Konteksti ontologjik dhe idetë feministe

Autorja: Qibrije Demiri

Përkitazi me librin “Me bisht syri” të Xheraldina Buçinca –Vulës”

Libri i dytë me poezi “Me bisht syri” i poetes Xheraldina Buçinca- Vula, i botuar shtatë vjet pas librit të parë “Megjithatë sillet”, sheh dritën në një kohë tepër të errët, në të ciën edhe udhët drjet lexuesit janë lidhur në një udhëkryq në formë gërmadhe, bërë nga rrënimi i sistemit të vlerave. E themi këtë jo për faktin se ky libër është ndonjë manifest, por për atë se, ndër të tjera, idetë e mbarshtruara aty, tashti u manifestuan me përpjekje për identitet më të qartë të gjinisë femërore, mbase edhe si reaksion agresiv ndaj të keqës që ka pllakosur vendin tonë, për të dëshmuar se femra jonë din t’i jap kuptim të mirëfilltë unversit të amësisë. Ndoshta bota megjithatë sillet me bisht syri, por hapësira brenda së cilës femra jonë dëshmohet edhe si subjekt krijues, po rritet vazhdimisht. Ndoshta edhe është koha që të kapërcehet ky kompleks dhe për vlerat krijuese të femrës sonë të flitet pa e potencuar gjininë, në mënyrë që të bëhet sa më e qartë vlera e prodhimit të tyre krijues. Mendoj se për këtë na obligon edhe libri të cilit i referohemi, por edhe botimet e fundit të disa krijueseve tona siç janë Mimoza Ahmeti, Fakete Rexha, Shukrie Gashi etj.

IDETË E POETIZUARA FEMINISTE

Libri me poezi “Me bisht syri” i Xheraldina Buçinca-Vulës, që në titullin e shenuar me një sintagmë, e cila në kuptimin frazeologjik dëshmon një kundrim të dyshimtë ndaj gjinisë femërore, që në këtë kontekst s’ka si të mos i referohet gjinisë tjetër, na parapërgatitë për ndeshjen me idetë e poetizuara feministe, të cilat gjithnjë e më shumë po zënë vend në letrat tona, ndërsa kësaj krijuese po i japin një dimension të veçantë. Shih për këtë, me arsye të fortë, poetja citon Erika Jongun:”Derisa gratë nuk filluan të shkruajnë libra, ekzistonte vetëm njëra anë e rrëfimit”. Ekzistonte dyshimi i krijuar për femrat që nga proverbat e lashtë latin dhe i bartur në gjuhën e Zaratustrës së Niçes, i cili thotë se gruaja është vetëm për shlodhjen e luftëtarit, apo mendimit që vazhdon të përtypet nga gjinia mashkullore se femra është krijuar për ta zbutur zemrimin e mashkullit. Mu për këtë idetë feministe në këtë libër poetizohen mbi motivet e vjelura që nga koha e personazheve të parë biblik mbi ndërtimin e botës. Kjo më së miri mund të ilustrohet me vargjet e poezisë “Eva i dha mall Adamit”: “ …Eva i dha mall Adamit/ të mos ju hiqet më kurrë/ e të mendoni mesin e këmbëve/ që zvarritet në pyllin e dendur/ të Venerës”. Në këtë kontekst duhet kundruar edhe vargun e parë të poezisë “ Dashnorët e rinj lëpijnë pluhurin nga buzët”: “Mos t’ma mat kush gjuhën të më çnderojë kujtimin”. Mbase këtu më bukur dhe më fuqishëm autorja bën një protestë të ashpër edhe kundër përfoljes së vullgarizuar të gjinisë tjetër.
Nga ky këndvështrim duhet kuptuar edhe frymën protestuese të kësaj poeteje që është e pranishme në shumë poezi të këtij libri. Nuk kemi të bëjmë me një protestë të sforcuar, por përkundrazi fjala është për një protestë të motivuar dhe të shqiptuar shkëlqyeshëm. Tipike për këtë është poezia “Ç’ dreq kam unë”. Poetja kështu shpreh protestën përmes këtyre vargjeve:”Ç’dreq kanë dritaret që përdridhen/si kurvat plaka në trotuar”. Si rezultat i natyrshëm i protestës kujtoj se rrjedh edhe vetmallkimi, si bie fjala në poezinë “Thirrje”:”Le t’më thahen gjinjtë/ e shkumë të më dalë nga goja/ po ia thashë kujt”. Këto vargje të bukura me shenja shumë shprehëse, ndoshta edhe më së miri dëshmojnë shpirtin e trupit të lëngët, siç e definon veten autorja në poezinë “Prapa një perdeje magjike”.

VARGJE ME SHENJA QË FUNKSIONOJNË SHLIRSHËM

Poetja Xheraldina Buçinca- Vula edhe në këtë libër me poezi dëshmon se nuk është idhëtare e vargut të ngarkuar me shenja poetike, mbase gjuhën poetika e ka kuptuar si një mundësi të thjeshtë komunikimi që bartë të bukuren deri te receptori. Edhe kur mendojmë se don të përcjellë ndojnë mesazh, ai nëpër vargje tretet pikërisht duke u shkrirë nëpër shenjat poetike, të cilat shpesh na dalin si metafora të qëlluara, e që nuk janë të shumta, por që funksionojnë shlirshëm brenda tërësisë së poezisë. Kjo bën që gjatë leximit të disa poezive të krijohet përshtypja se ke të bësh me një varg herë-herë prozaik, por duket ky edhe është parim krijues i kësaj poeteje që të mos i ndrydhë shenjat poetike brenda vargut, po as brenda vetë poezisë. Ndaj gjuha poetike e këtij libri, pavarësisht nga vargu me shenja shpesh të palidhura që dëmtojnë edhe ritmin brenda poezisë, është shumë racionale në kuptimin figurativ. Ndeshim në poezitë e këtij libri kalime sintaktike elastike nga vargu në varg, sikundër edhe përsëritjet sintaktike që funksionalizohen bukur.
Shenjat më të pranishme, të cilat bejnë imazhin poetik të këtij libri, padyshim janë fjalët shiu, ullinjtë, epshi, e veçmas trupi, mendja dhe shpirti, që veç kontekstit ontologjik bartin edhe ndjeshmëritë tjera që realizohen përmes motiveve të shumta, brenda hapësirës” pranë murit me godina pa dritare/ si e zakonshme më duket/ rrënja katrore e vatrës sime”. Këto shenja shpesh i ndihmojnë poetes që të realizojë një frymë ironike deri në groteskë, sepse realiteti ia imponon këtë. Ndryshe poetja dëshmon se nuk e ndërton të bukuren nga mallkimi, siç bëjnë idhëtarët e Verlenit, mbase këtë e shpjegon më së miri në vargun e poezisë “Netët plot aromë pjeshkësh të buta”: “… këtu edhe errësira ka ngjyrat e veta”. Në kontekstin ontologjik kujtoj duhet kërkuar edhe ndërtimin e poezive miniaturë, të cilat nuk janë të pakëta në këtë libër dhe të cilat janë të ndërtuara shkëlqyeshëm.
Kur kihen parsysh të gjitha këto, në fund mund të konkludojmë se libri “Me bisht të syrit” i Xheraldina Buçinca-Vulës është një libër që lexohet me kënaqësi dhe i cili të rrëmben me botën e saj emocionale të realizuar përmes një gjuhe racionale poetike, e cila shpresojmë se në të ardhmen do të pasurohet edhe më.