Frojdi nuk e diti çka donë femrat, por unë e di…

Autorja: Erica Jong

Përkthyesja: Afërditë Hajdini

Çdo lidhje e zjarrtë seksuale që e kam pasur është e karakterizuar me fuqi pa barazpeshë. Mashkulli ose ka qenë i martuar e unë kam qenë beqareshë – që shkakton një fuqi të pabarazpeshuar të madhe, ose mashkulli ka qenë emocionalisht dhe fizikisht bishtnues. Nuk të nevojiten thuprat dhe pra­ng­at si mjete të torturimit. Telefoni është mjet i mjaftueshëm. Njëherë unë kisha një lidhje me një mashkull më të ri. E dija se duhej t`i jipja liri që të rritej dhe t`i përjetonte gjërat që unë i kisha përjetuar, kështu që mundohesha të mos përzihem në jetën e tij me moshatarët e tij. Jetonim bashkë në fshat dhe kur ai shkonte në qytet për punë apo lojë, kurrë nuk më tregonte saktësisht se kur do të kthehej. Shpesh i iknin trenat njëri pas tjetrit dhe secilën herë më thirrte me një arsye të re. Ulesha pranë tavolinës sime të shkrimit dhe imagjinata ime bëhej më e fuqishme nga pasojat e planeve të tij të ndryshueshme. Zakonisht, nga ora një apo dy e mëngjesit shkoja dhe e mirrja në stacion. Gjithmonë çonim dashuri të zjarrtë kur kthehej dhe para se të shkonte. A do të ishte lidhja po aq e zjarrtë nëse ai do të ishte më i parashikueshëm? Dyshoj. Ndoshta do të isha ngopur më shpejt. Unë zotëroja në lidhje sepse kisha fuqi që rrjedhte nga mosha ime dhe nga liria ime relative ekonomike. Instiktivisht ai e dinte se duhej të barazonte ekuilibrin e fuqisë, e këtë e bënte duke më lënë që të prisja. Ia arrinte qëllimit, së paku gjatë viteve të para. Më kujtohet se si ndihesha e shqetësuar kur ulesha në tavolinën time. Kthimi i tij ishte kënaqësi. Pafuqia ime e bënte atë shumë potent në shtrat.
Natyrisht njerëzit frikësohen prej seksit. Fuqia e seksit është e njëjtë si e tërmetit. Njeriu e përjeton mundësinë e të qenurit i pushtuar. Në disa degë ekstremiste të feminizmit kjo ka kaluar në dëshirimin e rregullave, ligjeve, garancioneve – thuajse nuk kishim mjaft ligje në jetën tonë. Ne duam garancion se nuk do të lëndohemi nga pasioni, e kjo është njëjtë si të kërkosh që të mos lëndohesh nga jeta.
Shumica e klasikëve të erotikës e pranojnë fuqinë dhe dorëzimin si komponentë jetësore të seksualizmit. Tregimi i O – së (The Story of O) ka qenë gjithmonë i afërt me fantazuesit e të dy gjinive, tregon pafuqinë graduale të dëshirës, duke përfunduar në dorëzim të plotë bile edhe deri në vdekje. Dashnorit me korrektësinë më të madhe politike i kisha thënë që të mos bie në këtë. S`ka lidhje a pajtoheni ju apo nuk pajtoheni me këtë politikë. Nocioni i dorëzimit është erotik, pjesërisht sepse i gjithë faji shuhet aty. Përderisa faji për seks mbetet në kulturën tonë puritane, dorëzimi në një fuqi më të madhe se të një personi të vetëm do të vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e imagjinatës sonë erotike.
Është përhapur një thashetheme se vetëm meshkujt, gjinia brutale, e pëlqejnë fuqinë dhe zotërimin në lojën erotike. Femrat janë poaq kurreshtare. Kjo është një mënyrë e hulumtimit të kufijve të njeriut. Kjo është një mënyrë e forcimit të dëshirës kështu që të kuptohet se sa mund të jetë e fortë dëshira. Shtoja kësaj edhe elementin e fuqisë dhe seksi bëhet i fortë, sikurse kur i shton venës liker. Pabarazpesha e fuqisë është përvoja jonë më e hershme jetësore. Ne e rikthejmë veten tonë seksuale në sferën primitive kur e nxjerrim në shesh elementin e fuqisë. Shumë njerëzve kjo iu duket e pakundërshtueshme, në një fazë të caktuar apo të pacaktuar të jetës së tyre.
Hulumtimi i lidhjeve të fuqishme në imagjinatë nuk është i njëjtë me hulumtimin e tyre në realitet. Imagjinata për jetën e përditshme është e njëjtë si ëndrra për zhgëndrrën. Ndoshta egërsinë që e lirojmë na e bën disciplinën të mundshme në jetë.
Çka donë femrat? Frojdi nuk e diti, por unë e di. Shumica e femrave gjurmojnë kompromis mes gjinive, barazi për femra pa e flijuar dashurinë, afekcionin e ndjeshmërinë. Ne poashtu duam  seks të zjarrtë, burra të fortë, biem në senzualitet – dhe natyrisht – në romantikë. Mundohemi ta kombinojmë romantikën me pushtim, Rhet Butleri duke e ngrehur zhag shkallëve përpjetë Scarlet O`Harën. Ndoshta mund të na turpëroni me këto dëshira, por nuk mund t`i çrrënjosim dëshirat. Sado – mazohizmi nuk ndahet në bazë të gjinive, që ty dy gjinitë e konsiderojnë mbizotërimin seksi.
Derisa po gjurmoja për romanin tim të fundit “Melankolia e cilësdo femër” (Any Eoman`s Blues), u njoftova me një femër e cila e kryente zanatin e saj në një banesë me xhama midis qytetit Menheten. Drekuam së bashku dhe ajo u bind se unë jam e parrezikshme dhe më ftoi në strofkën e saj që të shihja çudira. Aty pashë njerëz të fuqishëm të cilët iu nënshtroheshin dashnoreve të veshura me lëkurë. Poshtërsitë për të cilat ata paguanin ishin të ndryshme: përparësinë që t`i lanin enët e ndejës të pispillosur me fustane, përparësinë që të shtriheshin barkas në një tavolinë që të fshikulloheshin me kërbaç nëntë nyjesh; përparësinë që ta puthnin pulçerin e këpucës së thëpinjur të dashnores…
E pashë një njeri tek masturbuonte eksplozivisht derisa po e fshikullonin – e për këtë gjë e fshikullonin edhe më shumë. Një tjetër i nuhatte brekët që ia lëkundtte një disciplinuese e veshur në lëkurë. Aty kishte nevojë të madhe për orgazëm në të dy rastet: nevoja ishte qëllimi. Kjo ishte e mjaftueshme që të bindem.
Nëse zbrazja e fuqisë në viktimë  është dukuri vetëm te meshkujt, atëhere përse këta meshkuj aq të fuqishëm paguajnë me dëshirë që të jenë mazohistë veç për një natë të vetme? Shihet qartë se ka diç në psikikën e njeriut që nuk llogaritet si përmirësim në teoritë tona personale dhe shoqërore. Mendimtarët me korrektësi politike e të stërkënaqur me vete nuk e marrin parasysh forcën e brendshme të njeriut që ka të bëjë me mbizotërimin apo nënshtrimin.
Vallë, a është e mundshme që një feministe të darkojë pa brekë e ende të quhet feministe e mirë? Kemi të bëjmë me një pyetje retorike. Natyrisht se jo. Në atë çast kur ajo i zhvesh brekët, ajo bëhet kundër-revolucionare. Nëse femra sorollatet pa brekë do të thotë se ajo dëshiron seks, kjo është një tezë, që asnjë feministe politikisht korrekte nuk do ta bënte me dëshirë në vend publik.
Heroina epike në “Tregimin e O-së” jo vetëm që del pa brekë por ajo mban edhe unaza labiale të cilat kumbojnë. Ato e përkujtojnë për vlerën e saj të përhershme. Edhepse gjendet larg nga i dashuri ajo është e gatshme për të. Gjëja më erotike është të jetosh në atë gjendje të përhershme urie seksuale – kësisoj jeta bëhet përkushtim dhe gatitshmëri për afsh. S`ka lidhje akti i afshit kryhet shpejt. Mallëngjimi, pritja dhe gatitshmëria mund të zgjasin vazhdimisht. Kjo i mban dashnorët gjallë. Pse është fuqia pjesë e detyrueshme e dalldisë, e shqetësimit seksual e para se gjithash e dashurisë? Sepse pafuqia është përvojë e jona e përgjithshme që nga fëmijëria. Fati ynë është t`i duam shumë krijesat më të fuqishme kur ne jemi të dobët dhe të vegjël. Poashtu fati ynë është të jemi të pafuqishëm në gjirin e nënës, në përqafimin e saj, nga zëri dhe shpejtësia e kthimit.
Po dashnori çfarë pret? Kthimin e nënës.
“E drejta konstante siprane e gjithë fuqisë është që tjetri të presë”, mendonte Roland Barthes. Sado-mazohizmi i një lidhjeje paracaktohet nga nevoja e të miturit për nënën e cila e lë të presë. Derisa njerëzit shtrihen si klloçka në pllentoren qendrore të Londrës të imagjinuar nga Aldous Huxley, ne do ta luajmë përsëri eroticizmin tonë nëpërmjet tërësisë sonë të formuar në mituri – dhe pritja në mënyrë të paevitueshme do të jetë erotike për ne.
Konvencional a homoseksual, burrë a grua, gjysmë burrë e gjysmë grua, i zi, i kaftë, i bardhë  – pritja është fati i dashnorit. Heqja dorë nga pritja është deklarim për pavarësi.
Disa vite me radhë kam pasur një lidhje me një italian të bukur që më dukej sikur Pani dhe jo vetëm që ishte i ngathët në krevat, por edhe kishte besim në mua. Ai më linte që ta udhëheqja. Shkoja ta shihja. Merrja me qira shtëpi, pallate, dhoma hoteli afër shtëpisë së tij në të cilën jetonte me gruan e jetës së tij. E pastaj e pritja.
I pranova këto kushte. Ai shkonte e vinte sipas qejfit. Marrëdhëniet seksuale mes nesh ishin të veçanta, perfekte, jermuese – por megjithatë e humbi besimin në mua. Shkurt thënë nuk besonte në lirinë time sepse më dha fuqi që ta braktis. E në të vërtetë në fund e braktisa, u martova me dikend tjetër.
Besoj se meshkujt frikësohen më shumë kur i braktis dikush sesa kur ata e braktisin dikë, bile frikësohen më shumë se femrat. Për këtë arsye meshkujt kanë dëshirë ta aktrojnë Don Zhuanin apo Kazanovën. Don Zhuani nuk mund të ballafaqohet me braktisjen, për këtë ai i braktis i pari.
Politika bashkëkohore e seksit – me të gjitha gjërat e detyrueshme dhe të padetyrueshme – nuk i ka rregulluar aspak marrëdhëniet mes gjinive. Femrat kanë marrë kurajo që ta shfryejnë zemërimin dhe meshkujt caktojnë territorin e tyre, por askush nuk ndahet i kënaqur me këtë. Meshkujt që janë politikisht në rregull mund t`i lajnë pelenat apo t`i shëtisin fëmijtë, por ata ende mund të ëndërrojnë ëndrra politikisht të devijuara si haremin me skllave të bukura. Femrat e 90-ve që janë politikisht në rregull thonë se i duan meshkujt e ndieshëm me të cilët mund t`i çajnë hallet, por fshehurazi ëndërrojnë Rhet Buttlerin i cili i ngreh shkallëve përpjetë (më parë se t`i pastrojë shkallët). Po mbizotëron një palumturi masive në seks dhe ka dredhina masive. A jemi ne më të mirë kur jemi pasiv në krevat apo po mundohemi ta përdredhim imagjinatën tonë në modelet politikisht të rregullta? Natyrisht se jo. Imagjinata duhet të jetë e lirë. Sa më e rëndë që bëhet jeta jonë, aq më shumë kemi nevojë për imagjinatën si një ekuilibër.
Para pak kohe më erdhi një letër plot me dhimbje nga një lexues i librave të mi: “Jam në mesin e të 20-ve,” shkruante djaloshi, “dhe më kanë pëlqyer librat e tu qysh si tinejxher. Po të shkruaj sepse më duket se dini shumë për femrat dhe seksin dhe kam nevojë për këshillë…
U rrita në mesin e dy nënave radikale që janë lesbike feministe – nëna ime biologjike dhe dashnorja e saj – kështu që gjithnjë i kam trajtuar femrat me një respekt të madh, i kam nderuar kur më kanë refuzuar, i kam plotësuar dëshirat, kënaqësitë dhe mendimet e tyre. Femrat që i kam pasur kanë vepruar vazhdimisht në të njëjtën mënyrë duke më braktisur për derra shovinistë, biçiklistë, djemë të egër të cilët silleshin keq me to. Femra ime e fundit u khtye vetëm pasi ia sigurova një dozë të tillë. Sa herë që sillem mirë me të, ajo mërzitet me mua dhe më braktis. Kur luaj me të atëherë ajo nxehet dhe shqetësohet.
Zonjusha Jong, çka të bëj? Unë dëshiroj t`i trajtoj femrat si të barabarta, por ato kanë qejf të trajtohen si robinja. Nënat e mia më kanë edukuar që të jetoj në një botë e cila nuk ekziston. Të lutem më trego si të veproj?”
I dashuri lexues, ti nuk je i vetmi që është i hutuar nga fakti se pasionet dhe politika jote kanë dalë prej mode: shumë njerëz nuk kanë guxim që të shkruajnë një letër të këtillë. Ti po e trajton femrën me respekt – e ajo po të braktisë për biçiklist të mbrapsht. Po sillesh brutalisht me femrën – e ajo po t`kthehet. Supozojmë se s`bën kështu, por ja që përvoja po e tregon të kundërtën. Megjithatë ti  dyshon në botëkuptimet tua sepse je i edukuar asisoj që t`i trajtosh femrat të barabarta. Po sikur t’i trajtoje të barabarta kur janë vertikale, e si robinje kur janë në pozitë horizontale? Si do të ishte vallë po ta kuptojmë se imagjinata jonë nuk është e lidhur me gjërat e detyruara dhe të padetyruara? Athua çdo të bëhet po të pranojmë të kur në rend dite është dashuria, e jo puna?
Shumica e femrave do të kishin ecur nëpër Saharë vetëm që ta gjejnë një njeri i cili do të luante me to. Një të atillë që zvarritet në të katrat, leh si qen, vë maska, vesh kostume, çizme kaubojsh, të lëkurëta ose prej gome. Përderisa asnjëri nuk lëndohet si në shtrat ashtu edhe jashtë tij, kjo mund të të frymëzoj tërë jetën. Po e luajte një hero romantik, lëre atë që të bëhet trimëreshë. Lëre që t`i përmbysë tavolinat mbrapsht në mënyrë që të të bind se është e fuqishme apo e dobët, vrasëse apo bujare, si t`i teket. Imagjinata është një element ekuilibrues. Seksi pa imagjinatë s`është seks fare.  Imagjinata është fuqia e vërtetë mes gjinive. Personin i cili ua ndez imagjinatën nuk keni dëshirë ta largoni. E njëjta gjë edhe vlen për femrat.
Përshkrimin për aktrimin seksual është shumë më lehtë ta shkruani se sa ta përjetoni. Kultura jonë është puritane ku seksualizmi sulmohet si një gjë themelore. Një milion gjykime të vetdetyruara dhe ndalime kishtare e pengojnë rrjedhën e lirë të imagjinatës sonë, e kështu edhe rrjedhën e lirë të eroticizmint. Për shumicën e meshkujve është më lehtë që të paguajnë për imagjinatë seksuale sesa ta ndajnë me femrat që i donë jo vetëm  në shtrat.
Shumë veta jemi të përçarë mes erotikës dhe aspekteve praktike të jetës sonë. Na vie tepër vështirë që t`i përjetojmë të dyjat.
Turpërimi shkakton kënaqësi. Shumë femra po e bëjnë të njëjtën gjë sepse kënaqen vetëm me meshkujt të cilët i keqtrajtojnë ato. Derisa nuk e kuptojmë sa është dëmtuar psikika jonë në sferën seksuale, do të jetë vështirë për ne që të kënaqemi në marrëdhëniet seksuale.
Por, ndoshta kjo është edhe një arsye që kemi nevojë për imagjinatë dhe aktrim si rrugë deri te seksualizmi, në mënyrë që ta kuptojmë përçarjen tonë seksuale e kështu e zbulojmë natyrën tonë të vërtetë. Fuqia pa barazpeshë e cila vetvetiu në mënyrë seksuale del në pah mund të jetë mënyra jonë më e mirë që ta kuptojmë errësirën e zemrës sonë njerëzore. Derisa e njohim veten si krijesa që dorëzohen (ose i frikësohen dorëzimit), kurrë s`mund ta njohim veten plotësisht.
Seksi nuk është i dedikuar vetëm për shtim të popullsisë, por na lejon t`i kuptojmë kufijtë e njerëzimit tonë. Me prekje kuptohet më shumë se më fjalë. Nëse e dëbojmë seksin, apo potencialin e dorëzimit seksual ne poashtu e dëbojmë një mënyrë të fuqishme të vetnjohjes. Vetënjohja është e rrezikshme dhe kërkon guxim të madh. Gjithmonë ekziston rreziku se do të lëndohemi. Por dhimbja nxit zhvillimin. E pa zhvillim si do t`i tejkalojmë kufijtë e njerëzimit tonë?

Përktheu: Afërditë Hajdini