Të rindërtohet Bagdati? Por në ç’galaksi?
Një sociolog amerikan, tek po kalonte nëpër Rabat, më 1991, më pati thënë se ishte befasuar kur kishte parë se asnjeri në qytet nuk fliste për Luftën në Gji. “Si të mos kishte ndodhur kurrë”, shtoi ai. Në anë tjetër, unë qeshë befasuar kur dëgjova veten të përgjigjesha me fjalët se, është një punë e mirë që arabët qëndronin të qetë, sepse një herë e mirë kishin kuptuar se me veprim dhe nëpërmjet veprimit krijohet e ardhmja. Pas pikëpamjeve të mia, mësimin më të mirë që na e ka dhënë kjo luftë, është se vetmi më e skajshme, të huazoj këtu frazën e njohur të Tahir Ben Jallunit, nuk është ajo vetmia e një arabi apo arabeje të paarsimuar dhe të varfër, pa marrë parasysh se sa të shpronësuar mund të jenë. Më i vetmuar dhe më i brishtë se krejt një popull i poshtëruar arab – është lideri arab që ka vetëm ofiçet e jashtme të pushtetit.
Liderët tanë të vetmuar dhe të brishtë!
Herë-herë, duke ndjekur emisione në televizion, më pikonin lotë. Nën maskat e tyre, sidoqoftë, të vendosura mirë a keq, ata pasqyronin impotencën dhe dëshpërimin tonë. Dhe ata bënin pikërisht kështu, pa marrë parasysh se ç’anë mbanin: për apo kundër Amerikës.
Zbulimi më i madh i kësaj lufte, për mua, është zbulimi që lajmëron se fuqia arabe në shekullin XXI është një cak më i arritshëm, sesa kemi menduar më parë: se Liderët arabë janë të dënuar të përjetojnë fatin e popujve të tyre. Kjo luftë ka zhdukur distancën historike ndërmjet liderit të fuqishëm dhe popullit të kastruar përjetësisht. Ja, kjo është e vetmja gjë që do të mund të arsyetonte, ose, së paku të justifikonte, vdekjet në Irak, përfshirë këtu edhe vdekjet e shumë fëmijëve. Le të jenë ata, së paku viktima të flijuara për demokracinë që lypset ndërtuar akoma.
Një lider i fortë arab nuk do të mund të ekzistojë askurrë pa popull të fortë arab. Dhe, në kundërshti me atë që mendonim më parë: fuqia e një populli nuk ka të bëjë asgjë me idiotizmin e armëve. Popull i fuqishëm është populli i arsimuar dhe i aftësuar në shkathtësi teknologjike dhe jo populli që rri unjur mbi tonelata municioni me gishtat në këmbëza armësh. Dhe, kjo është e vërtetë, pa marrë parasysh në është e brendshme apo e jashtme viktima e pandehur.
Armata amerikane nuk mposhti armatën arabe, ngaqë kishte armatim më të madh. Do të bënim mirë po të kuptonim këtë, sepse e tërë e ardhmja jonë varet pikërisht nga kjo. Armata amerikane mposhti armatën arabe, së paku për dy arsye: për shkak të demokratizimit të fuqisë së atyre që marrin vendime dhe për shkak të qasjes së masave të gjera popullore ndaj Diturisë. Armata amerikane është një armatë e të gjitha origjinave dhe ngjyrave, e cila është ngritur dhe ka marrë përgjegjësinë nga përndarja racionale e detyrave nga vendimet e miratuara. Përfundimisht, është e vërtetë se në anën e Irakut, e tërë skena politike merrej vetëm me një vullnet të përveçëm – me vullnetin e të vetmit dhe të pazëvendësueshmit Sadam Husein dhe kasnecit të tij të besueshëm dhe të përunjur – zotëri Aeroplanit – Tarik Aziz.
Forca e Amerikës, në përqasje me impotencën Arabe dhe me skenën e saj politike ku mbretërojnë divergjenca dhe mendime disonante që shprehen për të parë të gjithë se aty ka veprime të fshehta dhe censurë vetëm atëherë kur të gjitha partitë pajtohen, pos të tjerash, fle edhe në faktin se ushtarët amerikanë, prej individëve deri te gjeneralët, janë të lindur në prehërat e nënave të arsimuara.
Dhe, për hirin e Zotit, mos kërceni poshtë-lart, për të më thënë se e kundërta është e vërtetë, ndonëse me siguri do të gjeni argumente për të thënë ashtu. Natyrisht se mund t’i hidhni poshtë ato që them unë, duke më thënë se arsimimi cilësor në Amerikë është i rezervuar për elitën e kamur, se është privat, se zezakët lihen anash, etj. Ç’është e drejta, ju keni të drejtë! Por, edhe pranë pabarazisë së paturpshme të sistemit amerikan, dituria është më e qasshme për masat e gjera dhe marrja e vendimeve më e përndarë në hapësirë: dy fakte këto që kanë domethënien se truri amerikan funksionon me më pak pranga, për dallim nga ato që prangosin dhe paralizojnë trurin arab. Ky është fakti kyç dhe ai na e zbulon shtegun që duhet ndjekur. Ju vazhdoni me nacionalizmin tuaj të vjetër, arkaik dhe të jashtëkohshëm. Unë këtu nuk i këndoj himne Amerikës për të poshtëruar veten tonë edhe më shumë. Edhe pranë tërë dhembjes e vuajtjes që më mundon mua dhe që jua zë frymën juve, unë po përpiqem të gjej atë që përbën fuqinë e një populli në prag të shekullit 21. Demokratizimin e diturisë dhe marrjen e vendimeve, që është shtegu që prin drejt fuqisë.
Dëgjomëni, prandaj unë flas nga dhembja dhe nga poshtërimi im. Fatima arrogante vdiq që natën që u sulmua Bagdadi nga zjarre që s’i kap as imagjinate Mongoliane. Zjarri shkrepëtinte në miliona ekrane televizive, ku vdekja irakiane shndërrohej në dëfrim. Një spektakël me aq dhunë drite, sa na bëri gladiatorë romakë, të cilët Perandorët ua hidhnin luanëve për mish, të na dukeshin si një diversion i vogël dhe i ëmbël.
E vetmja botë arabe që denjon të luftohet për, dhe të trajtohet në bisedimet tona, është bota e trurit arab, i cili shtrin krahët e vet, ashtu siç hap flatrat zogu, për të arritur lartësitë. E, ajo botë arabe mund të ekzistojë vetëm dhe me kushtin që edukatori kryesor i trurit të marrë pjesë, po ashtu, në këtë diturinë moderne teknologjike. E, ai edukatori kryesor është, ju them unë, jo armata e ekspertëve arsimorë (mësuesit e shkollave dhe profesorët e universiteteve) as nëpunësit e ministrive të arsimit dhe të kulturës kombëtare. Edukatori kryesor është gruaja, e cila, si nënë mëkon fëmijën përgjatë pesë vjetëve të parë vendimtarë – me diturinë që ajo ka.
Mësimi nga lufta e Gjirit, mësim, të cilin ju, liderë të vendeve arabe nuk do ta lexoni në asnjë dokument të Perëndimit, është ai mësim që thotë se: e ëma e të gjitha luftërave nuk është ajo që bëni ju kundër amerikanëve, porse ajo që zhvilloni kundër arsimimit – edhe të grave edhe të burrave. Mirëpo, deri më sot, ishte përshtypja se financa kombëtare e ministrisë së arsimit ishte e mbaruar vetëm për meshkuj. Tridhjetë vjet pas pavarësisë, 90% e grave të Marokut në pjesët rurale janë të paarsimuara, kurse 100% prej tyre – politikisht të margjinalizuara. Ju kurrnjëherë nuk do të jeni të plotfuqishëm, zotërinj Liderë arabë, në botën moderne ku dituria e demokratizuar dhe ajo në demokratizim e sipër është edhe arma edhe municioni. Ju kurrë nuk do të jeni tjetër, veçse të huaj, prapanikë në botën e informacionit të lindur me satelitë; derisa nënat tuaja, motrat, gratë dhe – ç’është më me rëndësi – sekretareshat tuaja e shërbëtoret të jenë të paarsimuara. Nuk i përmenda bijat tuaja, sepse të gjithë e dimë se njeriu arab më së shumti merret me edukimin e së bijës. Ajo është e vetmja femër me të cilën ai identifikohet dhe e ardhmja e së cilës e brengos atë. Mirëpo, ne të gjithë, gra e burra, do të lëmë pas shpine zakonin e çoroditur të familjes fisnore dhe do të hedhim hapat e parë në hapësirën e moshës planetare, sapo të kuptojmë se fati ynë është i lidhur me më të shtypurën dhe më të përjashtuarën nga të gjithë: me femrën e gjorë – përtokë në fushë e në uzinë – mbi të cilën mund të ushtrohet pushtet arbitrar i çfarëdo lloji. Arabi i shkelur, i poshtëruar dhe i nëpërkëmbur do të shndërrohet në një vetë autonome, vetëqeverisëse, atë ditë kur ai të jetë mëkuar nga një nënë autonome. E, shtegu drejt autonomisë së individit është qasja ndaj diturisë së mirëfilltë. Sa më parë që lideri politik të kuptojë se pasqyra më e besuar e pushtetit të tij është pasqyrimi që i kthehet nga pjesa femërore e banorëve të vendit të tij në viset më të skajshme – aq më parë do të lindet arabi planetar. Arabi i qetë në galaksi, i interesuar për lëvizjet e atjeshme dhe i njohur me të fshehtat e tyre, mund të lindet vetëm nga gruaja që thur idetë rreth rrjetave satelitore me lehtësinë me të cilën paraardhësit e saj thurën mijëra lule gjeometrike në shtrojat e tyre.
Kur të kuptojmë se fuqia e liderit nuk përbëhet nga dobësia e popullit as nga shkyçja e femrës nga shoqëria, atëherë do të lindet qenia e mrekullueshme, të cilën ne të gjithë e kërkojmë me kaq ngulm – arabi planetar. Vlera e një individi të tillë nuk do të varet nga gjinia apo nga pozita në hierarkinë shoqërore, porse nga humaniteti i njëmendtë. Ndaj, Zotërinj, arabët nuk kanë nevojë për “Babanë e të gjitha luftërave”, për të treguar dhe për të provuar forcat e veta. Ato do të shpalosen me fisnikërinë njerëzore dhe me dinjitet të qetë.
Dhe, pra, zotërinj, po ju lë me librin “Sheherezadia nuk është marokiene”. Botuesja Leila Shauni ka vendosur të dalë me një botim të ri të kësaj vepre që para Luftës në Gji, me kërkesë të lexuesve – meshkuj e femra. Më kanë habitur lexuesit me interesimin e tyre të pareshtur për librin, të cilin asnjë botues i huaj nuk deshi ta përkthente – siç nuk ka ndodhur me veprat e mia të tjera, të cilat turqit, pakistanezët, spanjollët dhe gjermanët i përkthyen me aq dëshirë. Duke e rilexuar Sheherezaden tre vjet më pas, kuptova se porosia e saj është njëmend marokiene. Ajo është një monolog intim. Ashtu, midis nesh. Pikërisht si edhe besimet e netëve të verës në Marok. Bukuria e zezë e atyre netëve është aq e përveçme dhe aq e thellë, sa të zbusë edhe forcat e mbrojtjes. Mbase, është edhe fakti që libri u shkrua gjatë netëve të verës në një plazh të izoluar, pas një dashuriçke të pafat – ai që i jep karakterin veprës, që është thjesht hermetikisht marokien; apo, mbase, porosia që lë: e thjeshtë dhe e pashmangshme – arkaizmi është produkt i shkyçjes së femrës nga dituria. Kjo, tashmë, nuk ka të bëjë me asnjë çast, që është edhe mirë edhe jo mirë, porse është mirë që ajo tashmë do të duhej të jetë bërë qenësisht e mërzitshme. Dhe, pasi që unë di se të gjithë marokienët kanë koka për biznes, di, po ashtu se, ata do të masin me kujdes faktet dhe figurat që unë i prononcoj për të treguar se femra e paarsimuar nuk mund të kontribuojë assesi, as në fushë dhe as në uzinë, pasi që festa ku jemi të ftuar sot – me të gjithë banorët e tjerë të planetit – është festa e diturisë:
Ndaj, dituria vetë, del se nuk është vetëm burim i fuqisë së cilësisë më të lartë, porse edhe përbërësi më me rëndësi i fuqisë dhe i pasurisë. Ose ndryshe: dituria nuk është më veti shtesë e forcës së parasë dhe e forcës së muskujve, veçse vetë qenësorja e tyre. Në fakt, ajo është amplifikatori kryesor. Ja, ky është çelësi i fuqisë që kemi përpara, dhe kjo shpjegon arsyen pse lufta për kontrollin e diturisë dhe mjetet e komunikimit ngroh zemrat e njerëzve anembanë botës.
Kështu thotë z. Alvin Toffler – profeti i së ardhmes amerikane, i cili, pa diskutim është edhe yni, teksa ne presim që të rilindet mbreti Sharia.
“Agullimi befasoi Sheherezaden dhe ajo nguli sytë .
në pjatën e lejuar të satelitit televiziv”*
*Mernissi rifurmulon refrenin nga ‘Njëmijë e një netë’. Natyrisht, se sot mbreti Sharia i arabëve nuk mund të kontrollojë të drejtën e fjalës, këtë mund ta bëjë shefi i CNN-it.
MAROKU:
E BIJA E TREGTARIT DHE I BIRI I SULLTANIT
Revolucion quhet të kuptuarit e gjuhëve të panjohura dhe kërcënuese të të tjerëve.
“Feminizmi nuk është një dukuri që është ngritur në vendet arabe; ai është një import nga kryeqyetet e Perëndimit”. Kjo deklaratë kaq shpesh e dëgjuar, shqiptohet nga dy grupe njerëzish, për të cilat njeriu kurrë nuk do të mund të mendonte se lidh ndonjë gjë e përbashkët: Liderët meshkuj konservativë fetarë arabë, dhe Feministet provinciale të Perëndimit. Kuptimi i kësaj deklarate, ai se, gruaja arabe është një gjysmë – krijesë njerëzore gjysmë – idiotike e përunjur, e cila me hare bën banjo në degradimin e organizuar patriarkal dhe nëpërkëmbjen e institucionalizuar.
Me grupin e parë – me Liderët meshkuj konservativë fetarë arabë – secili mund të identifikojë përnjëherë interesat që fshihen pas një përfytyrimi të tillë të gruas arabe. Vetë deklarata e tillë pasqyron pandehmën kyçe e të domosdoshme ideologjike, po deshëm që Islami patriarkal të ekzistojë dhe të lulëzojë fare. Femra rebele arabe është njohur si një kërcënim potencial që nga agimi i Islamit. Citate nga Bukhari Hadithi prestigjioz, ku thuhet se femrat janë barazuar me çdo çrregullim shoqëror dhe me Satanën, me një pietet të shquar më janë përsëritur kurdoherë që të kisha ndërmarrë ndonjë kundërshti për këtë, madje edhe atëherë kur nuk isha veçse gjashtë vjeçe.
Kur’ani ka dy koncepte që u referohen vetive subverzive të femrës dhe forcave të saja shkatërruese: NUSHUZ dhe QAID. Që të dyja këto koncepte bëjnë fjalë për potencialet e femrës për të mos qenë e gatshme për bashkëpunim dhe se ajo është një qytetar i pabesueshëm i Bashkisë Islamike (UMMA). Nushuzi, në veçanti, u referohet prirjeve rebeluese të femrës ndaj bashkëshortit të saj në fushën ku bindja e femrës është vitale: në fushën e seksualitetit. Kur’ani e quan NUSHUZ vendimin e gruas për të mos plotësuar dëshirën e burrit të vet për të pasur marrëdhënie seksuale. Qadi është fjala kyçe në Suren e Jozefit, aty ku profeti i bukur provokohet nga një femër e paskrupullt dhe e babëzitur pas lapërdhive. Edhe pranë vulës së shenjtë që ka, vetë Kur’ani e ka damkosur potencialin subverziv të femrës që në shekullin VII, liderët bashkokohorë arabë hapin sytë dhe çirren pas ideve shkatërruese të importuara nga Perëndimi, sa herë që parandiejnë ndonjë rebelim nga ana e grave arabe. Qëndrimi i këtyre njerëzve është i kuptueshëm: nëse ata e pranojnë se rezistenca e grave ndaj Islamit patriarkal është një DUKURI e natyrshme (vendëse), ata doemos do të duhet të ballafaqohen me faktin se agresioni ndaj sistemit të tyre nuk vjen vetëm nga Uashingtoni apo nga Parisi, porse edhe nga gratë që ata përqafojnë e ledhatojnë natëpërnatë. Kush do të donte të jetonte me një mendim të tillë?
Kur’ani, si edhe tekstet e shenjta të dy besimeve të tjera të mëdha monoteiste, Islamin e shohin si referencë dhe si burim (Judaizmi dhe Krishterizmi) – parashtron nodelet e marrëdhënieve hierarkale dhe pabarazinë seksuale.
Këto modele janë përvijuar për 14 shekuj me radhë, nëpërmjet elementeve të ndryshme plotësuese, përfshirë edhe Periudhën e Artë të Myslimanizmit – atë të ngadhënjimit dhe fuqisë ekonomike e politike, gjatë së cilës, koncepti JAWARI (apo shkathtësia e lartë, e ngritur dhe e jashtëzakonshme e robinjave për kënaqësi) hyri në jetë. Është ky arketipi i fabrikuar, me të cilin femrat arabe dhe ato Myslimane duhet të konfrontohen. JAWARI, që ofroheshin si dhunti (si korruptim dhe si shpërblim) në botën e të pasurve, ishte aspekti jashtëfetar i asaj që në Kur’an quhet Hyri – virgjëreshë e përjetshme, e dashur dhe e bukur, e cila u ofrohet si shpërblim parajsor besimtarëve të devotshëm – me një fjalë besimtarëve të pangopshëm MESHKUJ. Këto modele të shenjta dhe jofetare të femrave, kanë pasur ndikim të madh në krijimin dhe mirëvajtjen e rolit seksual në qytetërimin Mysliman. E, përse të mos rebeloheshin femrat?
Realiteti i jetës së gruas arabe, fundja, nuk është ai i jashtë Netëve Arabe, sado që shumë arabë dhe turistë nga Perëndimi do të donin të besonin këtë. Realiteti i shumicës së jetëve të marokieneve, për shembull, përbëhet nga puna e madhe dhe vitale (e cila në të shumtën e rasteve nuk u njihet): thurja e shtrojave të ndryshme, mbulojave të shtratit, stolive prej lëkure, qepja, puna në fushë në bujqësi, puna në administratën masive byrokratike, në industrinë e lehtë dhe, natyrisht, në sektorin e shërbimeve publike, në shtëpi, përgatitja e ushqimit dhe kujdesi për fëmijët.
Kolonizimi, për të qenë, devalvoi punën e femrave edhe më shumë se sistemi patriarkal, dhe këtë e bëri me efekt të dyfishtë: nënçmoi punën manuale në përqasje me punën teknike, dhe në veçanti përçmoi punën VENDASE nëpërmjet konceptit kapitalist, i cili atë punë e definon si joproduktive, prandaj as përpiqet që atë ta përfshijë në bilancet kombëtare.
Nacionalizimi – për të gjitha tradhtitë tragjike të grave dhe të përsëritura nëpër histori (si në Algjeri) – nuk është aspak faktor më i mirë përcaktimi për formësimin e shpresave të gruas. Për shembull, gruaja e sotme e Afrikës Veriore, zakonisht ëndërron të ketë një punë të përhershme, me rrogë, me sigurim shoqëror e shëndetësor dhe me beneficione të pensionimit, pra: punë në institucione të shtetit; këto gra tashmë nuk varen nga mashkulli për mbijetesën e vet, por shikojnë shtetin. Mbase jo edhe ideale, kjo megjithatë është një përparim, një si erozion i traditës. Kjo pjesërisht shpjegon pjesëmarrjen aktive të gruas marokiene në procesin e urbanizimit: ato ikin nga pjesët rurale bababar me migrimet e meshkujve, për “një jetë më të mirë” në qytete; në qytetet e Evropës, po ashtu. Pjesëmarrja e grave në veprimtaritë jashtë territorit të mbretërisë, është 40%, sipas statistikave më të reja të punësimit.
Për më tepër, pjesëmarrja e femrave në profesione të ndryshme është në rritje befasisht të lartë, madje edhe po ta kesh parasysh se deri në Luftën e Dytë Botërore, gratë e Marokut ishin të mbyllura dhe u ndalohej shkollimi apo konkurrimi për diploma dhe për punë: si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Kontributi i tyre në bujqësi, artizanate dhe në shërbime, ishte i kufizuar vetëm në hapësira tradicionale dhe ishte maskuar prapa identitetit të tyre vendës. Ato kontribuan si bashkëshorte, si nëna, si bija e si teze – por jo si gra për të qenë.
Mirëpo, nëse gratë në Marok, nga vitet 1940 e ‘50, pranonin punën vendëse si fat, femrat e reja sot aspirojnë arsimimin dhe punësimin. Dhe, ato, këtë gjë e kanë shumë të vështirë. Në fushat e punësimit byrokratik dhe industrial, vetëm ato femra që kanë dy apo më shumë vjet shkollimi e arsimimi, ato kanë shanse, edhe atë, vetëm pasi të kenë ushtruar shkathtësitë e punës së sekretareve. Më 1982, vetëm 37.4% në shkolla tetëvjeçare, 33.1% në shkolla të mesme dhe 26.3% në fakultete të Universiteteve ishin të gjinisë femërore.
Kur e pata shkruar këtë kaptinë për të parën herë, Maroku po përgatitej për një ngjarje thjesht të parregullt – për zgjedhjet. Në zgjedhjet e mëparshme (1977), votuesit femra numëronin tre milionë. Nga 906 kandidatë për Parlamentin, tetë ishin femra – dhe asnjë nuk qe zgjedhur. Edhe Kuvendi ynë aktual është gjithëmashkullor. Mirëpo, sot, femrat përfaqësojnë gati gjysmën e elektoratit, dhe kjo është ajo që u ka domethënie partive politike, të cilat ia punonin njëra-tjetrës nëpërmjet manipulimit me femrat, për të fituar votat e tyre dhe për të ngadhënjyer. Gjatë këtyre javëve të bujshme, ne, femrat e Marokut, jetonim në një hapësirë të pabesueshme kohore ku politikanët meshkuj, rëndom të harrueshëm për nevojat e femrave, përpiqeshin të gjenin një gjuhë të bindshme për të përfituar besimin e tyre. Ata duhej të bënin mrekullitë e botës për të gjetur një zë të drejtë, fjalë të ëmbël, ndaj duhej të hiqnin dorë nga paragjykimet shekullore që kishin. Ata duhej kapërcyer stereotipet e feminitetit, pasivitetit dhe të hapnin sytë ndaj realitetit të gruas marokiene, të cilat nuk i kanë parësore: grimin, vellot dhe përdredhjen e belit në vallëzim, porse: të drejtën e barabartë për edukim, për punësim, për përparim, etj.
Në dritën e tërë kësaj, besimi i një pjese të disa feministeve të Perëndimit se femrat arabe janë vetëpërulëse dhe robinja të bindura, të cilat kanë zbuluar ngritjen e vetëdijes dhe idetë e shkëlqyeshme revolucionare vetëm atëherë kur këto i kanë përpirë nga të mira e femrave më të çliruara nga të gjitha të tjerat në botë (nga ato të Nju Jorkut, Parisit apo të Londrës), në e parë është më pak e kuptueshme, sesa të gjitha shprehjet e ndjenjave të tilla të patriarkëve arabë. Mirëpo, nëse vetes i bëni me kujdes pyetje (siç kam bërë unë shpeshherë): pse, vallë një feministe amerikane apo franceze do të duhej të mendonte se unë jam më pak inteligjente nga ajo në të kuptuarit e skemave të degradimit patriarkal, ju do të hetoni se kjo i jep asaj një kontroll imediat mbi situatën; ajo është prijëse dhe unë jam një ithtare. Ajo, edhe pranë dëshirës – kërkesë, për të ndërruar sistemin, që ai të bëhet më i barabartë për femrat, mban (duke u strukur thellë në gjenet e veta fisnike ideologjike) mekanizmat e çoroditura raciste e imperialiste mashkullore të Perëndimit. Edhe kur të takohet me ndonjë femër arabe, e cila ka po ato diploma që ka ajo, po atë dituri dhe po atë përvojë, ajo pa vetëdije do të reprodukojë atë modelin superior kolonialist. Sa herë që takohem me ndonjë feministe nga Perëndimi, e cila mendon su unë i detyrohem asaj për zhvillimin tim vetjak të botëkuptimeve feministe, atëherë nuk brengosem shumë për të ardhmen e një Motërnie ndërkombëtare, porse për mundësinë e transformimit të feministeve të Perëndimit në një lëvizje të popullarizuar shoqërore, të gatshme për të prodhuar një ndryshim struktural në qendrat e Botës së perandorive industriale. Çështja themelore për secilën femër që e ndien veten feministe, nuk është ajo se, sa përpara është në vetëdije, përqasur me femrat e kulturave të tjera, porse sa ajo shijon nga vetëdijësimi i tillë së toku me femrat e shtresave të ndryshme shoqërore në Shoqërinë e vet. Motërnia do të bëhet globale, atëherë kur ajo do t’i tejkalojë të dyja: edhe klasën edhe kulturën.
Njëri nga hapat e nevojshëm që femra intelektuale të shijojë qasjen e vet të privilegjuar drejt diturisë dhe vetëdijësimit më të lartë, është të dekodojë përgënjeshtrimin femëror të patriarkatit atëherë kur ajo këtë e bën në gjuhë të huaja. Një përpjekje e tillë është edhe kapja dhe dekodimi i rebelimit të një femre të paarsimuar, pa marrë parasysh në e shpreh gojarisht apo përmjet frazave specifike e boshe, që konsiderohen margjinale, kriminale a të gabuara. Njëri nga mësimet e mia më të vlefshme të poshtërimit, është ai mësimi që mora duke dëgjuar me vëmendje kallëzimet e tezes sime Aziza, të paarsimuar, e cila sot është 79 vjeçe. Njëri nga kallëzimet është:
E Bija e Tregtarit dhe i Biri i Sulltanit
Një tregtar i kamur kishte një bijë që e quante A’isha, të bukur si hëna. (Lavdi Perëndisë që krijoi një imazh kaq të bukur.) Një mbrëmje, tek po shëtiste në ballkonin mbi pullazin e shtëpisë, siç e kishte bërë zakon, shërbëtorja ia solli një enë me supë prej MBAMÇA-s. Tek po e pinte supën, ajo lejoi që një copë paste t’i binte në kraharor, për ta kapur më pastaj me dorë dhe përa ta futur në gojë. Nga ballkoni fqinj, i Biri i Sulltanit e kishte hetuar dhe i kishte thënë: “O zonjushë që mban borzilok dhe e ujit në ballkon, të lutem të më thuash – sa gjethe ka lulja jote?”
“O Bir i Sulltanit” i përgjigjet ajo, “Ti që mbretëron toka të paanë, O mendjendritur, Ti, doktor që lexon Kur’anin, a s’më thua sa peshq ka në det, sa yje në qiell dhe sa pika në Kur’an?”
“Hesht, moj e babëzitur”, shpotitet ai. “Ti more pastën që të ra në kraharor dhe e gllabërove përsëri.”
Vajza e re zbriti shkallët e ballkonit e pakënaqur dhe luti shërbëtoren që ta shoqëronte deri te Shenjtërorja e Mulla Idrizit që të mund të kthjellej atje dhe të pastronte trurin. Përgjatë asaj rruge ajo përsëri u ndesh me të Birin e Sulltanit. Ai tashti po rrinte shi pranë një tufe frutash dhe po hante një shegë. Një farë nga shega ra përtokë, ndërmjet këmbëve të tij dhe ai e ngriti dhe e hëngri. Vajzushka u mbush plot hir, që e kishte parë këtë gjest të befasishëm nga ana e tij dhe u kthye në shtëpi shend e verë.
Herët në mëngjesin e së nesërmes, si rëndom, ajo ngjiti shkallët e ballkonit dhe po ujiste borzilokun e po qëndiste. Më pas, të dy të rinjtë që kishin bërë dialogun e mbrëmshëm, ia filluan përsëri:
“O Zonjushë, që mban borzilok dhe e ujit në ballkon, a s’më thua sa gjethe ka lulja jote?”
“O Bir i Sulltanit, Ti që mbretëron toka të paanë, o mendjendritur, Ti, doktor që lexon Kur’anin, a s’më thua se sa peshq ka deti, sa yje ka qielli dhe sa pika ka Kur’ani?”
“Shporru që andej, moj lakmitare, ti që ngrite pastën nga parzma jote dhe e hëngre!”
Porse, kësaj radhe, sapo dëgjoi ato fjalë, vajza u gjegj triumfalisht: “Shporru ti, lakmitar, që ngrite kokrrën e shegës që të ra në baltë mes këmbësh dhe e ngrite e e hëngre!”
Ky ndërrim i rendit bëri që princi të largohej në një gjendje shumë të trazuar. Ai bleu rroba për t’u tebdilosur, si një tregtar plaçkash për femra. I veshur në të zeza, me këpucë të zeza, me plaçkat në krahë, ai endej rrugëve duke thërritur, deri sa arriti te shtëpia e bijës së tregtarit. “Erëndje, Pasqyra, Riza, Krehër, Unaza!” Aq mirë imitonte tregtarin, sa që ajo e mori për të tillë dhe dërgoi Dadon e saj për t’i blerë një parfum. Kur pa që ia doli me maskimin, i tha Dados:
“Zgjidh dhe merr ç’të ka ëndja. Për të gjitha këto që kam, kërkoj vetëm një puthje në faqe të zonjës sate”. E Bija e tregtarit u pajtua dhe e puthi tregtarin e zi në faqe. Ai pastaj iku i kënaqur plotësisht me suksesin.
Të nesërmen, ai ngjiti shkallët e ballkonit të vet dhe pa vajzën tek po ujiste borzilokun. Nisi biseda e tyre e rëndomtë, por tashti princi po kthente fjalën triumfalisht:
“Parakalova rrugëve si një tregtar dhe u ndesha me faqen e bijës së një tregtari”. E hutuar, zonjusha A’isha i rrëfeu tezes të gjitha që kishin ndodhur dje dhe i kërkoi ndihmë për ta tebdilosur me mjeshtëri, ashtu që ajo të shfaqj si një robinjë. Të tebdilosur për mrekulli, tezja e shpuri në tregun e robinjave dhe e shiti. Tregtari i robinjave hetoi bukurinë e rrallë të vajzës dhe atë ia ofroi të Birit të Sulltanit. Zonjusha A’isha kishte sjellë me vete një brisk, një trangull, të kuq për buzët dhe një lëng shumë të fortë, magjik, për gjumë. Ajo i dha princit këtë lëng dhe kur ai ra në gjumë të thellë, aji ia rruajti mjekrën e mustaqet, e bëri të dukej si femër, ia vari pasqyrën rreth qafe, i vendosi trangullin tek prapanica dhe iku. Me t’u kthyer në shtëpi, ajo u pastrua dhe veshi kostumet e veta, kurse princi po zgjohej për të gjetur veten në kushte krejtësisht poshtëruese.
Në mëngjesin e ditës tjetër, në ballkonin mbi pullaz nis biseda e zakontë ndërmjet vajzës së re dhe princit (tashti me pamjen e lëkurës së mëndafshtë të gruas). Kësaj radhe ishte zonjusha ajo që përmbylli bisedën ngadhënjyeshëm:
“Aktrova rolin e robinjës dhe ushtrova shumë mashtrime mbi një princ”.
I tërbuar dhe i poshtëruar, i biri i Sulltanit u betua se do ta merrte për grua këtë krijesë të zgjuar dhe do ta detyronte që ajo të njohë të vërtetën se, burri është më i mendjehollë nga gruaja. Ai i kërkoi asaj dorën e martesës dhe një gjë të tillë e miratoi i ati i saj. Sapo e futi në dorë, ai e burgosi atë në një qeli të nëndheshme dhe i jepte vetëm rroba të mëdha lypsarësh për të veshur, bukë thekre një herë në ditë dhe një kupë uji të lumit.
Mirëpo, vajza e shkathët rrëmoi një tunel nën tokë, nëpërmjet të cilit ajo lidhej me shtëpinë e prindërve. Ajo do të shkonte tek shtëpia e prindërve për të ngrënë e për të pirë dhe do të kthehej me kohë në qeli, atëherë kur burri i saj do t’i sillte furnizimet e çdoditshme. Tek i jepte bukën e zezë dhe kupën, ai do t’i thoshte:
“Zonjusha A’isha, banore e mjerë e qelisë, cili është më mendjehollë, burri apo gruaja?”
“Është gruaja, Imzot,” do të përgjigjej ajo. Ai nuk ishte në gjendje ta bënte gruan që të dorëzohej.
Soje kalonin ditët. Sulltani vdiq dhe i biri e trashëgoi fronin. Nga fillimi i pranverës, Sulltani i ri kishte vendosur të kalonte disa ditë nëpër vend, siç ishte zakon i sulltanit. Para se të nisej, ai vizitoi gruan e vet në qeli.
“Pas tetë ditësh,” i kishte thënë asaj, “nga ora pesë e mëngjesit, unë do të vete në Sur, ku do të qëndroj ndonja 15 ditë.”
“Kalofsh mirë!” i përgjigjet gruaja e re. “Dhe, të priftë fati!”
Përmes tunelit nëntokësor, ajo me ngut vajti tek shtëpia e prindërve, ku kërkoi t’i jepeshin furnizime të mjaftueshme dhe pajisje më të mira nga ato që Sulltani do t’i kishte në Sur. Ajo dëshironte që të jetë e vendosur mirë e mirë atje, që para se të arrinte Sulltani.
Një natë para se të nisej, Sulltani erdhi t’i thoshte tëmirëmbeç gruas së vet, ndaj në mëngjesin e ditës tjetër do të nisej në udhëtimin që kishte paraparë. Kur ai arriti në Sur, pa tenda nga kadifeja më finoke se të vetat. Pranë një tende të tillë po qëndronte një robinjë e bukur. I befasuar fare, Sulltani bëri hetime dhe kuptoi se aty ishte vendosur një femër e jashtëzakonshme për të qëndruar disa ditë. Plot kureshtje, ai i tha robinjës që të luste zonjën në do ta pranonte atë për vizitë. Robinja iu përgjigj se Zonja e saj nuk do të pranonte asnjë vizitor, i cili më parë nuk ka kaluar tri ditët e mëparshme në qytet, si njeri që ka mbledhur bajga kuajsh. Sulltani plotësoi këtë detyrë dhe u kthye pas tri ditësh. Ujin ia kishin ngrohur ashtu që ai të mund të pastrohej mirë e të vishej bukur dhe pastaj t’i lejohej të hynte në tendën e gruas së misterioze.
“Nuk do të flas me ty, nëse nuk pajtohesh me marrëveshjen për martesë”, i tha Zonjusha A’isha; “kurse për pajë dua të kam kordhën dhe millin tënd.” I prekur nga ëmbëlsia e zërit, Sulltani miratoi. Pa hetuar fare se sa kohë po kalonte, ai shkoi njëzet ditë të plota me të dashurën e re, pa e njohur se cila ishte. Në ditën e njëzetë i erdhi lajmi se, po të mos kthehej shpejt në pallat, do të shpërthente një revolucion. Dhe u kthye. Gruaja kishte mbetur shtatzënë.
Kur Sulltani u kthye në pallat, zonjusha A’isha tashmë kishte zënë vendin e vet në qeli. E para fjalë që foli kur shkoi për ta vizituar, ishte që ta detyronte të njihte sipërinë e mendjehollësisë së mashkullit ndaj asaj të femrës.
“Kalova,” po i thoshte gruas ai, “njëzet ditë të mrekullueshme me një femër që kishte sytë si sytë e tu, duart si duart tua dhe pamjen, dhe zërin krejt si tutë”.
“Ç’është e vërtetë, fati yt është i madh dhe nuk mund të jesh i pafat udhës sate. Hareja dhe kënaqësia qofshin me ty!” ia ktheu ajo pajtueshëm.
Dhe çdo gjë vazhdoi si më parë. Në muajin e pestë të shtatzënësisë, Zonjusha A’isha filloi përgatitjet për lindjen e fëmijës. Në muajin e nëntë ajo solli në jetë një djalë dhe e pagëzoi me emrin Sur.
Në pranverën e vitit tjetër, Sulltani po nisej përsëri për në udhëtim dhe vendi ku kishte vendosur të ngrinte tendat quhej Dur. Zonjusha A’isha i parapriu arritjes së Sulltanit, ashtu siç kishte bërë një vit më parë, dhe çdo gjë vajti si vitin tjetër. Kësaj radhe ajo kërkoi që Sulltani të shkonte tri ditë si shitës i sheqerkave dhe t’i jepte asaj për pajë millin e mëndafshtë. Më pas ajo lindi një fëmijë tjetër dhe e quajti Dur.
Vitin e tretë, ngjarjet pasuan njësoj edhe në El Kur. Me këtë rast Sulltani u desh të shkonte tri ditë si pastrues i tendës së kalit të zonjës dhe t’i jipte asaj unazën e vet për pajë. Fëmija i lindur kësaj radhe ishte një çupë, të cilës i dha emrin Zonjusha Hamame El Kur – Pëllumbesha e pallateve.
Çdo herë kur ai vinte nga qelia, zonjusha A’isha refuzonte t’i pranonte sipërinë e burrave ndaj grave. Sulltani tashmë kishte arritur te pika kur kjo grua kryeneçe ia kishte hedhur përmbi kapuç. Ai kishte thënë se do të merrte një grua të re, e cila do të ishte e adhuruara e tij. Ajo, as kishte lëvizur fare.
“Dhashtë Zoti që ti të ngadhënjesh dhe të forcosh mbretërinë tënde!” i kishte thënë. “Kur e ke ndër mend të përgatisësh dhomën për nusen e re?”
“Një ditë si kjo”, ishte përgjigjur ai.
“Bukur. Të uroj fatin e mirë!”
Në ditën e caktuar, ajo veshi fëmijët me rrobat më të bukura; u priu deri te pallati dhe i urdhëroi që ata të ndihmonin rreth dasmës. Fëmijët po kryenin këtë detyrë siç është më së miri, duke plaçkitur çdo gjë. Tek po i nxirrnin përjashta, ata bërtitën: “Kjo shtëpi është vatra e babait tonë dhe ata që na ndjekin jashtë janë bij qensh; bërtisnin me sa zë që kishin.
“Eja vëlla Sur! Eja vëlla Dur! Eja motër Pëllumbeshë e Pallateve!”
Kështu Sulltani mësoi që ata ishin fëmijët e tij dhe u desh të pranonte se gruaja është shumë më mendjehollë nga burri. Ai braktisi mendimin që të martohej me një grua tjetër dhe zonjusha A’isha ishte ajo, për nderin e së cilës u bë dasma.
Nëse nuk e kanë përfunduar dasmën, ata ende janë atje.
Përktheu: Nehat S. Hoxha