Një varg me shenja poetike të shlirshme
(Përkitazi me librin me poezi “Suvalë e përgjumur” të Vjollca Dibrës, të botuar nga “Buzuku”, më 1995)
Vepra me poezi “Suvalë e përgjumur” e Vjollca Dibrës është botuar para tre vjetësh, kur autorja ende nuk kishte marrë diplomën e pjekurisë. Përkundër vërejtjes që jepet në parathënien e librit të bërë nga editori i shtëpisë botuese “Buzuku”, se mungon kujdesi ”për kultivimin e krijuesit të ri”, edhe ky libër është fundosur në heshtjen e kompetentëve të cilët çuditërisht nuk i ngacmoi as kjo vërejtje e editorit, as fakti se këtë vepër e shkroi një 19 vjeçare, e cila me librin e saj të parë solli një befasi të këndshme në letrat tona, madje në një kohë kur botohen libra të shumtë pa kriter dhe nga autorë që s’kanë më shumë se kuptimin e numrit!
Libri i Vjollca Dibrës përbëhet nga tri cikle: “E bardha e zezë”, “Nata në mes” dhe “Amulli e pezmtë”, të cilat qëndrojnë të mëvetësishme, por përmes një lidhjeje koherente ruajnë edhe tërësinë e librit. Duhet thënë që në fillim se gama e interesimeve poetike të kësaj krijueseje të re është e shtrirë në rrafshin e dashurisë. Dashuria si motiv i përjetshëm dhe si forcë nxitëse për moshën e saj, në këtë libër jepet me tërë dimensionet e veta. Ajo na shfaqet si mungesë që shkakton dhimbje, si meditim që kuptimëson të qenit, si vetmi totale që bren shpirtin e butë, si pritje e gërshetuar me ndjenjën e ankthit, si harresë që sjell imazhe të turbullta, etj. Meqë ,,engjëjt qajnë pa zë”, siç thotë autorja, ajo këtë ,,vaj” e materializon në vargje, dmth. e thotë me zërin e krijueses që padjallëzisht dhe tepër sinqerisht shpalon në këtë libër ndjenjat e saja. Ndërsa, kjo ndjenjë e butë e autores forcohet dhe ,,shkrin errësirën”, duke hapur ,,shtegtimet e reja” për ta mposhtur frikën nga harrimi, frikë e cila shtrihet në pjesën më të madhe të vargjeve, të shpeshtën si pritje, por edhe herë si shpresim dhe si vetmi, mbase edhe si iluzion. Dashuria në këtë libër na paraqitet edhe si fiksion, por të shpeshtën ka kuptimin e realitetit që autoren e shqetëson në dimensionet e arsyeshme jo vetëm për moshën e saj. Autorja i referohet dashurisë me një ndjenjë të veçantë, ndaj asnjëherë nuk e “ul” këtë ndjenjë në rrafshin e rrëfimit të rëndomtë. Meritë e autores është edhe prova e saj e sukseshme në poetizimin e ndjenjës së mashkullit, i cili si subjekt më i realizuar na paraqitet në prozën poetike ,,Nata në mes”. Duhet thënë se cikli i dytë i këtij libri është i mbushur me proza poetike, të cilat më shumë kanë kuptimin e skicave, të cilat autorja me pak përkushtim ka mundur t’i shtrijë në vagje të shkëlqyeshme. Mirëpo, ato, edhe kështu si janë, me situatat poetike mirë të realizuara, paraqesin një surprizë të njëmendtë. Ndoshta në tërë librin edhe nuk e kemi një situatë të tillë të kompletuar dhe të realizuar poetikisht si në prozën “Nata në mes”, që ndahet në tri pjesë: “Trupi im i bardhë në natën e zezë dhe ai. Dhe trupi i tij krejt tatuazh vuajtjesh dashurish të
papërjetuara”. Tautazhi këtu merr kuptimin e një metafore të mrekullueshme me konotacione të shumta.
Në këtë mënyrë, autorja, duke përdorur vetën e parë dhe të tretë të njëjësit, ndërton dy heronj lirikë, të cilët këtij libri poetik i japin dimensionet e një drame të mbushur me emocione të veçanta, ku e bardha provon të nuancohet mbi të zezën. Veta e parë duke iu referuar ndjenjave të vetës së tretë të njëjësit shpalon një botë njëmend të mrekullueshme të shpirtrave të njomë.
Ka në këtë libër poezi që janë më shumë skicime të momenteve dhe të gjendjeve të caktuara emocionale, ku autorja manifeston optimizmin e saj me ndonjë stërkalë besimi apo atë e shfaq si iluzion, sikundër që ndeshim vargje, ku autorja, përmes protestës si në poezinë “Nuk dua të më thërrasë”, dëshmon temperamentin rinor dhe forcën e gjakut që i vlon ndër damarë. S’ka dyshim se si krijime më të realizuara të këtij libri duhen veçuar poezitë: “Valë kohe “, “Lundron”, “E di”, “Prapë mesnatë”, “Mendime të akullta”, “Aty” dhe “Udhëtarët e kërmilltë”, poezi këto që shënojnë një realizim estetik shumë të kënaqshëm dhe shumë premtues për një krijues të ri.
Gjuha poetike e këtij libri, pjesërisht duket e njohur, mbase kihet përshtypja sikur është vjelë nga të ashtuquajturit autorë shkollor, gjë kjo fare e natyrshme për këtë krijuese- nxënëse, por duhet thënë se, megjithatë, në këtë libër të Vjollca Dibrës gjejmë mjaft shprehje poetike të veçanta, të cilat bëjnë që të jetë transparant individualiteti i saj krijues, i cili dëshmon se nga kjo krijuese me të drejtë mund të pritet shumë. Vjollca përdor një varg të lirë, brenda të cilit shumë shlirshëm funksionojnë shenjat poetike. Gjejmë këtu edhe poezi, të cilat provojnë të ndërtohen në formën e miniaturave, por që nuk e kanë arritur nivelin e kënaqshëm. Po kjo është fare e natyreshme, meqë është fjala për librin e parë, ku autorja dëshmon se është në kërkim të vazhdueshëm të formës dhe shprehjes poetike. Kryesorja është se kësaj krijueseje nuk i mungon talenti dhe guximi që ndjenjat e veta t’i shpreh shlirshëm dhe pa komplekse.
Për fund duhet thënë se në kohën kur tek ne botohen kaq shumë libra, të shumtën pa farë kriteri, Vjollca Dibra me librin e saj “Suvalë e përgjakur”, përnjëmend na vjen si një befasi shumë e këndshme, jo vetëm për faktin se është një krijuese e re, por para së gjithash për vlerat poetike që na i ofron ajo. Shpresojmë dhe besojmë shumë se pas këtij hapi të parë kaq të suksesshëm, Vjollca do të na befasojë për të mirë edhe me ndonjë libër tjetër edhe më të mirë se ky i pari.