Zogu ëndërrshpjegues

Autorja: Blaga Dimitrova

Përkthyesi: Agim Vinca

Rashë diku në Veri.
Qetësia e hijeve më vuri në gjumë.
U zgjova mes pyjeve jetike.

Drurët hijerëndë
i rrëfenin ëndrrat njëri-tjetrit
gjethi gjethit, trungu trungut.

Ndërsa një zog ëndërrshpjegues
parashihte që në mëngjes
një ditë të bukur me diell.

Dhe i tërë pylli ngazëllehej.

Vetëm unë u pikëllova
për diçka të pashpjegueshme
Jugu im, i ngopur me diell.

Më thuaj ç’të mundon
që s’di t’i gëzohesh
dhuratës bujare të qiellit.

Përse vrenjtesh nga rrezet?

25 maj 1994,
Stokholm