Qyteti i dyzet lagjeve
Kurrë mos e paça lumturinë
që më sjell brenga. E më
qoftë e largët çdo kamje
që hakmerret duke m’djegur
në zemër. Larg edhe gjithë
atyre që i dua!
- (Nusëria ime me hënë e yll të vjeshtës)
Bora flokëve mal i rrinte shpatullës si mordje artistike që të përkulte ballin gjer në këmbë. Jetonin bashkë e shkrryheshin nëpër pluhur, ato, nata e mëlçia s’kish ilaç. .
S’jeton kush, pos Teje, dhomës – pragu erë, borë e acar. Ritimit dielli pikë vere as gishtin që s’ngroh. Shpirtin ta pash në «Shëndi» kur i hoqe syzet bëre benë e në shtëpi më çove. Dritare që s’kishte perde e hapa, të dhomës me Konstandin e Gjel… Kopsht lule grafikat pikturë… vëllai i vogël që merr udhë.
Në Lagjen e Farkëtarëve ku dyert mbyllen herët para orës policore burgosi thellë zemrën në mua e robinjë u bëra e tij. Shpirti tëmthave çdo të tretën natë rrihte mbi kraharorin tim shtratit as këmbë kishte e me dashuri na mbante. Veç nusërinë time e kisha të vetmuar! Prej jashtë dritares më shoqëronte trëndafili verë e dimër që çelte.
Brenda dritares me hënë e yll të vjeshtës dyqind e dyzet e katër ditë hyja në gjerdek çdo të dytën natë. Shitësit e lagjes gjithnjë bënin roje.
Mbronin fshehnin nga e keqja ruanin.
Zot, çfarë lumturie!
Shtetrrethimi jashtë, hiç më larg barrikaduar udhëkryqit. Unë e pushtuesi me këmbën e tij që më shkeli dhomës. Ta ruanim falë i ishte dhënë atij – dhuratë imja martesore.
Veç rrugës së Farkëtarëve asnjë s’desha.
Tjetër lagje.
Kurrë s’mu hoq duvaku.
Aq i madh meraku!
- (E me erën e mollës)
Hijet të puthura na zgjateshin territ në rrugë. Prej kafenesë «Koha» e deri te dera e shtëpisë. Ndaheshim me një mirupafshim nesër. Pa u puçur ekscitimi frikë. Mbyllnim mëngjeset dhomës dritaret rrafsh me oborrin shtëpisë. Natën ndiznim nga një dyzinë qirinjsh e ngrohnim gjymtyrët akull të ftohta. Binim shtratit me borën lagur. S’na ndante të ftohtit as dita as nata. Çdo gjë erë trupash kundërmonte organesh leshi e lëkure.
Deri javën tjetër përzienim bukuritë.
Zgjoheshim me erë gruaje burri bari toke dhomës që mbinte.
Pas borës pas shiut.
Dhe, s’na ishte e rëndësishme era.
Si botës shuanim dëshirat artistikisht.
S’ka art as gjë më të bukur
Shtrati ngrohtë
Zemrat plot dashuri.
Por jashtë pragu i derës ishte gjithë vetmi.
Lagja njëjtë si e Farkëtarëve
Tmerrësisht zbrazët pa roja
Shitësit e mi.
Oh, sa dhembje ndieja orën me zemberek shikoja.
E, karrocën që më dhanë plaçkat kur i barta.
Adresën ua dhashë.
Kurrë kah dera s’më ranë.
E, i harrova!
Zot, sa e keqe që jam!
- (M’u thanë sytë nga dëshirat)
E diela është mbyllur në Mëhallën e Muhaxherëve veshur me ajrin e dendur, që rëndë ngreh lagështinë e vogël të tejdukshme, që të zë frymën pikë dimri.
Kryeqyteti im kur fle ka diç nga vetmia e fshatit. Seç i bie një nur i zytë si ta kishin lënë frymët përgjithmonë, mëngjeseve verë e dimër të ftohta. Lagje të mëdha me shtëpi të vogla gjithë gushë njëra-tjetrës, si të verbëra me kanatet e mbyllura e perdet lecka të trasha lëshuar. Të tjerat të mëdha e të bukura, jashtë si spitale majë kodrash me barin e gjelbër anglez e pemët, që sa s’të futen për dritare në dhomë. Argatë e hamaj vejnë e vijnë rrugës me një copë buke e veglat e zanatit nën sqetull. Derisa dyqanet çelin sytë e përgjumur, e goja i hapet pazarit nga vringëllima e çelësave në xhepat e prapanicave të pronarëve.
Kryeqyteti shtriqet.
Kryeqyteti zgjohet.
Dyzet orë ka që endemi caffe m’caffe unë e im shoq, pa pasur ku t’i çlodhim këmbët e përgjakura me ditë. Kokat na ndizen me ethe, e trutë na tunden në kafkë si plumbi kur shkrihet. Oh, veç ta dinit sa net u shemba te «Huti» duke fjetur në karrige, e morrat më kalëronin në lëkurën e nënsqetullave. Zot, ç’mjerim, kur s’ke ku kthehesh! Kryeqytetit të atdheut tim dita më është e tmerrshme si nata.
Përveç që s’mund të siguroj ekzistencën e linda edhe time bijë që ta marr më qafë, e u zbardha duke pritur e shpresuar për lirinë-republikë. Uria më shkatërroi përbrenda, si një dorë akushereje me gërshërë e gërryese të zezë, që shkatërron vezoret.
Sa e trishtuar është shtëpia njëdhomëshe ku banojmë me qira (2000 DEM) në muaj; dritaren e vogël që shikon kah një ngushticë oborri si hendek. Aty, mbi mbeturina, degë të thara, shishe, hekurina, rroba të gjuajtura, gjethe të kalbura, është vënë kafazi i pëllumbave, gugatja e të cilëve nuk të dhemb sa të dëshpëron! Veç kjo muzikë e përzishme guxon të dëgjohet në këtë shtëpi ku të sëmur ritimi, kurse lagështia e kutërbimi i glasave të pëllumbave të veremosin edhe flokët, mu si mushkëritë e kraharorit. Katit mbi ne jetojnë pronaret, dy femra të pamartuara të moshës mesatare apo parapleqërore, por të shembura dukshëm.
Përderisa ime bijë s’guxon të qeshet, të qajë të luajë, të kërcejë, as t’u ngjitet shkallëve që kemi përskaj derës së vetme, ato lart dehen, bërtasin, lëshojnë muzikën që s’ua njeh as veshi dhe, presin burra që ia shtrojnë dollisë bashkë me to deri vonë pasmesnate. Dhe, kështu si të mbyturit nëpër shkumë jetojmë sot e kësaj dite. Qiraxhinj! Dikur qendrës sot periferisë, duke mos ditur ku të mbytemi çdo të parin e muajit.
Asgjë s’dëgjohet!
Përveç kollitjes së një qiraxhiu dhomës ngjitur me ne, që copat e fundit të mushkërive të tij sonte po i pështyn për dritare. Sa gjë e tmerrshme, të jesh një i humbur i jetës, i varfër dhe i vetmuar. Si ky njeri përanash!
Shpëtoje zot! Mos e mundo të gjorin, të varfërin, të sëmurin!
- (M’u ngjir zëri duke pyetur)
Ah, po ta kisha një valixhe dore që s’mi zë vuajtjet, e të emigroja larg këtij atdheu. Medet,… rinia ime! Sapo e lirova nga njëra zgjedhë e hodha me krenari, vendosmërisht në mjerime të reja.
Mbylla dritaren prej frymës, e cila kishte kohë që po më mërdhinte krahun tim me spondilozë. S’di sa kohë kisha qëndruar me faqen në shuplakë, e m’u duk vetja si ai zbutësi që kyç derën e kafazit dhe mbyllet brenda bashkë me kafshën. Tamam dua t’ia rikthejë gumin Beritës që trembet duke kërkuar të atin e qan, im shoq futet në derë. Nuk na prish ninullën. Zhvishet, ulet dhe nxjerrë përpara gotën që është e s’di sata e mbrëmjes së kësaj ditë. Edhe shishen dhuruar në vend të parave të kopertinës. Si përçart më flet për atdheun që duhet ta blejmë, shpëtojmë! Kush ta shpëtojë?! Ne? Dhe, sakaq sikur më grisen nervat. Mua më vie keq për paratë që bleva qumështin, me to do të kisha blerë një kilo bukë, e ti më flet si ta blejmë atdheun! Je në vete ti?
Më iku jeta e copë-copë u bëra sa s’lashë derë pa trokitur. Por, njerëzit janë të mëshirshëm e s’lodhen duke m’dhënë këshilla: «Ç’e doni atë burrë që erret prej mëngjesi në kafene!” Ose, «… lëreni burrin t’i ndjekë gratë e tjera, e ju punoni. Ende qenkeni e re, e lakmueshme, ka mjaft punë me të cilat mund të merreni! S’janë në modë më artistet»! – më thotë pronari tjetër, të cilit fytyra e majme pa mjekër, e butë si ta kishte lyer me glicerinë dhe flokët e yndyrshme nga prapa, ia bënin edhe më të gjallë shkëlqimin e ashpër të syve të zi, prej gruari të sëmurë.
E, sakaq të kaplon një forcë e mistershme, që të detyron të heqësh rrobat e trupit, me eshtra e lëkurë të zhgërryhesh nëpër bar lakuriq duke përshëndetur kështu lirinë e famën.
Zot, çfarë vetmie e bukur! Mjerim – superioriteti!
Pastaj, duke u veshur sheh veten, tamam si një bucë dheu argjilor i kuq, e gjymtyrët kërcunj të hollë që të kallin tmerrin. Mu si toka – gjelbërimin kur ia djegin me hekur e me zjarr.