Vrasja e një maceje
Përkthyesja: Nerimane Kamberi
(ose skenë xhelozie në mes të një gruaje dhe një maceje) nga “La Chatte”
Një mbrëmje korriku, kur e pritnin të dyja kthimin e Alenit, Kamija dhe macja pushonin në të njëjtin parmak, macja e shtrirë mbi bërylat e saj, Kamija e mbështetur në krahët e saj të kryqëzuar. Kamija nuk e donte këtë ballkon – terasë e rezervuar për macen, e kufizuar me dy ndarje, që e mbronin nga era dhe nga çdo komunikim me terasën kryesore.
Këmbyen një shikim të thjeshtë, dhe Kamija nuk ia tha asnjë fjalë Sahës. E mbështetur, u përkul si për t’i numëruar katet e venecianës, portokaj të hedhur prej lart e poshtë të fasadës së madhe, dhe preku macen, e cila u ngrit për t’ia lëshuar vendin, u shtriq, dhe u shtri pak më larg.
Kur Kamija ishte vetëm, më shumë i ngjante një vajzeje të vogël, e cila nuk dëshiron të të përshëndesë, dhe fytyra e saj kthehej në fëmijëri, sipas shprehjes së naivitetit jonjerëzor, të ashpërsisë engjëllore që i fisnikëron fytyrat fëmijënore. Shëtiste mbi Paris, mbi qiellin ku çdo ditë drita tërhiqej më herët, një shikim me të drejtë të rreptë, i cili ndoshta nuk ishte qortues. Hapi gojën me nervozizëm, u ngrit dhe bëri disa hapa, u përkul prapë, duke shtyrë macen që të kërcejë poshtë. Por, dera e hipotenuzës ishte mbyllur dhe Saha u ul me durim. Pas një momenti, iu desh t’ia lëshojë rrugën Kamijës, që filloi të ecte prej një (stenë*) në tjetrën, me hapa të gjatë dhe të vrullshëm dhe macja kërceu mbi parmak. Si në lojë, Kamija e shtyu nga vendi, duke u mbështetur, dhe Saha, prapë, u ndal para derës së mbyllur.
Me shikimin larg, e palëvizshme, Kamija ia kthente shpinën. Por, macja e shikonte shpinën e Kamijës, dhe frymëmarrja i shpejtohej. U ngrit, u soll dy a tri herë rreth vetes, shikoi derën e mbyllur… Kamija nuk kishte lëvizur. Saha fryu hundët, tregoi një ankth që i ngjante neverisë; lëshoi një mjaullimë të gjatë, të trishtë, përgjigje e mjerë e një qëllimi iminent dhe të heshtur, dhe Kamija u kthye përnjëherë.
Ishte pak e zbehtë, do të thotë se pudra e saj vizatonte në faqet e saja dy hëna vezake. Mori një qëndrim të habitur, ashtu siç do të kishte vepruar para një shikimi njerëzor. Madje, nisi edhe të këndojë me gojë të mbyllur, dhe iu kthye prapë shëtitjes së saj, prej një stene në tjetrën, në ritmin e këngës së saj, por zëri i mungonte. E shtyu macen, që do ta shkelte me këmbë, t’i kthehet vendit të saj të ngushtë, dhe të ngjitet te dera.
Saha ishte këndellur, por më mirë të vdiste se ta lëshonte një britmë tjetër. Kamija përcillte macen, duke u bërë që nuk po e sheh, shkonte, vinte, në një heshtje të plotë. Saha kërcente në parmak vetëm kur këmbët e Kamijës vinin kah ajo, dhe kërcente në tokë vetëm për t’u ikur krahëve që zgjateshin për ta gjuajtur prej katit të nëntë.
Ikte me taktikë, kërcente me kujdes, i mbante sytë të fiksuar në kundërshtarin dhe nuk u jepej, as furisë, as lutjes. Emocioni ekstrem, frika nga vdekja, e lagën me djersë shputën e ndieshme të këmbës së saj, që vizatuan gjurmë lulesh mbi ballkonin e bardhë si mermeri.
U duke se Kamija do të ligështohet e para, dhe ta përdorë forcën e saj kriminele. Gaboi kur vërejti se dielli po perëndonte, e shikoj orën e saj të dorës, zgjati veshin kah një tringëllimë e kristalit që vinte prej banesës. Edhe pak çaste dhe vendimi i saj që do ta braktiste si gjumi që e lë somnambulin, do ta linte të pafajshme dhe të rraskapitur…Saha ndjeu se vendosmëria e armikes së saj po luhatej, hezitoi mbi parmak, dhe Kamija, i zgjati krahët dhe e shtyri në zbrazëti.
Pati kohë ta dëgjonte kërcëllimën e thonjve mbi qerpiçë, ta shohë trupin e kaltër të Sahës, të lakuar si S, që kapej për ajri më një fuqi ngritëse të troftës, pastaj u tërhoq mbrapa dhe u mbështet për muri.
Nuk bëri asnjë tentim të shikonte poshtë, në kopshtin e vogël të rrethuar me gurë të rinj të formave të ndryshme. Hyri në dhomë, i vuri duart mbi veshë, i hoqi, e tundi kokën sikur ta dëgjonte një këngë mushkonjash, u ul dhe për pak fjeti, por nata që sapo binte e ngriti në këmbë. E përzuri muzgun, duke i ndezur dritat e qelqit, gjinishët e ndritshme, këpurdhat vërbëruese si dhe vetullën e gjatë të kromit që hidhte një shikim opali mbi shtrat.
Përktheu: Nerimane Kamberi