Click !

Xheraldina Vula

Enable Macros, shkruan. Çfarë të bëj- pyes D. i cili me shumë kujdes e lodhje në zë më shpjegon rrjedhën e punës. Ndoshta unë dhe s’kisha nevojë për shpjegime. .
Ora dhjetë e natës. Askush nuk thërret as i duhem kujt. Mund të përlahem me gjumin. Mund të përlahem me telefonin. Të përlahem me veten! Sonte kam nevojë për fjalë që nuk kërkojnë përgjigje. Për erën tënde të gjumit. Në lavaman pikë, pikë, pikë… Ndoshta dhe unë kam faj. Pse nuk çohem si për shembull të laj enët, të pastroj dollapët. Ora dhjetë, plakat thonë se natën nuk punohet. Mirë është që gruaja që jeton me mua flenë. Ajo do të bëhej nervozë prej pikave të ujit. Rrjet merimage më është mbështjellur në qoshk tek tavolina. Ashtu e dua. Nuk e heq. Më bën shoqëri tek lëkundet prej frymës sime. Ora dhjetë e tridhjetë. Nuk është dhe aq vonë. Mund të thërras ndoshta? Dhembja e kokës më kaloi. Më pyeti kush? Nëna. Po, nëna nuk e mbush botën time të çelësit të artë. E lë të hapur programin dhe i afrohem dritares. Ngadalë si me një ritëm të caktuar një nga një fiken dritat. Ora njëmbëdhjetë e dyzeteshtatë minuta. Njerëzit bien në gjumë. Më mirë dhe unë të shtrihem,ndoshta gjumi nuk është hidhëruar krejtësisht me mua. File – Save as. Longing.
Ti ku je? Ka kohë që s’të kam parë. Do t’më pyesje ti për kokën? Jo ti do t’më pyesje, në të vërtetë unë nuk mund të paramendoj çdo t’ më pyesje. Si për dreq mu kujtove tani. Pse nuk çohem të laj enët. Ora një e pesë. Të pastroj këpucët për nesër. Do të vonohem. Luaj , unë luaj çdo mëngjes.
Askush nuk më thërret as i duhem kujt.
Close all windows and exit netscape? Click.

FATMIRI

Dritarja ime shikon kah rruga ku frekuentojnë kalimtarë të shumtë, që shkojnë e vijnë në stacionin e autobusëve . Më është bërë zakon që me orë të tëra të qëndroj dhe të vështroj kalimtarët. Një ditë, pashë një grua e cila rrihte fëmijën sigurisht të vetin. E kishte kapur për mëngën e një dore dhe e rrihte. Fëmiu me pantallonat tërë baltë fshihej pas këmbëve të saja. Ajo kthehej ta rrihte e nervozuar edhe më shumë në rezistencën e tij. Pamja më gjasonte në atë me macen kur ndjek bishtin e vet.
Në mes të ditës, në mes të rrugës tërë kalimtarë një grua rrihte fëmiun e vet.
Më shkoi mendja tek V… Heret në fëmijërinë time në qytetin e vogël ku çdo kush din çdo gjë për çdo kend V. e kishte bërë zakon që ta rrihte Fatmirin në mes të rrugës, të na bërtiste ne, fëmijëve të lagjes, dhe në fund ti binte shuplakë faqeve të veta tërë tul. Unë frikohesha nga kjo grua. I frikësohej dhe i shoqi.
Dhoma ime e gjumit shikonte kah dhoma e tyre e ndejës.Unë kisha një pozitë aq të mirë vështrimi, dhe përcjellja çdo gjë që ndodhte në dhomën e ndejës së V… Me kuriozitetin të madh prej fëmije, që të di çdo gjë, hidhërohesha pse na ndante rruga dhe nuk mund të dëgjoja fjalët. Ndonjëherë mbrëmjeve të verës kur dritaret rrinin si zakonisht të hapura dëgjohej ulurima e V…, dhe përplasja e dyerve. Të gjithëve u dhimbsej Fatmiri.
Kishte ardhur, në ditë te qoshku, ku ne, vajzat, luanim me kukulla, lojën e tezes që vjen mysafire, që të na thërriste të shkojmë në podrumin e banesës së tij të shihnim miun e madh që kishte zënë. Të gjitha kërcyem në këmbë, jo aq për miun sa nga mërzia të cilën na e shtonte e njëjta lojë me kukulla çdo ditë. Që të katrat shkuam pas tij dhe pritnim tek hyrja e ndërtesës. Na thirri. Ne vrapuam poshtë. Amira, pas saj Besa, pas Besës unë, dhe pas meje Ajkuna. Podrumin e kishim të njohur. Në atë ndërtesë banonin shoqet e mia dhe ditëve me shi ne e shfrytëzonim podrumin për lojërat tona. Zbritëm të gjitha rrëmbimthi të shihnim miun që kishte zënë Fatmiri. Fatmiri na priste syzgurdulluar. I zdeshur. Masturbonte. Atëbotë ne të gjitha, pos Ajkunës, ishim gjashtë – shtatë vjeç dhe nuk e dinim ç’është ajo që bënte ai. U shtangëm në vend, të vetëdijshme se diçka nuk ishte ne rregull. Amira kishte ulur koken dhe trupin qe te shikonte perfundi, “dicka ka perfundi”-thoshte dhe ulte kokën edhe më tej. Besa fshinte hundët me mëngën e dorës së majtë dhe pa kuptuar asgjë kërkonte nga Fatmiri që ta tregonte miun. Unë syngulitur, herë shikoja gojën e hapur të Fatmirit, herë përcillja lëvizjet e pandërprera që bënte ai me dorë. Vetëm Ajkuna e cila hyri e fundit pas nesh dhe e cila ishte tri katër vite më e vjetër se ne, si duket e kuptoi se ç’po ndodhte. Filloi të bërtiste. Unë isha afër saj. Më kapi për krahu më gërgoi që të dilnim jashtë. Unë kapa Besën për dore, ajo Amirën dhe shpejt e shpejt ikëm. Loja me kukulla nuk vazhdoi. U ndamë. Shkuam nëpër shtëpitë tona dhe nuk dolem më. Të nesërmen asnjëra prej nesh nuk e përmendi atë çfarë ngjau. Asnjëra nuk kuptonte asgjë, mirëpo të gjitha e dinim se diçka nuk ishte në rregull dhe se për këtë gjë nuk duhej të flisnim. Ne kurr nuk luajtëm më në podrum. V… vazhdoi ta rrihte Fatmirin. Unë kërkova ta ndërroj dhomën time të gjumit me vëllanë. Ai i gëzuar që aq lehtë fitoi dhomën të cilën sipas tij pa të drejtë ma kishin dhënë mua, vazhdoi të vështronte nga dritarja ç’bëhej në dhomën e ndejës tek V…
Ne u rritëm. U shpërndamë. Amira, më e reja ndër ne, e bija e B. dhe e nënës H. muslimane, u martua në Bjelinë. Para një kohe dëgjova se, ia kishin vrarë burrin në luftë, ndërsa atë e kishin dhunuar. Besa e martuar me B. pasi që e përjashtuan nga puna iku jashtë së bashku me të shoqin dhe tre fëmijët e saj. Ajkuna u martua në fshat , kreu gjimnazin dhe nuk vazhdoi mjekësinë siç dëshironte.
Fatmiri.
Fatmiri, bir i një rojtari i martuar me Vojkën, filloi të ikte nga shtëpia diku në moshën shtatëmbdhjetëvjecare. U martua me kushërirë timen. U ndanë. Nuk kishin fëmijë. Tani nuk di asgjë për të.

Po nuk pata asnjë kuti

Kuti të bardha dhe të zeza. Nga një letër kanë anash ngjitur me ngjitës. Shkruan data dhe vendi. Asgjë tjetër. A mund ta ruhet malli në to? Një mall i tërë. Një shirit i zi. I larë. I prekur sa herë. I zhvilluar për kujtim. A mund të ruhet prekja e syve tu, ngjyra e zërit, fjalët? A mund të kërkoj më tepër se një kuti? A mund ta kemi më tepër se një? Detajet ngadalë janë harruar. Kanë mbetur koha dhe vendi. Asgjë më tepër. Po nuk patëm fare kuti të bardha, të zeza për ditët tona, ku do të të vendos atëherë? Si ta shuaj mallin, pa të parë, heshtur në gjumë kur më vjen, po nuk pata asnjë kuti me sytë tu?
Shtriju dhe hidhe këmbën matanë. Çorapët gjithsesi të jenë aty. Është bërë zakon të mos hiqen. Shikoj këmbët e mija. Nuk ndryshojnë shumë, vetëm qimet kishin nisur të dalin dhe të krijojnë hije të zeza këmbëve që kish filluar tu dalë ngjyra.
Ma shtrin një copë çokolladë të mbetur jo rastësisht në sirtar. Vishu dhe nisu. Çdo ditë mblidhen imtësira në mozaikun që ndërtohet vetiu. Imtësira që përsëriten si rregulla gramatikore në libër. Kryefjala, kallëzuesi, folja, kohët e kështu me rradhë, e ne gjithnjë kemi mungesë kohe. Mungesë kohe dhe vendi. Të pandryshuar si lidhëz, të nënrenditur dhe të varur nga njëri tjetri me emër të përgjitshëm pa kundrinor.Shumë vite më parë kam befasuar veten me ty. Morra përemrin si të falur, ta zgjoj veten nga amullia. Unë, prap befasova veten. Si mundet që një përemër të gjendet prap në amulli. Si duket diçka ka filluar ta brejë kundrinorin.
Fillova të shndërrohem në makinë zhveshëse dhe veshëse. Zhvishu. Vishu. Ç’do të thoje ti po t’i nxirrja këmbët jashtë dritares së zezë që të shton ndjenjën e lirisë, e t’i vendos në kuti me sy të kuq? Të shtrëngoj fort orën pa të cilën nuk dua të rrëshqas. Të pi kafe aty ku fryen e të flas marrëzira për një djalë që nuk e vlen. T’më vështrosh lëkurën si për herë të fundit. Të flas për pemët, me veçanti për portokallët. Ç’do të thoje? Thuaje. Nuk e kam ndërmend të mbush dollapët me gjalpë, të mbush qeset me qepë, as të vë pudër në fytyrë.
Ç’do të thoje ti, po e gjeta një kundrinor të zhdrejtë, jo për gjë,vetëm të plotësojë kryefjalën në periudhë.

Çdo gjë e lagur në mua

Çdo gjë të lagur do. Edhe trupin tim.
Jarre mbajti koncert në Kinë. Ne mbanim shiritat e verdhë për Tibetin. Vajzat gjithashtu kishin fanela të verdha. Unë kërkoja dritare të hapur që të mund të shkundja cigaren. Të dalë tymi. Çfarë shiriti më duhet tani të mbaj? Të jem e shënuar. Sa herë më doje të mbyllur. Çdo gjë lidhet me pishat në të djathtë të rrugës. Ka një strehim i vogël ku nuk dua të shkoj. Ti më do të tillë. Kundërthënëse. Gënjeshtare të vogël. Qeshemi me ndjenjën time për mollët dhe pluhurin që kap këpucët. Me ndjenjën se nuk jemi vetë. Ti ]on dashuri. Nuk pret të të mbushen duart pika pleqërie. Ti mund të më futësh në historinë tënde të përshkrimit. Të më çosh majë klasëve të boshatisura dhe unit tënd. Unë dhe çdo gjë e lagur në mua. Në Kinë Jarre mbajti koncert. Qytetet e ndaluara mbijnë si kërpudhat pas shiut. Dhe rrugët. Dua të pi ujë. Të bashkoj buzët me gotën që më then ndjenjën e lirisë, kur çdo gjë e lagur qëndron në mua. Edhe shpirti im.