Fejesa dhe martesa
Më 1907, prifti françeskan kroat Lovro Mihaçeviq, ishte caktuar për të shërbyer në Shqipëri. Brenda katër muajsh të udhëtimit të tij nëpër këtë vend të bukur, mori shënime, të cilat i botoi të përmbledhura në librin “Nëpër Shqipëri”, më 1911, në Zagreb. Botues ishte “Matica Hrvatska”.
Shqiptari zakonisht martohet në moshën 20 – 25 vjeçare, ndërsa vajza fejohet nga mosha 14 – 20 vjeçare. Nëpër fshatra, e fejuara paguhet, ndërsa në qyteza duhet paguar mashkulli. Këtë duhet kuptuar kështu; në fshatra shtëpia e djalit zgjedh njeriun, i cili thirret “shkues”, dhe ky lidh një kontratë me babain, përkatësisht vëllaun e vajzës. Fjala vjen, shtëpia e djalit do t’i paguajë shtëpisë së vajzës 1500 – 2000 groshë, afërsisht 320 kruna tonat, në këste brenda dy – tri vjetësh. Ato para, vajzës i shërbejnë për të bërë pajën, të cilën do ta kthejë në shtëpinë e burrit në ditën të martesës. Kur merren vesh për këtë, vajza merr unazën dhe bëhet gati për fejesë. Në qyteza, thashë, vajza “e blen” djaloshin; këtu, fjala vjen, është në mes ndërmjetësi dhe merret vesh me shtëpinë e vajzës (babain, vëllaun), se sa para të gatshme mund t’i japë djalit, në mënyrë që ai këto mjete t’i investojë në shtëpi, dhe kjo të jetë një garanci e sigurisë së jetës së tyre të ardhshme.
Nëpër fshatra është zakoni që të renë ta sjellin në shtëpinë e djalit një ditë përpara fejesës, me ç’rast ajo ruhet me përkushtim nga vajzëria, ndërsa të nesërmen shkojnë në kishë dhe fejohen e pastaj kthehen në shtëpi, duke kënduar. Të renë e bartin hipur në kalë. Kalin, në disa vende, vëllau ose babai, e mbajnë për kapistalli. Kështu, shkojnë në shtëpinë e djalit gjithnjë të shoqëruar nga farefisi. Krushkët e djalit, në mëngjesin e ditës së njëjtë shkojnë në drejtim të shtëpisë së vajzës dhe mundohen që të dyja palët të takohen në mes të rrugës. Porsa dasmorët vërejnë njëri – tjetrin, menjëherë fillojnë të qëllojnë me pushkë. Kur takohen, lënë pushkët, pastaj përqafohen dhe përshëndeten. Aty fillojnë ndopak të çojnë nga një gotë raki, duke uruar dashuri dhe harmoni në të dy shtëpitë e miqësuara. Urojnë plot gëzim dhe begati për çiftin e ri. Më parë këndojnë një këngë të këndshme, pastaj qëllojnë disa herë me pushkë, pastaj ngrihen dhe nisin të përshëndeten. Kalin, i cili do ta bartë nusen, e japin në dorë të babait ose të vëllait të dhëndrit. Ndërsa të afërmit e vajzës kthejnë mbas, të afërmit e djalit, me nusen, shkojnë në shtëpinë e tyre. Në gjithë këtë ceremoni dasme nuk mund të marrë pjesë një grua e vetme, përveç një të quajturës “jenxhë”. Dasmorëve u prijnë bajraktarët dhe prijësit. Kur mbërrijnë në shtëpi dhe kur e zbresin nusen nga kali, ajo bën kryq, e puth pragun e shtëpisë dhe atëherë graria e tubuar enkas për këtë rast, e fut në shtëpi, në dhomë. Ndërsa, meshkujt janë aty për të uruar dhe fillon gazmendi dhe pija. Atë ditë nusja bëhet e pashkathtë për gazmendin, sikur asgjë nuk kupton; ai, dhëndrri, atë ditë as që vesh rrobat më të mira, ngase vetëm punon, shërben ujë, pret dru etj., dhe mendon se kështu duhet të ndodhë, ngase, mbahet se, po u paraqit i gëzuar, është turp në sy të mysafirëve pse martohet.
Të nesërmen në mëngjes të ftuarit hanë mëngjes dhe pjesëtarët e familjes, përveç të martuarve, nëse janë katolikë, të gjithë të tjerët atë ditë duhet të luten dhe të bëjnë kryq. Kur në shtëpi çdo gjë bëhet gati, me pushkë jepet shenjë se është koha për t’u tfilluar për në kishë dhe karvani niset për të shkuar, në mënyrë që ta bëjnë lutjen. Bashkë me nusen shkojnë “jenxha” dhe ndrikulla. Kur i afrohen kishës, nusja tri herë duhet t’i përkulet shumë thellë kishës dhe pastaj të hyjë brenda. Nga porta e kishës e deri në vendin e përkuljes duhet t’i bëjë, po kështu, edhe tri përkulje të thella përpara altarit dhe gjithë këto i përsërit edhe gjatë daljes nga kisha.
Është e pamundur që të martuarit të jenë të një fisi, ngase shqiptarët mendojnë se po ndodhi kjo, atëherë ky është një mëkat i pafalshëm.
Vajza, porsa martohet përfundon të jetë pjesëtar i shtëpisë së vet; të gjithë fëmijët e saj i përkasin burrit, ndërsa po vdiq ai, i përkasin farefisit të burrit dhe jo asaj. Në shtëpinë e vet, gruaja i bën të gjitha punët dhe kështu liria e saj është shumë e kufizuar. Ajo, nga shtëpia largohet vetëm po qe se shkon në ndonjë vizitë me lejen e burrit, dhe, pothuaj pa përjashtim, e shqëruar nga dikush. Të rejat nuk shkojnë vetëm as në kishë, as për të marrë ujë, as në mulli, as për dru. Gjithkund i shoqërojnë përcjellëset.
Shumë rrallë meshkujt bisedojnë me femra. Po qe shqiptari edhe në shoqërinë më initime, ndien turp të bisedojë për femra. Edhe kur takohet miku me mik, pyesin njëri – tjetrin për shëndet dhe për të gjithë anëtarët e familjes, por kurrë nuk pyesin për gratë, edhe po qe gruaja motër e atij tjetrit.
Ata nuk duan të bëjnë shaka dhe aluzione për gratë. Dhe, po qe se dikush dikujt ia shan nënën, gruan apo motrën, kjo herët a vonë atij do t’i kushtojë me kokë. Shumë rrallë, ndodh që djali ta shohë të zgjedhurën apo të bisedojë me te, përveç kur ajo vjen në shtëpi si e fejuar. Por, djali megjithkëtë ka vejdhur me shikime nga bukuria e saj, kur ajo ka dalë nëpër shoqe dhe ndër fqinjët. Dikush mund të pyesë, si dhe pse e merr ai një vajzë që nuk e njeh? Ja se si: ia lavdërojnë miqtë, ai pranon, ngase më të mirë askë nuk do ta gjejë e njohë, ndërsa kyrefamiljari dërgon “shkuesin” dhe puna është e kryer.
Përkushtimi ndaj familjes ndër shqiptarët mund të shërbejë si shembull i mirë edhe për popujt e tjerë. Gruaja, fëmijët dhe familja, ndër ta janë të shenjta. Askush nuk guxon t’i sulmojë dhe t’i fyejë; aq më pak t’i keqtrajtojë apo t’i rrahë. Vetëm për një shuplakë që ia jep fëmijës së huaj, shqiptari do ta vriste sulmuesin.
Kush bën ndonjë veprim dashurie bie në gjak. Familja e palës së turpëruar do ta ndjekë dashnorin, edhe nëse ai do të ikë në fund të botës. Hakmarrja duhet të bëhet gjithsesi. Gruaja që bën mëkat, vritet nga vetë familja e saj. E di një rast, kur një vëlla vrau motrën e vet, vetëm për shkak se qe përhapur lajmi, se ajo ishte shtatzënë, ndërsa ishte e vejë. Kur nusja bëhet nënë, atëherë edhe jeta në shtëpi i bëhet më e bukur. Derisa gjendet në fazën e fatmirësisë, anëtarët e familjes ndaj saj janë shumë të kujdesshëm; kur mashkulli e takon në rrugë kthen kokën anash, në mënyrë që të mos e shikojë, dhe këtë e bën nga zilia. Kur lind djalë, të gjithë pjesëtarët e familjes gëzohen, ndërsa gëzimi i burrit nuk ka të mbaruar. Për lindjen e vajzës nuk bëhet gjithë ai gëzim.
Për pagëzim, djali dërgohet në kishë menjëherë ose të nesërmen. Ia vënë emrin e ndonjërit nga parardhësit e familjes, i cili është dalluar për ndonjë vepër, në mënyrë që kujtimin dhe emrin e tij ta ruajë dhe nderojë tërë fisi.
Nëna e ushqen dhe i jep gji fëmijës së vet me shumë gëzim dhe dashuri, ngase përmbahet, se ajo është detyrë e drejtë dhe e shenjtë e saj. Kur e vë në gjumë në djep, i këndon këngë të këndshme. Kur fëmija rritet, po qe në fshat, mësohet të thurrë sikur babai, ndërsa po qe në qytezë, ndjek ndonjë shkollë.
(Nga libri i Lovro Mihaqeviqit “Nëpër Shqipëri”, Zagreb, 1911, f. 141)
Përktheu I.Berisha