Tutje dimri

Flutura Açka

Këta qiej
si murgj të mardhur vetmie
se nga bredhin
të pastrehë
andej këndej.
Bëni pak vend
në zjarrin e natës,
të ngrohen
këta qiej.
Bëni pak vend.

SHTRATI

Bota është e çmendur.
Mbretërinë tonë
e sulmojnë ca meteorë,
sa për të na trembur.
S’ka më çaste solemne,
të gënjeshtërt.
është ora kur viktima
të verës, bien
Polofemët.

KUR JE TI LARG

Dhe në shkofsh larg
një tyftajë malli do të të sjellë
sërish ktu.

Sërish këtu.
Se zogjtë e ankthit brufullojnë
pa mua,
pa ty.

Dhe nëse po fle
në sfratin ku buron dhembja ime,
një pishnajë ëndërre do të të sjell
sërish këtu.

Sërish këtu.
Se pëlumbat e pritjes gurgullojnë
pa mua,
pa ty,
pa ne të dy.

NJËQIND PLEPA
-për ata që gjumi i zë larg-

Njëqind plepa
njëqind skelete
ndanë udhës së gjatë
mbirë
sesi.

Dikur vetmuar s’kanë qenë,
por as ndër ne s’ka
sesi.

Ndanë udhës eshtakët pushojnë,
as erë fryn,
as diell s’i ngroh, s’ka
sesi.

Cili shekull i la
lypsarë në xhade?

Prej shkretisë së tyre
dallëndyshet s’bëjnë fole.

LYPËS DHE FLORI

Në Bazarçarshi
nga vitrinat sehir
bëjnë
mijëra tonelata flori.

Një lypës shtrin dorën
në qoshen përkarshi.

NË VEND TË FLETË URIMIT

Në emërtimin tim
si drejtore e stanit të lepujve
morën pjesë:
Një ari pa shtëpi.
Një qen i rrahur pa shkak.
Një gjel beqar nga biografia.
Një turtulleshë gjuhëprerë
e gjithfarë.

Në vend të fletë-urimit,
sollën kërkesat për njohje persekutimi
qysh ditën e parë.

NGA NJË BOTË TJETËR

Ku shkojnë këto kufoma,

që flasin
gjuhë të padëgjuara,
lugetër
me hije të bardha
ecin e vijnë nga
një botë tjetër.

A ka mirëseardhje?
A ka lamtumirë?
Kësaj bote s’i ka mbetur gjë,
veç këto kufoma,
që flasin pa zë.
S’ka më njerëz,
që thonë
jemi ne,
por vetëm hijebardha
që bredhin
ditënetëve mbi dhe.

KOHA

Kokën përkul në supet e kohës
ku puthja s’ka trajtë.

Bulëron
në një orë të vonë
në një stinë të ftohtë
në një vit idiot
në një shekull të kotë
qetësia.

Harrimi nga hepimi i kokës
të bjerë vazhdon
duke lagur pragjet e kohës
që ngrirë
as vjen as shkon.

NGA DITA E MUNGESËS SIME

Do të të marrë malli
për trokitjen rebele,
për bujën marramendëse.
Poetët s’flenë gjumë,
bëjnë zhurmë.
Do të të marrë malli
për erëtimen time
mbaj mend
sa shumë.

Se t’i je njeri,
dhe njeriu ndonjëherë
ka nevojë për rrëmujë.

Mbi ujëra të paqta si do të flesh.
S’do të ketë kush t’i nxisë rrufetë.
S’do të ketë as qiell
as det
as Zoti vetë
s’do të jetë.

MONOTONI

Në të njejtën rrugë,
me të njejtat hapa,
me po ato pemë
takohemi,
me po ato mimika
në mëngjesin më monoton e
më të vërtetë të botës.

Thinjat
i vetmi ndryshim
në ajrin e rënduar të kohës.

MORALI ËSHTË DIKTATURË

Kam mall të them
se gjërat kanë fund,
më lodh
pafundësia idiote
e fundit pa fund
që gërryen muaj e mote.
Dhe ne
si trasta të zbrazura
do të varim në fund të udhës
së paudhë
netët që s’i fjetëm dot kurrë
në emër të moralit
diktaturë.

Ti qesh
dhe bota qesh.
Bota është idiote ndonjëherë,
shpeshherë, përherë,
që më shumë vuan për
flakën e turrës,
ku digjen mëkatet,
se për trastat e zbrazura
që tunden në erë.