Mërgim
Përkthyesi: Agim Vinca
Mërgimtarë,
kope e frikësuar, e shpërndarë,
nga gjëmimi i vrapit tuaj.
E nën thembra
si një re lamtumire
ngrihet pluhuri i vendlindjes.
Atdheun bartni me shuajt e këpucëve
në të katër anët e botës.
Mos u ktheni!
Në gurë do të shndërroheni
nëse e ktheni shikimin pas.
Fatzinj,
vështroni brenda vetes,
është i vetmi shteg që mund t’ju shpjerë
në shtëpi.
Dhe mos e harroni
në errësirë
fenerin dritëkumbues –
Gjuhën e nënës!
5 gusht 1994