Loja me maska
Përkthyesi: Isa Memishi
Zhytja në kënetë nuk më mundësonte të shoh kah më shkonin këmbët … dëshira e flaktë që të ndryshoj kahjen e tyre dështoi dhe u shndërrua në pluhur. M’i ngadalësoi lëvizjet … i përngjaja një skulpture të rëndë mermeri që zhytej, atëherë kur rrymat e ujit nisën të më dobësojnë … ashtu si këmbët e zbathura në rërën e bregdetit, ku valët e ujit më fundosnin … Ndjeja dhëmbje të madhe, sikur të më nguliteshin thumbat në kokë. Gjersa këmbët më zhyteshin edhe më tepër në brendi të kënetës … përpiqesha me çdo kusht të eci në brendinë e saj, mirëpo lëvizjet më vështirësoheshin edhe më shumë nga fundosja në baltë … Pashë të gjithë ata që më rrethonin dhe vëreja sjelljet e tyre …, fatkeqësia ime nuk ua tërhoqi vëmendjen dhe nuk i kushtonin fare rëndësi faktit se unë kundërshtoja të jem e tillë. Ata luftonin mes veti të frikësuar midis kallamishtes, të maskuar.
Përpiqesha të dal nga ai vend vdekjeprurës për mua, por më kot… Më dukej se e fundosura nuk isha unë … dhe se e gjithë ajo që ndodhte rreth meje e shikoja nga anash … U befasova nga qëndrueshmëria ime, aty në mes të kallamit duke i refuzuar të gjithë ata që më ftonin dhe talleshin me mua … thuase kisha jetuar një jetë të tërë me ta … Aty ku të gjithë që më rrethonin nuk bënin as të vetmen lëvizje. Ca të tjerë, anash përgjonin fjalët e mia. Nuk reagonin në lutjen time për të ndryshuar atë që ishte në mesin e tyre … Refuzonin pozitën time, atëherë kur ju thoja se nuk mundem të kthehem prapa … karkalecat më lakmonin edhe pse nuk dinin psenë e gëzimit tim … Kur i qortoja duke i shikuar, ata gëzoheshin për prezencën time edhe pse ende nuk iu kisha adaptuar rrethit të tyre. Përse atëherë, ata, këndonin liturgjinë e tyre?
Një ditë vendosa të lëvizi nga vëndi … dhe jashtë kënetës me tërë zërin thërrisja ndihmë, e bindur se do t’ia arrij qëllimit të dal, por jehona e zërit tim nuk dëgjohej më larg se vendi ku qëndroja … u tret në mesin e drunjëve të pyllit të dendur dhe të banorëve të pakujdesshëm.
I pyeta disa që ishin rreth meje:
“Sa kohë ka që qëndroni pa menduar me kokat tujaja dhe pa u gëzuar fare? Nuk dëgjova përgjigje … por edhe kur u përgjigjen nuk i kuptova se ç’thanë … ndërhynë me sqarimet e tyre “interesante”, ishin indiferent ndaj forcës dhe rregullave të kallamishtes … S’dëgjohej kurrë se kush shkoi e s’u kthye fare, kujdesen vetëm për vete dhe nuk i japin rëndësi asaj, por , vrapojnë pas interesave vetanake. Vazhdimisht vuajnë për famë … lakmia për famë … i shpie nëpër këneta të tjera të pafund …
Në vaj të erdhi zëri im i ndërprerë … më pyete: “Kush është ai që të bën të qashë? “Të rrëfeva për frikën që më ka kapluar në kënetë … të thash se kërkoj një vendbanim, të cilin nuk e di se ku gjendet, mund të ndodhë që të jetë i përmbytur nga fqinjët që mbijetuan skenat e zhdukjes para mijëra viteve … e kërkoj atë … por, nuk e gjej … jetoj në kallamin e zi, por nuk e di se si mund të bashkëjetoj me atë rreth?”
Me zë të lartë dhe të qartë i thash vetëvetes: “… përmbahu”. Më pastaj u habita kur sërish e pyeta veten… : “Si të përmbahem …?”
Thashë: “Ik nga ata që nuk të donë… dhe mësoji lojërat me maska … me kusht që të shpëtosh nga ata … apo kërko të atillë që jetojnë pa maska …”
Të pyeta: “Çfarë maske ke vënë dhe tashi flet me mua?”
M’u përgjigje me zë të lartë duke më thënë të vërtetën, e cila më shtyri që t’i braktis të gjitha maskat.
Dridhesha e vetmuar ashtu sikur zogu i vetmuar … kërkoj kahjen e zërit tënd … u ktheva me sy të përlotur e frikësuar nga ikja jote atëherë kur ra terri. Lotët m’u thanë nga frika, saqë nuk vërejta as njërin nga ata që m’u vërsulën … ndaj vendosa t’i përmbahem idealeve të mia duke mos u vërejtur fare, qofshin ato edhe iluzore … dhe të sakrifikoj vetëveten duke mos u frikësuar …
Të pyeta për pozitën tënde … nga zëri yt i urtë kuptova se edhe ti je i lodhur ashtu si unë … gjithashtu nga kumbimi i zërit tënd vërejta se edhe ti kërkon një vend ku njerëzit jetojnë pa maska…
Në ty gjeta mbështetje … për një moment u qetësova nga frika … ndjeva të rrahurit e zemrës, që një kohë kishte pushuar së rrahuri … më shtyre t’i them ca fjalë të cilat as vet nuk i kuptoja saqë shumë vështirë i shqiptoja … më bëre t’i mbylli kapakët e syve në mënyrë që të mos shoh atë që dëshiroja dhe të mos vërej gjërat që i kisha humbur më parë. Megjithatë sërish hapa kapakët e syve për të parë pozitën tënde, së paku të shoh edhe një herë se ku qëndron… apo edhe të gjej një njeri që të përngjan ty … dëgjova zërin, i cili vinte nga lart … të vërejta duke biseduar nga ana tjetër e malit ku na ndanin brigjet, luginat, … na largonin shpatet, lumenjtë … më është mërzitur jeta krejtësisht … nuk di si të dal nga këneta …
Edhe një herë fole: “Ngrite zërin, ende nuk je duke e ditur saktësisht se ku gjendesh …”
E frikësuar nga përgjimi t’u përgjigja: së pari më udhëzo çfarë maske me duhet që të largohem nga njerëzit me maska.
Më the: “Zgjidhja është në duart tua … gjurmoje atë në vetëvete … përndryshe, nëse kacafytesh do të përplasesh në shkëmbin e parë gjatë kalimit të rrugës së gjatë përplot me gurë … nuk jam pranë teje çdoherë të të shpëtoj.”
U ktheva nga ai mes të kërkoj në vetëvete kështu që të gjej një maskë të përshtatshme për të ndryshuar tërë atë që më rrethonte. U përpoqa t’i nxjerr këmbët nga balta dhe të kthehem atje ku isha më parë … hulumtova për rreth, gjeta një ambient të dëgjueshëm, pa ndjenja, por që s’kuptojnë… ndoshta bash unë do të jem ajo që do të zgjoj atë që kishte vdekur në brendinë e tyre … dhe të dal nga këneta … të pajtohem me ta, por jo edhe të bëhem si ata … Mbylla sytë dhe nuk i dëgjoja fare … qepa gjuhën … nuk tentoja as të bisedoja për principet e tyre të kota … mbeta të qëndroj në pozitën time duke kundërshtuar edhe më tutje të mësoj lojën me maska …
Nga arabishtja: Isa MEMISHI
Mona Rexheb lindi më vitin 1952 në Kajro. Mësimet e para i kreu në vendlindje, kurse studimet e larta i vazhdoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomiko-Politike në Univerzitetin e Kajros. Në fillim punoi gazetare në Revistën e përjavshme “OKTOBER WEEKLY”.
Mona Rexheb është e njohur në krijimtarinë letrare egjiptiane me tregime dhe novela me tematikë nga jeta e përditshme egjiptiane. Mona Rexheb botoi romanin “Edhe pse jam femër”. Në këtë roman shkrimtarja përshkruan pozitën e femrës egjiptiane, si dhe përmbledhjen e tregimeve “Loja me maskë”.