Profecia
Përkthyesja: Dafina Zherka
Më në fund vendosëm të shkojmë së pari te astrologu e pastaj te gjinekologu. Pritëm një orë në diellin e pamëshirëshëm të pasditës, derisa më në fund një taxi motoçikletë pranoi të ndalej. Kur i treguam shoferit se ku donim të shkonim ai turfulloi dhe hodhi një pështymë të madhe “paan”.
“Nuk shkoi në distanca të shkurta”, tha me përbuzje. Ne u kthyem prapa të këputura. “Do t’ju kushtojë dhjetë rupi” bërtiti ai.
“Vafsh në djall,” i tha Amrita. “Ju shoferët, të gjithë të njëjtë jeni”. E tërhoqa prapa. “Sot harroi principet e tua, do të kollapsemi të dyja në këtë vapë.”
U ulëm në motoçikletë. Në të majtë të shoferit ishte një pikturë e Perëndeshës Lakshmi e zbukuruar me një shirit përreth, në të djathtë, ishte piktura e një aktoreje filmi, gjoks zbuluar dhe e qeshur. Shoferi ngërdheshej derisa na vështronte nga retrovizori. E ndezi një puro dhe e startoi motoçikletën. Me zhurmë shumë e me një shpejtësi marramendëse, automjeti gjarpëroi rrugës nëpër trafik. Mbaheshim anash dhe më kot u munduam t’i mbajmë saritë tona në vend.
“Ndoshta kam fat dhe abortoj tani,” gulçoj Amrita.
“Ngadalëso!” bërtita përkundër zhurmës së motoçikletës. Ai e shtoi shpejtësinë. “Ngadalëso, po të them.”
U kthye nga unë duke u zgërdhyer “Çfarë the?”
“Shiko rrugën, mos shiko kah unë!” bërtita. “Ngadalëso!”
Për pak sa s’i ra një veture, u shmang me rreptësi, e hodhi kokën prapa dhe qeshi.
“Nga cili kolexh vini ju?” Nuk iu përgjigjëm. Ai shpejtoi.
“Ngadalëso! Mos ke dëshirë të vdesim!”
“Memsahib,” tha ai, “vdekja nuk është as në duart e mia e as në tuajat. Nëse është e thënë të vdesim, do të vdesim. Gjithçka është e shkruar.”
“Ti vdis po deshe. Me këtë shpejtësi që je duke ngarë do të na vrasësh edhe ne.” Ai hidhej lart e poshtë, me hare, në ulësen e tij.
“Kush mërzitet,” këndonte, “kush mërzitet po të vdes, a po të vdisni ju, s’ka lidhje!”
“Mos fol më me të,” më tha Amrita, “kjo gjë po e dëfren ate.”
Shoferi shpejtoi prapë dhe shikoi me shpresë, kah unë, në retrovizor. Shikova jashtë. E kishim kaluar destinacionin tonë. “Ndalo, ndalo!”
Ai u kthye prapë kah unë dhe luajti syrin. “Çfarë ka për tu frikësuar? Njerëzit vdesin për ditë.”
“A do të ndalosh të lutem, e kemi kaluar vendin!”
Përnjëherë frenoi sa ne gati ramë mbi të. Shikoi vjedhurazi gjinjët tanë e tha “Zonjë duhej të më paralajmëronit. Kështu ndodhin aksidentet.”
I futa një banknotë prej dhjetë rupish në dorën e zgjatur të tij. E mori duke më përkëdhelur duart, buzëqeshi me nga dhe vazhdoi.Duke u lëkundur vazhduam drejt shtëpisë së Chachaj-it. Chachaji, quhej astrologu, që ishte shumë i popullarizuar te vajzat e kolexhit tonë. Profecitë e tij bëheshin realitet, po edhe ishte më i liri nga gjithë të tjerët. Ai mund të të lexonte mendimet. Vetëm një shikim të hidhte dhe i dinte që të gjitha – të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tënde.
Gruaja e tij na e hapi derën dhe na priu për te dhoma e ndejës. Nga kuzhina dëgjohej zhurma e tenxheres me presion, ndërsa shtëpia kundërmonte nga era e mishit të pulës. Diku brenda, një foshnje qante. Era e temjanit vinte valë valë kur Chachaji mjekërr bardhë hyri brenda, me pixhame të bardha e të pastërta, trup brishtë e sy trembës… mistik… eterik. Ia zgurdulluam sytë, të nemitura.
U ul kundruall nesh dhe vështroi fytyrat tona. Buzëqeshi. “Urdhëroni, fëmijët e mi!”
E shikova Amritën. Ishte ideja e saj që të vinim këtu. Pasi ajo nuk e hapi gojën, fola unë. “Kishim dëshirë që të këshillohemi me ju.”
“Po, po, të gjithë dëshirojnë të më konsulltojnë.” Sa të ëmbël e kishte zërin.
Shikova prapë Amritën. Sytë e saj ishin të përlotur. E dija se si ndihej. Atij mund t’i rrëfeja gjithçka.
Ai u kthye kah Amrita. E tundi kokën gati pa u hetuar. “Beti, ti je në një pyll, e humbur, duke u sorollatur. Nuk di se kah të shkosh.” Amrita tundi kokën, e shtangur. Ai psherëtiu dhe mbylli sytë. “E shoh një djalosh.” Ne kërcyem nga vendi. “E shoh një telashe. Gjithçka filloi me këtë djalë. Me çfarë date dhe në cilin vend je e lindur?” Ajo i tregoi. Sa bëri disa llogaritje të shpejta në një copë letre, tundi kokën. “Yjet s’tregojnë mirë. Hija e Shani-t po bie mbi ty. Është një vit shumë i pafat për ty.”
Amrita pëshpëriti. “Chachaji, çfarë do të ndodh?”
“Ndodh? A s’ka ndodhur tashmë?”
Ajo u mpraps dhe uli sytë. Gishtërinjtë e saj mbledhnin dhe lëshonin palat e fustanit. “Çfarë të bëj, Chachaji, çfarë?”
Ai mbylli sytë edhe njëherë. Unë po djersitesha tepër e edhe Amrita kishte sumbulla djerse mbi buzë.
Gruaja e tij na solli dy gota me ujë. I pimë me etje. Ajo na buzëqeshi. “Që të dyja jeni shumë të bukura.” I buzëqeshem me mirënjohje. “Por nuk dini si t’i mbani saritë,” tha ajo, duke përplasur gjuhën.”Ngrituni pak.” Ne u bindëm dhe u ngritëm. Ajo u përkul dhe uli saritë tona poshtë. “Gjithmonë, së pari veshni sandalet e pastaj sarin. Përndryshe shkon lart,” ajo i ujdisi palat tona, u ngrit dhe vështroi punën e saj me admirim.
” Nënë e Champës,” psherëtiu Chachaji, “ato nuk kanë ardhur këtu të flasin për saritë.”
“Oh, ti,” e dëboi ajo me gjest. “Mos i frikëso fëmijët me atë muhabetin tënd.” Ajo i mori gotat, na buzëqeshi ëmbël dhe doli jashtë, me pandoflat që tingëllonin butë.
Shikuam Chachajin me përulje. Ai buzëqeshi butësisht “Po, fëmijë, çfarë dëshironi të dini tjetër?”
“Çfarë duhet të bëj?” pyeti Amrita.
“Do të bëj një puja për ty. Do të largoj influencën e keqe të Shani-t. Pas gjashtë muajsh do të bëj edhe pujan e dytë. Yjet e tua do të ndryshojnë. Hija e Shani-t nuk do të të kaplojë më.” Ne tundëm kokat, me admirim. “Për pujën,” vazhdoi ai, me sy të fiksuar në murin pas nesh, “duhet të japësh një dhuratë.”
“Sa?” pyeti Amrita, duke kërkuar me dorë nëpër çantë.
“Sa të duash, beti, sa të duash. Me bekimin e Zotit gjithçka do të bëhet mirë. Do të bëj një puja të veçantë për ty.”
Amrita i dha njëzet rupi. Ai i mori dhe i prekte duke medituar. “Fëmija im, kjo do të mjaftojë vetëm sa për një puja të vogël. Ndërsa për ty më duhet të bëj një puja të madhe. Përndryshe telashet do të keqësohen.”
“Chachaji, kam vetëm pak para.”
Ai ngreu supet. “Nëse ajo është dëshira jote, atëherë. Kjo mbase nuk mjafton për të larguar influencën e ligë të Shani-t.” Nxora dhjetë rupi nga çanta ime dhe ia dhashë. “Chachaj-i kjo është e tëra që kemi.”
Ai buzëqeshi, me njërën dorë i mori paratë e me tjetrën më ceku faqen. “Je shoqe e vërtetë, beti. Je shoqe besnike. Yjet e tua janë të mira. Do të bësh magjistraturë. Është e mundur që do të punosh. Do të martohesh me një burrë të pashëm dhe do të kesh një djalë dhe një vajzë.”
“Kur do të martohem, Chachaji?”
“Sa vjet i ke?”
“Shtatëmbëdhjetë.”
“Për gjashtë, shtatë vjetësh, beti.”
“A do të jetë me ujdi?”
“Do të jetë me dashuri. Do të kesh një martesë dashurie.”
“A do të shkoj në botën e jashtme, Chachaji?”
“Shumë herë, shumë herë.”
“Falemnderit, Chachaji,” i thashë krejt ekstatike.
U kthye kah Amrita. “Pasi të kem bërë një puja, yjet e tua do të ndryshojnë. Do të martohesh me një burrë biond të pashëm, të pasur dhe me influencë. Do të kesh dy djem, të cilët do të mbërrijnë pozita të larta në qeveri. Ata do të të sjellin fuqi, famë, dhe respekt. Edhe ti do të udhëtosh jashtë vendit shumë e shumë herë.”
Ai u ngrit. Ne i kryqëzuam duart.
Vapa na goditi sapo dolëm jashtë shtëpisë. Ecëm drejt stacionit të autobusit.
“Oh, jo, Patrami!” dihata unë dhe tërhoqa Amritën nga rruga. Duke marrë frymë rëndë, të heshtura, qëndruam aty ku ishim. Njeriu khaki-klad kaloi para nesh. Nuk ishte Patrami. Vazhduam të ecnim me ndjenjën e marrëzisë.
Patrami ishte një argat-truproje-rregullator i rregullave, i pranishëm kudo dhe i gjithëdijshëm., qe i punësuar nga kolexhi ynë. Ai përcillte konviktoret si shqiponjë dhe raportonte të gjitha shëtitjet tona tek mbikqyrësja. Ato të cilat përvidheshin jashtë para kohës së lejuar, ato të cilat ktheheshin pas orës tetë në mbrëmje, pinin cigare dhe kishin dashnorë. Vetëm muajin e kaluar dy vajza ishin përjashtuar nga konvikti pasi që Patrami hetoi erën e cigares në koridorin para dhomës së tyre dhe e lajmëroi mbikqyrësen. Rasti shkoi deri te drejtoresha. Vajzat iu lutën por ajo nuk bindej. Tha se nuk do të lejonte vajza me asi karakteri të dobët në kolexhin e saj. Ato duhet të largoheshin. Nëse dikush vendoste të përvidhej nga kolexhi për të parë filmin e orës 1.30. Patrami do ta kuptonte gjithsesi. Ai ishte kudo – në markete, kinema, teatro, vendin Connaught. Jetonim me frikë nga rrobat e famshme khaki, kapelën si dhe të zgërdhyerit e përhershëm në fytyrën e tij. Atë mëngjez kishim dalë jashtë para kohës zyrtare, nuk kishte asnjë gjurmë Patrami. Për herë të parë veshur me sari, me shpresë të dukeshim më të mëdha se sa ishim, dolëm jashtë ndërtesës, të ngathta e të tronditura. Patrami nuk dukej akoma.
Dhe tani të lehtësuara që s’doli ajo që menduam, pritnim autobusin që do na çonte te gjinekologu. Mbërriu gati menjëherë dhe për herë të parë nuk kishte tollovi. “Katërdhjetë rupi,” tha Amrita sapo u nis autobusi. “Kemi shpenzuar 40 rupi sot.”
Nuk thashë asgjë. Kishim vetëm 100 rupi të dyja së bashku. Nuk kishim haber se sa do të kërkonte gjinekologu. Një ditë më parë duke tentuar me çdo kusht të bëjmë ca para, silleshim përreth konviktit duke mbledhur gazeta të vjetra, poçe dhe shishe të zbrazëta. Të tëra sa i mblodhëm i futëm në gjashtë qese najloni dhe duke çapitur me vështirësi i çuam deri te marketi më i afërtë, përpiqeshim të mos e vërenim zhurmën që bënin kur ecnim, luteshim që që qeset të mos shkyheshin. Kur arritëm në market ishim ulur këmbëkryq para kabadivallës dhe mundoheshim të bënim pazar. Na tha se na jipte njëzet rupi për të gjitha. Ne kërkonim tridhjetë. Ai kishte refuzuar. U larguam ndërsa ai na thirri prapë. Na ofrui njëzet e pesë. Kështu e bëmë pazarin. Kur po ktheheshim, u dorëzuam para pamjes së ëmbëlsirave, dhe shpenzuam gati të gjitha paratë për pyje të zeza, torta limoni, eklerë çokolade dhe kofsha pule me gjalpë. Tani nuk kishim mjaft as për gjinekologun, e lëre më për abortin. Ndoshta, mendoja, ajo as që është fare me barrë.
Klinika ishte komfore, e bukur, i vinte era pasuri. Zemrat tona u shkrinë. U ulëm te recepcioni dhe pritnim radhën e Amritës. Aty ishte edhe një person tjetër, me sari ngjyrë roze të çelët prej mëndafshi. Na i kishte ngulur sytë, e shikonte me këmbëngulje. Shfletonim pa faqet e gazetave pa i pa ato fare. Ajo vazhdonte të shikojë me ngulm.
“Ajo do të na bëj pyetje,” murmuroi Amrita.
“Gënje.”
“Çfarë?”
“Pra,” tha ajo,”keni ardhur për të vizituar Dr.Kumarin?”
Ne tundëm kokat nga larg dhe iu kthyem gazetave.
“Sa vjet i keni?”
“Njëzet,” gënjeva unë. Këmbët nën sari filluan të më dridhen.
“Aha? Dukeni më të reja.”
Amrita qeshi. “Kjo është gjë e mirë.”
Gjithnjë vështronte dhe u ngrys në fëtyrë. E hodhi pallan e saj përtej supeve. “A jeni të martuara?”
“Po,” i thashë.
“Jo,” tha Amrita.
“Aha?” Ajo kthye e habitur, me fëtyrë kah Amrita. “Atëherë, çfarë po bën këtu?”
“Kam probleme me ciklin” tha Amrita dhe iu kthye gazetës.
“Probleme me ciklin?”
“I parregullt,” i thashë.
“Shumë i shpeshtë,” tha Amrita.
Ajo buzëqeshi me mendjehollësi. “Me sa duket s’jeni marrë vesh mirë për problemin, apo jo?” Nuk u përgjigjëm. Ajo e ktheu shikimin kah unë. “Pra, ti je ajo e martuara?”
“Po.”
“Nuk dukesh si e martuar. Sa vjet i ke?”
“Njëzet.”
“Pra, cili është problemi yt?”
“Unë kam ardhur me shoqen.”
“Aha! Pra shoqja e martuar po e shoqëron shoqen e pamartuar te gjinekologu!” E dinte, e dinte. Preku mangalsutrën e saj. “Më duket se asnjëra nuk jeni të martuar.” Priti pak.” “E në qoftë ashtu, zoti di se çfarë po bëni këtu.”
Infermierja thirri “Ju lutem, Zonja Mehta, është radha juaj.”
Ajo u ngrit, duke lënë pas aromën e fortë të Intimate-it dhe u fut brenda.
“Bushtra,” tha Amrita.
Dhjetë minuta më vonë, Zonja Mehta doli, hodhi një shiqim domethënës dhe u largua.
Ne hymë brenda, u ulëm kundruall Dr.Kumar-it dhe filluam të qanim.
Doktoresha ishte e mrekullueshme. Na foli me një zë të ultë, të butë, na dha faculeta dhe ujë të ftohët dhe i tha infermieres të na bëj çaj. Më në fund, hundë skuqur e sy ajur, u qetësuam .
Ajo iu drejtua Amritës. “Je me barrë?”
“Mendoj se jam.”
“Tani do të shikojmë.”
Prisja në dhomë derisa ajo dhe Amrita shkuan në dhomën fqinje. Kur u kthyen e dita se kjo gjë u vërtetuar. Amrita u ul afër meje. Po dridhej.E vura dorën në gjurin e saj.
Sytë ngjyrë gështenje dhe te buta të Dr. Kumarit, dukeshin të shqetësuara.Ajo ma përkujtoi nënën time. Por nënës nuk do të mund t’i tregoja po të isha me barrë.
“Sa do të kushtoj aborti?” pyeti Amrita.
Dr.Kumari mbështeti fytyrën në dorën e saj. “A e din djaloshi?”
“Jo. S’ka fare nevojë ta dijë.”
“Pra, s’ke ndërmend të martohesh me të.”
“Jo. Sa do të kushtojë?”
Dr. Kumari heshti. Më në fund foli, “Është njëmijë rupi në këtë klinikë.” Shikuam njëra tjetrën me dëshprim. Nuk kishim as njëqind. Dr. Kumari, me sytë e saj plot dhembshuri na tregoi se kishte spitale shtetërore ku mund të bëhej edhe për njëqind rupi. Ajo do të na jipte adresat. Duke nuhatur shqetësimin tim, ajo më siguroi që ato spitale janë krejtsisht të sigurta. Sa për abortin – njerëzit bëjnë aborte gjithmonë. Ajo u ndal, pastaj tha “Amrita, a do të dëshiroje t’ iu tregosh këtë fshehtësi prindërve të tu.” Duke parë fytyrën e Amritës, ajo vazhdoi butësisht, “Beti, ndonjëherë i gjykojmë gabim prindërit tanë.
Shpeshherë ata janë pikërisht njerëzit të cilëve duhet drejtuar në këso raste.”
“Vitin e kaluar,” pëshpëriti Amrita, “vajza e fqiut tonë mbeti shtatzënë. Ajo u hodh në binarët e trenit. Prindërit e saj refuzuan ta identifikonin trupin. Ndërsa babai im tha se ashtu edhe duhej.”
“Po nëna yte?”
“Çfarë mund të thoshte ajo? Qau me ditë të tëra. Ajo nuk mund të mbaj asgjë për vehte. Do t’i tregoj babait.” Dr. Kumari dukej e humbur në mendime. Pas një kohe, ajo psherëtiu dhe tha; “A jeni që të dyjat në konvikt?” Ne pohuam. “Pra, prindërit tuaj nuk janë në Delhi?” I tundëm kokat në shenjë mohimi. “E shoh.” Ajo shkroi disa adresa dhe na i dha. Ne u ngritëm për t’u nisur. “Pritni,” na tha dhe vazhdoi të na flasë, nja pesëmbëdhjetë minuta, për kontracepcionin.Me sy të hapur dhe duke u dridhur nga turpi, dëgjoja. Mezi e shikoja Dr. Kumarin në sy deri sa ajo sistematikisht kalonte nëpër krejt këtë temë. Si munden njerëzit t’i blejnë gjërat e tilla? Si mund t’i shikojnë farmaceutët në sy? Fundj si kanë mundur t’i hyjnë kësaj pune? Amrita dukej e lodhur por nuk kisht tur, herë pas here tundte kokën. Pasi mbaroi, Dr. Kumari i tha “Mos bëj më këso marrëzira herën tjetër.” Pasi u ngritëm në këmbë, ajo tha; “Amrita, kanë kaluar dy muaj. Mos prit shumë gjatë.” Amrita bëri me kokë.
Dr. Kumari nuk na mori të holla për vizitën.
Ishte ora pesë kur mbërritëm në konvikt. I zhveshëm saritë dhe shikuam njëra tjetrën.
“Pse nuk martohesh me te, Amrita,” i thashë mëdyshazi.
“Të lutem,”u përgjegj Amrita , “kurrë nuk do të mund ta kuptosh.”
Nuk kuptoja. Nuk kuptoja fare. Rakeshi më pëlqente, ishte i pashëm, i mençur dhe i këndshëm për shoqëri. Kundërmonte erë të ëmbël kolonje dhe isht i pari që na kishte vozitur me motoçikletë. Ai është kaq i mirë, i kisha thënë shpesh Amritës, kaq i mirë. Mirëpo ajo thoshte se ai nuk kishte ndjenjë estetike. Ajo nuk donte një të mirë. Nuk donte të martohej menjëherë pas kolexhit. Nuk donte të përfundonte si prindërit e saj. Ajo dëshironte aventurë. Ndërsa unë, gjysmë e dashuruar në Rakeshin, në kolonjën dhe motoçikletën e tij, isha e sigurtë se ai do të ofronte aventura. Kurse ajo tallej madje edhe me idenë vetë.
Shpesh e pyesja veten përse ishte lëshuar, Amrita në këtë lidhje të çuditshme, të pa dashuri. Edhe pse ishte shumë komunikative me mua, ishte jashtëzakonisht e përmbajtur sa i përket aferës së saj me Rakeshin. A mos ishte kjo një lidhje vetëm sa për seks? Mendja më shtangohej nga ky mendim. Megjithatë, isha kureshtare. Nuk është diçka kushedi sa e mrekullueshme, më pat thënë njëherë, ndërsa unë u mundova ta përmbaja habinë time, nga ky zbulim i papritur. Ajo e paskësh provuar! Kushedi sa herë? Dukej njësoj si përpara. Në shëtitjet tona të rastit, i kundroja fshehurazi. Ata qeshnin, bisedonin, hanin, pinin. Nuk shihja asnjë zjarr të fshehur në sytë e Rakeshit, as edhe një shkëndijë të vetme në sytë e Amritës. Në fantazitë e mia, isha e bukur por misterioze, isha virgjëreshë, por e gatshme t’i ipem e tëra burrit me të cilin do të martohesha. Po të ndodh gjë para para martesës, ai nuk do të më respektojë. Do të zbus bishën brenda tij. Athua e respektonte Rakeshi, Amritën? Athua ajo e bënte të çmendej pas saj? Doja të dija më shumë, por ajo heshtte. Vazhdoja të ushqeja fantazitë e mia për meshkuj të pashëm në motoçikleta, me aromë kolonje, zëra të thellë dhe akcent britanik. Do të rehatohesha me ndonjërin, pas kolexhit, në martesë të lumtur. Ai nuk do të mërzitej kurrë me mua e as unë me te. Martesa do të ishte një shteg i mrekullueshëm, plot rrahje të shpejta zemre dhe zbulime të pafundme intime.
Amrita i kalonte fundjavët me Rakeshin në konviktin e tij. “Ky kolegj i mallkuar dhe këto lënesha të frustruara më bëjnë të vjell,” do më thoshte çdo të diele mbrëma e kishte fjalën për mbikqyrësen dhe drejtoreshën.
“Do të gëzohem kur të dalë nga kjo vrimë.” Me sa dukej Rakeshi nuk zinte vend në planet e saj për ardhmërinë. Kishte dëshirë të bëhej gazetare dhe aspak nuk dyshoja se do t’ia dilte mbanë. Jo vetëm që shkruante në mënyrë shumë shprehëse por edhe kishte ndjenja të forta dhe një lloj guximi të çuditshëm, si dhe ishte krejt indiferente ndaj mendimit që njerëzit e kishin për te. Ndërsa unë kaloja tërë jetën, duke shikuar pas shpine, për të parë në mos më vështronte kush, e frikësuar se mos dëgjon kush, gjithmonë me druje se “ata” do ta kuptonin. Ndërsa Amrita që kur e njihja, kishte bërë pikërisht atë gjë që kish dashur ta bënte. Tani, në vend të Amritës, isha unë fajtore, frikësohesha se mos na zbulonin, e sigurtë se hakmarrja ishte e pashmangshme.
Nuk mund e përdorëm telefonin e konviktit për të caktuar ditën kur do të shkonim në spital, pasi që ishte i prishur. Filluam sërish të shkonim kah portas, meqë stacioni i taksive që ndodhej aty pranë kishte telefon publik. Por Nemeu në trajtën e Patramit u gjet vetëm dy hapa pas nesh. Duke u zgërdheshur, na çoi në zyrën e mbikqyrëses. Tha se, në mëngjez na kishte parë jashtë portës së kolexhit. Mbikqyrësja, e ngrysur, por me vezullim gjakpirës në sy, na mbajti ligjëratë mbi paturpësinë tonë, ligësinë e veprimeve tona dhe paaftësinë e prindërve tanë për të na i ngulitur virtytet e frenimit dhe mirësjelljes. Sa mori frymë për të përtrirë sulmin e saj, Amrita i tha se ajo ishte një grua injorante, e uritur për fuqi, mendje-ngushtë dhe me këto fluturoi jashtë. E trembur dhe e tronditur, i buzëqesha në mënyrë lajkatare dhe ika pas Amritës.
Kur u kthyem në dhomë, Amrita u tërbua. Mallkoi kolexhin dhe autoritetet. “Një ditë,” tymoi ajo,” do ta tregoj se çfarë është ky vend. Do të shkruaj për të edhe do ta botoj. Askush s’do të ketë dëshirë të shkollohet në këtë vendi këtij vendi fatzi.” “Përkundrazi, artikulli yt do të ketë pikërisht efekt të kundërt, vetëm sa do ta bind edhe më shumë secilin prind të klasës së mesme, si ata të tutë apo të mitë, se këtu nuk është keq fare.”
Për dy javë na mbajtën të mbyllura. Javën e tretë u përvodhëm jashtë dhe pritnim taksinë ose autobusin që do të çonte në njërën prej klinikave që na i kishte sugjeruar Dr. Kumari. Nga ana tjetër e rrugës zëri i Patramit na thërriste e që rezultoi në një kthim të sërishëm. Për herë të dytë na shpuri në zyrën e mbikqyrëses. Burgimi ynë u zgjat për katër javë. Kaluan dy javë pastaj edhe e treta. Një ditë, dikush rastësisht tregoi se si motra e saj kishte pasur abort pasi që kishte ngrënë shëllirë. Po atë mbrëmje e detyrova Amritën të hante gjysëm shisheje nga shëllira e mangos. Dhoma kundërmoi me ditë të tëra, ajo ishte tepër e sëmurë por asgjë nuk ndodhi. Pastaj ajo tha ,“Nëse qëndroj pa ngrënë mbase edhe barra do të vdesë,” dhe nuk hëngri fare për tri ditë me rradhë. Gati pësoi kollaps por asgjë nuk ndodhi. “Ha,” i thashë do të të nevojitet forca për abortin.” “Kur,” pëshpëriti ajo, “kur ?” Ndërsa ditët kalonin e ndjeja tmerrimin gjithnjë e më të madh të Amritës. Sa më e trembur që ishte, aq më e qetë bëhej. Për çdo ditë e siguroja veten për derisa tinzisht kontrolloja barkun e Amritës. Nuk dukej se po rritej. Athua do të vdiste nga aborti, në këtë fazë? E parafytyroja vdekjen e përgjakshme dhe të zgjatur të Amritës në klinikë, e mendoja veten mbetur pas saj që t’i lajmëroj prindërit e saj, të lajmëroj mbikqyrësen, drejtoreshën si dhe prindërit e mi. Tmerr. Athua do të mendojnë se përgjegjësia më takon mua? Pastaj, më mundonte edhe ndjenja e fajit për shkak të këtyre mendimeve, për shkak se nuk ndjeja dhembëshuri por tmerrohesha nga jehona, që më dukej e pambaruar, e një vdekjeje të tillë. Fantazitë e mia u shndërruan në ankthe nate.
Pasi burgimi ynë hyri në javën e katërt, Amrita u sëmur. Nuk më linte ta thërras mjekun, nga frika se mund ta zbulonte se ishte me barrë. Aty nga mesnata temperatura iu ngrit në 104 shkallë. Mbikqyrësja nuk iu përgjigj me ëndje trokitjes në derën e saj, në atë orë, dhe lutjes që ja bëja që të ta thërrasë mjekun. Nuk bën të më trokasësh derën, në këtë kohë, m’u vërsul ajo, më dha dy aspirina dhe m’a përplasi derën në fytyrë. Qëndrova para derës së saj për një kohë të gjatë. Pastaj u ktheva në dhomën tonë.
Temperatura e Amritës mbeti e njejtë edhe të nesërmen. Mbikqyrësja e ftoi mjekun. Diagnoza-fruthi.
“Oh, Zoti im, oh Zoti im,”tha mbikqyrësja duke shtrënguar duart. “Tani do të infektohen të gjitha sa janë në konvikt. Më së miri do të jetë sikur të largohet prej këtu.”
“Po, s’ka se ku të shkojë?”-i thashë
Ajo më shikoi me urrejtje të kulluar dhe u largua me nguti. Gjysëm ore më vonë më thirrën në zyrën e saj, edhe drejtoresha e shoqëronte. “Çfarë është kjo që po dëgjoj?” më pyeti drejtoresha.
“Çfarë?”
Ajo më shikoi me habi dhe pastaj më foli nja dhjetë minuta në temën mbi respektin për më të vjetrit. Më pastaj ajo shprehu mllefin e saj që Amrita nuk kish askend në Delhi, që do të mund ta mirrte, dhe mllefin edhe më të madh që unë nuk kisha mundësi t’i lusja njerëzit që kujdeseshin për mua, që të kujdeseshin edhe për të. Ajo urdhëroi mbikqyrësen që t’ua dërgojë një telegram prindërve të Amritës në Bangalor. Ndërkohë unë dhe Amrita shkuam për të ngrënë në dhomën tonë. Në asnjë mënyrë nuk guxonim të hynim në dhomën e ngrënies. Për të vijuar orët, shfrytëzonim derën e pasme të konviktit.
Ajo do të hapej vetëm për ne.
Mbikqyrësja i thirri prindërit e Amritës por nuk mund i mori. Dërgoi një telegram por nuk mori përgjegje. Për më se një javë Amrita, dergjej në dhomë. Unë i ndiqja mësimet duke dalur nga dera e pasme e konviktit. Për ndonjë arsye të pakuptueshme ata nuk brengoseshin se mos infektoja të tjerat, në klasë, mirëpo dhoma e ngrënies ishte tabu. Gjatë tërë kësaj kohe Amrita vajtonte në heshtje, e kur flinte ajo, vajtoja unë. Shumë shpesh zgjohesha natën gjithnjë e gjeja Amritën të zgjuar me sy në plafoni, fytyra e saj, tani ishte mbushur plot puçrra, ndërsa sytë i kishte të të enjtur dhe të skuqur. Gati se nuk flisnim fare. Më në fund, mbikqyrësja kontaktoi prindërit e Amritës. Ata kishin thënë se, të nesërmen, do të udhëtonin me aeroplan për në Delhi. Duke u kthyer kah muri Amrita tha, “Ky është fundi. Babai im më nuk do të dijë më për mua. Ku të shkoj? Ku të shkoj?” Nuk mund t’i ofroja asnjë ngushllim, asnjë strehë. Tërë kohën thosha, “Nuk e bën një gjë të till, nuk e bën.” Pastaj thashë, “Po, Rakeshi, ai do të kujdeset për ty, atij i takon të kujdeset.” Ajo heshti pastaj tha,”Thirre dhe tregoj.”
Telefoni i konviktit ishte prishur prapë. E pyeta mbikqyrësen nëse mund të përdorja telefonin e saj. Ajo refuzoi. Më në fund dola jashtë portës së kolexhit, me xhepin plot monedha 50 paisa, derisa Patrami më ndiqte, duke thirrur, “Hemlathaji, kthehu, kthehu, do të të lajmëroj te mbikqyrësja, do t’i tregoj drejtoreshës, do të shohësh se çfarë do të bëj, do të shohësh se çdo të ndodh.” Ai më ndoqi deri te porta dhe më vështroi derisa ecja drejt stacionit të taksive. Shoferët i zgurdulluan sytë ndërsa bëja numrin e Rakeshit në kolexhin tij të inxhinierisë. Mora numrin e gabuar, herë e parë. Të dytën u ndërpre lidhja. Për të tretën herë ia dola mbanë. Më thanë se Rakeshi kishte dalë por do të kthehej brenda dhjetë minutash. Po prisja, ndërsa shoferët ende i mbanin sytë tek unë. Njëri u shtri në trotuar afër meje. “ Është shumë nxehtë,” rënkoi ai. E hoqi banyan-in e tij, uli poshtë ndërresat dhe më shikoi. Unë shikova tutje.
Po terrohej dhe çdo hije që shfaqej dukej si khaki-klad dhe kishte ngërdheshjen në fytyrë. Eca tatpjetë rrugës ngadalë. Pesë minuta. Një çiklist anoi kah unë dhe hodha çapin prapa. Ai bërtiti dhe vazhdoi rrugën me shpejtësi. U ktheva dhe provova numrin edhe një herë. Ia dola. Rakeshi ishte kthyer, i thashë çfarë munda ndërsa ai tha se do vijë menjëherë. U largova pak nga vendqëndrimi dhe prita. “Zonjë,” dëgjova një zë nga prapa. U rrënqetha dhe shikova prapa. Ishte po ai taksist. “A mund të të ndihmoj, disi?” “Jo,” i thashë dhe u largova. “A mos të duhet ndonjë monedhë pesëdhjetëshe?” “Jo,”i thashë, “jo”,dhe u largova edhe më larg. Ai më ndoqi pas. Kalova rrugën. Ai qëndroi përballë meje, duke zgurdulluar sytë. Dhjetë minuta më vonë motoçikleta e Rakeshit u ndal afër meje. Taksisti u largua.
Rakeshi ishte në gjendje shoku dhe nuk kuptonte. Do të shiste motoçikletën e tij për të paguar abortin, deklaroi me zë të ashpër. Do t’a mbronte ate nga prindërit e saj. Do t’a linte kolexhin. Derisa po përpiqesha ta qetësoja, fantazma beznidëtse e khaki-kladit u shfaq e heshtur nga hija dhe qëndroi para nesh duke u zgërdheshur.
Për të tretën herë Patrami më çoi në zyrën e mbikqyrëses. Aty ishte edhe drejtoresha. Vajzat si unë e rrënojnë reputacionin e kolexhit – i thejnë rregullat, zënë dashnorë, pijnë duhan, më tha ajo. Unë nuk e pi duhanin u përgjegja. Drejtoresha turfulloi. Pastaj do të them se nuk kam dashnor. Ajo e afroi telefonin. Do të thërriste kujdestarët e mi të vinin e të më merrnin. Mund t’i bëja gati gjërat e mija.
Në këtë pikë kisha dashur të mund të them se vetë i lashë që t’i thërrisnin. Do të doja të mund të them se kisha dalë nga dhoma me ndonjë vërejtjen të përshtatshme. Do të doja të them se u kisha thënë atë që mendoj për to. Edhe sot e përjetoj atë skenë dhe them të gjithë atë që atëherë nuk mund a thashë. Sikur të mund të them se nuk fillova të qaj në mënyrë histerike derisa ato më shikonin të kënaqura. Nga që i luta të më jepnin edhe një mundësi. Nga që iu thashë se prindërit e mi nuk do të kuptonin. Nga që vazhdimisht përsëritja ju lutem, ju lutem mos më përjashtoni, nuk do t’i përsëris më kurrë gabimet. Nga që mbikqyrësja tha se të gjitha këto I donte me shkrim. Nga që i kërkova ndjesë me shkrim, gjithnjë duke dënesur, gjithnjë duke u lutur. Që të dyja buzëqeshën dhe tundën kokat. Pastaj drejtoresha pyeti mbikqyrësen, “Pra, ti mendon se e ka kuptuar gabimin?” Dhe ajo u përgjegj, “Kush e di, këto vajza, dinë të aktrojnë kaq mirë.” Mendova (oh, zot) dhe thashë, “Do të bëj çfarëdo që më thoni por ju lutem vetëm mos më përjashtoni, ju lutem më falni, ju lutem?” Ato më thanë; “Nuk mund të të përgjigjemi tani, duhet të mendohemi për këtë. Do të përcjellim sjelljen tënde e pastaj do të vendosim. Unë u falenderova.
Mëngjezin tjetër, nga dritarja jonë në katin e parë vërejta figurën e Rakeshit afër motoçikletës së tij, priste te porta. Ja dërgova një porosi përmes fqinjes së parë, duke i a shpjeguar situatën, por i vazhdoi të pritte nën diellin e pasditës derisa unë e ndihmoja Amritën të bëhej gati. Prindërit e saj mbrrinë në mbrëmje. I ati priti në zyrën e mbikqyrëses ndërsa e ëma erdhi lart në dhomë dhe u ul afër vajzës së saj, duke ia përkdhelur flokët. “Foshnja ime e mjerë,” tha ajo “fëmija im i mjerë.” Ajo më buzëqeshi dhe më tha: “Hemu, beti, falemnderit që u kujdese për të tërë këtë kohë. Vajza ime ka fat që ka një shoqe të tillë.” vazhdoi ajo duke përkdhelur flokët e saj. “Mëmë,”tha Amrita, “Mëmë, jam shtatzënë.” Duart e së ëmës u ndalën. “Mëmë” tha Amrita, duke e kapur për kofshe, “jam tre muaj shtatzënë mëmë. Mëmë ku të shkoj? Ku të shkoj? Nëna e saj nuk lëvizi, nuk lëvizi fare. I mbylli sytë dhe pëshpëriti,”Baghëan, hai Baghëan.”
Diku larg, ora ra gjashtë. Nga pozita ime pranë dritares mund të shihja Rakeshin jashtë portës duke pritur.
“Mëmë!”
Ne u drodhëm. Zëri i Amritës tingëlloi çuditshëm.
“Mëmë, më duket se jam përgjakur.”
Ashtu ishte vërtetë, mbulesat e bardha ngadalë po ngjyroseshin në të kuqe. Amrita filloi të qajë me zë të lartë e të ashpër. Shikoja e shtangur mbulojat e bardha duke u bërë të kuqe derisa dhoma mbushej me zëra të tmerrshëm, mendova se duhej të hapej e të lëshonte përjashtë gjithë atë që nuk e përmbante dot. Mu atëherë dikush trokiti në dera, mbikqyrësja hyri brenda. Ia hodha Amritës mbulesën dhe ajo përnjëherë pushoi. Sytë e mbikqyrëses u mfryen. “Çfarë po ndodh.”
E ëma filloi përsëri t’ia përkdhelte flokët së bijës. “Vajza ime është e lodhur. Ka ndodhur një fatkeqësi. Të lutem thirre taksinë. Duhet të largohemi tani.” Mbikqyrësja na vështroi me dyshim. Ajo iu afrua Amritës dhe e hoqi mbulesën anash. Nëna e Amritës mbeti gojëhapur. Mbikqyrësja lëshoi një bërtimë të mbytur. Amrita mbylli sytë ndërsa mbikqyrësja tha “Duhet ta dija.”
“Ju lutem, thirrni taksinë,”tha e ëma.
“Taksi -assesi, po e thërras drejtoreshën.” Ajo doli me nxitim nga dhoma, me hapa të rëndë që kumbonin nëpër korridor.
“Beti,” tha e ëma me fytyrë të shtrembëruar “Të lutem, thirre taksinë.”
“Nuk mundem, nuk mundem, do të më përjashtojnë. Thirre ndonjërin nga ata që janë te porta, unë rri me te.”
“Mëmë, mos më lër,”rënkonte Amrita.
Shtrëngova duart e saj fort. “Unë jam këtu.”
Të ëmës i shpëtuan disa zëra të ulët dhe jokoherent.Ajo shikoi kah ne dhe doli jashtë me shpejtësi.
Qëndrova me Amritën për nja pesëmbëdhjetë minuta derisa ajo vazhdonte të gjakonte. I përdora të gjitha mbulojat që kishim, për ti vënë nën dhe në mes të saj. Gjaku kullonte nëpër të gjitha ato drejt poshtë dyshekut, dhe dhoma kundërmonte nga era e tij. Amrita rënkonte, përdridhej dhe rrotullohej duke u mbajtur për dorën time, derisa ndjeva se nuk mund të duroja më tërë këtë dhembje. Më pastaj në dhomë hyri mbikqyrësja së bashku me drejtoreshën. Drejtoresha pasi pa situatën goditi ballin me dorë.
“Thuaju prindërve të saj ta marrin me vete” më tha ajo.”Ju thuaj që ajo nuk mund të kthehet më në këtë kolexh. Ku janë ata?”
“E ëma ka shkuar për taksi” Unë po dridhesha me rrëmbim.
Dëgjova hapa në korridor kur në dhomë hyri e ëma duke gulçuar. Ajo e injoroi mbikqyrësen dhe drejtoreshën. “Beti,” më tha ajo, “Më ndihmo ta bartim Amritën poshtë.”
“Dhe mos e kthe më,” tha drejtoresha me buzë të puthitura. “Nuk na duhen vajza të tilla këtu.”
“Madam, madam,” tha mikqyrësja, histerike,”nuk është faji im – ajo vetë theu rregullat dhe u fut në këtë bela.”
Ata e thirrën Patramin për t’i bartur valixhet e saj derisa e ëma dhe unë mbanim Amritën deri te taksi që priste poshtë. Kaluam dhomën e mbikqyrëses dhe babain e saj të habitur, të përcjellura nga mbikqyrësja dhe drejtoresha. E shtrimë Amritën në ulësen e pasme të taksit dhe e ëma më tha,”Eja me mua, beti, të lutem eja me mua.”
“ Mos të të shkoj ndërmend,” tha drejtoresha, duke më mbajtur për dore. Kjo vajzë nuk po shkon askund. Kemi pasur mjaft telashe. Tani, Amrita është përgjegjësia e juaj. Qëndrova në mes tyre, pa shpresë.
“A do të më tregojë dikush se çfarë po ndodh?” pyeti i ati.
“Po, do të tregoj,” tha drejtoresha. “ Vajza e juaj është shtatzënë dhe në këtë moment është duke abortuar. Bëj çfarë të duash me të dhe mos e kthe më në këtë kolexh.”
Fytyra e të atit dukej se po tkurrej. Ai tundi kokën pakuptimshëm. E ëma e kapi për krahu butësisht dhe hapi derën e taksisë. “Hyr brenda,” tha ajo, “na duhet të shkojmë në spital.” Ajo u ul prapa me Amritën. Dalngandalë, taksi voziti më tutje.
“Pra, Hemlathaji,” tha mbikqyrësja, por unë ika, ika nga ajo, larg nga konvikti, larg nga të gjitha, drejt ndërtesës së kolexhit. Iu ngjita shkallëve për në katin e parë dhe u ula atje, kundruall murit.
Më vonë shikova orën time. Ishte ora 9.45 në mëngjez.
Dera e hostelit zakonisht mbyllej në ora 10.00. U ktheva ngadalë dhe u ngjita lart në dhomë. Duhma e gjakut më përshëndeste ndërsa në shtrat grumbulli i mbulojave gjitha të kuqe dhe të bardha. I vura shulin derës dhe eca drejt dritares. Ai ishte ende atje. I lëshova perdet.
Të tjerat i dëgjova nga motra e nënës në Bangalor, e cila ishte shoqe e mirë e nënës së Amritës. Ajo ndejti me ne për një javë dhe na dha fije për pe sqarim për të gjitha. Amrita ishte në spital për një ditë dhe pastaj fluturoi për në Bangalor. Muajin e ardhshëm ajo veç ishte e martuar. “Kjo është fat,” tha tezja ime. “ Aq djalë i mirë, nuk mund ta marrësh me mend. Aq i ndershëm, aq i bukur, dhe ç’është më e mira djalë i vetëm. Dhe martesa… Çfarë martese? Ajo veshi lahenga të qëndisura me perla të vërteta.” “A nuk do ta kompletojë BA-në e saj?” e pyeta. Tezja ime u përgjegj, “Çfarë do të bëj me BA-në tani? Sidoqoftë edhe i ati ia ka ndaluar. Ai është një njeri i thyer. A e din se flokët e tij u zbardhën brenda natës? I mjeri,” psherëtiu ajo. Nëna ime u kthye kah unë dhe tha, “Nuk mund ta besoj se ishe e afërtë me një vajzë si ajo. Sillesh sikur të mos kishte bërë asgjë të keqe. Shpresoj se ajo nuk ka ndikuar në ty. Kurrë nuk do ta kuptosh nëpër çka kalon nëna derisa të mos bëhesh vetë. Lutja ime e vetme këto ditë është që ti të marrësh vendimet e duhura , të dallosh të mirën nga e keqja dhe të mos devijosh.
Rakeshi erdhi të më vizitoi herën tjetër. I tregova për Amritën. Kah fundi ai tha , “E shoh.” Kjo është e tëra.
Rregullat në kovikt u ashpërsuan. Patrami me përcillte kudo. Zgërdheshja e tij si mace e Qeshirit më ndiqte gjithkund.
Vitin që diplomova, Amrita më shkruajti. Ajo nuk kishte pasur kohë për të shkruar letra, së paku jo aso letra çfarë ajo dëshironte.Viti i parë kishte pasur shumë përjetime-aborti, martesa, fëmija i saj i parë. Vitin e ardhshëm edhe fëmija i dytë. Kaq për këshillën e Dr. Kumarit lidhur me kotracepcionin! tha ajo. I ati filloi të flas me të vetëm pasi lindi djali. Ndërsa e ëma nuk e përmendi kurrë atë që ndodhi. Por qëndroi pranë saj.
Natyrisht, burri i saj s’dinte asgjë. Ai është i mirë, me tha, i gjatë dhe bjond e sipas këtij definicioni edhe i pashëm. Ai i dha të gjitha për stërvitjen e bijve të tij që të bëhen oficerë të mirë të IAS-it, sikurse ai, duke i zmadhuar kështu ëndrrat e tij të mërzitshme në një gjë që është e drejtë, e përhershme dhe fuqiplotë. Vitin tjetër, puna po e dërgonte burrin e saj jashtë vendit. Ajo do ta shoqëronte atë me siguri. Më pyeti nëse mund të vinte të rrijë me mua për një kohë, bile më shumë se aq, në qoftë se është e mundur. Asaj i mungonte të fliste me mua, letrat ishin aq të mërzitshme. Si dhe të gjitha pengesat, foshnjet qanin, gjellërat për tu gatuar… E din si është, tha ajo. Oh, Hemu, jo, ti nuk mund ta dish. Ende jo, ende jo. Ajo më pyeti nëse e mbaja në mend Chachajin? Ai kishte të drejtë, apo jo? Ai gjithmonë do të ketë të drejtë, apo jo? Dhe gjithmonë do të jetë kështu, po, kështu do të jetë gjithmonë. Oh, Hemu,Hemu, yjet e mia kanë ndryshuar, apo jo?
Edhe të mijat, Amrita, edhe të mijat poashtu.
Përktheu Dafina Zherka