I trashë si një derrkuc

Autorja: Sussana Tamaro

Përkthyesja: Ilire Zajmi

Ishte një pasdite e mërzitshme pranverore me shi. Mikele i kishte përfunduar qe dhjetë minuta detyrat shkollore dhe ato të kursit të anglishtës. I vetëm në shtëpi, rrinte pranë dritares duke i shikuar pikat e shiut që trokitnin lehtë në hapësirën e kopshtit të vogël. Ehe një orë do të kthehej nëna nga puna dhe ai s’dinte ç’të bënte.
“Sa mirë do të ishte sikur të kisha një vëlla apo një qen” mendoi. “Po t’i kisha , gjithnjë do të lozja me ta e kështu kjo ide e llatarshme s’do të më binte kurrë ndërmend, kurrë”. Sapo tha “kurrë”, natyrisht ideja e llatarshme filloi t’i flasë.
“Ke uri” i thotë. “Ke uri dhe barku yt është i zbrazët si centrifuga e makinës për larjen e rrobave, i ftohtë si poli i veriut ; je i ftohur gjithkund, ndihesh i dobët i dobët, këmbët nuk të mbajnë, shikimi të lëmbyret, nesë do të shpëtosh mund të bësh vetëm një gjë: ngrihu e shko në kuzhinë, mbushe barkun”!
Mikele i rezistoi zërit edhe për një minut a dy, i përmblodhi të gjitha forcat për t’iu kundërvënë: pastaj, i ngathët si një robot, u ngrit, doli nga dhoma, e kaloi korridorin, u ndal një çikëz përballë derës së kuzhinës, e pasi mori frymë thellë e shtyu me delikatesë.
Ai qëndronte aty, priste qetë në një kënd. Mikele e shikoi mirë para se t’i afrohej në gjysëmhijen e dhomës, kaq i ndritëshëm, kaq i bardhë, kaq i lartë, frigoriferi dukej një balenë e pafajshme në fundin e oqeanit. Në heshtje, dëgjohej vetëm zëri i tij diskret –aaaaa! Bzzzzz !Zzabbzzz!
Për personat e tjerë këto fjalë hutuese nuk do të ishin asgjë tjetër përveq zhaurimë e një motori paksa të vjetruar, por Mikele, me miqësinë e gjatë që e lidhte me frigon, ishte në gjendje t’i kuptojë fjalët qartë.
-Ke ardhur sërish të më takosh? Pat thënë Frigo.-Sa bukur. Haji të gjitha këto që janë mbrenda, merre edhe margarinin dhe vezët dhe do të shohësh se mërzia do të të largohet.
-Nuk mundem – përgjigjet ngadalë Mikele duke iu afruar derës.
-BZZZ, zzrrr!Oh, jo mos thuaj marrëzira – përgjigjet frigoriferi.
-Vërtet nuk guxoj – murmuritë prapë Mikele i pasigurtë.
-ZZZZzzzz! Po kush të ndalon?
“Nëna” deshi të përgjigjet Mikele, por para se t’i dilte fjala nga goja, dora i mbërriu larg dhe së shpejti dera e bardhë u hap. Ç farë spektakli i mrekullueshëm! E paharrueshme. Nëna kishte blerë ushqime një ditë më parë , e të gjitha sendet , prej të parit gjer te i fundit; te gjitha të këndshme për ti ngrënë; Mikele e bëri një hap pas për të shikuar më mirë ; po, në atë dritë të zbehtë me pakot e qese e të gjitha formave e formateve, frigo dukej si një pishë gjigante e Vitit të Ri. Përpara se të trullosej përpara këtyre të mirave të Zotit, shikoi orën mbi komodë. Deri sa të vinte mamaja mungonte edhe gjysëm ore, e ai duhej të vepronte shpejtë për ta kryer misjonin.
Filloi majonezi, e afroi tubën te mjekrra i mbushi mushëkritë ajër e pastaj e zbrazi të tërin për më pak se një minut : nuk duhej të humbte kohë në kërkim të një piruni, e as të rrezikojë të përlyhet. Kështu dalëngadalë – zhdukej djathi, mishi i terur, pudinku i çokollatës; u zhdukën një nga një lëngjet dhe çaji i ftohtë, proshuta dhe kofshët e pulës ; u zhdukën tri vezë, gjysëm litri qumësht dhe një e katërta e picës.
Në këtë pikë Mikele u ndal dhe e shikoi orën; edhe dhjetë minuta e nëna do të kthehej në shtëpi. Përballë tij, të vetmuar kishin mbetur tre kanaqe të kosit dhe disa molla të verdha.
“Mirë” mendoi duke i shikuar, “kam bërë një punë të mirë” E pas një ndjenje të miratimit, mbylli derën e frigoriferit.
Frigo e përshëndeti me një : -Bzzzzooot.
E përshëndeti edhe ai duke i thënë : Shihemi së shpejti ! – dhe në maje të gishtave u drejtua kah dhoma e tij. Atje i hoqi këpucët, zhveshi pantollonat dhe u shtri në shtrat.
Në vend të të ftohtitë, e të zrazëtit në bark, tani ndiente një të nxetë të madh., një temperaturë që nga atje shpërndahej në tërë trupin. Sa mirë ndihej me barkun plot !
Mikele tetëvjeqar jetonte me të ëmën në një shtëpi të vogël në periferi të qytetit. Nënë Angjelika udhëhiqte një fabrikë që prodhonte kostume të larjes.
Babai quhej Arturo e jetonte në një apartman jo larg tyre. Kishte një shitore të automobilave në qendër të qytetit. Kur lindi Mikele, duheshin shumë, por pastaj dalëngadalë, siç ndodh shpesh, Angjelika kishte kuptuar se Arturo nuk ishte njeriu i ëndërrave të saj, e Arturo kishte kuptuar Angjelika s’ishte gruaja e dëshirave të tij. Kështu që, me të mbushur Mikele tre vjet, vendosen të shkurorëzohen. Babai vinte të takohej me të një herë në javë, sillej mirë me të dhe sillej mirë me nënën, kështu që Mikele nuk kuptonte përse nuk jetonin së bashku.
Një të dielë, duke dalur në qytet me babain, ai bile edhe e pyeti, “Përse ti dhe nëna jeni ndarë?”. Babai iu përgjegj se nuk duheshin më. Atëherë Mikele e pyeti ç’është dashuria, e ai s’ishte përgjegjur fare vazhdoi të ngiste makinën duke shikuar drejt rrugën.
Atë ditë me t’u kthyer në shtëpi, ia parashtroi të njëjtën pyetje edhe nënës.
Dashuria është kur dikujt ja dëshiron të mirën – iu pat përgjigjur në shpejtësi ajo, pastaj doli se ishte vonuar . Me të mbetur vetëm iu drejtua frigos.
Çka do të thotë t’ia duash të mirën dikujt?
Brrrrotzzzappp! Do të thotë të kujdesesh për të, ta ushqesh, ta ngrohësh! E pastaj shtoi – Zbbbrrr! Unë ta dua të mirën!
Në këto fjalë Mikele u sul përpara dhe e përqafoi hekurin e bardhë! Ishte e vërtetë. Frigo ishte shoku i tij i vetëm, i vetmi që ishte në gjendje ta dispononte në pasditet e gjata të vetmisë e të mërzisë.
Miqësia në mes tij e frigos në fillim nuk binte në sy. Vetëm disa muaj më vonë, kur iu shqyen pantallonat, nëna filloi të dyshojë. Po hanin në heshtje kur pa pritmas u dëgjua ajo zhurmë:”Zzzzsssstrrrr”.
Çka është kjo pyeti nëna?
Një, ve ve … vetëtimë …ndoshta-kishte belbëzuar Mikele.
Mos gënje, s’ka asnjë re në qiell- kishte thënë nëna, e pastaj e dyshimtë pat filluar ta nuhasë ajrin.

  • Shikomë në sy! Mos vallë ke bërë një …
    Mikele u skuq në fytyrë. – Oh, jo nënë, të betohem se jo.
    Mos i përdhos betimet – ishte përgjegjur ajo atëherë, e pastaj sërisht vazhduan të hanin në heshtje.
    Sapo përfundoi së ngrëni frutat Mikele u ngrit, e atëherë ndodhi katastrofa.
    Pas dy hapave pantallonat e shqyera i ranë deri në gjunj, prej aty i ranë deri te këmbët dhe ai u gjet në brekë në mes të dhomës.
    Pasoi një minutë heshtje, ai nuk lëvizi e as nëna gjithashtu. Pastaj ajo lësho një ulërimë të gjatë: Aaaahhhhh!!!- bërtiste nëna me sa zë që kishte:- Je i trash si një derrkuc, dhe u alivanos përtokë.
    Pas kësaj ulërime pasuan momente të tmerrshme. Nëna, në fakt, sapo e mori veten nga alivanosja e urdhëroi të hipte mbi tavolinë e t’i hiqte të gjitha rrobat.
    Gjersa qëndronte aty, lakuriq si mumie, e me trupin që i dridhej përbrenda, nëna shkoi ta marrë një metër të rrobaqëpësisë dhe filloi ta masë. I maste gjerësine e kockave dhe atë të pulpave, barkun, e maste qafën, krahët, dhe në gjdo matje më thoshte të rri i qetë, shënonte numrin e centimetrave, e pas numrit çdo herë thoshte.”Qiell i shenjtë! Çfarë tmerri! Sa keq!
    Pasi i dha fund matjes, nxorri nga kaseta Librin e Fëmijës Ideal, filloi t’i krahasojë centimetrat e fëmijës së saj me ato të fëmijës ideal.
    Mikele qëndronte gjithenjë në këmbë atje mbi tavolinë. Dhjetë minuta më vonë, e shikoi e i tha: -Është vështirë, por jo shumë vështirë! Nëse i marrim masat e nevojshme, gjithçka do të bëhet e natyrshme për një kohë të shkurtër: Pastaj ia preku rrumbullakthin e barkut, e ndrydhi disa herë e pastaj tha:
  • Duhet ta bëjëm një betejë të madhe së bashku … e ti do të bashkëpunosh, a është kështu?
    Sigurisht, nënë!- ishte përgjegjur Mikele, që gjithmonë kishte qenë një fëmijë i dëgjueshëm. Pastaj, kur nëna kishte dalur me hap të kalamendur, zbriti nga tavolina dhe pa i veshur rrobat iu afrua frigoriferit dhe e zbrazi të tërin.
    Është një mister në botë, apo më mirë të themi janë shumë mistere, por njëri ndër të gjithë është më interesanti. Ndërsa fëmijët kuptojnë gjithnjë çka dëshirojnë të mëdhenjtë, të mëdhenjët nuk kuptojnë kurrë çka dëshirojnë të vegjlit. Besojnë gjithmonë se fëmijët duan atë që duan edhe ata, por s’është e vërtetë: vetëm për të qenë të dëgjueshëm fëmijët dëgjojnë, apo së paku bëhën se dëgjojnë.
    Kështu, për Angjelikën, për të cilën kemi thënë se drejtonte fabrikën e kostumeve të banjos, gjëja më e rëndësishme ishte të mos trashej. Pse – ja është e qartë, po të vendosnin të gjithë të trasheshin, asnjëri s’do të blente kostume të larjes. Natyrisht se ajo bënte përpjekje t’i gjasonte një skeleti. Hante një drekë të majme çdo të dytën a të tretën ditë, e ushqehej vetëm me jogurt dhe molla të verdha. Kjo s’është e tëra : këto masa nuk ishin të mjaftueshme për të mënjanuar eksplodimin e trashjes së barkut, çdo minut të lirë e kalonte duke ecur nëpër kopësht duke bërë kërcime e palestra. Matej në mbrëmje e në mëngjes, e nëse në mbrëmje zbulonte se kishte shtuar peshë, në vend se të flinte shkonte në kopsht, kërcente në çilimin elastik gjer në mëngjes. Kur i shtonte dy kilogramë shpërthente në vaj, i takonte Mikeles ta ngushllonte, e ngushllonte me fjalë të ëmbla, edhe pse në realitet s’i bëhej vonë aspak.
    Me babain ishte diçka tjetër: pasi shiste automobila, në to vozitëshim zotërinjtë e dobët e të rrezitur. Të dilen paradite vinte ta mirrte Mikelen i veshur në garderobë sportive, e tërë ditën, gjerësa të tjerët hanin senduiçë e shikonin televizionin, ata të dy vraponin nëpër parqe, pa u ndalur kurrë. Mikele e urrente vrapimin : i dhimbnin këmbët dhe gjunjtë, i ndalej fryma e pas pak edhe s’shihte, e mendimet, në vend se të ndaleshin, shkapërderdheshin nga një anë në anën tjetër të kokës si kukulla të thyera. Mikele e urrente jogurtin, mollat dhe lëngjet mbrojtëse, urrente orët e anglishtës dhe orët e kompjuterizimit, i urrente të gjitha këto, por pasi ishte gjentil, i bënte të gjtha dhe rrinte urtë.
    Kështu me kohë, prindërit u bindën se e kishin një djalë ashtu si e patën deshiruar, identik me ta, ndërsa Mikele, me kohë, u bë një fëmijë i trishtuar dhe i vetmuar.
    Ora në mur trokiti gjashtë herë. Mikele, ende i shtrirë në shtrat, hapi sytë. Ja për dy tri minuta do ta dëgjonte makinën e nënës të ndalej para shtëpisë, derën që hapej, hapat e saj të rënda që drejtoheshin drejt kuzhinës, e pastaj pas një pushimi, çirrja e famshme. Në fakt pas një minuti veshët e tij dëgjuan këtë zhurmë : ”Hiii,crik,zblam,tok,tok,aquik e në fund – Ahhhhhaaaa hhhhhaa! Mikele mori frymë, në pritje se dera e dhomës të hapej. Dera krisi menjëherë:
    Mikele ! – bërtiti nëna, e zverdhur në fytyrë. E ke bërë prapë?!
    Kam bërë … bërë çka, nënëz?- belbzoi Mikele.
    Luan me mua, eh? E ke zbrazur frigoriferin prapë, ja çka ke bërë?
    Oh, s’është e vërtetë, nënëz, vetem kam kaluar andej dhe ja kam lëshuar sytë…
    Shiko! Shiko sa keq! Ja ka lëshuar sytë, sipas teje,eh?
    Mikele i dëgjoi të gjitha urdhërat: ecte, kërcente, mbi çilimin elastik, e para se ta fikte dritën i pinte dy gota të lëngut të idhët. Pastaj fiku dritën, u kthye në krahë e mori frymë.
    Do të duhej të ishte i lumtur, e në të vërtetë nuk ishte. E ndiente barkun e zbrazët dhe këmbët e krahët të dobëta si degëza. Zëri iu shfaq menjëherë: “Je i trishtuar? Ngushëlloje veten! Ha!”
    Për ta mundur, Mikele filloi të mendonte diçka të bukur. Gjëja e vetme e bukur që iu kujtua ishte gjyshja, dhe muaji që çdo verë e kalonte në shtëpinë e saj në fshat.

Përktheu: Ilire Zajmi