ishte me mua. Kjo gjendje nuk i zgjati shumë. Unë kisha mbetur duke e shikuar me insistim, tash unë isha duke u humbur në një humnerë mendimesh.
“ Më fal. Nuk di… Ky vend, kjo muzikë, ti…Moti nuk më ka kapluar një ndejnjë e tillë mirëqenieje. Po e shoh tash se kisha patur nevojë për një pauzë të tillë në ditët e në netët e mia të njëjta, pa ndryshim ngjyre e shije. Vërtet, për pak çaste pushova.
-Kam përshtypjen se diçka po më fsheh. Të njoh mirë. E njohim mirë njëra – tjetrën. Eshtë diçka më shumë se çlodhje…A po gaboj?”
Ajo prapë u skuq. Pa folur. Pa asnjë fjalë, e vërtetoj atë që e zbulova përmes hutisë së saj, përmes shikimit të saj.
“Nuk desha të të ngacmoj, të bëhem indiskrete. Më ke shoqe të mirë. Ke besim në mua. Mos ngurro nëse ke diçka që të vlon në zemër. Megjithatë, nuk po insistoj.
Kam diçka që më vlon në zemër. Diçka që nuk më lë të fle e qetë, që ma ka mpirë trurin e trupin. E ndonjëherë ma bën trupin të dridhet i tëri. Kam diçka që nuk mund të shpjegohet, që nuk bën të tregohet.»
Dhe heshti. Edhe unë heshtja. Ajo shikonte kah dritarja e unë e shikoja atë. Nuk doja ta thyeja këtë heshtje. Pritja që ajo të flasë. E dija se do të flasë.
Kamerieri e hoqi tavllën dhe na pyeti se a donim të pinim diçka tjetër. Porositëm edhe nga një kafe, kësaj radhe me qumësht.
“ Të kam kërkuar nja dy herë në shtëpi. Doja të të tregoja …Për fat të mirë nuk të gjeta. Të kisha treguar, e pastaj?
Si pastaj?
A do të më dëgjoje? A do të më kuptoje? Sigurisht do të më gjykoje.
Si mund të mendosh ashtu?
Një ditë, fëmijët i kisha në kopsht, shtëpia shkëlqente, kisha kohë të lirë. Por nuk doja as të lexoj, as të shikoja ato fejtonet e mesditës, as të shkoja te ndonjë shoqe, apo të më vinte ndonjëra. Atëherë, vesha pallton dhe dola të shëtisja, kot, pa ndonjë qëllim dhe pa asnjë drejtim. Dhe, sapo dola, aty te kiosku ku u takuam sot, pashë një burrë të pashëm që blente gazetën. Futi paratë në xhep dhe vazhdoi. E unë, e di se ç’bëra? E përcolla. Si në lojë. Ai nuk më vërente fare. Hyri në këtë lokal. Nga larg e pashë që u ul tek ajo tavolina aty, te dritarja, dhe hapi gazetën. E shikova një kohë të gjatë, nuk di sa. Dhe u ktheva në shtëpi. Ashtu veprova një javë. Ai nuk më shihte. E unë ktheja në shtëpi. Dhe, mendoja.
E vërejti Shpendi atë gjendje?
Jo. Gati edhe nuk është kurrë në shtëpi. Edhe është aq i kujdesshëm se po mendon se po mërzitem se po rri vetëm në shtëpi, se jam e papunë.
Fillove të dashurohesh në atë të panjohurin?
Jo. Nuk ishte dashuri. Më shumë një tërheqje. Një lojë. Një skenë filmi. Nuk dija asgjë për të. Loja ime më përbiu. Shkuam për një javë në bjeshkë. Mendoja se atje do të qetësohem. Hiç. Java m’u duk e gjatë. Ditën e fundit, duke i bërë valixhet, vetëm se nuk fluturoja. Natën, në shtëpi, zgjohesha shpesh, shikoja orën. Në mëngjes, dola te kiosku. Isha vonuar pakëz. Ai nuk ishte te kiosku.
Nuk ishte te kiosku? Dhe?” i thashë, e futur thellë në këtë storie sentimentale.
Dhe? U ktheva në shtëpi. Dhe qava. Pastaj më kaploi një e qeshur histerike. Sa vjet i ke, e pyetja veten. Nuk isha më adoleshente.
Këto gjëra nuk kanë të bëjnë me moshën. Mund t’i ndodhin çdonjërit dhe çdonjërës.
U qetësova dhe u betova se nuk do të dal më në mëngjes. Dhe, erdhi mëngjesi. Dhe, dola. Prapë nuk ishte te kiosku. Solla kokën në të gjitha drejtimet. Ia njoha siluetën. Ecte në trotuar me gazetë nën krah. Zemra filloi të më rrahë shpejt. Eca, shpejtova. U mbusha frymë. Koka më sillej vërdallë.
S’kishe frikë se do të të shihte?
Nuk mendoja fare. Nuk mund ta kontrolloja hapin. As veten. Arritëm afër këtij lokali. Dhe, u kthye përnjëherë, papritmas. Por, jo me brutalitet. Gati se u alivanosa. Buzëqeshte.
“ Ku jeni qe dhjetë ditë?”
Nuk fola. Buzëqesha. M’i përkëdheli flokët, faqen.
“E pimë nga një kafe?”
Unë nuk fola. Buzëqesha prapë. E mpirë. Dhe u nisa me të.
U ulëm në një tavolinë. Nuk folëm deri sa kamarieri na solli kafetë. Atëherë më tha:
“Më kanë munguar hapat tuaj. Keni qenë e sëmurë? Diçka ju ka ndodhur? Ku ishit?
Jo. Gjithçka ishte në rregull. Isha në bjeshkë, për pushim.
Ashtu jeni, siç ju kam paramenduar. Edhe pse një ditë, nga dritarja ju pashë. Por, jo qartë. Doni edhe një kafe?
Jo. Faleminderit. Më duhet të ik.
Do t’ju shoh nesër?
U shkriva nga butësia e fjalëve të tij. E shikova me dashuri.

“ Jo.
Kur?
Nuk di. Kurrë. S’mundem. “Dhe e vura dorën mbi dorën e tij. Nuk ia shtrëngova. Doja të bëja këtë. Dhe dola. Eca shpejt, deri në shtëpi. E gjeta Shpendin të shtrirë mbi kanape, lexonte. Mezi i fola. Dhe, hyra në dhomën time. Doja të bërtisja nga dhimbja. Mallkoja Shpendin që kishte ardhur më herët. Sikur të mos ishte aty, do të kisha uluritur, qarë,..
Pse the jo?
Nuk di. Një javë nuk dola më te kiosku. As nga shtëpia. Vetëm për ndonjë arsye të madhe. Të hënën tjetër, dola. Nuk ishte aty. Erdha deri këtu. Nuk ishte. Kështu veprova një javë rresht. Nuk e gjeta.
Atë ditë, ta tha emrin?
Jo. As unë timin. Asgjë nuk dimë për njëri -tjetrin. Sikur ta shihja edhe njëherë, ta pyesja, t’i thoshja, të dehesha…”

Dhjetor 1998