Bazat e martesës dhe funksioni pedagogjik i familjes
“Një familje e përbërë nga burri e gruaja që e donë njeri-tjetrin dhe me fëmijë të bindur
e të edukuar, është një pikturë e gjallë e lumturisë”
Sami Frashëri
Është e vërtetë e pamohueshme se edukata familjare ushtron ndikim të madh në formimin e të rinjëve, e posaçërisht në moshat më të hershme të jetës së tyre. Fuqia dhe cilësia e ndikimit edukativ të familjes varet nga mundësitë specifike edukative të cilat i posedon familja si dhe nga kushtet themelore të jetës familjare si: struktura e familjes, gjendja shoqërore, ekonomike e familjes, niveli arsimor i prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, cilësitë pedagogjike të mjedisit familjar, organizimi i jetës familjare etj. Krahas këtyre po edhe shumë faktorëve të tjerë duhet theksuar edhe bazat e martesës si parakusht për funksionin pedagogjik të familjes.
Edhe pse martesa përkufizohet si “bashkësi legjitime e dy personave të gjinive të ndryshme” (aspekti formal i martesës), si martesë e vërtetë mund të konsiderohet vetëm “bashkësia e dy personave të gjinive të ndryshme, të cilët janë mishëruar plotësisht në aspektin emocional, të cilët i kanë harmonizuar të gjitha interesat dhe nevojat, e që në kontaktin seksual përjetojnë kënaqësi të plotë reciproke”. Një martesë e këtillë në të cilën gërshetohet ngusht truporja, fizikja me shpirtëroren, psikiken”, ndikon në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë së jetës familjare dhe njëkohësisht mundëson zhvillimin e drejtë psiko-fizk, atë moral e social të fëmijëve.
Duke marrë parasysh se edhe çfarësia e martesës ndikon në cilësinë e funksionit pedagogjik të familjes, shtrohet nevoja e përqëndrimit të vëmendjes në kushtet e domosdoshme për martesë të lumtur, drejt së cilës synon njeriu.
Studimet e shumta vërtetojnë se një ndër kushtet për martesë të suksesshme është mosha e partnerëve. Me plot arësye rekomandohet që bashkësinë martesore ta themelojnë personat e moshës madhore, të cilët, supozohet, se kanë arritur pjekurinë “fizike, intelektuale, emocionale, sociale, atë psikosociale dhe morale”. Nga se tempoja dhe niveli i pjekurisë së personalitetit ndryshon jo vetëm midis individëve por edhe në mes gjinive, ashtu që femrat zakonisht arrijnë pjekurinë para mashkujve, mbrohet qëndrimi se mosha më e përshtatshme për martesë të femrës është midis viteve 22-25, ndërkaq për martesë të mashkullit prej 25-28 vjeç. Mirëpo, ndodh që edhe martesat e themeluara në, të ashtuquajturën, “moshë ideale”, e me “distancë moshore ideale” midis partnerëve, 3-5 vjet, të jenë më të pasuksesshme se sa martesa e mashkullit me femrën dukshëm më të vjetër apo më të re. Jeta ka dëshmuar se “numri i viteve është më pak i rëndësishëm se sa shkalla e pjekurisë dhe aftësia e partnerëve t’i adaptohen njeri-tjetrit”.
Ndër ne janë ende prezente edhe martesat e parakohshme – bashkësitë martesore, në të cilat njëri ose të dy bashkëshortët janë të rinj të moshës nën 18 vjeç. Këto martesa jo vetëm që nuk mund të zyrtarizohen juridikisht, por as nuk rekomandohen për shkaqe psikologjike e pedagogjike. Papjekuria e gjithmbarshme e bashkëshortëve bën që këto martesa të jenë jostabile ose edhe të prishen, shthuren. Përvoja e varfër jetësore e këtyre prindërve, papjekuria emocionale e sociale e tyre, niveli i ulët arsimor i tyre si dhe cilësia e dobët e kulturës pedagogjike vështirësojnë dhe e pengojnë rritjen dhe edukimin e drejtë të fëmijëve. Në mjediset e këtilla mungojnë parakushtet themelore për edukim të suksesshëm, mungon, pra, lidhja e fortë emocionale midis prindërve, respekti e mirëkuptimi reciprok, mungon atmosfera e shëndoshë dhe e ngrohtë familjare për të cilën kanë nevojë fëmijët. Në këto rrethana shpesh zhvillohet rivaliteti midis prindërve, me qëllim të përfitimit të dashurisë së fëmijëve, çka rezulton me preferencën emocionale të fëmijëve ndaj njërit prind, e kjo me shkatërrimin e baraspeshës emocionale në familje, me tensione kronike emocionale e situata konfliktuoze familjare.
Pa tendencë të absolutizmit të rolit të moshës së partnerëve për cilësitë e jetës familjare dhe për funksionin pedagogjik të familjes, mund të konstatojmë se, familjen duhet ta themelojnë personat e moshës madhore, të cilët kanë arritur pjekurinë e duhur psiko-fizike, dhe se mosha e bashkëshortëve, do të ishte mirë të sillet brenda kufinjëve të rekomanduar.
Njëri ndër kushtet e rëndësishme për martesë të lumtur dhe për edukimin e drejtë të fëmijëve është edhe lloji i motiveve për martesë.
Çfarësia e motiveve për martesë në masë të madhe varet nga struktura e personalitetit të partnerëve, pra nga karakteri i tyre, nga kriteret e vlerësimit të njeriut, nga pikëpamjet e tyre për institucionin e martesës, të cilat formohen edhe nën ndikimin e përvojës së tyre në familjen primare.
Është fakt se martesat janë të cytura nga motivet e ndryshme, ose, për nga cilësia, diametralisht të kundërta. Për arësye pedagogjike, së pari do të ndalemi në ato motive, cilësia e të cilave në jetën martesore shkakton konflikte emocionale ndërmjet partnerëve e me këtë edhe atmosferë familjare të papërshtatshme për edukim të drejtë të fëmijëve.
Jeta e përditshme dëshmon se interesi material herë-herë është i vetmi motiv i martesës. Kjo ndodh atëherë kur pasuria materiale konsiderohet si kushti më i rëndësishëm për martesë të lumtur, apo kur partneri ekonomikisht i pasigurtë, në martesë sheh sigurinë e vet jetësore ose edhe mundësinë e pavarësimit ekonomik personal.
Ndër ne veçanërisht në familjet patriarkale ndodh që të rinjtë të martohen vetëm për shkak të dëshirës së prindërve që të miqësohen me një familje, ose edhe për shkak të nevojës së prindërve për ndihmën e të rinjve.
Dëshira për martesë më herët të djalit të vetëm, të djalit jetim, vajzës jetime, është, edhe një arësye tjetër e martesave të nxituara tek ne shqiptarët.
Dëshira për ta rregulluar jetën paraqitet si motiv i martesës së mashkujve të cilëve u është mërzitur jeta e çrregullt – jeta e bohemit. Poashtu, edhe droja e vajzave nga mosha e shtyrë, e me qëllim që mos të mbeten lënesha, mund të jetë e vetmja cytje për themelimin e bashkësisë martesore edhe me personin të cilin nuk e do.
Martesa, posaqërisht femrave mund t’u shërbejë si shpëtim nga mjedisi familjar i padurueshëm, i cili është karakteristik për familjet me rregullim patriarkal-konservativ,
Për familjet me marrëdhënje të acaruara ndërnjerëzore dhe ato për familjet karakteristike për nga patologjitë sociale si alkoolizmi, bixhozi etj., me situata tejet të rrezikshme materiale etj.
Shtatzania e femrës para martesës, për shkak të statusit të pavolitshëm të nënës dhe fëmijës jashtëmartesor në mjedisin tonë dhe ato të ngjashme me mentalitetin tonë, mund t’i detyrojnë dy të rinj të martohen, edhe pse nuk tregojnë dëshirë e gadishmëri të dyanshme për jetë të përbashkët familjare.
Psikologët e theksojnë si motiv të martesës edhe etjen emocionale, e cila, sipas tyre “manifestohet te njerëzit të cilët kanë qenë fëmijë të padëshiruar e të padashur, dhe për të cilët nuk është kujdesur askush”.
Motivet që u përmenden më parë, si dhe të gjitha motivet neurotike, mund t’i konsiderojmë si cilësisht të papërshtatshme për martesë. Kjo bazë jo e shëndoshë ndikon negativisht në marrëdhënjet ndërmjet bashkëshortëve, në kualitetin e raporteve, padyshim të rikthyeshme, midis prindërve dhe fëmijëve, po edhe në marrëdhëniet ndërmjet fëmijëve. Çrregullimet në të gjitha interakcionet familjare kanë si pasojë një klimë të atillë familjare e cila nuk mund të jetë e përshtatshme për rritjen, edukimin dhe formimin e drejtë të fëmijëve.
Nga se, martesa e lumtur ndikon pozitivisht në jetën e bashkëshortëve, në cilësinë e funksioneve të tyre jetësore si dhe në funksionin e tyre pedagogjik, atëherë është tejet e rëndësishme që motivet për martesë, e të cilat e përcaktojnë cilësinë e martesës, të jenë të shëndosha.
Jeta bashkëshortore dëshmon se “motivi më i vlefshëm për zgjedhjen e bashkëshortit është dashuria”, dhe se pikërisht “dashuria dhe shoqërimi ndërmjet partnerëve, intimiteti seksual dhe lindja e fëmijëve” duhet të jenë motivet kryesore për martesë, motive këto të cilat duhet të afirmohen posaçërisht sot, në kohën e krizës së thellë ekonomike të popullit kur vërehet një tendencë e fetishizmit të pasurisë, si kriter të vetëm për martesë të lumtur.
Përkrah dashurisë reciproke të partnerëve, e cila trajtohet si “motivacion i natyrshëm e i shëndoshë për martesë”, si një “ndër qëllimet e martesës”, e edhe si “ një ndër parakushtet për bashkësi martesore të sigurt”, duhet theksuar edhe kushtet e tjera të cilat ndikojnë në çfarësinë e martesës.
Zgjedhja e partnerit të përshtatshëm për martesë konsiderohet si një ndër kushtet e rëndësishme për martesë të lumtur, kusht ky po aq i rëndësishëm sa edhe njohja e plotë e partnerëve, interesimi emocional i vazhdueshëm për partnerin, aftësia e adaptimit të partnerëve në njëri tjetrin etj.
Del pra, se kusht i rëndësishëm për martesë të lumtur është njohja reciproke e partnerëve e cila nuk mund të arrihet për një kohë të shkurtër të shoqërimit të tyre para martesës. Pikërisht për këtë martesat e nxituara nuk preferohen e më së paku i preferojnë ata të cilët kanë ndërmarrë hapa të këtillë.
Para se të martohen, partnerët në rend të parë duhet të njohin shëndetin psiko-fizik të njëri-tjetrit. Me këtë rast do ta rikujtojmë konstatimin e një psikiatri i cili thotë: “Për themelimin e martesës si kusht është që të dy partnerët të jenë të shëndoshë”. Këtu normalisht se nuk mendohet për pengesa të vogla dhe ato të tejkalueshme shëndetësore por vetëm për ato “sëmundje kronike dhe defekte të ndryshme psiko-fizike të cilat mund ta shkatërrojnë bazën emocionale të martesës”.
Po ashtu është tejet e rëndësishme njohja reciproke e nivelit kulturor të partnerëvë dhe e kahjes së interesimeve të tyre. Pritet që nivelet dhe interesimet e përafërta të shkojnë në favor të forcimit e thellimit të marrëdhënieve bashkëshortore.
Është mirë që vëmendja të qendërzohet edhe në aftësinë e partnerit për përvetësimin e ideve dhe qëndrimeve konstruktive të kohës dhe aftësinë e flakjes së gjithë asaj që është e vjetruar dhe e tejkaluar.
Edhe mentaliteti i mjedisit social në të cilin është rritur, edukuar e formuar partneri duhet doemos të njihet, ashtu si duhet të njihen pikëpamjet e atij mjedisi përkitazi me martesën, për pozitën dhe rolin e gjinive në familje dhe në shoqëri, për pozitën dhe rolin e gjeneratave në familje, për veprimet edukative etj. Është gjithashtu relevante që partnerët, para martesës, t’ia njohin njëri tjetrit pikëpamjet për jetën, për bashkëshortësinë, për rolin e prindërve në edukimin e fëmijëve, për amvisërinë dhe përgjithësisht ekonominë familjare etj. Ata duhet të kenë kuptim paraprak për rrethanat familjare dhe kushtet ekonomike në të cilat do të jetojnë, do të rriten e do të edukohen fëmijët e tyre.
Me interes të veçantë për martesë të suksesshme është njohja e thellë e karakterit të partnerit. Jeta ka dëshmuar se dallimet e mëdha në tiparet e karakterit të partnerit zakonisht shaktojnë plasaritje dhe përçarje të rënda midis tyre, me çka rrënohet autoriteti i prindërve, pa të cilin nuk mund të merret me mend edukimi i drejtë i fëmijëvë. Bashkëshortët, me tipare plotësisht të ndryshme të karakterit e të personalitetit nuk mund të prezentohen gjatë edukimit të fëmijëve, kushtimisht thënë,si një njeri pra, si palë prindore që i ka harmonizuar synimet,qëndrimet dhe veprimet edukative, si kusht për edukimin e suksesshëm të fëmijëve, si kusht për përgatitjen e tyre për jetë familjare e shoqërore.
Si përmbyllje e kësaj trajtese do të na shërbejë mendimi i Dr. Abraham Stones se “të përshtatshëm për martesë janë ata partnerë që janë të aftë t’i sigurojnë kushtet ekonomike për jetë familjare, të cilët janë të pjekur emocionalisht, të cilët janë të shëndoshë, të aftë për lindje të fëmijëvë dhe të cilët kanë aftësi eugjenike ”. Plotësimi i të gjitha kushteve të përmendura do të rezultojë me martesë të suksesshme, e martesë e suksesshme konsiderohet “ajo bashkësi martesore e cila i kënaq nevojat e njeriut për të jetuar në bashkësi, e cila i ofron njeriut siguri emocionale, e cila i jep mundësi njeriut t’i kënaq nevojat seksuale si dhe ta plotësojë dëshirën për pasardhës”.
Edhe pse martesa ideale nuk ekziston, mendojmë se tek bashkëshortët duhet të zhvillohet intenca e përkryerjes së vazhdueshme të bashkëshortësisë e me këtë edhe të marrëdhënieve familiare, të cilat mendimi pedagogjik i konsideron si faktor i rëndësishëm i edukimit të fëmijëve, faktor me influencë dominante posaçërisht në etapat e hershme të jetës së të rinjve.