* * *

Autorja: Amelia Rosselli

Përkthyesi: Artur Peçi

Kjo fërshëllimë e rrëmbyeshme zogjsh,
kjo ngritje e hijshme nga më të lartat pemë,
mori e parreshtur,
(bulërin luan i përgjumur)
në një vrumbull mendimesh
dhe besimi im përflaket)
kjo ndalesë e tyre në degët më të holla,
kjo braktisje me vështrim të përhumbur,
është ky malli yt që kapërcen
malet e mia të ankthit,
është ky,
cak i këndshëm makthndjellës
që kurrë s’e ke njohur.

* * *
Numërojmë kufoma të panumërta.
Jemi e fundmja skotë njerëzore,
jemi karkalla që pluskon e rëgjuar
nga pasion i saj.
Qetësia s’më josh më dhe zheg i diellit
ëshët dëshira ime.
Dëshira ime për të fituar betejën,
ligësia, trishtimi, gënjeshtrat,
padituria,
mbartja e çdo të lige, çdo mirësie,
e çdo beteje, çdo detyre, çdo gënjeshtre:
mizoria si pjesë e lojës, ndërmendur
në prehërin e paditurisë.
Dashuria,
dashuri që bie e dergjesh përulur,
ylli yt është banesa ime.
Rrëzuar në fushë të betejës.
Mirësia nuk më mashtron më,
por e mashtruar jam prej saj!
Kufi i ndarjes mes pasunarëve dhe zhelanëve.

* * *
Gjurma e ecje sime ishte një fjollë
miturake e argjendtë,
vogëlushe që zgjohej kur të gjitha anijet
ngritur kishin spirancat.
Gjurma e vogëlisë sime qe lumi
që heshturazi gërreu malin,
nën një qiell të përskuqur.
E tillë ishte valle e vdekjes:
orë lutjesh e madhështish,
orë të tëra që tashmë përthyhen
në hapin e ngrirë dhe bregun e lagësht,
përtej akullit që lëviz.

* * *
Gjithë bota është e ve nëse është e vërtetë
që ti ecën akoma dhe, nëse është e vërteë
gjithë bota është e ve!
E vërtetë është bota nëse vërtet ti ecën,
e ve është nëse ti nuk vdes!
Imja është gjithë bota nëse vërtet ti
nuk je gjallë, por vetëm një kandil
për sytë e mi të vagëllt.
E verbër mbeta nga lindja jote
dhe rëndësia e një dite të re
s’është veçse natë nga kjo ndarje.
E vërbër jam nëse ti ecën akoma!
E vërbër nëse ti ecën dhe bota është e ve,
sepse bota është e verër nëse ti akoma
ecën kapërthyer mes syve të mi qiellorë.

* * *
Zemra jote fërgëllon nga ajri
që pështillet rrethuar,
përhumbesh;
tatëpjetë faqeve të panjohura
shpërthejnë lotët e ëndrrave,
gjaku në bulëza të mëdha
rrëzohet në humnerën e duarve,
shtrënguar nga makthi për të ditur
përse ajri shmanget mes fjalëve,
ligësi që shfaqet e ujshme,
shumë gjëra së toku,
por asgjë që mund të harrojë
zvarritjen tënde të pafundme,
netëve të përgjakura.

* * *
Ti nuk gjallon mes këtyre bimëve
që ngërthehen rreth këmbës sime
pa vazot e tyre
dhe s’ke në shpirtin tënd asnjë këngë
për vargjet e mia të shterpëta,
tashmë që ti nuk afron buzët e tua,
të mbyllurat buzë
mbi trupin tim të hijezuar.

Ti nuk përpiqesh të kthjellosh fshehtësinë
e mungesës tënde,
ti nuk përkëdhel lule mbledhur kurorë
rreth pulsit tim,
i thyer sepse s’mundet të të mbajë pranë,
Hëna ka edhe ajo një shpat mallëngjyes
kur përmbyset,
por ti nuk hedh fijet e zemrës tënde
përqark dorës sime
që së largu nuk mund të ngrejë
peshën marramendëse
nga kryet e tua sfilitur ofshamash.

Trembem se prania ime shpërlarg
të fundmet mundësi,
tashmë që ti nuk ngjallo n horizontin.
Trembem mos ngjaj e çuditshme, e turbullt,
duke mugulluar përhumbjen.
Trmbem mos shtrij më kot
dafinat e paqes mbi këmbën tënde
të përflakur.
Nuk kam gllënjkë tjetër nga buzët
e tua të rreshkura veç
të fshehtës sime të mbrapshtë,
mërzi e ditës shpërbërë në mijëra ashkla.

* * *
Sa fusha të sfungjerta do të donin
të bleronin të shkuarën tënde,
edhe të tashmen e mbytur,

Sa shtigje gjithkah tërheqës
që ti mund t’u shndërroje kuptimin
e vuajtjes sate.

Por drithëron në thelb të kësaj vuajtjeje,
një mall gjumi mishëror.

Kështu mëllenjat heshtin. Pështjelluar
kanë idenë tënde të paqes
me perëndimin që sjellin sytë e tu të rrëzuar,
rrëmbim i fshehtë i dëshirës
për të qenë i vtëm,
me veten…

* * *
Engjëlli im, kurrë nuk mësova
cili engjëll ishte
o për ç’rrugë të pështjelluara të desha
dhe erdha te ty,
te ty që duke zbritur çdo shkallinë
ngjaje se ngjiteshe,
duke më fshikulluar e shfaqur
një jetë të tërë humbur nga arsyeja.
Kur ia dilja të rrokja atë çka premtonte,
largoheshe.

S’mësova të paktën përse mes kaq kthjelltësish
shpalosur nga dituri e thellë,
u zhyte në marramendjen time,
nevojën e përbashkët të një shterpërsie
fundemajë miturake.

E sidoqoftë, ja ku jam,
duke shkruar vargje,
sikur ende të kridheshe në mundimin tim
të heshtur, për të kuptuar
pothuajse gjith’çka është dhënë,
boshllëkun e një dëshire të marrë,
ligështuar nga ajo çka mungon
dhe që kurrë s’mund të jepet.