Gruaja shqiptare dhe arsimi

Shpresa Petrela

Cili është statuti i femrës shqiptare?

Në vendin tonë zhvillimet e reja politiko-shoqërore e kanë nxjerrë gruan në një pozicion të ri. Proceset demokratizuese, synojnë edhe për gruan krijimin e një statusi të ri social, ndërgjegjësimin për pozitën e saj në këtë kontekst social dhe ekonomik. Statusi i gruas nënkupton : “Sigurimin e mbrojtjen e të drejtave civile, politike e ekonomike, sociale e kulturore, të çliruar nga çdo karakteristikë autoritarizmi e patriarkaliteti”.
Mund të themi se ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikon për një status real të gruas de fakto, të barabartë me burrin (Status politik, në përfaqësimin politik në organet më të larta të pushtetit, status ekonomik, paga të barabarta me burrin e status social në vlerësim të njejtë gjinor nga shoqëria) është Arsimi.
Në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar shpallen synimet e Arsimit.
a- Emancipimi shpirtëror i individit.
b- Progresi material e zhvillimi social i tij.
c- E drejta e individit për t’u arsimuar në të gjitha nivelet e sistemit Arsimor.
d- Shansë e mundësi të barabarta të individëve për të zhvilluar potencialet e tyre.

Femra në politikën arsimore

Pra, politika e sotme arsimore, nuk diskriminon aspak femrën, por është e mbështetur mbi barazinë, si në spektrin juridik ashtu edhe në atë praktik.
Në vendin tonë funksionojnë 5 universitete, përveç atij të Tiranës, gjë e cila shpreh ecurinë e arsimit. Ndjekja e universitetit bëhet mbi baza barazie e aftësie pa asnjë diskriminim social, ekonomik dhe politik. Në vitin akademik 1996-1997 për arsimin e lartë dhe degë të veçanta të tij u rrit 25%, duke i dhënë përparësi zonave të prapambetura ekonomike. Përqindja e femrave në arsimin e lartë vazhdon të mbetet e pandryshuar, afërsisht 50% për gjithë dekadën e fundit. Gjithashtu, janë rritur dhe fondet shtetërore për zhvillimin e arsimit në 1995, 11 herë më shumë se kundrejt vitit 1990.

A kanë probleme femrat?

Mendoj se po. Zgjidhja e tyre varet në një masë të konsiderueshme nga angazhimi i shtetit, por mendojmë se vetë gratë në mënyrë të organizuar, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët demokratike mund të kontribuojnë më mirë në zgjidhjen e tyre. Institucionalizimi i shtetit ligjor krijon mundësi, që gruaja të përcaktojë qartë raportet e saj me shtetin e shoqërinë. Në një studim të kryer nga sociologu shqiptar për problemet e gruas S.Gjipoli thekson se “një pjesë e problemeve që kemi sot e kanë zanafillën në të kaluarën që lamë pas. E kaluara është pjesë e rrugës sonë me arritjet e mosarritjet e saj, me vlera e antivlera morale, politike dhe sociale, me problemet që zgjidhi dhe ata që krijoi. Është fakt që politika e djeshme e favorizonte gruan. Në vitin 1990 gruaja deri në 45 vjeç ishte e arsimuar. Në çdo 1000 banorë kishte 234 nxënës gjysma prej të cilëve ishin vajza.
Pozicioni i saj në familje e shoqëri ishte larg deklarimeve propagandistike të partisë-shtet. Ajo i nënshtrohej punëve rraskapitëse të shtëpisë, të rradhëve të gjata, të cilat ndikonin në ecurinë e ngritjes së tyre profesional”.

Pesë vjet rënie arsimore për femrat

Një problem shqetësues e me premisa të mëdha, që u thellua në periudhën e tranzicionit (1990-1995) është edhe rënia e numrit të nxënësve të arsimit të detyruar të mesëm, ndonëse arsimi i detyruar aktualisht paraqitet më i stabilizuar. Kjo situatë u kondicionua nga disa favore:
1.- Emigrimi familjar i popullsisë rurale drejt zonave urbane ose jashtë vendit.
2.- Mbyllja e disa shkollave në fshat për shkak të numrit të vogël të nxënësve të regjistruar në to si dhe të largimit të mësuesve nga qyteti që punonin në fshat.
3.- Një numër shkollash u shkatërruan dhe të tjera u “pushtuan” nga të pastrehët, ish-pronarë, ish të persekutuar etj.
4.- Largimi nga shkolla për motive punësimi, shërbime te tjera familjare si psh. Në fshat ruajtja e bagëtive etje.
Të krahasuar meshkuj-femra rënia është më e madhe për meshkujt se femrat si në qytet edhe në fshat.

Analfabetizmi dhe alternativat e femrës në Shqipëri

Në këto kushte, opinioni përparimtar, vetë organizatat e grave duhet të veprojnë dhe të senzibilisojnë segmente të caktuara shtetërore, në mbrojtje të asaj që është arritur për të mos u kthyer në kurset e luftës kundër analfabetizmit. Organizimi i sistemit arsimor joformal krahas atij formal duhet forcuar si në qytet edhe në fshat sidomos në grupmoshat e reja. Duhet të na shqetësojë fakti se në arsimin e mesëm tërhiqen vetëm 31% e numrit të përgjithshëm të nxënësve, që mbarojnë shkollën 8-vjeçare. Në këto kushte për femrën ekzistojnë alternativa të tilla që të mbyllet brenda katër mureve të shtëpisë, të martohet në moshë të vogël ose në rastin më të keq të bjerë në rrjetat kriminale të shfrytëzimit. Në fshat pozicioni i femrave të reja është edhe më i vështirë.
Është fakt i padiskutueshëm që iniciativa private ka rritur prodhimin bujqësor e si rrjedhojë edhe të ardhurat. Por, ngarkesa e gruas është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të emigrimit të burrave dhe djemve. Këtu ndikojnë edhe faktorët psikologjik e kulturorë.

Ku dhe si ndihmohet femra

Në Shqipëri aktualisht janë një numër i konsiderueshëm organizatash joqeveritare me spektër të ndryshëm veprimi, fondacione të huaja si SOROS, OXFAM etj. Varësia e arsimit jo formal nga organizatat joqeveritare me pak ose aspak mbështetje shtetërore shpjegon diversitetin e tij në programe e metoda si dhe mungesën e modeleve të përbashkëta.
Prej tyre kërkohet jo vetëm iniciativë e fantazi, por edhe një administrim më i mirë i fondeve. Mendoj që në qendër të veprimtarisë së tyre duhet të jetë organizimi më i mirë i kurseve të ndryshme të trainimit me vajza e gra të reja, që sapo e kanë mbaruar shkollën 8-vjeçare apo e kanë braktisur atë e që nuk kanë perspektivë pune, ose të ngrihen kurse për përgatitjen e trainueseve kryesisht në fshat dhe në nivel rajoni ose komune.

Si rritet gruaja nëpermjet arsimit

Një problem i rëndësishëm që duhet trajtuar është edhe ngritja e gruas në përgjegjësi, e ndikuar nga rritja e nivelit kulturor dhe arsimor të tyre. Duke marrë detyrë me përgjegjësi administrative, grave iu krijohet mundësia për të pasur paga më të larta se burrat. Është e domosdoshme të thyhet koncepti, që ka ekzistuar prej kohësh i diskriminimit të grave, se ato nuk janë në gjendje për të ushtruar detyra me përgjegjësi shtetërore apo sociale dhe si rrjedhojë ato nuk mund të bëhen drejtuese.
E pakta që mund të bëhet për gratë aktualisht është integrimi i tyre në bordet drejtuese në nivelet më të larta në mënyrë që të mbrojnë interesat e të gjitha grave të tjera.
2- Synimi i grave duhet të jetë infiltrimi në institucionet më të larta shtetërore dhe politike. Për realizimin e synimeve të tilla është e rëndësishme që: në realitet grave t’u krijohen mundësi e shanse të barabarta për të zënë pozita drejtuese në arsim dhe në sferat të tjera të aktivitetit shoqëror.
një mundësi tjetër që mund t’u jepet grave për të përmirësuar pozitën e tyre sociale në raport me burrat është edhe organizimi i programeve të veçanta të kualifikimit nëpërmjet të cilave përmirësohen dukshëm aftësitë menaxhuese të tyre. Por, mund të theksojmë se, ndonëse kualifikimi është një strategji mjaft e përhapur, kualifikimi në vetvete është i pamjaftueshëm për të sjellë ndryshime në pozitën e grave.