Xhubleta
Agim Bido: Arti popullor në veshje e tekstile (Malësitë e Shqipërisë Veriore) Instituti i Kulturës Popullre, Tiranë 1991, f 225
Agim Bido, si studiues i artit të zbatuar popullor, me anë të këtij libri pasuron dukshëm literatrën që merret me problemin e veshjeve dhe tekstileve popullore dhe njëherësh plotëson studimin e tyre në një aspekt të rëndishëm e atraktiv, deri më tash fare pak të trajtuar, siç është ky i strukturës artistike dhe shprehjes estetike të kësaj krijimtarie popullore. Ai, duke qenë mirë i njohur me të arriturat studimore të veshjeve e tekstileve popullore shqiptare, që ishin rezultat i punës së studiuesve të huaj (Nopça, Herbranti e Durhami) dhe atyre shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, interpretimin e dukurive të trajtuara në punimin e tij e bazon në shqyrtimin historik e shoqëror të dukurive estetike dhe dinamizmin estetik të dukurive artistike. Veshjet dhe tekstilet e qëmtuara këtu, janë nga disa krahina të Shqipërisë Veriore (Malësia e Madhe, Dukagjini, Hasi dhe Malësia e Gjakovës) meqë, siç theksohet, “materiali i grumbulluar paraqiste interes, si në aspektin e larmisë, ashtu edhe në rrafsh krahasues kombëtar.
Kreu i parë i titulluar “Bukuritë e kostumit me xhubletë”, siç shihet edhe nga vetë titulli, ka të bëjë me xhubletën si veshje e veçantë dhe interesante, e cila është pjesë përbërëse e veshjes popullore të grave në Malësinë e Madhe, Dukagjin, rreth të Shkodrës dhe në një pjesë të rrethit të Pukës. Në kreun pothuaj tërësisht kushtuar këtij kostumi, në mënyrë të detajizuar qëmtohet struktura tipologjike e artistike e xhubletës duke filluar nga llojet e saj si veçori, llojet sipas moshës së atyre që e bartin, sipas funksionit që kanë me raste të ndryshme shoqërore si dhe sipas vetë ndërtimit të saj dhe pjesëve të tjera që e shoqërojnë (kërdhokël – brez, pështjellak, krahoqe, mëngëza e shputa me çorapë), me ç’rast kjo veshje bëhet një kostum i kompletuar me pamje monumentale. Ky monumentalitet i kostumit shpjegohet me hapjen e gjerë konike dhe të valëzuar të xhubletës, tërheqjen fundore vertikale, ngurtësinë, trashësinë dhe ngjyrat e errëta të saj, që lënë përshtypje të veçantë e hijerëndë, qoftë kur bartësja qëndron, qoftë kur ajo ecën apo vallëzon. Pastaj analizohet përfytyrimi estetik i malësoreve, i cili, thotë autori, është i prirë të parapëlqejë bukurinë e zhvilluar edhe si masë të bollshme figurative. Kjo shpjegohet me vetë përshkrimet që japin malësoret për xhubletën e cila sipas tyre duhet të jetë e madhe, e gjerë dhe e rëndë që malësorja e veshur me të të duket trupmadhe, e bëshme, e fortë e kjo nënkupton edhe të bukurën.
Është interesant të theksohet se autori ka prirje që monumentalitetin e xhubletës, pra pamjen e saj, e gjithashtu edhe shijen e malësorëve për të bukurën ta sqarojë në një aspekt natyralist, pra duke theksuar se vetë ambienti në të cilin ata jetojnë (e që është plot lartësi, madhësi e gjerësi) ndikon në psikologjinë kolektive, e cila manifestohet edhe në shije, apo prirje estetike, e pastaj kjo prirje estetike shprehet edhe në elemente të tjera kulturore si p.sh. në krijimtarinë epike dhe stilin e ndërtimit. Shpjegimi natyralist i autorit sidomos vjen në pah në krahasimin e xhubletës me pamjen e Alpeve me ç’rast nxirren në pah paralele interesante me valëzimin e xhubletës si dhe ngjyrat kryesisht kontrastuese të këtij kostumi,por një krahasim i tillë sado interesant dhe bindës, megjithatë mund të sjell në dilemë kur dihet se origjina e saj është mesdhetare pra nuk ka të bëjë vetëm me terrene të larta.
Vend i posaçëm në këtë kapitull i kushtohet edhe ornamentikës së kostumit me xhubletë, e cila, pa dyshim, është e pasur, e larmishme dhe shumë domethënëse. Ornamentika këtu shpjegohet si mjet i shprehjes së psikologjisë shoqërore, i shprehjes artistike të kolektivit, duke u shërbyer pa dyshim edhe me shpjegimet simbolike, si orientim në bazën e strukturës së ornamenteve, konkretizimit të motiveve. Një gjë e tillë këtu realizohet nëpërmjet grupimeve të ornamenteve në motive gjeometrike, kozmike, floreale, zoomorfe, antropomorfe e motive të ndryshme si dhe qëmtimit të secilës prej tyre në veçanti. I kushtohet konsideratë shpjegimeve të vet malësoreve për domethënien e ornamenteve dhe për mënyrën e krijimit (përftimit) të tyre. Motivet në përgjithësi siguroheshin përmes tri rrugëve: a) Nga rrobat e shoqi-shoqit, apo të ndonjë fshati tjetër që ka të njëjtën veshje; b) Nga objekte të ndryshme të përdorimit shtëpiak të gdhendura në gur, dru etj. dhe c) motive të frymëzuara nga natyra.
Gjatë bartjes së motiveve ornamentale brez pas brezi është ruajtur simbolika, figuracioni, skema e kompozimit etj. por megjithatë çdo herë në xhubleta është theksuar shija individuale e malësoreve dhe tendenca që ato të jenë sa më të bukura. Kështu me kohë erdhi edhe risia e përdorimit të rruazave të qelqta dhe shumëngjyrëshe për zbukurimin e xhubletës, duke cunguar kështu ritmin karakteristik linear të saj. Si veçori stilistike të sistemit dekorativ të xhubletës theksohen, përveç karakterit linear, edhe simetria kompozicionale, ngjyrat bazë të kostumit me xhubletë (e bardha, e kuqja, e zeza) dhe kontrasti grafik.
Kreu i dytë i titulluar “Dekoracioni asimetrik hasian” është një analizë interesante e zbatimit të asimetrisë në artin popullor të veshjeve të grave dhe tekstileve në rajonin e Hasit, të cilat si të veçanta kanë tërhequr që më parë edhe interesimin e studiuesve të tjerë. Krahina e Hasit ndahet në tri rrethina: në Hasin e Thatë ose të Gurit (rrethi i Kukësit), në Hasin e Brinjës (rrëzë malit të Pashtrikut) dhe në Hasin e Rrafshit (Kosovë). Në strukturën e veshjeve për gra dhe të tekstileve të krahinës së Hasit vërejmë dy sisteme themelore të dekoracionit: atë asimetrik dhe simetrik të cilat janë karakteristike për zona të caktuara. Këtu i kushtohet rëndësi sistemit dekorativ asimetrik i cili zbatohet në Hasin e Gjakovës (që përmbledh Hasin e Gurit, gjysmën veriore të Hasit te Rrafshit si dhe fshatra fqinje të Malësisë së Gjakovës) Në analizën e strukturës asimetrike dhe përbërësit e dekoracionit asimetrik autori thekson bashkëveprimin harmonik të tre përbërësve: të teknikës së punimit, të ngjyrave, dhe të kompozimit të ornamenteve. Teknika “me gojë m’shelë” është teknikë e veçantë e endjes në avlemend për të cilën shquhen mieshtret hasiane dhe e cila u kushtëzon përdorimin e dekoracioneve në forma këndore ndërsa e verdha unikale hasiane paraqet shprehje të papërsëritshme artistike në kolorit.
Zgjedhja asimetrike e kompozimit të motiveve në dekorimin hasian ndonjëherë len përshtypjen e një “çrregullsie” por në fakt ajo përbrenda saj ka rregulla të pashkruara të cilat hasianet i zbatojnë me kënaqësi të madhe.
Në sistemin dekorativ asimetrik të veshjeve për gra dhe tekstile të Hasit shquhen variacionet të cilat mund të ndahen në dy grupe: a) Asimetria kompozicionale në vizatim dhe b) asimetria kromatike e grafike. Në grupin e parë dallohen asimetria e lirë tipike, që zbatohet kryesisht nëpër qëndisjet e grykoreve të këmishëve nusërore hasiane, te futat e përparme e të prapme, te disa modele zbukuruese të jastekëve dhe pjesërisht të corapeve, si dhe asimetria brenda simetrisë me ç’rast zgjedhjet asimetrike janë të bazuara mbi një ose dy boshte simetrike. Këtë variantë e gjejmë të zbatuar në mjaft modele të jastekëve, në hejbe, dyshekë fëmijësh dhe aty këtu në grykore këmishësh apo në këllëfë dyshekësh. Ndërsa grupi i dytë, asimetria kromatike, shfaqet i ndërthurur me asimetrinë e lirë tipike dhe asimetrinë brenda simetrisë. Si ngjyra komplementare paraqiten e kuqja me jeshilen, e verdha me vjollcen, e kaltra(blu) me portokallen etj. të cilat sidomos vijnë në shprehje në dekorimin e grykoreve të këmishëve të nuseve ku, thekson autori, çdo motiv i veçantë sjell ndërmend një stoli dhe supozon se paraqet një imitim të stolisjes metalike të gjoksit me anë të qëndisjes,e kjo mënyrë e zbukurimit buron nga kulti i pjellorisë. Në vazhdim shqyrtohet mendësia estetike popullore dhe origjinaliteti i dekorimit asimetrik në Has, duke u nisur nga një thënie e një nëne hasjane, e cila thotë kështu: “Asnjë ngjyrë vetëm nuk qet gja. Një ngjyrë apo një yrnek (motiv) jep vetëm një pamje. Të tana bashkë japin shumë pamje. Asht’ ma bukur për synin”. Zbukurimet, si shprehje e një bote shpirtërore të gruas hasjane, autori i mbështet edhe në shpjegimet e grave për praninë e zbukurimeve asimetrike me arsyetim që “mos me e hangër m’sysh nusen” me ç’rast zbulohet funksioni ritual magjik i dekorimit. Pos kësaj, duke u mbështetur në shpjegimet e ndryshme të grave për motivin, dëshirën dhe shijen e përdorimit të këtyre dekorimeve, i bëhet një qasje interesante mendësisë estetike hasjane, e cila shquhet me me origjinalitet artistik.
Në këtë kapitull, dekorimi asimetrik dhe zbatimi i tij në këtë krahinë, gjithashtu, shpjegohet në aspektin natyralist, ku thuhet se ato janë reflekse të vetive estetike të relievit dhe klimës së Hasit, të cilat shquhen me kontrasin rrafshinë – lartësi. Pozita malore e Hasit i ka dhënë përparsi ekonomisë blegtorale e kjo e ka bërë më të afërt përdorimin e leshit si lëndë të parë për prodhimin e veshjeve dhe zbukurimin e tyre. Si rrjedhim i kësaj shpjegohet edhe shija për rregullimin e shtëpisë, sidomos enterierit të banesës, ku pjesa në të cilën priten mysafirët dallon nga pjesa ku rrinë shtëpiakët edhe pse fjala është për të njëjtën hapësirëm të ndarë në dy pjesë përkatëse, njëra kundruall tjetrës. Një kontrast apo asimetri vërehet edhe në vallen grarishte të Hasit, si dhe në këngët popullore të dasmës, kur me rastin e ekspozimit të çeizit të nuses, krahas ndjenjave më të pastra dhe fjalëve më delikate që i kushtohen nuses, paraqiten edhe fjalë shpotitëse për punën e nuses, e cila shihet në pajë.
Në fund të këtij kapitulli nxirret përfundimi se dekoracioni asimetrik në veshje dhe tekstile të Hasit mund të konsiderohet si hasian e madje sistemi dekorativ me zgjedhje kompozicionale asimetrike i tekstileve të Hasit paraqitet i papërsëritshëm për nga konceptimi dhe shkalla e realizimit artistik edhe në rrafshin krahasues ndërballkanik e ndoshta edhe në atë evropian.
Kreu i tretë titullohet “Ornamentika popullore në Malësinë e Gjakovës” dhe këtu, kjo temë, shqyrtohet përmes veçorive të simbolikës dhe të funksionit artistik e simbolik të motiveve në veshje e tekstile të kësaj krahine dhe këtu përfshihet edhe ornamentika e veshjeve dhe tekstileve të Hasit, për arsye të ngjashmërive në mes të të dyjave. Në rrethin e Malësisë së Gjakovës përdoren katër veshje të ndryshme tradicionale: veshja e “ngushtë” dhe veshja “me pështjellak”, si mbizotëruese, dhe veshja me xhubletë dhe veshja e Rekës në fshatra të caktuara. Në këtë punim, objekte studimi janë ornamentet e dy veshjeve të para si dhe tekstileve. Ornamentet këtu analizohen sipas shpjegimit popullor, të cilat mund të klasifikohen në ato me motive krahasuese me objektet që pasqyrojnë, pastaj në motive me shpjegim gjeometrik dhe motive pasqyruese e simbolike, duke përfshirë këtu edhe ato me kuptim simbolik magjik. Pra, në grupin e parë hyjnë të gjitha ato motive, të cilat vendaset i shpjegojnë duke i krahasuar, qoftë me objekte që gjenden në natyrë (“si thonj mace”, “si lul”, “si gjeth dushku”, “si gjys’ hane” etj.) qoftë me motivet që i gjejmë edhe në objekte të tjera (“si lul’ qilimi”, “si lul’ tepsie”, “yrnek qilimi” etj.) Motivet me shpjegim gjeometrik kanë kryesisht strukturë këndore dhe në shpjegimin e tyre, vendaset, gjithashtu, bëjnë emërtimin në varësi me ngjashmërinë e tyre në forma objektesh reale e simbolike, pra me emra sendesh, insektesh, kafshësh, objekte kozmike, lulesh etj., por edhe në bazë të figurës gjeometrike që ato krijojnë. Në grupin e tretë të motiveve janë ato pasqyruese dhe ato me kuptim simbolik – magjik. Këtu numërohen ato motive që janë të orientuara drejtpërdrejt nga mjedisi dhe që shpjegohen me elemente konkrete nga ky mjedis. Psh. Motivet “turravec flokësh”, “vath”, “bylyzyk dore” dhe “tafte argjendi” synojnë të jenë sa më të përafërta me formën reale të stolive. Është interesant shpjegimi i autorit lidhur me ekzistencën dhe zbatimin e këtyre motiveve, si imitim i artit qytetar, i cili në një rast sqaron dallimet kryesore të zbukurimit qytetar (të Gjakovës) me atë popullor (të Malësisë), duke theksuar se në qytet më dendur përdoren motive floreale dhe simbolike, kurse zbukurimi tradicional fshatar pranon natyrshëm edhe ornamente të thjeshta e tregimtare (dora, grep kandari, kulaç, gërshërë) apo ndoshta arsyeja e një përcaktimi të tillë qëndron në arkaizmin e ornamentikes fshatare.
Po në këtë grup përfshihen edhe ornamentet me kuptim simboliko – magjik. Këtu hyjnë motivi i gjarprit, i diellit, shqiponja, gjys’ hana, hajmalia, myhyri Sylejman etj. Karakteristikë e këtyre motiveve janë struktura figurative e motivit (motivi paraqitet më i shprehur, më dallues dhe më i madh ndaj motiveve të tjera dhe ngjyrat e tij janë kontrastuese në krahasim me sfondin ku zbatohet) si dhe kompozimi i motiveve (motivet simboliko – magjike shërbejnë si “vula cilësuese” për një tekstil ose pjesë të veshjes.
Në funksionin artistik dhe estetik të ornamentikës popullore këtu përfshihet edhe përmbajtja shoqërore dhe funksioni shoqëror që këto ornamente kanë me rastin e ceremonialeve të ndryshme e sidomos ato të të dasmës dhe të mortit. Kështu, p.sh. theksohet se, jo vetëm gjatë ceremonialit të mortit, por edhe në rastet e ngushëllimit, pështjellakët e veshjes së malësoreve ktheheshin mbrapsht, sepse në atë mënyrë zbukurimet nuk janë të theksuara dhe errësimi i tyre i shkon për shtati atmosferës së zymtë. Një funksion tjetër estetik e artistik i veshjes dallohet edhe simbas moshës së cilës ato i dedikohen. Roli artistik i ornamenteve në sistemet dekorative të veshjeve dhe tekstileve këtu shqyrtohet duke analizuar në mënyrë krahasuese edhe veshjet e Hasit dhe veshjen me xhubletë, ku dallohen skema kompozicionale dhe ngjyrat e përafërta, por nuk është e theksuar asimetria.
Kapitulli i fundit “Shprehja estetike e kostumeve popullore dhe tekstileve nga Malësitë e Shqipërisë së Veriut” është një kundrim estetik ndërkrahinor. Autori, kësaj problematike i bën një analizë, të themi, të stërholluar, me ç’rast përsëri theksohet mbështetja e tij e shpjegimeve në bazë të mendësisë popullore, si dhe qëndrimi i tij natyralist lidhur me shijen dhe shprehjen estetike malësore. Këtu shqyrtohet përmbajtja e shprehjes estetike përmes përmbajtjes simbolike dhe shoqërore të ornamenteve, simbologjisë së ngjyrave dhe frymës epiko – lirike të dekorimeve, numërohen faktorët objektivë dhe subjektivë të shprehjes estetike, siç janë: historia dhe jeta ekonomoike e malësorëve, konstitucioni shpirtëror e fizik i popullsisë malësore dhe natyra e peisazhi i Malësisë. Shqyrtohen mjetet që realizojnë shprehjen estetike si: a)shtrati dekorativ i kostumit popullor; b) vizatimi, koloriti dhe kompozimi i dekoracioneve c) faktura artistike e tyre, si dhe bashkëveprimi i këtyre mjeteve shprehëse estetike. Analizohet edhe ndërthurja e veçorive stilistike dhe shprehja estetike dhe funksioni shoqëror i strukturave artistike të kostumeve popullore dhe tekstileve nga Malësitë e Veriut.
Libri përfundon me një përmbyllje, në të cilën autori përfshin një numër konkludimesh të nxjerra si rezultat i punës në temën e shqyrtuar. Libri, gjithashtu, ka parathënien dhe rezymenë në gjuhën angleze, bibliografinë e konsultuar dhe përmbajtjen. Pa dyshim, këtë libër, gjithsesi të veçantë, e pasuron shumë prania e një numri të madh të fotografive dhe skicave që bëjnë që çdo analizë të kuptohet, ndihet e shijohet më lehtë dhe më përafërt nga lexuesi. Së fundi, libri në përgjithësi është një trajtim origjinal i veshjeve dhe tekstileve të Shqipërisë Veriore, dhe në këtë mënyrë paraqet një margaritar në thesarin e literaturës mbi këtë temë.
L.K