Qenësia e thjeshtësisë poetike

Autori: Anton Nikë Berisha

Fjala dhe mendimi
Fjala është qenie dhe qenësi e mendimit, e komunikimit dhe e gjallimit të njeriut në kohë dhe në hapësirë. Nëpërmjet saj gjërat marrin kuptimet përkatëse dhe si të tilla shfrytëzohen në jetën dhe veprimin e përditshëm. Kjo qenësi dhe rëndësi e fjalës shprehet në mënyrë të qartë në Ungjillin sipas Gjonit, ku thuhet: Në fillim ishte Fjala / e Fjala ishte në Hyjin / e Fjala ishte Hyj…/ Prej saj u bë çdo gjë.1
Edhe në artin e fjalës, e brenda tij dhe në poezi, fjala – gjuha – bën qenësinë e çdo shprehje e çdo kumti, e çdo mendimi që del nga struktura e tekstit konkret; ajo bën thelbin e komunikimit mes njerëve e të përvojës jetësore dhe përvojës artistike, që njeriu, nga fillimi i gjallimit të tij, e shfrytëzoi dhe e barti prej një gjenerate te tjera, duke ua lënë trashëgim atyre që erdhën më vonë.
Në artin letrar poetik nëpërmjet fjalëve sajohet mendimi. Dhe pikërisht ndërlidhja dhe marrëdhëniet mes fjalëve, kuptimet që dalin nga ballafaqimi dhe kundërvënia e tyre shprehin madhështinë artistike, fuqinë shprehëse, tingëllueshmërinë dhe muzikalitetin. Së këndejmi gjithë mëvetësia dhe madhështia e një poeti përligjet pikërisht nga mënyra e përdorimit të fjalëve, përkatësisht e gjuhës artistike që përdor, nga shumësia e mendimeve ose e simbolikës që dalin nga fjalët, nga tablot që përftohen e nga nënteksti poetologjik që krijohet nga ato. Pra, fjala qe e mbetet thelbi i çdo mendimi dhe pikërisht mendimi ishte ai që i parapriu çdo veprimi të njeriut në jetën e tij të përditshme; i ndihmoi atij ta njohë e ta kuptojë qenien e vet, po dhe shpirtin e tjetrit – botën dhe fatin e njeriut në përgjithësi – t’i njohë e t’i shpjegojë dukuritë e shumta, ekzistimin dhe mbijetimin e tyre.
Fjala dhe mendimi në poezinë e poetes arbëreshe, Enca Skutari2uqjes, ju them me gjithë mend se do t’i gëzohesha një dorëshkrimi të tillë (…) Poezia arbëreshe ka nevojë për poezi të radhës së lartë artistike. Me disa poezi Ju keni dëshmuar se mund të krijoni të tilla dhe ta pasuroni atë.”
Dhe gëzimi im nuk qe i vogël kur në fillim të prillit shkrimtarja e nderuar më dërgoi (nga Padova) dorëshkrimin e ri Hënza fshehet prapa malevet bashkë me një letër (dt. 2. 04. 1994), ku ndër të tjera, më shkruante: “Nëse e shihni të arsyeshme, do të dëshiroja t’i bënit një parathënie…”
Një kërkesë e përvujtë, që dëshmon madhështinë shpirtërore të krijueses.
Pas pesë vjetësh poetja më dërgoi sërish dorëshkrimin e rishikuar e të plotësuar dhe dhjetra poezi të reja, që tash po e shohin dritën e botimit.
Më duhet të them se e ndjej veten të nderuar që nëpërmjet këtij shkrimi hyrës kam mundësinë t’i them disa mendime për poezinë e saj në përgjithësi dhe tua paraqes lexuesve këtë vepër më të re të poetes, Enza Scutari. ngaterren jetën.
Ti je zëri i fshehur
çë lufton
me malet.
(Mendimi)
Poezia- kënga për Skutari është njësim i fjalës (i gjuhës) me mendimin dhe mjet i pandërmjemë i frymëmarrjes, i gjallimit të saj shpirtëror. Vetëm krijesa gjuhësore shprehëse që i përngjet rrjedhës së ujit të lumit është këngë e mirëfilltë, krijesë poetike që meriton të mbijetojë nëpër kohë. Skutari gjithnjë është në gjakim të këngës si krijesë që e bën të përballojë peshën e rëndë të jetës së përditshme, vuajtjet dhe pësimet shpirtërore.
e lumi reshten gurë
si fleta lisi,
po nëng dí
se këndon kënkën
çë u’ kërkonj
mos të harronj
se jam e gjallë.
(Mos t’harronj)

QARTËSIA DHE RËNDËSIA E KOMUNIKIMIT

Koncepti poetik i Enca Skutarit ngritet mbi bazën e thjeshtësisë, të qartësisë dhe të ngjeshësisë së përftimit të tekstit artistik e të mesazhit që del prej tij. Poetja gjakon që dukuritë e botës e të natyrës, pastaj shqetësimet, pësimet, fatin e njeriut, t’i shprehë nëpërmjet një strtukture të thjeshtë tekstore, po të përftuar me përkushtim. Ajo përdor fjalë dhe shprehje që ofrojnë mundësi të ndryshme për receptimin (pranimin) e mesazhit të tekstit. Pra, qenësore për autoren tonë është që krijesa gjuhësore poetike të mund të komunikojë me një rreth sa më të gjerë lexuesish arbërfolës, të jetë e kuptueshme dhe rrjedhimisht me këtë të bëjë ndikimin përkatës. Nëpërmjet fjalëve, gjuhës poetike, ajo gjakon të vërë një dialog me dukuritë dhe me gjërat që heqin peshë në jetën e përditshme të njeriut ose në botën e brendshme. Në këtë mënyrë synohet njohja më thellsore e botës dhe e shpirtit të njeriut, po edhe pasurimi i asaj bote, si përvojë konkrete dhe artistike. Poezia e saj ngritet mbi bazën që Benedeto Kroçe (Benedetto Croce) e përmbledh në këtë mënyrë: “Çdo shfaqje e pastër artistike është në vetvete gjithësia (universi), gjithësia në formën individuale, në formën individuale si gjithësi. Në çdo shqiptim të poetit, në çdo krijesë të imagjinatës së tij, është i gjithë fati njerëzor, të gjitha shpresat, të gjitha iluzionet, dhimbjet, gëzimet, madhështitë dhe dobësitë njerëzore; e gjithë drama e njëmendësisë (e realitetit) që ngjet e rritet në veprim me vetveten, duke vuajtur e duke u argëtuar”.
Si struktura tekstore shprehëse poezitë e Enca Scutarit janë të shkurtëra. Ato nuk ngriten mbi bazën e një sistemi metaforash të zgjedhura e simbolesh të rralla, të përqendruara në leksema të veçanta e me nyjetim të shumtë kuptimor; nuk shprehin pathosin dhe emocionin e sforcuar, por janë poezi të një rrëfimi të veçantë e të ndjeshëm lirik, të krijuar nëpërmjet një gjuhe të kuptueshme, ndonjëherë simbolike, po jo abstrakte. Autorja i parapëlqen tablot poetike si përbërëse të rëndësishme të krijesës së saj gjuhësore shprehëse, të cilat, të ndërlidhura mes veti, bëjnë qenësinë e mozaikut artistik. Në të vërtetë, në bazë të ballafaqimit ose të kundërvënieve të fjalëve, që shprehin kuptime e nuancime, gjendje e çaste të ndryshme, poetja krijon përfytyrimin e botës e të gjithësisë (universit), të jetës e të fatit të individit, krijon njëmendësinë (realitetin) poetike nëpërmjet strukturës tekstore. Kjo mënyrë e përftimit artistik shkakton një nëntekst të pasur poetologjik, që secili e recepton dhe e zhvillon në mënyrën e vet.
Mllënja
te çuka
lisit:
një vulë e zezë
ndër qiell
një fishkat
vjerr te era.
Dheu ka adurin
e borës.
(Adur borje)
Herë-herë një simbolikë e pasur shprehet nëpërmjet ballafaqimit e kundërvënies së kuptimit te fjalëve, që merr formën e një “loje” domethënëse të botës së brendshme ose të fshehtësisë së dukurive.
Më tha vashez
e u’ qesha,
më tha mall
e u’ ja pata besë,
më tha nuse
e u’ bëra këshet,
më tha grua
e u’ shtura dega,
më tha zonjë
e u’ ngava qiellen
me një glisht.
(Më tha)
Poezia e Enca Skutarit është thellësisht poezi subjektive, e çiltër dhe e sinqertë. Autorja nuk gjakon e nuk trajton të ashtuquajtura “tema të mëdha”, po nëpërmjet imtësive, “vogëlsive”, pjesëve e gjendjeve të veçanta jetësore, shpreh çështje që gjallojnë brenda qenies dhe shpirtit të saj, përkatësisht trajton ato dukuri të rëndësishme që lidhen me botën dhe me fatin e njeriut në përgjithësi. Përvoja e gjatë jetësore i ka mundësuar njohjen e drejtpërdrejtë dhe të thellë të jetës; ajo ka provuar e ka përjetuar në jetë vetminë, pasigurinë, dhimbjen, pikëllimin, prandaj në poezinë e saj jeta trajtohet ashtu çfarë është në të vërtetë: e mirë dhe e keqe, e bukur dhe e shëmtuar, e hareshme dhe e helmueshme (e pikëllueshme), me pësime e me tragjikë. Këtë përvojë ajo e shpreh herë-herë në mënyrë të drejtpërdrejtë: Vetëm ti e di / o Zot, sa driza / gilmonjen / lkurën time; U ndihem si një zog / i bjerrë pa penda; Një ditë pa gjurmë… pa lot / pa gaz, po shpesh edhe nëpërmjet simbolikës dhe nëntekstit të pasur: Udhës mjegullat / më mbajnë frymën; Je ëndërr / pa kurm…/ Je Umbra / çë s’duron / kur dihet!
Në poezinë e saj nuk mohohen gëzimet e jetës, po mbipeshon shqiptimi i vuajtjes, i dëshprimit, i pikëllimit, që shenjëzohen nëpërmjet territ, mjegullës, zogut pa krahë, brumbullit të zi, gjëmbave, suvalës, llavinës, lisit të thatë, shërtimës, thengjillit të pashuar, nuses pa keze, kërkimit të dritës së diellit, mëshirës së Hyut.
Gjendja shpirtërore e trazuar, droja, pësimet etj., shprehen sidomos nëpërmjet simbolikës së erës, që është funksionalizuar mjeshtërisht në disa poezi; era ia prish poetes drejtpeshimin shpirtëror e mendor; e bart dhe e tret si kashtezë dhe e bën atë të pikëllueshme në gjallimin dhe në veprimin e përditshëm.
era më spurrunxis
ndëpër jetë si një
fillith kashtë
e birem ndër llargat
çë e liga farmakos.
(Si një fillith kashtë)
Ndonjëherë era merr edhe ngjyrim të subjektit të personifikuar, të shpirtit të zemëruar, që rresht (shpërndan) ret në qiell, këput degë lisash e gremis gurë dhe çë më fryn / ndër vesh / si një shpirt / i rraxhuar!, që shenjëzon para së gjithash vuajtjen dhe mjerimin. Në jetën e mbidheshme vuajnë dhe pësojnë edhe të tjerët dhe pikërisht kjo gjë e trazon dhe e bën të vuajë atë pa masë.
Si një reth
dielli,
si një rreth
hënza,
si një rreth
nga illith
si di rrethe
sit’ e tu
pa gaz.
(Mallanguní)
Poetja jo një herë ka përjetuar në jetë hidhërimin dhe helmin: ka kërkuar një lule e ka gjetur një gjëmb; ka kërkuar një qingj e ka gjetur një ujk, po shkallëzimi shpesh ka qenë edhe më i madh.
Kirkonja një zog
e gjeta një gjarpër.
Çë ditë pafan!
(Kirkonja një lule)
Skutari shpesh e shqipton jetën si gjakim, si projektim, si ëndërr, gjë që nënkupton papajtueshmërinë, pakënaqësinë, pra nevojën e ndërrimit. Nëpërmjet një strategjie të këtillë të shqiptimit ajo në të vërtetë i kundërvehet jetës së rëndë konkrete. Poetja parapëlqen jetën ëndërr. Kjo ëndërr e jetës është tejet e veçantë; ajo gjakon sidomos qiellin dhe hënzën, të cilat nuk mund t’i shuajë shiu mbi dhé (simbolikë e pësimeve në jetë); ëndrra i përngjan një fluture që prehet vetëm te hënza, që, pos tjerash, simbolizon ndërlidhjen me qiellin.
Ëndrra ime:
një flutur
çë flë
te hënza
(Ëndrra ime)

Hyu dhe përshpirtshmëria

Duke e vështruar dhe shqiptuar botën dhe fatin e njeriut në një rrafsh thellësor, Skutari thekson se jeta tokësore është kalimtare, i përngjet borës buzëdetit, prandaj mirësia, flijimi për një jetë të njëmendët e të përvujtë, duhet ta cilësojë veprimin e secilës vetje. Ajo kërkon që midis njerëzve të mbretërojë mirëkuptimi, mirësjellja, gatishmëria për t’i ndihmuar tjetrit, pra “Të duhemi mirë”, për të ngadhënjyer më lehtë mbi vështirësitë e të papriturat e gjallimit, për të zbutur sado pak vuajtjet dhe për të gjetur udhën e jetës qiellore, të amshuar, cilësi që thellësisht e përshkon poezinë e saj.
se Kjo jetë rron
si bora te ohta.
Me të but
e dhëmbësí
me fermicë
e lipisí,
tue kapirxjer
gropa e timba
gjen udhën e gjerë
pir jetën çë nik shkon.
(Udha e gjerë)
Duke bërë objekt trajtimi artistik hirin, mëshirën, ngrohtësinë dhe dritën e Hyut, shprehen disa nga ndjesitë dhe fshehtësi më të thella shpirtërore të poetes. Autorja kërkon nga Zoti mëshirë, mirëkuptim, pëkujdesje e ndihmë të vijueshme (ki lipisí / pir trenin tim / çë rrangár pa rola!) për zgjidhjen e vështirësive që lidhen me veprimin e përditshëm në jetë e sidomos lehtësimin e shqetësimeve dhe vuajtjeve shpirtërore. Marrëdhënia me Zotin shprehet në mënyrë sa thellësore aq të mëvetësishme dhe nëpërmjet një arti të ngritur. Hyu shenjëzon qenësinë e gjallimit të përditshëm për secilin, po njëherit dhe mëshirësinë dhe pavdeksimin e shpirtit të njeriut. Ai është burim i dritës dhe i mëshirës, ku secili merr fuqinë, mirësinë dhe përvujtninë (Pirpara tën Zot / sos të kesh / te zëmra / një pikëz mjalë / të kulluar), prandaj poetja me një përkushtim e përshpirtje të veçantë i drejtohet Krijuesit të gjithpushtetshëm:
Ti je jeta ime
udha e gjerë
prej qielles.
Te fjala jote
u’ nëng birem,
te drita jote
u’ marr fuqi
Ti je lumi
çë banë deshiret e mi
Ti je deti mbrënda detit
Shpirti pa vdekur
mbrënda shpirtit tim.
(Ti, o Zot)
Poetja nuk shqetësohet dhe nuk vuan vetëm për atë që pëson ajo si vetje, po edhe për atë që pësojnë të tjerët, për fatin e njerëzve e të gjallesave në pëgjithësi; fatkeqësinë e të tjerëve ajo e sheh dhe e përjeton si fatkeqësi të veten, gjë që dëshmon për një shpirt sa të ndjeshëm e fisnik, po aq të pasur e njerëzor, prandaj i drejtohet Hyut me plot përkushtim.
U’ të lutenj, o Zot,
pir lisin pa rrënjë
pir lumin pa ujë
pir qingjin pa jëmë
pir fjalën time pa golë.
(Kalm prej erës)
Poezia e Enca Skutarit, si dhe poezia bashkëkohore e arbëreshëve të Italisë në përgjithësi, është krijesë nëpërmjet së cilës ajo gjakon njohjen dhe zbulimin e së vërtetës brenda vetvetes dhe tek tjetri; është përftesë ku shpërndërrohen e njësohen nuancimet e mendimeve, të tingëllimeve e të ritmit të shprehur nëpërmjet gjuhës poetike, përkatësisht ballafaqimit të fjalëve e të kuptimeve të tyre; është shqiptim i brendësisë shpirtrore dhe hyjnore përballë realitetit, është kërkim i njësimit me qenësinë e të qenunit dhe me qenësinë e së vërtetës; është përftesë (krijesë) që lind nga fuqia shpirtërore e krijuesit dhe nevoja për ta shprehur botën e brendshme dhe thelbin e gjallimit, të veprimit e të ndërrimit të njeriut dhe jetën e amshuar. Thënë metaforikisht: poezia e saj (si dhe ajo e poetëve të tjerë bashkëkohorë arbëreshë) është lindje që gjakon vijimisht rilindjen e përhershme nëpër kohë3. Për këtë arsye themi se vëllimin e saj me poezi Hënza fshehet prapa malevet e cilësojnë vlera të rëndësishme poetike dhe si i tillë ai e pasuron në mënyrë qenësore poezinë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë.
Kozencë, maj 1994 dhe korrik 1999

Fusnot
1 Shih Shkrimi Shenjt Besëlidhja e vjetër dhe Besëlidhja e re. Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj. Drita, Ferizaj 1994, f. 1504.
3 Shih, Anton Nikë Berisha, Antologji e poezisë bashkëkohore arbëreshe. Antologia della poesia contemporanea italo-albanese. Përktheu dhe rishikoi përkthimet në italisht Vinçenc Belmonte. Centro Editoriale e Librario Università degli Studi della Calabria. Rende (CS) Italia. 1999, f. 22 dhe 38.