Thashë se u shemb krejt kalaja

Autorja: Naime Beqiraj

Ja tek e paskam krahërorin tënd
të shtrirë drejt diellit mbi zallë
lodhjen heq nga udhëtimi I gjatë
me erën e tokës mbi valë.

S’të shikoj gjatë se e humbi
praninë tënde si fotografi
e ndrydha herët kur ti ike
po harrimi s’ushtroi asnjë fuqi.

Frynë erë deti e lëkund palmat
pluhur vjen së larti gati si shi
tërbohen valët nga zhdukja e diellit
Çdo gjë merr ikën, ti në qetësi.

Një mbasdarke ma vodhe krejt romantikën
dy ditë të deshta më së gjati në botë
thashë se u shemb krejt Kalaja
se deti u përmbys si një gotë.

E kisha ditur ardhjen tënde
gjatë kisha pritur, por s’e kisha ndjerë
se kthehesh me pluhurin pas diellit
ditën që vetminë e bjen.

Gusht 1997