Ditar: Një ish Idiot Politik

Autorja: Jasmina Teshanoviq

Përkthyesja: Qibrije Demiri

Në Greqinë antike fjala idiot ishte fjala që përkufizonte njerëzit të cilët nuk kishin qëndrim për diturinë dhe informatën.

                Veten time e llogaris të paaftë të gjykoj, të zgjedh ngase nuk shoh ndonjë opcion me të cilin do të identifikohesha. Sa është kjo normale? Mos është kjo për atë se jam grua. A është në gjendje normaliteti gruaja e cila nuk mund të gjykojë për opcionet politike? Gjithë opcionet politike të bashkëqytetarëve të mi tingëllojnë në mënyrë shumë agresive, në mënyrë të çuditshme, çmendurake ose të paarritura në raport me gjuhën time dhe nevojat e mia kombëtare. Kam nevojë të udhëtoj, më duhet komunikimi, kam nevojë të kem fëmijë, të bisedoj, të luaj, të argëtohem. Ata për këto gjëra s`flasin, flasin për historinë, për rregullat dhe nevojat historike. Ajo s`është histori e imja. Edhe po të ishte unë nuk e kam bërë atë. Flasin për gjakun, llojin, krenarinë, të drejtat, për vizionet. Por mua diçka më mungon, diçka tmerrsisht më mungon. Unë e humb torruan për shkak të mungesës së dashurisë dhe mirëkuptimit, mungesës së argëtimit, haresë dhe lehtësisë e lumturisë. Nga ky rreth, si të mendoj 24 orë në ditë për vdekjen dhe frikën. Të menduarit për vdekjen është pikërisht vdekje. Vdekja reale është vetëm një ndijim fizik të cilin arsyeja ime mund edhe ta tejkalojë. Ne vet këtu jetojmë në kulturën e vdekësisë të ndërtuar mbi instinktin e vdekjes ose instinktit te të mbijetuarit.

                Nuk dua t`i përcjell instinktet e mija çdo çast. Dua t`i udhëheq dhe t`i kontrolloj instinktet thelbësore në mënyrë që të ndihem lirë dhe mirë. A është kjo ndjenjë normale?
                Në mënyrë graduale kaherë kjo më ka humbur, bile s`arrij ta di kur dhe si ishte një humbje e paparashikueshme e një kategorie të padukshme. Gjithë kjo më mungon, e di se dikur e kisha edhepse askujt këtë s`mund t`ia dëshmoj.

Prolog
17 mars `98

E tëra dridhem, këmbët më kërcejnë në gjumë. Ndihem si heroina viktimë e «Hotelit të bardhë»: pse më dridhen këmbët sikur një rryme t`i qarkojë ato? A do të më tradhtojnë kur, ndoshta, më duhet të ikë?

                I frikësohem vdekjes dhe vrasjes. I frikësohem  aftësisë sime për të menduar çfarëdoqoftë ardhmërie, ndoshta as një drekë në të cilën do të kënaqesha. E vështroj vajzën time me ndjenjën e fajësisë. Unë, me këtë fat dridhje këmbësh nga frika, nuk është dashur të kem fëmijë. Që nga ata të krijoj viktima. Duke jetuar këtu në Serbi, duke jetuar në këto vitet e 80-të dhe 90-të. Është dashur të jem aq e arsyeshme sa ta kuptoj se nuk guxoj të kem fëmijë.

                S`ka ardhmëri, s`ka qetësi. Kur isha shtatzane, në vitet e 80-të, me ditë të tëra s`kishim rrymë. Ishte dimër, dhe Tito pikërisht atëherë pat vdekur. Tito çdoherë na thoshte se kemi mjaft rrymë, se jemi një vend i pasur, se jemi më të mirët në botë, në mes të Lindjes dhe Perëndimit. Unë i besoja, më pëlqente fytyra e tij, e kujtoj që nga lindja. Mendoja se më ishte njëfarë gjyshi.

                Njëherë, si e vogël, më duhej t`i dhuroj lule por më detyruan t`i ofroj lule kryetarit egjiptian Naserit, për atë se unë isha më e gjatë e Tito ishte më i ulët, kurse Naseri ishte më i gjatë e vajza tjetër më e shkurtë. Prej atëherë mendoj se të jesh i shkurtër është çështje e privilegjësisë dhe bukurisë.

                Jam rritur jasht, nëna ime ishte pediatre e cila ka ndërprerë punën që ta përcjell karrierën e babait tim i cili është bërë biznismen. Në fillim kishte një depresion pak më vonë u mësua, më kishte mua, por kur unë u nisa në shkollën angleze gjithëditore ajo mori astmën. Por, edhe me astmën u mësua, u mësua edhe me vetminë. Kemi jetuar në Egjipt dhe Itali; kemi shkuar në shkollë angleze, në shtëpi flisja serbisht, kurse të tjerët rreth meje flisnin njëherë arabisht e më pas italisht. Kjo ishte më shumë se shizofreni, për mua. Çdo ditë i kaloja tri gjuhë nga njëra në tjetrën jetoja në të tri kultura… dhe, si nëna ime, u adoptova. Dhe tek më vonë, pas shumë vitesh atë vorvilon të dhembshëm e shndërrova në kokën time në privilegj. Ashtu siç mendonte edhe babai im.

                Këmbët më dridhen sikur të jem ndonjë grua e vjetër. Edhe kur isha fëmijë ngjashëm më dridheshin këmbët, por atëherë asgjë s`dija për jetën, luftërat. Isha vetëm një fëmijë me telashe.

3 prill 98

                Para sa ditësh një ushtar i ri në shërbim të rregullt ushtarak është vrarë në Kosovë, në kufi me Shqipërinë.

                Letra e fundit e tij drejtuar prindërve u botua dje në një gazetë ditore. Ishte e sinqertë, e ashpër dhe e vërtetë. Si edhe jeta e tij në atë moment jete dhe vdekjeje. Asnjë letërsi, asnjë politikë nuk do të mund të ishte më e drejtpërdrejtë, as një qëndrim më i drejtë se: Ndalni, të gjithë ju që mendoni se bëni diçka të drejtë, ndalni!

                Të rinjtë ngjanë të vriten. Ata e dinë se i vrasin por s`mund të ndërmarrin gjë, ata vetëm sa janë djelmosha të sapodalë nga shkolla të cilët kryejnë obligimin e tyre tradicional ndaj shtetit, ndaj cilitdo shtet në çdo histori. Mund t`i paramendoj prindërit e atij djaloshi, mund të isha edhe nëna e tij. Mund t`i mendoj gjithë mendimet e tij; prej «a kemi mundur diçka të bëjmë» e deri te «vdiq si hero». Para disa vitesh në ashensor takova nënën e një djaloshi të vrarë, ushtar 19 vjeç. Ishte një djalë panker, mbante vath dhe dëgjonte muzikë me zë të lartë.Ishte fqiu im i parë. Fillova të qaj në ashensor, nuk dija ç`të them, edhe po të dija, nuk mund të nxirrja edhe një të vetmen fjalë nga shpërthimi i emocioneve.

                Nëna e tij më përqafoi, më puthi në dy faqet. Ajo tha: «Lëre tash, pusho, ishte djalë trim dhe vdiq për tokën e tij». Desha të klithi: Ti je një grua e marrë, a e din se kjo s`është e vërtetë, atë e kanë vrarë ata që na plaçkisin, të tërat na i marrin, jetërat të çmuarat, fëmijët… kur e pashë në fytyrë: e dita se ajo këto i dinte. Por dinte edhe diçka më shumë. Tani nga kjo situatë ishte vonë të fliste diçka, vetëm koncepti abstrakt mund të sqaronte këtë ngjarje historike të këtij ushtari të vrarë në luftë. Ajo ka mundur më herët të reagojë por ajo nuk ishte jeta e saj por vetëm e tij. Ajo kishte një lutje për mua: Mos ma largo – mos ma merr vdekjen e tij.

                Vdekja ma mori, ma lejo s`paku vdekjen e tij që përgjithmonë t`më shoqërojë.

                Nënat, mendoja, nëna, tradhtare të kombit, tradhtare të burrave të tyre bartëse të jetës dhe vdekjes, por asnjëherë s`ju lejohet që të vendosin për jetën dhe vdekjen për jetë. Patriarkati dhe politika, mendova bëjnë shoqërinë  në të cilën nenat si njerëz oborrtarë: e flasin të vërtetën por nuk kanë kurrnjëfarë ndikimi në botën reale. Ne gratë kalojmë fushat e betejes në luftë duke pirë venë me ushtarët duke biseduar për jetën dhe ushqimin. Kjo është mënyra e vetme për të jetuar, duke pasur edhe shëndetin në këtë botë të madhe në të cilën jemi të çrregjistruar. Dikush thotë se kjo është privilegje: unë mendoj se kjo është një udhë e pakryer.

                Nëna në ashensor lehtë i mbylli dyert. Mendova se kurrë më s`do t`më pengojë ajo muzikë me zërin lart. Pas vetës ai la heshtjen. Shumë shpejt u shpërngula: qetësia e padurueshme në katin tim ma kujtonte fëmininë time të brendshme. Ashtu e dëshpruar si isha nuk mund më të përballoja.

17 korrik98

                Nga gjithë vendi prindërit e fëmijëve që po i dërgojnë në luftë në Kosovë për Kosovën, po protestojnë. Do të doja t`ua shoh fytyrat. Ata sigurisht se janë njerëz të posaçëm, njerëz të cilët janë të ndershëm aq sa pranojnë se kjo është ajo lufta e vjetër qcë udhëheqin së paku këto 60 vjetët e fundit. Prindërit e mi mendojnë se ne duhet udhëhequr luftën e tyre duke menduar se ende ata kanë çelësat për drejtësi e paqe. Mendojnë se gjithçka e dijnë më së miri, duke më llogaritur si idiote politike, si të mjerë dhe tradhtare. Unë edhepse keq mendoj për veten për shkak të vogëlsisë së jetës sime të mbushur shqetësime e frikë, pa vepra të mëdha, pa gjurmë. Prindërit e mi, si shumica e prindërve këta mendojnë se fëmijët janë që t`i vazhdojnë punët e prindërve të tyre dhe hiç për asgjë tjetër:  as për gëzime, as për dashuri ose argëtim. Përkundrazi, gjithë përjetimet duhet të jenë fshehtësi, se në rast se janë të hapura, këpusin kontinuitetin e misionit. Unë për babain tim jam vetëm një grua qe I duhem për qetësim sepse  brezi i mashkujve është i këputur. Jeta ime për të është më e rëndësishme se veprat e mia duke marrë parasysh se nuk mund ta parsoj emrin e tij. Deri në fund të jetës mund ta kuroj, për këtë edhe vyejnë vajzat. Dhe sërish, çka do që të bëja në këtë luftë, s`është me rëndësi, çfarëdo që do të  thosha askush s`do të dëgjonte, bile as babai im meqë unë nuk jam djalë i tij dhe as që i lindi nip por vetëm i ofroj dashuri e cila tanimë edhe nuk i duhet. Pleqve vetëm ju duhet forca dhe diçka e përafërt me pavdeksinë. Ndoshta edhe lufta, mbi qafën tonë, për kontinuitet. Them: Hiquani qafësh, o etër…

10 tetor, `98

                Frikësohem. Nuk turpërohem pse frikësohem. Ndoshta duhet të turpërohem pse e pranoj frikën time. Askush nuk e pranon se frikësohet. I frikësohem vdekjes, jetës së keqe, vetive të këqija të njerëzve që mund të zbulojnë në luftë. Kam lexuar në letërsinë e heronjve për njerëz të mrekullueshëm që krijohen gjatë luftës, por pasi që asgjë prej librave të heronjëve nuk ka ngjarë në jetën time, nuk besoj më as në këtë. Dje, derisa pritnim në radhë të paguanim tatim për luftë – për luftën në Kosovë, për manastire, për ushtri, për armë kundër shqiptarëve të Kosovës, refugjatëve, NATO-s e edhe gjithë botës – populli ishte më i keq se ndonjëherë më parë. Më i keq se gjithkund në botë, jo vetëm këtu ku radhët janë të përditshme. Tatimi tani është i dedikuar si edhe shumçka tjetër për vetura luksoze: çdo veturë sot llogaritet luksoze e gjithsecili duhet nënshkruar deklaratën që rregullisht i paguan çdo tatim e se do të paguaj edhe tatim luksoz për autot. Njerëzit në radhë ishin të moshave të ndryshme dhe të dy gjinive. Ishin jo të kulturuar ndaj njëri-tjetrit, të papastërt dhe jo të rregulluar, kjo dmth. të paedukuar ndaj vetvetes. E shikova fytyrën time në pasqyrë: Edhe flokët e mija ishin të papastra, nuk i pastroj flokët në shenjë proteste ndaj luftës.

                Ishin cinikë dhe agresivë derisa flisnin për luftën, bombat, kombin dhe varfërinë. Njeri syresh tha: Shpresoj se më parë të na bombardojnë. Të tjerët e shikuan: ndryshe të gjithë e dëshirojnë këtë. Askush nuk tha se nuk dëshiron që bombat të bien. Mos është kjo pse serbët kanë ndjenjën e fajësisë kolektive se luftat të cilat pasuan shkatrrimin e Jugosllavisë asnjëherë nuk u luajtën në trollin serb ose është vetëm ajo dëshira dekadente e luftëtarit që të vdesë.

                Njerëzit nëpër rrugë, nëpër rradhë, në treg, ata janë të njëjtë me mua, po megjithatë janë aq larg. Nuk frikësohen, përqeshnin frikën time dhe njerëzit që janë si unë, edhepse unë jam njëra nga lloji i tyre. Fëmijët sikur mi zhdukin ose i mbajnë në podrume. Ky është vendi në të cilin e kam kaluar jetën time në këtë kulturë mashkullore dhe luftarake në podrum. Për një arsye të panjohur besojnë se bombat janë pjesë e jetës së përditshme. I pastrojnë podrumet dhe blejnë qirinjë dhe thonë se do ta mbrojnë vendin e tyre deri në fund. A është e mundur se askush nuk frikësohet. A është e mundur krenaria ta mposht frikën, e nëse po ç`është me krenarinë time. Nuk mburrem me mburrjen e popullit tim, i kanë vrarë dhe i kanë nënshtruar popujt e tjerë.

                Edhe në rast se kanë pasur urdhër, ata e kanë bërë atë pse e bëjnë. Po megjithatë edhe nuk turpërohem për popullin tim ngase nuk mendoj se është më i keq se cilido popull tjetër, e shikoj vetën si popull i cili nuk ka gjasë të jetë më i mirë. Unë jam grua dhe qyqare: bile edhe fëmijët e mi frikësohen për shqetësimin tim për ta.

                Donë të më çojnë dikund larg luftës, larg tyre, ata donë të jenë të qetë dhe të shkujtesur s`bashku me miqtë e tyre në atmosferë miqësore, në strehimore, pranë ndonjë diskotekeje.

                Gratë në të zeza mbrëmë demonstruan në Sheshin e Republikës. Në njërën anë rrinin gratë në të zeza, në protestë; në anën tjetër njerëzit e opozitës në grupe të vogla, të rrethuar sikur në kokteje. Policia ishte përreth duke i mbrojtur protestueset nga kalimtarët agresivë të cilët herë pas herë pshtynin duke thirrur kurvat, kurvat. I morëm me vete torbat me dokumentet personale, paratë, pak rroba, në rast se do të na burgosnin edhe litarin për dru si NATO me ta? Sikur që nënkryetari i Qeverisë Sheshel, u premtoi grave në të zeza, grave trathtare.

                Kam dëgjuar të kenë thënë qysh prindërit e mi se jam tradhtare, ngase s`po e përkrah pushtetin, të ketë thënë burri im ngase s`po e përkrah sa duhet. Fëmijët edhe i tradhtojnë.

6 prill `99

Sot është përvjetori i bombardimit të Beogradit më 1941. Por humbjet më të mëdha i janë shkaktuar Beogradit në bombardimin e koordinuar më 1944, dhe britanik ose çlirimtar. E di se të gjithë sot do ta shfrytëzojnë këtë paralele që të ndihet më mirë ose edhe më keq, çkado që të jetë… më kujtohet një bibliotekist i vjetër të cilit e fejuara i kishte pas vdekur gjatë bombardimit të Beogradit dhe asnjë herë më nuk y martua veç y bë pop. Rëfimi për të më impresiononte më shumë se rrëfimet për të vdekurit e humbjet e të mirave dhe objekteve.

                Rrija dje në balkon e dielli më nxen me një dashuri të madhe, ëndërrova për detin dhe qiellin e pastër rreth të cilit biseduam mbrëmë gjatë pritjes së avionëve. Dhe ata erdhën por sërish nuk e bombarduan Beogradin: sërish bombarduan vende të tjera, viktima të tjera në balkone. Ashtu po ndihem fajtore, më shumë se ndonjëherë për ata të tjerët. Miqtë dhe armiqtë e mi nga gjithë bota më pyesin a nuk e din sa tmerr është në Kosovë?

                E di, vërtet e di, dhe ndihem fajtore pse këtu s’ është ashtu, ndihemi keq por nuk  kalojmë nëpër tmerrin e tyre. Por lufta jonë gjithmonë, për këto 10-15 vjetët e fundit ishte e atij lloji që, nuk dukej edhe shumë për të mbërri deri te caku që të lirohem nga ndërgjegja jonë e rënduar, të miteve të gabuara, të këtij inercioni…

                E ndiej si na këpusin nga bota, gjithë ato ura të rrënuara, gjithë ata miq e armiq që na dëftojnë sa jemi të këqinj, gjithë këta të marrë këtu të cilët duke u çjerrë na tregojnë se si ne jemi popull qiellor. E populli? Rri nëpër podrume ose shtretër duke mos pritur asgjë.

27 prill, `99

                Mbrëmë lëshova TV-në, në gjithë dhjetë kanalet televizive ishte i njëjti program, lajmet zyrtare për ndërtesat e bombarduara nga NATO: të njëjtat lajme çdo ditë. Mes lajmeve kishin muzikë dhe filma, të ndryshme në kanale bashkoheshin me fotografitë e njëjta nga lufta.

                Pos kësaj në BBC pashë miken time shqiptaren nga Kosova, Vjosën: aktiviste për të drejtat e njeriut, mjeke, grua shumë e bukur. Foli për tmerret që kishin ndodhur gjatë ikjes nga Prishtina. Fillova të qajë, jo nga rrëfimi i saj ose rrëfimet e tjera të ngjashme të mikeshave të mija fëministe nga Kosova, të cilat rrëfime edhe veç i kam dëgjuar, por për vetë ato: kishte ndryshuar, fytyra e kishte pamjen e njeriut që më kurrë s`do të qeshej, kurrë më nuk do të jetë … parashikoj se edhe unë ashtu dukem, shikohem me frikë në pasqyrë.

                Më kujtohet kur shkova në Zagreb me Vjosën dhe me shoqe të tjera në konferencën feministe më `96. Kufitarët kroatë e larguan nga kufiri së bashku me dy refugjate serbe të Krainës dhe vetëm ato trija nuk e morën vizën. Gratë e tjera s`deshën të shkojnë pa to por megjithatë shkuam, duke u ndier të lumtura që ne si serbe sërish mund të hyjmë në Kroaci. Refugjatet serbe asnjëherë nuk morën vizë, prapë nuk mbërrinë në shtëpitë e tyre: ajo ishte një praktikë e politikës zyrtare për kthimin e refugjateve por Vjosa fitoi. Problemi i saj, vetëm në kufi ishte pse ajo ishte: as serbe, as kroate por shqiptare.

                Më kujtohet si më kontrolluan hungarezët në kufirin e tyre `93, `94, `95. Pse isha serbe. Edhe në vendet e tjera ngjau kjo. Pashë detajet e rrëfimit për Vjosën a janë të tilla, thellë në bark e ndjej se kjo mund t`i ngjajë gjithsecilit dhe atë çdoherë dhe ky lloj maltretimi nuk është i lidhur për kombin por lidhet me politikën dhe luftën: dhe frikësohem.

                Mbrëmë sërish detonime. Sërish ish KQ, në Beogradin e Ri, matanë lumit unë as që e di çka në të sot por për një arsye kur atë e godasin dëgjohet më shumë se në caqet që janë më afër.

                I thirrëm miqtë dhe farefisninë. E vërtetuam se janë gjallë dhe shkuam në shtrat. Si thonë gjeneralët e NATO-s, ndihemi të sigurtë me bombat e rregullta. Politikanët tanë thonë se duhet të punojnë më shumë se zakonisht tani nën bombat e NATO-s.

29 prill `99

Edhe një natë gërditëse, nën hënën e purpurtë në shtrat. Mëngjes i mrekullueshëm por lajme të vërteta … Kush brengoset më për rrëfimet e mija. Edhe unë më thuase s`brengosem për jetën time? Miqtë nga jasht dhe gazetarët më shtyejnë të iki, derisa s`është bërë vonë, më thonë: Serbët janë ebrejë të kësaj kohe. Gjithë kjo kalon mbi mua. E lodhur jam, kam nevojë për gjumë, mundimi ynë është se s`kemi një gjumë të rehatshëm. Mbrëmë një shoqe më tha se nuk kanë marrë rrogë meqë drejtori ju ka sqaruar se gjitha paratë i ka humbur në bixhoz: djalin e ka në Kosovë. Kështuqë as ajo s`ka para për fëmijët e saj. I japin njëri-tjetrit para thuase ato janë ujë, falas. I ndalojnë cigaret, venën, informatat dhe i dërgojnë më tutje. Po prapë solidariteti i njohur serb: nuk jam nacionaliste, përkundrazi, unë jam një idiot politik, dhe internacionaliste por ideologjia ime nuk sjell ushqim, dashuri, solidaritet për të cilët tani më së shumti kam nevojë…

                Lavatriçja më është prishur, nisa të qaj sikur të më kishte vdekur dikush: e paramendova veten si i laj rrobat në dorë me gjithë punët e tjera të shtëpisë të cilat i bëj qysh ka filluar lufta. Më pas m`u kujtua që kam dëgjuar se në fazën e tretë të NATO-s nuk do të kemi ujë, rrymë e lidhje telefonike. Pastaj veten e mendova në mes të grupeve të mëdha kryesisht grupe femrash, se si laj rroba në Danub si në Greqinë e vjetër: duke kënduar, biseduar, duke u qeshur derisa fëmijët vrapojnë rreth nesh si në tablotë e Karen Bliksenit.

                Ky do të jetë pushimi im veror…

                Në vitin `93, ne serbët në Serbi nuk mund blenim sheqer, kafe, shampon: ose s`kishim para ose s`kishim ç`të blenim ose që të dyjat mungonin. Kemi jetuar të shpeshtën me ndihma humanitare nga refugjatët e Kroacisë dhe Bosnes të cilët merrnin ndihmë nga bashkësia internacionale: e si do t`ia bëjmë tash kur jemi këtu të vetmuara, me serbet nga Serbia, dhe kur s`duhet të na ndihmohet por duhet të bombardohemi…

                Disa gazetarë të huaj ankohen se gazetat e tyre nuk duan të dëgjojnë për serbet nga Serbia, por se nga ta vetëm kërkohen analiza politike të cilët ata nuk dijnë t`i shkruajnë.

                Një mik i imi nuk mund të vijë deri te unë ngase babai i përjetoi një sulm të rëndë në zemër nga bombardimet. Me sa më kujtohet, babai i tij pandërprerë para bombardimeve fliste: vetëm le të na sulmojnë, do të mbrohemi, dhe i kërcënohej djalit i cili nuk donte të luftojë. Tani djali i tij e rrezikon jetën përkundër vullnetit për t`u kujdesut për t`atin. Pyes, mos babai i tij ka ndërruar mendjen?

4 maj, `99

Një mike imja e re ka marrë dozë të madhe sedativesh, thotë se nuk e kishte bërë me qëllim, por vetëm ka dashur të flejë pas gjithë atyre javëve. I besoj: edhe mua ky vendim më pëlqen më shumë se lufta për marrjen e vizave në kufi… me gjithë botën…

                Dje në rrugë ishte ditë e mrekullueshme, pa rrymë, pa ujë. Por ato shikime të humbura me sytë e njerëzve të rinj, të vjetër, sytë e ushtarëve, tinejxherëve të bukura flasin: ç`të bëj tërë ditën e lume, tërë jetën, ç`më pret? S`është vetëm çështja e bombave, por orë kalimi i pakuptimtë i orëve, ditëve, kjo na mbyt, disa më vitalë reagojnë në gjithë këtë, duke punuar gjërat më të çuditshme, kryesisht ato fizike, por shumica janë në depresion dhe nuk dalin… Luftë e re e rrjedhës së re.

                Kemi probleme me fëmijë: të vegjlit qajnë, të rriturit janë agresivë, të gjithë janë të lazdruar më shumë se çdoherë. Nuk munden të adaptohen në luftën e re, në rrjedhën e re: nuk munden ose nuk duan të kuptojnë ç`po ndodhë përkundër opsesive të tyre  të kuptimit. Mund të jetë edhe faji ynë, i prindërve, rrëximi i urave mes gjeneratave.

                S`kemi dashur t`i infektojmë ne luftërat e vjetra dhe tash e jetojmë këtë luftë të re pa kurrëfarë kontinuiteti.

                Punëtori aqë erdhi të na i bartë mobiliet kërkoi një gotë ujë. Pasi e piu u ul dhe më luti, bëhuni e mirë dhe më jepni edhe një gotë ujë… vetëm atëherë e kuptova se vinte nga pjesa e qytetit që s`kishte ujë… i thirri, natyrisht, bëj dush, ne kemi ujë… Kjo është luftë kriminele. Ai më shikoi provokueshëm: por megjithatë do të fitojmë. Deri atëherë s`isha e vetëdijshme se ende ka njerëz që këtë jetë e kuptojnë si fitore.

                Pacientët mentalë janë lëshuar dhe disa tjerë të dënuar. Njëri prej tyre erdhi sot në derën time: kërkoi para. E pyetëm përse ishte i dënuar, ai thotë se e ka vrarë gruan dhe dashnorin e saj. S`paku është shqetësim motivi i krimit të tij. Vrasjet e këtoditshme kanë më pak moral.

6 maj, `99

M`u kujtua diçka që kaherë e kisha harruar: ditën e vdekjes së Titos 4 majin: asnjëherë më parë s`më kishte ndodhur para bombardimit. Kjo ishte dita më e madhe e historisë sime të madhe. Ai publicitet i madh të cilin e kishim më 4 maj të vitit 1980 tani është i errësuar me 4 majin e vitit 1999. Atëherë isha në rrugën Kosova, menjëherë pas komunës. Varrimi ishte më 8 maj 1980: Veturat e gjithë kryetarëve dhe mbretërve të botës kalonin nën balkonin tim që të mbërrinin deri në komunë ku ishte i ekspozuar trupi i Titos. Rrija në balkon, në katin e parë të ndërtesës: mbretërit dhe kryetarët më përshëndetnin meqë në balkonin tim ishte vënë flamuri – sipas ligjit. Edhe unë atyre y bëja me dorë, më kujtohet nëna e Xhimi Karterit, mbreti spanjoll Huan, Brezhnjevi, Margaret Thaçeri, mbreti Hysein, Fidel Kastro…

                Më pas e nxora videokamerën që të bëja një film konceptual. Xhirova mbretin 10 metra nën mua e pastaj në të njëjtën sekuencë e xhirova duke hyrë në kuvend por nëpërmjet televizorit si e nderojnë trupin e Titos u ndiva si qendër e padukshme e botës, unë dhe kamera ime. Pastaj policia erdhi në derën time, ma mori kamerën, atyre ju kishte ngjarë … Dëgjova se si kryetari Klinton e quante marshalin Tito zotëri Tito në TV. Gabon, s`ishte ai kurrëfarë zoteriu, as kryetar, ai ishte marshali ynë: diktatori ynë i butë, baba, gjysh, gjithçka. Ndoshta ju ka dhënë autonomi të mirë shqiptarëve në Kosovë, por nuk ju ka dhënë asgjë më shumë se autonomi të zbrazët politike, si edhe gjithë tjerëve. Sot gjithashtu është festa e Shën Gjergjit. Më shumë më pëlqen këtë ta kuptoj, përfundimisht me mbarimin e kujtimit për Titon, falenderuar bombave të frikshme më fort se jeta nën diktaturën e butë të atij ati të shenjtë.

                Katërmbëdhjetë vjeç e pata pikturuar një murgeshë: autoportret ishte, më vonë e kuptova. Tani mendoj se ajo pikturë është impresive, ajo është piktura ime e vetme. Përndryshe nuk kam shumë talent për pikturë ose t`i kuptoj pikturat e të tjerëve.

                Ky ishte një ekces i imi, një hir, një çudi do të kisha thënë. Qysh prej se di për veten kam pasur një nevojë të bëhem murgeshë por interesimet e mija ishin tokësore. Të vetmet shenja të fatit tim si murgeshë është stili im i veshjes, çdoherë i njëjti, si uniformë, thjesht, shija ime për ushqim e të tjrat, nderimi im patologjik, vetëmohimi dhe kënaqësia që t`ju ndihmoj të tjerëve në vuajtje dhe në pakënaqësi.

                Disa herë kur isha në kriza jetësore e gjuaja pikturën time në dysheme dhe e shkelja derisa i thehej korniza dhe xhami. Nuk di ç`kuptim kishte ajo. Pasi e pashë kushërirën time pikërisht ditën që vdiq nga `DA kuptova se ai portret ishte njëkohësisht edhe i saj, jo vetëm i imi. Ne edhe ashtu ngjanim… Sot piktura më shikoi. I ka ata sy të gjallë, plot dhembje dhe më ofroi vendin për të cilin aq shumë kam nevojë në këto ditë të bombardimit: në manastir, në manastir shko… sikur më tha.

                Të gjithë me të cilët jam në kontakt ikin, shkojnë, kanë vende ku donë ose ku mund të shkojnë. Unë nuk kam: nuk kam atdhe rezervë, shtëpi rezervë, nuk kam. Kudo që kam qenë s`kam lënë asgjë në mënyrë që t`i kthehem, pos Beogradit. Përmallshëm i takoj këtij qyteti që po rrënohet: unë familja dhe miqtë e mi. I ndërrojmë banesat duke supozuar se mund të jenë më të sigurta, çka do të gjuaj pikërisht sonte, si të gjithë të tjerët, jam e sigurtë. Kjo është loja të cilën e luajmë, lojë mijsh.

                Një djalosh të cilin arrita ta njoh sonte ka luftuar në gjithë luftërat në këtë 10 vjetë, jo pse ai ka dashur, askush se ka pyetur për këtë, ishte i mobilizuar, s`pari si 18 vjeçar në luftën e Kroacisë, më pas në Bosne e pastaj në Kosovë. Tash është kthyer në shtëpi dhe ka thënë JO. Nuk e konsideron veten dezertor, thotë se thjesht nuk mundet më. Në ndërkohë ka dy fëmijë, e ka parë vdekjen me sy shumëherë dhe më nuk i beson parashikimeve të veta. Është person shumë i thjeshtë, inxh. dhe bashkëfshatar. Por tërë kohën flet për luftën. I kujton vetën situatat kur e ka pasur jetën në rrezik. Një rrëfim që ma tha është për një shoqe të tij e cila u dashurua derisa u mobilizua. Ajo tash qanë dhe flet si e marrë: s`është dashuria gjëja më e rëndësishme në këtë botë, përse më la tani. Kurse inxh. i ri i shpjegon se meshkujt janë të tjerë, se ata çdo herë shkojnë në luftë edhe kur kanë grua, fëmijë sepse… nuk ka aritur t`ia saqaroj. Por përnjëherë shtoi: kurrë më nuk do ta bëj këtë.

20 maj, `99

                Mbrëmë e shikova në video intervjunë e mikeshës sime shqiptare në të cilën rrëfen si ka ikur nga Prishtina duke na përmendur edhe neve dhe përkrahjen që ka pasur nga Beogradi… e jo nga fqinjët e saj serb. Pastaj mbi kokat tona kanë fluturuar raketat, më pas eksplodimet dhe … gjithçka: ne edhe më tutje dëgjonim tmerret e mikes sonë derisa e ka kaluar kufirin dhe pastaj në tokën e askujt me 100.000 refugjatë, në Blace. Situata ishte perveze: solidarizimi për të mbijetuar thuase mund të ndryshonin diçka. Fëmijët u bënë nervozë: ndaleni trakën, thirrën. Edhe unë e humba koncentrimin, përsëtepërmi bomba, mendova se duhet ndërhyrë diçka, fillova të shëtis lart – poshtë si kafshë e egër duke kërkuar një vend më të sigurtë në rast se bomba e qëllonte shtëpinë tonë. Mbijetuam, jo si shkruaj, u fashit mes tjerash edhe spitali, fabrika kimike: Dje nga këndi i ndërtesës së partisë Demokratike lideri i të cilës është në Mal të Zi është e goditur dhe e shkatërruar; ishte ai grupi i patriotëve zhurmaxhi – e quanin Gjingjiqin tradhtar. Ai flet gjuhë të huaja. Ata nuk flasin, me vetura luksoze, kishin rrahur para selisë së partisë.

21 maj, `99

Pata sukses ta nxjerr pasaportën e re dhe letërnjoftimin e ri për vajzën time, të parën në jetën e saj të re, )-tha tash jam e rritur, do të më paguash. Dikush duhet të paguajë për hyrjen e saj lakuriq në moshën madhore. Shpresoj. Dezerterët e luftës dhe nëna e tyre protestojnë, e lëshojnë ushtrinë, fushat e ushtrisë. Po t`isha unë nënë e ndonjë ushtari që është dërguar kundër vullnetit për të luftuar kundër NATO-s në vend të patriotëve duarkryq që rrinë kafeneve të Beogardit, do ta kisha blerë armën dhe do t`i kisha vrarë njerëzit përgjegjës, duke viktimizuar jetën time për jetën e fëmijës tim. Duke shikuar intervjun e shoqes sime shqiptare, e kuptoj sa është perverze që ne qajmë për të, duke dëgjuar rrëfimin e saj jetësor, zemërgjerë ndaj aeroplanëve që na fluturojnë mbi kokë: ne jemi vetëm një hap prapa shqiptarëve dhe po të kishim vendosur të ikim, askush nuk do të na donte.

                Jam e këputur  si edhe kompjuteri im. Aeroplanët janë aq poshtë, detonimet aq të fuqishme e të shpeshta: bombat në shtepinë time do të sillnin më pak dëm se sa ato në spital, por kush  do të na varroste…

                Dëgjonim «A white shade of Palë», dhe ndjeja gëzimin që jam e re, që jam gjallë… pastaj edhe një detonim në afërsi… të 70-tat e marra…

                Por fëmijët klithnin! ndalni më atë muzikë marroçe. Çka do me thënë në realitet . Shade of pale! jasht vdekjes. Kemi luajtur me vdekjen, tani po i përjetojmë fjalët tuaja nga rinia e hershme. Për fëmijët e mi nuk do të jetë kështu. Do të jetë krejt ndryshe, më nuk mund t`u shpjegoj muzikën time, stilin tim të jetës. Koshava aq fort fryen, thuase edhe atë e kemi armik, këlthet jasht dyerve, rropëllon dritaret. Le të ndalet era. Do të doja që për një çast çdo gjë të ndalej.

                Tregu im dikur ishte vendi më i lumtur në botë, me romë, shatorë, artikuj të fushave, me kursin e zi, policinë që na ndjek të gjithë neve por jo shpejt sepse edhe ajo merr pjesë në lojë, qoftë në mënyrë private, qoftë rekete. Tash tregu disi është çrrënjosur, ngjallur: ne intelektualët më s`flasim për politikë por kanë filluar njerëzit në treg t`i zgjedhin partitë, kurse dje dëgjova se ekzistojnë më shumë se dy parti në lojë: NATO, udhëheqja jonë zyrtare dhe Gjingjiqi. Tani në fushë fshatarët flasin për diçka të tretën. Kurse gruaja që më shet ve thotë: po e dashura ime, ende i kemi të gjitha, pos fatit, djali im lufton në Kosovë dhe s`e kam dëgjuar kohë të gjatë. As që qan. Kishte një pamje pikëlluese në fytyrë derisa fliste me ashpërsi.

4 qershor, `99

Sonte Beogradi nuk kishte alarme: por megjithatë i kemi parë e dëgjuar aeroplanët. Ndoshta tash jemi kah ana tjetër prej kur kuvendi nënshkruajti paqen, dhe ndoshta aeroplanët e NATO-s tani janë tanët? Krejt kjo është e pakuptimtë, përgjumshëm kemi kaluar ndalimin e alarmit, kohën e tregut, berzën e gjelbërt dhe të zezë dhe pritjen në radhë për vizë… Kam dëgjuar se serbët duhet t`i pastrojnë fushat e Kosovës nga minat: mendoj se fëmijët tanë duhet t`i heqin ato e jo njësitë paramilitare të cilat i kanë vendosur. Kam dëgjuar gjithashtu në BBC se serbët duhet ta paguajnë bombardimin. Menjëherë më shkoi mendja se si do të na përgjysmohen ndihmat humanitare që t`i paguajmë shpenzimet e shumta për AVACS- e cila çdo natë na ka bërë shoqëri, të cilën e kemi shkruar tmerrshëm dhe shfrenueshëm. Çmimi i integrimit në Evropë është margjinë, mendoj, për një vend jodemokratik si na quajnë ne. Vend fashist, si na quajnë, me dallim se Hitlerin me bomba e mundën e kryetari ynë ata i mundi. Paralelizëm qesharak, por ç`mund të tingëllojë si e vërtetë pasiqë u bombardua demokracia në vendin ku fashizmi fiton.

Duke pritur paqen

8 qershor, `99

Sa më gjatë që po mendoj aq më shumë ngjarjet e përgjithshme m’i kujtojnë tragjeditë greke: etërit vrasin të bijtë, incesti, vëllavrasje, në lojën e madhe të rremë, dhe vdekjes të krerëve tanë. Shkruaj anglisht e italisht, xhiroj për TV gjermaninë: në të vërtetë unë jam krijuesi i vërtetë në ekzil.

Por duke mos lëvizur një metër nga shtëpia, as nën bombardimet, që më krijojnë iluzionin se s`është ashtu, donte sërish aeroplanët: … bomba frikë.Pra s`është më si dikur. Tash kemi edhe probleme për paqe: për të ashtuquajturën paqe e cila këtu kur s`do të jetë e qetë. Rrinim ulur në balkon duke shkoqitur pasojat e paqes: me anën e aeroplanëve dhe lajmeve për marrëveshjen. Sigurisht nuk do të kemi para, punë, shkolla dhe demokraci, do të jetojmë pa kurrnjë hapësirë të lirë. Im at më ka thënë: mos u brengos, të gjithat përsëri do t`i ndërtojnë, ngadalë do të vijë edhe demokracia, mos shko askund, rri dhe më ndihmo mua në pleqëri. Më nuk i besoj, e di përse i jam e nevojshme, si edhe gjithë këtë vit, që të më mbajë të mbyllur! që t`u shërbej ideve dhe luftërave të tij. Kjo është fitore e imja, humbja e tij dhe guximi im t`i them «Jo», të pij alkool, të tymosi duhan para tij, dhe të mos vdes për të.

9 qershor, `99

Qysh nga 17 marsi e shkruaj këtë ditar të dhembshëm: në njëfarë mërzie ishte ky viti më i rëndë i jetës sime. Tani mund të vdes e sigurtë se kam jetuar të gjitha ato për të cilat flet njerëzimi dhe mburret: jetën, dashurinë, luftën, dhe gjithë vendet që mbetën histori. Duke u shikuar në pasqyrë vërej se dukem si më parë, bile jo shumë e vjetër, një vit më pak o më shumë nuk vërehet te personat e moshës së mesme. Duke shkruar rreth vetes, megjithatë dalloj një ndryshim të madh, kjo më sështë jetë e imja, tokë e imja, miq të mi, të afërmit e mi. Si në kohën e gjetur të Prustit, është zhdukur magjia nuk ka më velo, … Sështë tragjike edhe bash si duket por është e dhembshme dhe vështirë të rrisish shekujt për një vit nën presionin e jashtëm dhe të brendshëm. Kam fituar si edhe shumica e njerëzve rreth meje. Të gjithë kemi fituar duke u mbajtur për duar ose për armë, pos atyre që sjanë mbajtur, emrat e të cilëve ende nuk i dijmë. Mendoj se më sjam idiot politik: jam e lumtur që isha por e kam të qartë, se si fëmijëria hyjnore nuk do të mund më të ik e të shihem pas asaj maske dhe të bëj jetë normale.
Jam pjekur me gjithë rrenat, i kam numëruar të gjitha mashtrimet dhe jetët që janë të vjedhura në këto vitet e fundit nga ata të cilët i kanë vjedhur. Të gjitha mund të futen në numra dhe fakte. Pse më herët nëse s`e kemi vërejtur. Të vërbuar nga shqetësimet e përditshme dhe nevojës që të jemi të mbrojtur nga premtesat tona…
Eh, po sot ka ardhur koha, populli im pa vonesë diçka do të bëj, me ose pa mua dhe ashtu jam e bindur se këto fytyra të errëta, të përhitura, që shetisin rrugëve të Beogradit, qytetit të shpirtrave, janë populli im. I takoj. Por dëshiroj të shkoj në Portugali dhe ta vazhdoj jetën e murgeshës së panjohur nga shek. XVII; shekulli që shkroi përfundimisht, letra të mrekullueshme të dashurisë të cilat shumë shekuj më vonë, i nxitën njerëzit të mendojnë për çudinë e jetës…

10 qershor, `99

Kjo është diçka e re: faza e tretë e luftës. Pas luftës së padukshme patëm një luftë agresive dhe parashikoj se tash paraqitet një luftë e përditshme. Shkova në treg të blej prej qershive e deri te … dhe një shishe viski: ta festoj natën në të cilën fjeta qetë. Nuk e vërejta policinë, as se si shvercerët kërcejnë mbi tavolina e ikin: panikë e madhe dhe tollovi. Dikush thërriste: inspekcioni o ti grua e marrë, si guxon kësi lloj pyetjesh të marra të bësh… U ktheva nga njeri polic dhe i thashë, lereni këta njerëz të qetë (prapë idioti politik fliste në mua) na kanë ushqyer në gjithë këto ditë të tmerrshme… Në mënyrë shumë toleruese më foli, po, por tani është paqe, shporru derisa edhe ty nuk të burgosëm pasiqë blen artikuj nga shvercerët. Ç`është kjo, shtet i drejtësisë, demoraci, mos normaliteti im i ri? Dhe më shporrën në gjimnaz ta regjistroj vajzën. Prindërit të dëshpruar, të gjithë duan në gjimnazin e njëjtë, por s`ka vende, nuk ka provim pranues, luftë… cili kriter është tani? Askujt nuk i interesojnë shtetet e humbura, thoshte mikja ime nga Amerrika, por t`i shkruaj edhe më.

Ky nuk është vend i humbjeve, vërej, nëna ime atë natë që u nënshkrua paqa, na uroi me këto fjalë: më vjen mirë që e prite paqen në vendin tënd. Thashë pse ngjan kjo kur në këtë rast të rëndësishëm të jetës jam jo me miqtë e fëmijët, por me te. Rastësi e pastër që qëllova te nëna por në shtëpinë tonë sigurisht nuk do t`ia kishim uruar njëri-tjetrit. Njerëzit që po ndihen të humbur po mendojnë se trupat e NATO-s do ta okupojnë Beogardin dhe me këmbëngulësi dojnë t`i ruajnë shtëpitë e tyre. Thonë: ne nuk flasim anglisht. Ata që po e festojnë fitoren mjaft më ngjajnë më ata të cilët mbrëmë festuan fitoren sportive mbi kroatët. Kanë nevojë të jenë më të mirët. Pushuam te qari dhe dolëm nga depresioni: Po ia dalim në fund me paqen, fitoren ose humbjen, s`ka rëndësi. Sërish të dy policët e luftës flasin për fitore, duke injoruar plotësisht palën tjetër. Sërish më është shkurtuar pjesëmarrja në fitore ose humbje. Por unë tani jam ish-idioti politik dhe një ardhmëri e madhe është para meje.

11 qershor, `99

Konstrukcionet politike rreth meje po zhvillohen prej … të Rendit të Ri. Të gjithë kanë fituar në luftë dhe donë edhe më shumë të fitojnë.
Athua qielli që e përvetësuam pos bombardimeve gjithashtu do të zhduket: jetë pa qiell? Plotësisht represion politik e privat.
I pashë në BBC serbët nga Kosova të tmerruar. Frikësohen të rrinë e ta presin NATO-n, dhe e morën atë që ju takoi por jo nga fqinjët shqiptarë. S`është ky konflikt i ri, kështu është me decenie. E njoh atë pamje në sytë e tyre. Më pas takova serbin e Beogradit i cili ka familjen në Kosovë: thotë se familja dhe miqtë po kërkojnë atje poshtë të ju ndihmohet që të ikin, kërkojë leje kërkojnë. Tash është radha e tyre që të bëhen heroj ose rob të tokës së shenjtë.
Ashtu si prej pjesës serbe të Sarajevës, pasi ajo i takoi federatës, popullit nuk ju lejua të shkojë kah deshi.
Një shoqe e imja e re është në spsital: meqë ia kishin mobilizuar burrin, si dhe duke punuar me refugjatë ajo kishte thyerje nervash, nuk mundet të ecë. Mjeku i cili pat nënshkruar kundër mobilizimit të burrit të saj është burgosur si tradhtar.
Si thotë nëna ime duke drejtuar gishtin në mua: fati është aty se e prite paqen në vendin tënd; Edhe shumë të tjerë kështu thonë. Shteti ua drejton gishtin tradhtarëve të tij si dhe heronjve: vendi më i sigurtë është jo vetëm të jesh hero, por të jeshë hero i rënë.