Disa të dhëna për tualetin dhe frizurën e grave të Malësisë së Shkodrës dhe atyre të Zadrimës
Ekspeditën e parë etnografike e kam bërë në zonën e Nikaj-Merturit, në korrik të vitit 1971. Prej andej, bashkë me tre kolegët e tjerë kaluam nëpër Dukagjin, në luginën e Bogës e kështu derisa arritëm në Shkodër. Për të gjithë ne ishte vërtet një rast fatlum ky udhëtim pune, i cili zgjati 3 javë. Nuk dinim se çfarë të shënonim e të fotografonim më parë: për numrin e shumtë të brezave familjar, që çuditërisht i mbanin mend që nga më i moshuari e deri te djemtë më të rinj; për legjendat e historisë së krijimit të vendbanimeve, për festat e motmotit e zakonet e jetës familjare, për të drejtën kanunore apo për llojet e punëdoreve të grave, e sidomos për mënyrën se si prehej e qepej xhubleta. Sikur nuk mjaftonin këto dhe shënimeve të mia iu shtuan edhe të tjera disi të veçanta, të cilat kishin të bënin me tualetin dhe frizurën e grave të moshave të ndryshme. Ç’është e vërteta në fillim u intrigova të di diçka për frizurën e nuseve të reja. Në një rast apo në një tjetër, besoj se të gjithë kemi patur rastin të shohim në aktivitete të ndryshme folklorike gra nga Malësia e Shkodrës, të veshura me xhubletë, që, veç të tjerash, të tërheqin vëmendjen në mënynrën e veçantë të të krehurit të flokëve. Kemi parasysh krelat e vendosur mbi ballë kulare-kulare, krejt të patrazuar në ruba që mbahet e fiksuar në majë të kokës.
Gjatë ekspeditës në kontaktet e shumta me gra të moshave të ndryshme m’u krijua përshtypja se rrallëherë atyre mund t’ua përcaktoje moshën e vërtetë. Dhe, kjo si rezultat i kujdesit që tregonin për të mirëmbajtur fytyrën dhe sepse flokët i mbanin të ngjyrosura deri në pleqëri të thellë. Gati nuk pashë gra të moshuara me flokë të thinjura, veç me flokë me ngjyrë gështenjë të errët ose pis të zeza. Pa çka se modeli i krehjes ndryshe bëhej nga gratë në periudhën e nusërisë, e ndryshe nga ato në moshë mesatare apo nga më të moshuarat.
Pa përjashtim, te të gjitha ndjehej dëshira dhe bëheshin përpjekje për të qenë sa më gra. Prandaj, rregullisht pastronin lëkurën e fytyrës nga njollat e krimbat e saj apo nga qimet, duke përdorur fërkimet me të bardhën e vezës. Ndërsa, për të ruajtur freskinë dhe elasticitetin, bënin masazhe me ajkë qumështi. Efekte të mira, thonë ato, jepte edhe «jarduni» (qumështi i kondensuar) i cili zakonisht përdorej në mbrëmje me qëllim që të vepronte sa më gjatë në lëkurë. Në shijen e malësorëve, një grua bardhë e faqekuqe ishte tepër e preferuar. Për të ruajtur sa më gjatë këto tipare, përdornin kompresat apo shpëlarjet e fytyrës me verë të kuqe, të nxjerrë nga rrushi çelek. Porse, rezultate akoma më të mira jepnin kompresat apo ushqimi i fytyrës për 2-3 orë me copa mëlçie të zezë të bagëtive të porsa therrura.
Që të dukeshe sa më e bukur duhej të kishe edhe tipare e flokë të zeza. Për këtë arsye, ato që i kishin flokët në ngjyrë të hapur, pa le ndonjëra që fillonte të thinjej më shpejt, përpiqeshin t’i bënin sa më të errëta, duke përdorur reçeta solucionesh të përgatitura me kombinime të ngjyrosësve bimorë dhe atyre kimikë. Ndonëse procedurat e përgatitjes së solucioneve dhe ajo e ngjyrosjes së flokëve ishin vërtet të lodhshme, asnjëra nuk përtonte ta bënte këtë punë, sapo u fillonin t’u rriteshin flokët. Gratë më të moshuara më treguan se për të fiksuar ngjyrën më mirë, gjithnjë, para ngjyrosjes këshillohej të laheshin flokët me lëng gëlqereje të holluar e të vakët. Për përgatitjen e solucioneve, sipas mundësive dhe rrethanave, herë përdorej lëngu i lëkurave të drurit të frashërit i përzier me bojë të zezë kimike, e herë lëvozhgat e njoma të frutit të arrës. Në këto raste procesi i ngjyrosjes ishte më i thjeshtë, zhyteshin flokët në solucion të ngrohtë se mund të duroheshin dhe mbaheshin rreth një orë. Nga kjo lyerje, flokët fitonin ngjyrë gështenje të errët. Ndërsa me një reçetë tjetër, e cila ishte më e ndërlikuar, porse mbante më shumë dhe prej saj përfitohej një ngjyrë shumë e zezë. Nëpërmjet tregtarëve ambulantë sigurohej një lloj boje e zezë kimike, në gjendje të kokrrizuar, me madhësi sa fruti i drurit të selvisë. Këto futeshin në një enë në të cilën qe hedhur pak vaj ulliri dh vendoseshin në zjarr, siç thonë gratë, për t’u djegur. Kur arrihej masa e nevojshme e djegies, i hiqnin nga zjarri dhe e linin mënjanë derisa ftoheshin plotësisht. Pastaj, ato i fusnin në një havan dhe i shtypnin deri sa formohej një pluhur i imtë e më pas shtonin dhe një masë uthulle, dhe kështu përgatitej një brumë, i cili për t’u lidhur më mirë vihej në zjarr. Pak para se ta hiqnin nga zjarri, në të shtohej një sasi pluhur hekuri i njohur me emrin «resten». Mbas kësaj përzierjeje, brumi lihej të ftohej deri në masën që mund ta duronte dora. Ngjyrosja e flokëve me këtë lloj brumi mund të bëhej vetëm me ndihmën e dikujt tjetër, që të kishte kujdes, jo vetëm në shpërndarjen sa më mirë nëpër rrënjët e flokëve, por edhe për të ruajtur të mos binte ndonjë copëz në fytyrë (që linte njollë për disa ditë). Zakonisht këtë punë e merrte përsipër ndonjë grua e moshuar që nuk kishte shqetësimin se i mbeteshin duart me njolla të zeza gjatë disa ditëve. Koka e lyer mbahej e mbështjellë për 24 orë, mandej lahej me ujë të ngrohtë e sapun.
Duke sjellë ndërmend frizurën e nuseve të reja, sigurisht bëhemi kurreshtarë të dimë se si e realizonin atë ondulacion aq të preferuar. Asgjë tjetër nuk përdorej përveç se një gozhdë e gjatë, e nxehur në zjarr, punë kjo që padyshim kërkonte durim e mundim të madh. Ndërsa, kularët e krijuar me to ,ndreqeshin një herë në javë, dhe për të mos u prishur i kapnin me një numër të shumtë karficash të ndryshme. Një tjetër kuriozitet lidhet dhe me shkëlqimin e vazhdueshëm të fijeve të flokëve. Për të siguruar këtë efekt, por edhe për të ruajtur flokun nga djegja që shkakton ky permanent primitiv, i lyejnë herë pas here me vaj ulliri, në të cilin fusin dhe rreza lulesh karafili për t’i dhënë erë të mirë.
Përgjithësisht, gratë malësore, në kokë mbanin shami në formë pothuajse katrore, nuset me lule shumëngjyrëshe, ndërsa plakat i mbanin njëngjyrëshe dhe të shoqëruar edhe me një tjetër të palosur në formë shalli, e cila lidhej rrotull kokës me një lidhje tipike. Nuset e Malësisë mbanin dhe lloje paftash e zbukurimesh të tjera metalike, të cilat fiksoheshin në njëlloj kapuçi të quajtur kapicë. Më të moshuarit mbajnë mend të jenë përdorur zbukurime të tjera interesante. Eshtë fjala për tëmthoret e përdorura deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit tonë. Ato zakonisht ishin prej bronzi, të zbukuruara me gurë ngjyrash të ndryshme ose teknika të tjera. Kapeshin te flokët ose te mbuloja e kokës. Për këtë mënyrë zbukurimi dëshmon një fotografi e bërë në shkurt në v. 1916 nga A. Hoberland.
Nuk është më pak interesante dhe figura e grave zadrimore. E njëjta preferencë përsa i përket ngjyrës së flokëve, veçse ndryshon mënyra e krehjes dhe e lidhjes së mbulojës së kokës, madje kjo i bën këto gra të kenë një pamje krejt të veçantë. Gratë e Zadrimes i mbajnë flokët pjesërisht të prera në dy faqet, si cullufe, dhe të bëra kaçurrela, ndërsa nga mbrapa thurrin dy gërsheta, të cilat i mbështjellin kutullaç mbas kokës, të mbuluara me një si kësulë të vogël. Pastaj, lidhej një mbulojë tjetër e quajtur rizë. Këto lloj mbulojash, të cilat enden në vegje shtëpiake, zakonisht kishin një gjerësi 45-50 cm e gjatësi 140-250 cm, bësheshin prej mëndafshi, pambuku ose liri, të zbukuruara me motive e ngjyra nga më të ndryshmet. Përdorimi i njërës apo tjetrës lidhej me grupmoshën dhe rastin në të cilin mbaheshin. Po të kemi parasysh se një nuse sillte në pajë 12 deri në 18 riza me gradacione të ndryshme zbukurimesh, mund të merret me mend se çfarë roli të veçantë luanin në paraqitjen e gruas Zadrimore. Kulmi i krijimtarisë së endjes vërehej tek rizat prej mëndafshi me ngjyrë portokalli ose të verdhë. Atë ngacmim që krijonin krelat tek gratë malësore, këtu e krijon mënyra e lidhjes së rizës dhe kontrasti i ngjyrave të tyre me flokët e zeza të onduluara me rica të vogla. Kjo mënyrë lidhjeje, e shoqëruar me flokët e ngritua si dhe jaka e hapur e këmishës lejojnë të duket mirë qafa, gjë që u jep një pamje tepër të veçantë këtyre grave që disi ta ngacmon e trazon shpirtin.
Sigurisht, çdo veshjeje popullore, në krahina të ndryshme të Shqipërisë, i përgjigjet një figurë e caktuar dhe secila ka veçoritë e vlerat e veta. Veçse, frizura e grave të këtyre dy zonave të rrethit të Shkodrës ka diçka më shumë, e cila lidhet kryesisht me psikologjinë e temperamentin e veçantë të banorëve në këto anë. Gratë këtu nuk ngurrojnë të duken sa më bukur dhe janë të mirëpritura në vendin ku jetojnë.